Gjuha e njerkës
| Monday, 04.02.2007, 05:35 PM |  

Pak lindorëve mund t’u ketë shkuar ndërmend në fund të viteve ‘80 se çlirimi i Fjalës do të sillte burgosjen e aq të vërtetave, shpikjen e ca të vërtetave të tjera, krejt të ndryshme nga të parat, ndëshkimin me shpërfillje e heshtje zyrtare të të tjerave. Folklori i pashtershëm shqiptar, ajo zonë e tij, që gjithmonë, pa bujë, ka mbetur disidente ndaj pjesës tjetër, ka një rrëfenjë mëse të hidhur, e cila, si vetë e Vërteta, na dërgon nga lashtësia e genit një mësim kuptimplotë. Ngjarja është e thjeshtë: një djalosh që pat sharë a mallkuar Prijësin e vendit, dënohet me varje. Para se t’ia futin kryet në hallkë, e lejojnë të shprehë dëshirën e fundit. Në varje merrte pjesë edhe e ëma e këtij armiku të popullit. Po, thotë armiku, dua ta lut time ëmë për diçka. E ëma, ndërkaq, vajtonte fatin e zi dhe shkulte flokët nga dhimbja. Nënë, i thotë i biri, mund ta nxjerrësh pak gjuhën? Ajo nuk ka si t’ia prishë dhe e nxjerr. Atëhere armiku i popullit ia kafshon gjuhën së ëmës dhe ia shkul nga rrënjët.

Morali: kjo gjuhë më mësoi si ta (sh)përdor gjuhën time për të shkurtuar rrugën që më ndante nga litari!

Njëlloj si ajo nënë e papërgjegjshme, - që të ruajmë sadopak shenjtërinë arketipale të figurës, - veproi politika frymëzënëse komuniste me ata shkrimtarë lindorë që guxuan të ndesheshin me shtetin në epokën kur një fjalë “kundër”, “jashtë rregullit” kushtonte vërtet sa një jetë. Të vjen të bindesh se epja e shumë artistëve ndaj politikës, ndaj zgjidhjes së nyjeve metafizike me mjete politike, është njëra nga shumë taktikat, nëpërmjet të cilave politika në përgjithësi josh dhe pastron radhët e artistëve të përkushtuar - çka dëshmohet qartë nga kalimi i mjaft artistëve nga arti në politikë, dorëheqja nga arti, ose angazhimi i këtij të fundit në një përmasë që e shpërbën. Vështirë të thotë tani ndokush se cila nga dy arenat humbi më shumë nga ky mërgim (gati po aq i dëmshëm sa edhe rrjedhja e trurit jashtë kufijve): arti apo politika.

Mllefi dhe adhurimi pa kushte

Në varjen e armikut të popullit, alias Viktimës së nënës së papërgjegjshme, nuk merrnin pjesë vetëm ndëshkuesit dhe të afërmit e viktimës. Skena është mëse e njohur: hasmë të fshehtë e të shpallur të armikut, miq memecë e të deklaruar të tij, adhurues, smirëzinj, fqinjë, të huaj, kalimtarë, sehirxhinj të përjetshëm, - nga raca e atyre që presin si do të mbyllet muhabeti, që të dinë me kë të bëhen, - pasues pa gjuhë dhe mallkues zyrtarë. Shumica janë njerëz të rëndomtë, qënie që mund e do ta ndikojnë vetëm në tufë rrjedhën e historisë. Ndëshkimi ua ndryshon vetëdijet me atë forcë që e ka vetëm realiteti i vdekjes së tjetrit në prani të turmës e njëherazi në vetmi të plotë të të dënuarit. Ndjenjat e të pranishmëve nuk mund të jenë veçse të përzjera. Nuk është çudi që mënia e shumicës prej tyre, - tashmë të cfilitur nga varfëria, të shterur nga përsëritja e mashtrimeve, nga korrupsioni dhe padrejtësitë e të zgjedhurve (përfaqësuesve) të shtetit, - të ketë qenë në vetvete shumë më e ashpër se sa mënia e atij që po varet. Përndryshe, as ata që varen nuk janë të gjithë njëlloj. Ai që dënohet për bindje të kundërta nga ato të Prijësit ndryshon nga ai që dënohet për shprehje me zë të lartë të këtyre bindjeve. Secili prej tyre dhe të dy bashkë dallohen nga ai që i ka shprehur bindjet i ngucur prej rrethanave dhe nga ai që ka arritur në bindjet e rrezikshme pas një dënimi të mëparshëm, ose thjesht nga nuhatja e njeriut që nuk duron dot më të shkelet me këmbë e nuk gjen rrugëdalje tjetër.

Arsye të shumëllojshme e kanë penguar mëninë e të pranishmëve të shprehet e rrjedhimisht secili prej tyre të varet në vend të të dënuarit. Natyra njerëzore, njeheresh me shpirtin bart edhe etjen, nevojën e lindur për flijim. Është mbase një ndërkryerje e dështuar e mallit për hapësirën shpirtërore nga vijmë, hapësirë e cila dalngadalë njësohet me fëmininë e që shpesh pagëzohet ‘Parajsë e humbur’. Kjo etje nyjëtohet me nevojën për të bërë pak emër, për të lënë njëfarë gjurme në shtjellën kaherë të palogjikshme të historisë. Falë këtyre nevojave, shpirtrat e shumë prej të pranishmëve llokoçiten në një përzjerje të mllefit me adhurimin e skajshëm, me idhujtarinë. Një pjesëtar i turmës, i rëndomtë apo më pak i rëndomtë, adhuron sëbrendshmi, mbase vetvetiu, tek një martir, pikërisht atë që s’kryen apo s’e ka kryer dot vetë: guximin ‘e çmendur’. E sidomos admiron forcën me të cilën martiri është gati të flijohet për një ide, për daljen në shesh të së Vërtetës, pavarësisht se dalja e së Vërtetës nuk ia trondit fort themelet Prijësit-shtet. Pjesëtari i turmës së munduar e di se armiku i popullit e gëzon këtë emër vetëm sepse është kundërshtar i Prijësit-shtet. Shpërblimi i tanishëm i martirit është tallja, poshtërimi dhe shija e marrëzisë pa bukë, por ky shpërblim, më vonë, do të shndrrohet dhe martiri do të hyjë në pavdekësi, në faqet e historisë, në këngë e filma. Mendja e njeriut të thjeshtë i peshon gjërat shpejt:

- Çfarë humbi?

- Jetën.

- Çfarë fitoi?

- Pavdekësinë, një vend pëllumbash në historinë e kombit, një folezë të ndritur në kujtesën e popullit.

Megjithëse e parandjen relativitetin e të mësipërmeve, s’ka të paemër në këtë botë që s’do të kish dashur të fitonte të njëjtat gjëra, por pa humbur jetën, - se jeta është më pak relativja, - pa u varur, pa derdhur gjak, pa dhuruar kurrgjë. Për këtë arsye, shumë të paemër brumosen dalngadalë dhe mezi presin të bëhen pasuesit e një disidenti të vërtetë. Mundësisht pas vdekjes së këtij të fundit. Mirpo me kalimin e kohës, kur vuajtjet e idhullit janë mjegulluar, janë bërë kryekëput vetjake, pasi është parë që regjimi ka cofur me gjithsej, pasi guximi i dikurshëm, vetmohimi, nën gërryerjen e ngadaltë e kafshërore të çikërrimave të përditshme, nuk kanë më shkëlqimin e parë, shumë nga të pranishmit në ndëshkim e përzjejnë veten me të ndëshkuarin, madje jo rrallë e nxjerrin nga loja. Sepse për ta kjo ka qenë dhe mbetet lojë, një pjesë teatrale, pavarësisht se jeta dhe gjaku i disidentit kanë qenë dhe janë të vërteta e nuk vijnë përditë. Dhe ligji i pashkruar flet qartë: një ngjarje është gjithnjë e më tepër lojë sa më pak përzjehesh në të, sa më shumë tërhiqesh prej saj. Dyshimin mbi vërtetësinë e ca vlerave e ndihmon edhe pyetja nëse i ndëshkuari ka pasur vërtet të drejtë. Po sikur Prijësi-shtet të ketë pasur të drejtë?! I ndëshkuari është flijuar në emër të një tjetër harmonie të gjërave. Po sikur harmonia e ofruar (ndonëse me dhunë) nga Prijësi-shtet të ketë qenë më e mira?!

Smira stërgjyshore

Natyra mahnitëse dhe mjaft e koklavitur e ballkanasit nuk mund të zhvillohet pa përplasje e kundërthënie që shpesh kushtojnë shtrenjtë nga të gjitha pikëpamjet. Vështirë të gjesh një ballkanas të gjallë, të zakonshëm, të kamur, të varfër, të ndenjur, i cili, me një lehtësi kreshpëruese, pranë gotës, në kafene, në mbledhje, kudo, të mos shpërfillë çdo flijim të bërë nga dikush tjetër. Sa më shumë gjëra të përbashkëta të kenë (moshë, kombësi, mendime etj), aq më egërsisht shpërfillen mesveti.

Sikur ç’ka bërë?! Edhe unë e bëja!

Dhe ai që s’ka bërë asgjë është shumë bindës. Edhe ai hidhej në greminë për të shpëtuar nderin, edhe ai falte gjakun, edhe ai vritej në vijën e parë të frontit, edhe ai shkelte mbi bukëshkalët e kombit, edhe ai e ngjëronte ballëlart të famshmen bukë të hidhur të mërgimit, edhe ai mbante nga dhjetë deri në pesëdhjetë vjet burg të rëndë, edhe ai braktiste parajsën perëndimore për t’u vrarë në luftë, edhe ai shkruante aq kryevepra, edhe ai fliste aq gjuhë të huaja, edhe ai ia përplaste hundësh diktatorit, edhe ai e zbulonte melhemin kundër vdekjes, edhe ai e shpikte eliksirin e rinisë së përjetshme…

Ai vetëm se…

nuk ka qenë në vendin përkatës, në kohën përkatëse, me trurin dhe shpirtin përkatës, i mbështjellë me lëkurët e secilit prej atyre që i kanë bërë vërtet gjërat e lartpërmendura.

Kaosi i hamendjeve

Hapja e kufijve, përfshi ata të vështrimit, u dha mundësinë shumë lindorëve të dilnin në botë. Dalja ishte një dyndje nga brenda jashtë, njëlloj sikur ata të kishin qenë jashtë bote. Kjo botë, ku u gjendën vetëtimthi, mendërisht e shpirtërisht, pat qenë, për afro gjysmë shekulli, hapësira e mrekullueshme ku lindori, në fshehtësi ritualesh të ndaluar me ligj, pat mërguar dhe mbyllur si në një kasafortë të gjitha himerat e jetës së vet dhe vazhdimin e lumtur të të gjitha ndërmarrjeve të dështuara në Lindje. Në këtë pjesë të re të jetës së tyre, shumica e lindorëve mbërrinin si anonimë. Mjaft syresh patën qenë po aq anonimë edhe në Lindje. Ndalesat e tyre të para në Kasafortën e Himerave ishin ishujt e vegjël të mërgimtarëve të hershëm, të atyre që - me pak përjashtime, - e pandehnin Lindjen si parajsë të humbur. Në ritakimin e dy pjesëve të Evropës, përveç shterjes së beftë të mallit, zhgënjimeve të pafundme dhe ngutjeve të shpjegueshme, u përmbys sistemi i vlerave. Shumë anonimë u pritën matanë si viganë të vërtetë të disidencës, si martirë dhe anasjelltas: shumë martirë të vërtetë u pritën si anonimë. Pa folur për pasunarët e Parajsës, që mezi priteshin në Lindjen e varfëruar e të telendisur si shpëtimtarë. Me nuhatjen batërdisëse të dështakut, shumica e bredharakëve, duke rrëmbyer pishtarin e lajmësve dhe përhapësve të progresit, zbuluan se jo vetëm paskëshin qenë mjeshtra në fabrikimin e një identiteti të ri (lexo: të rremë), por edhe se kushtet për mbarëvajtjen e këtij të fundit qënkëshin të përshtatshëm si kurrë më parë. Dhe të paktë ishin ata që nuk përfituan nga këto kushte, duke vjelë dekorata, çmime, bursa, konferenca shtypi, përkthime librash të rëndomtë etj – të gjitha si shpërblime ndaj plagëve që i patën marrë të tjerët. Përtej çdo mallëngjimi të shtënë në gjak nga vegimet e Evropës së Bashkuar, duhet thënë se perëndimorët u kapën në befasi nga kjo dyndje kreshnikësh e dinosaurësh të qëndresës dhe nuk para kishin kohë t’i shihnin gjërat qartë e të bënin një përzgjedhje që nuk do të hapte shumë telashe. Fakti që, në këtë ritakim të pjesëve të kontinentit plak, perëndimorët u sollën me një drithërimë e patetizëm tejet lindor, kurse lindorët me një pragmatizëm tejet perëndimor dëshmon se jeta e të parëve nuk pat pasur kurrsesi dendësinë dhe trandjet e jetës në Lindje. U krijua kësisoj një hierarki të paktën dëshpëruese: secila palë rrekej të ngadhnjente mbi anonimát duke shitur plagët e tjetrës, vuajtjet e vërteta të atyre që, pavarësisht nga hapësira ku patën jetuar, i qenë nënshtruar tashmë kultit të vuajtjes pa bujë e rrjedhimisht të heshtjes së shenjtë ndaj saj. Është rrënqethëse, nga ana tjetër, dëshmia se sa pak e paskëshin njohur jetën evropianët e fundit të shekullit XX. Aq ngutje për ta mposhtur anonimatin me vuajtje të huajtura dhunshëm, tregon se ata vërtet e pandehnin (e ndoshta e pandehin ende) veten të përjetshëm, gjer edhe trupërisht. E panatyrshmja u përsërit aq shumë e me aq hollësira që duken të parrezikshme, saqë tani ka shprehitë e mëse të natyrshmes.

Kësisoj trymbetimi i vlerave të dyshimta intelektuale e morale vazhdon të trashë shtrojat e dyshimit mbi vlerat e vërteta.


II.

Sëmundja e të pasë qënit disident
E vetëquajtura Epokë e Lavdishme ishte vërtet e lavdishme përsa i përket varfërisë së ngjarjeve. Mund të thuhet se asokohe nuk ndodhte asgjë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, asgjë pa leje, asgjë e papërcaktuar me saktësinë e mbrojtësve të terrorit. Ato pak gjëra që ndodhnin ishin të papërfillshme në krahasim me shkretinë e pjesës tjetër të kohës. Në fund të viteve ’80, një puntor i thjeshtë shqiptar, mbase i fyer nga aq shkreti, - që ia barazonte identitetin me një shifër, shpesh me zeron, - vendosi gati vetiu të ngrinte krye. Meqë punonte në mbarëvajtjen e kanaleve të ujrave të zeza, gjeti njërën nga shumë fotografitë e Udhëheqësit legjendar, shpërvetoi, u fshi me fytyrën e Prijësit dhe e mblodhi shuk. Ishte përballja e tij e parë me hijen e Prijësit-shtet. Më vonë, kryengritësi do t’u hapej të afërmve, duke u thënë: “Nuk dija ku ta hidhja. Nuk kisha ku ta hidhja. Nuk e hidhja dot. Kisha frikë edhe ta haja. Po sikur ta gjenin, t’i bënin analizat e m… dhe të zbulonin se unë isha fshirë me të?!” Më bindëse se çdo statistikë e përpunuar gojë më gojë e penë më penë në përputhje me ligjet e folklorit të administratës, kjo ngjarje nxjerr qartë në pah se sa vlerë kanë zakonisht mençuritë pas kuvendit e bëmat pas luftës.

Në kapërcyellin mes dy dhjetëvjetshave të mbramë të shekullit XX, kujtesa e përbashkët mori një goditje nga më të ashprat, ndoshta e njëjtë me goditjen që pat marrë nga komunizmi. Shumë lindorë harruan si patën jetuar në epokën kur vetëvrasja ishte e ndaluar dhe kur atyre që ngriheshin kundër regjimit u pritej gjuha. Mirpo gjuhëprerët nuk flasin dot, mënjanohen si vetiu, harrohen shpejt dhe kulmi është që shumica e të pranishmëve në varje janë gati të betohen se “Vërtet atë varën, atij ia prenë gjuhën, por e varën dhe ia prenë gjuhën në vend tonë, se, në fakt, jo ai, por ne, ne vuanim vërtet…”

Është i hidhur shumësi akademik

Rritja e përqindjes së paranojës i shtyn jetëgjatët që jo vetëm të gllabërojnë meritat e të varurit, por edhe të gjejnë copëza tronditëse të vuajtjes së tyre të heshtur - e kjo është njëra nga përdhosjet e heshtjes së shenjtë. Turren të zbulojnë disidencën e dikurshme. Dhe sjellin dëshmi se jo vetëm kanë prerë gishtin, hundën, letërkëmbimin etj për atdhe, por kanë pasur edhe vegime. Në asnjë rast tjetër etja e dhimbshme që të kesh kryer atë që s’e kryeje dot dhe kujtesa e çoroditur nga dhembjet nuk janë ngërthyer me kaq dëshirë, për të mos thënë epsh. Ata kanë kanë parë/bërë në ëndërr se si do të binte pushteti komunist. Atyre iu është kumtuar filan gjë, me saktësi, tamam siç ngjau (…) vite, muaj, ditë para se të… Ndonjëri i ka bërë edhe atentat Prijësit-shtet, ose zyrtarëve të tjerë të lartë. Nuk e ditke?! Po, në fakt, ti s’ke si ta dish, se nuk ishe pjellë akoma… Meqë nuk ia hodhi njeri prangat, atentatori (gjakmarrësi i popullit) shkroi edhe një, dy, ose dhjetë romane me këtë temë, disa drama, pa folur për vëllimet me kujtime. Zoti e di sa net janë gdhirë e sa djersë ka rrjedhur çurg në Lindje jo për zbrazjen, po për mbushjen e sirtarëve. Nuk mungojnë as ata që peshojnë më pak se dëshmitë e veta prej të përndjekuri, të burgosuri, gardianë e viktima bashkë, gardianë të penduar e viktima që s’dolën aq të besës sa pritej, xhelatë e të varur, por sidomos të varur. Nuk mungojnë ndofta as të pafatët, të cilët, pa mundur të sigurojnë ndonjë dëshmi, gërryhen nga zilia që s’kanë bërë nga pak burg, qoftë edhe për vjedhje, se edhe vjedhja në atë kohë ishte shenjë kryengritjeje.

Të ngjeth mishin lehtësia me të cilën qënia njerëzore e fundshekullit XX përvehtëson kujtimet e të tjerëve, vuajtjet, trimërinë dhe mençurinë. Të vjen të bindesh se vërtet në vend të të varurit pa emër duhej të ishte varur gjysma e të pranishmëve!

Mirpo, si të gjitha gjërat e stisura që rreken t’ia kalojnë së Vërtetës, edhe sajimi i disidencës së paqënë ka një mangësi. Duke synuar të rritin përmasën e asaj që “kanë bërë” kundër regjimit, ata rritin gjer në absurditet egërsinë e tij. Dhe bien kësisoj në marrëzinë e hapur me duart e tyre, domethënë sjellin dëshmi të pakundërshtueshme se në atë regjim çdo lloj disidence ka qenë e pamundur. Me kalimin e kohës, falë halleve të tranzicionit, ata dalin si qënie që kanë mposhtur vetë të pamundurën. E si të tillë, nuk u mbetet veçse të ndërmarrin një shëtitje rreth botës, të mbajnë fjalime, të japin autografe, të sulmojnë shoshoqin etj. Nuk është e lehtë të përfytyrohet se sa do të kishte humbur kjo tragjikomedi nëse martirët e vonë do të kishin vuajtur vërtet.

Cila nga ikonat nuk është e rreme?!

Në kishën e drunjtë Schitu Crasna të rrethit Prahova, në Rumani, në portën e djathtë, gjenden dy ikona që duken mëse të rëndomta, ndonëse janë të pazakonta. Në të dyja paraqitet Jezu Krishti. Portretet ngjajnë tejmase dhe në pamje të parë nuk shquhen nga njëri-tjetri. Përveç ngjyrave të njëjta, të njëjtën madhësi e trajtë kanë sytë, e njëjtë është hijeshia, vezullimet, vështrimet, veshjet, qëndismat, shprehja e duarve, e buzëve, të gjitha. Shumë besimtarë, të ardhur nga të katër horizontet, bien në gjunjë para dy shpëtimtarëve, falen para tyre, u puthin këmbët, duart, fjalët e shkruara dhe largohen pa ditur se janë falur kuturu, si në bixhoz.

Sepse vetëm njëri nga dy Jezu Krishtët binjakë ka aureolë rreth kokës! Sepse vetëm njëri prej tyre është kryqëzuar, vetëm njëri është ngjallur së vdekuri.

Në çaste kthjelltie të papritur, apo edhe kafshimesh ndërgjegjeje, ndonjëri prej ngadhnjimtarëve të sotëm ndofta edhe pyet veten: Po shpirti i atij që u var?! Ç’bën tani shpirti i tij? Ku ndodhet; na sheh vallë; a ka ndonjëfarë ndikimi ndaj së ardhmes sonë në këtë jetë (se ndofta edhe në jetën tjetër, në pastë, do ta bëjmë sebep një identitet si ky i tanishmi)? Dhe pyetjet, - meqë hëpërhë nuk na janë hapur kufijtë e botës tjetër dhe ende presim vizën, - marrin një përgjigjje të thjeshtë:

- Po atë e varën… E varën më datë… të vitit…

Në varje merrnin pjesë të gjithë. Merrnin pjesë ata që e spiunuan, ata që e cytën të fliste kundër, ata që ia ndjenë rrezikun, ata që urdhëruan arrestimin, ata që e zbatuan arrestimin, ata që e gjykuan, ata që e dënuan, ata që vulosën dënimin, ata që e përbaltën në gazeta dhe në veshët e popullit, ata që e varën, ata që e lanë pa varr, ata që deshën ta mbronin, por s’kishin si, ata që kishin si e nuk lëvizën as gishtin, ata që mezi pritën ta varnin, ata që ishin dakord me bindjet e tij, ata që ia gjetën varrin, ata që shkruan të vërtetën, ata që e ngritën të varurin në qiell, ata që ia bënë varrin shtatore, ata që mblidhen ta përkujtojnë saherë u jepet rasti, ata që e përgojojnë pas vdekjes e pas ngritjes në qiell, ata që flasin në emër të vuajtjes së tij, ata që kanë kërcyer si pleshti nga njëri identitet në tjetrin, domethënë ata që s’kanë bërë asgjë e mbetën gjallë, ose ata që mbetën gjallë, se nuk bënë asgjë.

Nuk është turp të mbetesh gjallë. Por s’është ndonjë nder i veçantë që të mburresh vetëm me këtë.

E meqë ditët e zeza të tranzicionit nuk japin shpresa të zbardhen, e meqë në ditë të tilla nuk para ke me çfarë plage të mburresh, - se plagët janë shtuar dhe nuk shquhen fort nga njëra-tjetra, - me një mall jo krejt të shëndetshëm, të pranishmit në varje mund edhe të betohen se “Varja kaloi në një atmosferë të ngrohtë e miqësore”.

* Kjo ese u botua në rumanisht në disa numura të së përjavshmes „Timpul” (Koha) / 2006.
*Gazeta Tema - Dhjetor, 2006



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  •  
  •