Rrëfim gazmor në vetën e katërt
| Friday, 03.02.2007, 05:34 PM |  

Kur mbusha 12 vjet në mërgim, ime shoqe trashëgoi një gropë varri dhe vendosi ta ndanim sëbashku. Nuk ishte as për të qeshur, as për të qarë. Në mërgim ke fatin e madh që çdo ditë ta shohësh vdekjen ndryshe, ose që vetë vdekja të të fanitet ndryshe nga një ditë a nga një jetë më parë. Kalojnë shpejt muajt drithërues, kur gjëja më e hidhur të duket varrimi në dhé të huaj. Si për të shumëfishuar bindjen se toka trake nuk është më pak e bekuar se të tjerat, çmimet e gropava ishin rritur tejmase. Po ta llogarisje vlerën e një grope në bazë të parapagimit mujor, apo vjetor, ajo kushtonte sa një shtëpizë e vogël me kopsht dhe me vend për gropë varri. Mora vesh se, falë çoroditjes së çmimeve, gjer edhe varrmihësit qenë hedhur në grevë. Kërkonin rroga më të larta, mirëkuptim dhe leje për të krijuar një shoqatë kombëtare të pavarur. Gëzimi që më shkaktoi sigurimi i një grope në dhé të huaj nuk qe i vogël. E kisha një vend grope edhe në Pogradec, pranë eshtrave të të parëve, dhe, në rast varfërimi të skajshëm, mund të shisnim, ose të jepnim me qira njërën nga dy gropat e huaja. Ndoshta nuk ishim të vetmit që rronin nga gropat e varrit të tyre. Gjeta kohë dhe shkova të shihja gropën. Varreza mbante emrin e një manastiri të njohur dhe qe blerë nga një prift. Ishin në modë varrezat private. Toka dukej e mirë gjer edhe për një të huaj si unë. Varret shtriheshin nën një qiell të çelët, mes një fabrike buke, një kishe të regjur me përshpirtje dhe një fabrike birre. Mund t’ia kaloje mirë gjatë amëshimit me qiell, bukë, mesha dhe birrë. Prifti ishte shtatlartë, i ligur, me tri celularë që cicëronin oreçast. Më priti me një nga ata aq të paanshmit shikime, që të ngutin ta përçmosh njëlloj edhe jetën, edhe vdekjen.
- Hm, domethënë shkrimtar… - belbëzoi jo pa qesëndi. Kaq?!
Më la të kuptoja se shkrimtari qe vetëm diçka më shumë se hiçi (jo ai i botës tjetër) dhe se nën truallin e tij preheshin apo bubrronin kocka kreshnikësh që i patën falur njerëzimit gjëra shumë më të vlefshme nga ç’mund t’i sjellë Diçka-më-shumë-se-hiçi.
Hymë në zyrën e tij, më ftoi t’i ulesha përballë dhe hapi një kalendar fetar sa një dritare. Nuk ishte rasti të më kërkonte mes shenjtëve. Në anën e pasme të kalendarit hapej plani i varrezës. E kish vizatuar prifti me dorën e vet. E gjeti katrorin që më takonte dhe nguci brenda tij mbiemrin tim, duke u kapitur nga renditja e gërmave, ashtu si treçereku i të huajve, me të cilët më lidhte puna. Pastaj më bëri një zbërthim të çështjes. Varreza ishte e mirëmbajtur si rrallëkund. Po të sajohej në të ardhmen ndonjë çmim kombëtar, ose ndërkombëtar varrezash, padyshim do ta kishte hak çmimin e parë. Prandaj edhe çmimet e gropave qenë të tillë. Veç përkujdesjes, ruajtjes nga përdhosjet e mundshme dhe këndimit me temjan në çdo gjashtë muaj, ose me porosi, nga zonja të regjura në atë punë, varreza siguronte edhe shërbesat që i kushtoheshin merhumit nga të afërmit. Ia vlente. Komiteti qëndror i varrezës siguronte madje edhe qivurin, i cili kushtonte njëlloj sa djegia në krematoriumin e Bukureshtit. E nëse nuk vendosja të më digjnin e të ma shpërndanin hirin në vende të çmuara, mund të zgjidhja qysh tani llojin e qivurit.
- Jo, - i thashë. Se mund të rritem ende, ose të zvogëlohem. Për më tepër që, veç gruas, dua të marr me vete edhe ca libra.
Nënqeshi. Edhe mua ma krisi buzën një nënqeshje: do të duhej të ma shpërndanin hirin në mjaft shpirtra femrash e jo vetëm në shpirtra.
Teksa urata endej mes llogarive, pjestimeve, shumëzimeve dhe nyjeve të së ardhmes sime mortnore, më erdhën ndërmen zakonet e lashta të dakëve, që ia plasnin vajit në tufë pas lindjes së një foshnje dhe dëfrenin pas vdekjes së dikujt. Jeta ishte vdekje për ta dhe anasjelltas. I pranonin të dyja mendjembledhur. Kur fati iu kanosej me ndonjë thatësirë apo përmbytje shkatërrimtare, zgjidhnin një djalosh të përkorë dhe e hidhnin në një gropë të posaçme plot me shigjeta. Vetëm pasi paguhej asisoj, Përjetësisë i zbutej zemra, i ulej zemërimi dhe e sillte jetën e tyre në binarë. Aq i madh ishte nderi i të ngulurit në ushta, saqë shumë djem nuk nguteshin të shijonin grua para martesës. Këto zakone kishin çuar me kohë në krijimin e të famshmes Varrezë Gazmore (Cimitirul Vesel), që ndodhej në njërin nga skajet e ish Trakisë, vend i pagëzuar “Atje ku varet harta”. Fjala “Gazmore” mbulonte thelbin “E mençur”. Fshatarët e zonës, qysh në të gjallë, pasi kalonin njëfarë moshe, porositnin llojin e muranës dhe vargjet e mbramë, me të cilët do të hynin në bisedë me të afërmit e mbetur gjallë, me miq e armiq, apo edhe me kalimtarë të rastit, turistë, hulumtues dokesh të vjetra etj. Një pjesë varresh kishin trajtën e shtëpizave prej druri, gdhendur hijshëm e lyer me ngjyrat më të papritura që mund të zgjojë gazmendi i ikjes nga kjo botë. Dhuntia e të thurrurit poezi muranash trashëgohej brez pas brezi dhe tani në fshat njiheshin fiset e këngëtorëve që ta përmblidhnin jetën në vetëm disa vargje. Qëmtimi, përzgjedhja, shtrydhja dhe përkryerja e të dhënave jetësore nuk qe punë e lehtë dhe nuk para u vinte ndoresh poetëve të sotëm, që shpeshherë mezi presin t’i zbërthejnë thelbet e vdekjes në shpresa e ëndrra të përflakura për një jetë më të mirë. Pleqtë e Varrezës Gazmore ia dilnin mbanë, - mbase edhe me ndihmën e ndonjë rituali të fshehtë, - që ta përftonin jetën e dikujt pakashumë ashtu siç qe parë ajo jetë nga sytë e Përjetësisë. Gjëja që të bënte më fort përshtypje mbi murana ishte mungesa e shenjave të pikësimit. Koha rridhte me një tjetër ritëm për korin e të ikurve. Befasuese ishte, gjithashtu, një lojë fjalësh, e ardhur vetiu: përdorimi i «ai» (ke) në vend të «ani» (vite), çka e përmbyste fshehtas, si pandjeshëm, bindjen tonë stërgjyshore rreth kamjes e skamjes së vërtetë të kësaj jete. Vetëm kur humbje vitet, arrije të kishe vërtet diçka krejt tënden. Humbja e viteve ishte pasuri. I bindur se mjaft shkrimtarë mendonin shkarazi, ose shumë pak rreth Vdekjes, - e për këtë arsye shkrimet e tyre bëheshin gjithnjë e më jetëshkurtra, - duke u kujdesur që të mos më kaplonte ai humori i rrezikshëm i qënieve që vdesin para kohe, u përpoqa të përfytyroja se si duhej punuar me të dhënat e jetës sime, nga të cilat, pas sitjes, mund të mbeteshin vetëm ca numura, ca gërma dhe ndonjë shenjë kuptimplote pikësimi:
2004, nëntor - Përfundon së shkruari në rumanisht romanin „Libri i vdekjes së parakohëshme”. Harton një bio-bibliografi që mbyllet në ditën e lindjes së vet. Synimi: të nuhatë më qartë qendrën e rëndesës së atyre që ka shkruar. Vazhdon të japë në arsimin universitar rumun lëndët: Elemente të kulturës dhe qytetërimit ballkanik, Hyrje në semiotikë, Fenomeni Audio-vizual dhe Gjuha e shtypit dhe të punojë me tezën e doktoratës në teologji („Marrëdhënia Zot-Kozmos në besimet monoteiste”). I botohen: „Shtetrrethim” - roman i shkruar me shumë pak thonjëza (rumanisht), „Si u pushtua Çmendustani” („Buzuku”, Prishtinë) dhe „Sy”, (shqip, Bukuresht).
2003 - Dalin nga shtypi në Bukuresht: „Një alfabet i poezisë shqipe”, antologji, 101 poetë shqiptarë në gjuhën rumune dhe „Koha e zëvendësve”, një dialog me poeten Iolanda Malamen për shpirtërimin shqiptar. Dialogu përfshihet nga Sh. B. „Humanitas” në kolanën „Kujtime / Ditare / Dëshmi”, përkrah librash të Sollzhenicinit, Bukovskit, Kerteshit etj.
2002 - Botohen: Trilogjia, prozë e zgjedhur rumanisht, „Engjëjt e tepërt” („Buzuku”, Prishtinë) dhe „Kristali dhe hienat” („Buzuku”, Prishtinë).
2001 - Botohet Diva ose Ngrënësi i Luleve, roman shqip. Kthehet në Pogradec pas tetë vjetësh mungese. Qëndron vetëm disa orë. Mjafton.
2000, mars - Zgjidhet antar korrespondent i Central European Acadamy of Science and Art. Ceremonia e pranimit zhvillohet në qytetin Turnu Severin, buzë Danubit. Dalin nga shtypi: Oreksi për bukën e qiellit, (shqip, Tiranë), „Hyu Epigon”, roman-ese kushtuar jetës dhe veprës së Lasgush Poradecit, shkruar në rumanisht (Timishoara), dhe „Dashuri me shikim të fundit”, prozë dhe teatër në rumanisht. Janar - kthehet në Tiranë pas shtatë vjetësh mungese. Me nismën e botuesit „Onufri” promovohet romani „Lumenjtë e Saharasë”.
1999 - Hapet një nga librat e mëdhenj të jetës: lindet në Bukuresht Julia-Maria Kyçyku, e bija e Ardian dhe Carmen Kyçykut (inxhiniere, lindur në Bukuresht më 1969). Dalin nga shtypi „Përkthimi”, roman, „Muza e Lojës”, trilogji dhe „Lumenjtë e Saharasë”, të gjitha në shqip.
1998 - Bashkë me të atin, akademikun Kopi Kyçyku themelojnë Revistën Haemus, numuri 1 i së cilës del nga shtypi më 28 Nëntor. Botohen: në Bukuresht „Një fis i lavdishëm e që jep shpirt”, epopeja e një harrese, shkruar në rumanisht, „Nata pas vitit zero”, prozë në shqip, Prishtinë. Prill - mbron doktoratën në letërsi botërore të krahasuar, në Universitetin e Bukureshtit, me tezën „Drejtime të modernizmit evropian dhe jehona e tyre në letërsinë shqiptare mes dy luftrave ose Shqisa përgjakëse e rigjetjes”. Punimi shqyrton jetën dhe veprën e autorëve Baudelaire, Poradeci, Rimbaud, Migjeni, Gide, Koliqi, Peguy, Fishta, Konica etj. Del në Bukuresht vëllimi „E fshehta e ëmbël e marrëzisë”, roman me 33 kapituj të mëvetësishëm shkruar në rumanisht, shoqëruar me 22 vizatime të autorit. Kritika rumune flet për një mitologji të re ballkanike. Shkurt - udhëtim vegimtar në Kosovë. Pranonët në radhët e Bashkimit të Shkrimtarëve të Rumanisë dhe të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
1997 - Udhëton si i ftuar në Gjermani, Maltë, Hungari, Austri, Çeki, Libi etj.
1997 - Botohet në Prishtinë romani „Mortët”, shkruar në vitin 1988 në Pogradec e Tiranë. Del nga shtypi në Bukuresht romani „Viti kur u shpik mjellma”, roman i shkruar në rumanisht në 7-18 shkurt të vitit 1996.
1996 - Pasi i ati shkon në Sh. B. „Naim Frashëri” të tërheqë dorëshkrimin e vëllimit „Bravat e vjetra” dhe vëren se romani „Mortët” mungon, autori shtyp në kompjuter romanin përkatës, e shumëfishon në xerox, e pret dhe e qep me dorë, sajon edhe një ballinë dhe ua dërgon disa miqve, të njohurve e të panjohurve. Një nga këto 50 kopje mbërrin mrekullisht në Prishtinë dhe botohet nga Sh. B. „Dukagjini”.
1995 - Pagëzohet në ritin ortodoks të fisit nga i cili rrjedh, në kishën Shën Ilia i Rahovës të Bukureshtit, që ndodhet në Rrugën 11 qershori, më 11 qershor, në orën 11 të paradites. Me emrin e pagëzimit, -Christian, krijon pseudonimin që do të përdorë në krijimet letrare.
1994 - Shkrimi i parë në rumanisht titullohet „Statujë për një zog të zhdukur” dhe i kushtohet poetit Lasgush Poradeci. Ky shkrim botohet në revistën mujore „Albanezul” (Shqiptari), ku autori do të punojë pa rrogë e, më pas, me gjysmë rroge, deri në fund të vitit 1996, kur jep dorëheqjen. „Statuja…” do të pasohet nga një sërë esesh të tjera kushtuar jetës dhe veprës së Frang Bardhit, Marin Barletit, Naim Frashërit, De Radës, Konicës, Fishtës, Nolit, Koliqit, Camajt, Migjenit, Kutelit etj. Fillon të përkthejë në rumanisht poezi e prozë shqipe, pa synim për të botuar.
1993 - Del në Tiranë, në kushte tipografike mëse modeste, romani „Në perandorinë e gurit ose Gazeta e secilit”. Do të përfshihet me titullin „Ora pa kohë”, i riparë, në trilogjinë „Muza e Lojës”. Që nga ky vit autori do të bashkëpunojë me organizmat e pakicave kombëtare të Rumanisë dhe do të kryejë studime rreth psikologjisë së mërgimtarëve, dhunës, shpërfilljes racore, antisemitizmit, smirës së institucionalizuar, fabrikimit të identitetit dhe disidencës, idhujtarisë, manipulimit mediatik etj.
1991, nëntor - Largimi nga Shqipëria me një bursë për doktoratë, fituar në konkursin e organizuar nga Fundacioni Kulturor Rumun (sot: Instituti Kulturor Rumun). Një natë para ikjes, djeg një pjesë të dorëshkrimeve. Pjesën tjetër, përfshi vizatimet dhe disa romane të shkruar në frymë avangardiste, do t’ia sjellë në Bukuresht i ati, gjatë tre udhëtimeve Bukuresht-Tiranë-Bukuresht (1994, 1998, 2001). Vendoset në kryeqytetin rumun, të cilin vazhdon ta shohë si më të bekuarin e mundshëm për një prozator të lindur në Ballkan. Bujt fillimisht, për rreth një muaj, në shtëpinë e të ndjerit Thanas Bora, nip i Lasgush Poradecit, pastaj i jepet një dhomë në konvikt, nga ku do të largohet në mesin e vitit 1997. Deri në vitin 1996 e më tej do të thellohet në mësimin e rumanishtes dhe të gjermanishtes, në njohjen e sanskritishtes dhe hebraishtes dhe në studimin e mistikës judaike (Kabbalah, Talmudi dhe Zohari), të krishterë (Apokalipsi, Pateriku Egjiptian, Jetët e shenjtëve) e islamike (Kuran’i, Shkëlqimet), në hinduizëm e budizëm, dhe do të lexojë veprat kryesore që lidhen me ezoterikën e Jezu Krishtit, Toma de Kempisit, murgjve të Malit Athos, Apokalipsit të Shën Gjonit, Pitagorës, Hermesit, Zoroastrit, Shën Maksim Dëshmuesit, Ibn Arabit, Alexandru Shafranit, Dumitru Staniloaes, A. Cohenit, Padre Pios etj, si dhe më frankmasonerinë, yoga-n, horoskopin, numerologjinë, shkrimet e rralla, kriptikën, simbolistikën, sektet fetare, bestytnitë e hershme ballkanase, shoqëritë e fshehta, mass-median. Gjatë kësaj periudhe, me ndërprerje, do të vazhdojë të punojë në grafiti dhe në vaj tablo e ballina, të cilat i sheh thjesht si ilustrim idesh. Dhe nuk do të ndalet së lexuari letërsi botërore, që nga Sofokliu e deri tek Per Lagerkvisti, Kamyja etj, si dhe shumë poezi.
1990 - Mbaron studimet e larta për gjuhë-letërsi. Romanit „Triumfi i Proteut” i jepet një çmim kombëtar. Caktohet mësues në një fshat të Pukës. Nuk ia del mbanë të njohë zonën, i bindur se e ka njohur mjaftueshëm Migjeni. Revista „Nëntori” boton tregimin „Ai që vuri zjarrin”. Nga ky vit autori do të nisë ciklin me shkujtime (fjalë e krijuar prej atij vetë) që përbëhet nga romanet e gjatë: „Mahnitja e papagajve”, „Kokrriza nga klepsidra e Venusit”, „Hakeldama”, „Syri që godet pas shpine” (dimër, 2000). „Zëri i rinisë” boton tregimin „Hekatomba e puthadorëve”.
1988 - Dorëzon në Shtëpinë Botuese „Naim Frashëri” vëllimin „Bravat e vjetra”, ku përfshihen romanet „Demi i zi”, „Mortët”, „Triumfi i Proteut” dhe „Ditët prej qelqi”. Drejtori i shtëpisë botuese ndërrohet tri herë dhe secili nga drejtorët e rinj i bje ta ketë mbajtur me nga 100 gënjeshtra, ose nga 100 ditë me të njëjtën gënjeshtër, sepse autori shkon për gati një vit rresht, çdo mëngjes, në zyrat përkatëse dhe arrin ta marrë të drejtën e botimit vetëm disa ditë para se të mbarohej letra. Mbarohet letra. Mbyllet njëri nga librat e mëdhenj të autorit: ndërron jetë gjyshi Llazi Kyçyku.
1987 - Për shkak të mesatares në matematikë fillon me pak vonesë Fakultetin e Gjuhë-Letërsisë pranë Universitetit të Tiranës. Në ditën kur komisioni ndante vendet e lira të fakultetit, botohet në gazetën „Drita” tregimi „Pulëbardha”. Njëherazi, nis të mësojë rumanisht me ndihmën e të atit, i cili ka ndjekur studimet e larta në Bukuresht në fillim të viteve '60, dhe mundohet të lexojë në origjinal veprën poetike të Mihai Emineskut. Ka shtypur ndërkaq në një makinë shkrimi të marrë hua, në Pogradec, romanet e vëllimit „Bravat e vjetra”.
1986, maj - Botohet në gazetën „Zëri i rinisë” tregimi „Përtëritje”. Një dorë e panjohur bën shaka nga terri i Gutenbergut, duke e mbyllur tregimin me fjalinë e helmët „Ai do të rritej”.
1986-1983 - Kryen gjimnazin „Partizani” të Tiranës.
1981 - Mbyllet njëri nga librat e mëdhenj të autorit: ndërron jetë gjyshi Vangjel Koci.
1979 - Përfundon me të atin një metodë mësimi të gjuhës frënge dhe dy metoda të italishtes. Lexime të pafundme, - në Pogradec e Tiranë, - nga vepra e Lasgush Poradecit, Mitrush Kutelit, Shekspirit, Heminguejit, Omar Khajamit, Erik Maria Remarkut etj.
1975, nëntor - Largimi nga Pogradeci, ndërprerja e mësimeve në shkollën fillore „Koli Gusho” dhe vijimi i tyre në shkollën „Hasan Tahsini”. Në kryeqytetin shqiptar qe ndërprerë uji dhe ishte një thatësi e paparë. Fëmijës i shkon mendja të presë venat, që të mund ta shuajë etjen me gjakun e vet, por nuk arrin. Deri në largimin përfundimtar nga Tirana, as shirat e panumurt e drobitës nuk do ta shuajnë etjen e mësipërme, etje që torturon e mbush me vegime edhe protagonistin e romaneve „Lumenjtë e Saharasë”, „Qielli vetëm pranon”, „Puthmë, skelet!” dhe „Dita shtatzanë”. Deri në nëntor të vitit 1991 do të përshkojë mjaft shpesh me tren e makina të rastit zonën Tiranë-Pogradec.
1973, dimër - Shkruan fjalinë e parë në shqip, me gisht, mbi një tapitá. Hedh në letër dy ngjarje të rrëfyera nga gjyshërit dhe pikturon për herë të parë me bojra uji.
1969, gusht, 23 - Çiftit Kopi dhe Martha Kyçyku (lindur më 1943 dhe përkatësisht më 1946) iu lind një djalë. Mes emrave Kastriot, Robert dhe Ardian, zgjidhet i treti. Qysh atë ditë, jo pak njerëz, nganjëherë edhe ai vetë, kanë kujtuar se po bëhet shaka.



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •