Portreti krijues i Agim Vinces
| Saturday, 07.21.2007, 03:11 PM |  

Sivjet bëhen 60 vjet të lindjes dhe 40 vjet të krijimtarisë letrare e shkencore të Prof. dr. Agim Vincës, i cili tani është profesor i letersisë moderne shqipe në Universitetin e Prishtinës. Me Agim Vincën jemi takuar për herë të parë më 1967, në provimin e letërsisë popullore, të cilin ai e kishte kaluar me dhjetëshe, ndërsa unë me nëntëshe.
Në takimin e parë Agim Vinca të linte mbresën e një djaloshi simpatik, kureshtar e ambicioz, që vinte nga gjimnazi i Strugës në Fakultetin Filozofik të Prishtinës.( A.Vinca lindi më 22 maj 1947 në Veleshtë të Strugës.)
Atëherë në vitin e parë të Degës së Albanologjisë ishim nja 25 studentë të rregullt, në mesin e tyre edhe disa pena poetike të afirmuara, ndërsa Agimi dhe unë teksa po dukeshim në horizont.
Agimi shquhet shpejt si student i dalluar. Kryen studimet shkëlqyeshëm dhe vazhdon ato shkencore( magjistron më 1974, ndërsa doktoron më 1983 për letërsi).
Që nga koha e studimeve me Agimin kemi mbetur miq të jetës dhe të krijimtarisë.
Agim Vinca ka ecur me ritmin e kohës. Ai përherë ishte i shqetësuar dhe i angazhuar në ngjarjet dramatike të kohës.
Gjatë dyzet vjetëve të krijimtarisë letrare e shkencore ai ka krijuar portretin e tij poetik, shkencor e intelektual, me një individualitet të dalluar. Ai i përket brezit të tretë letrar në letërsinë e sotme shqipe.
Në personalitetin krijues të Agim Vincës është shkrirë bukur prirja poetike me prirjen shkencore. Tekefundit, të gjitha teoritë letrare janë krijuar nga përvoja artistike letrare.
Profilin krijues të Agim Vincës e shquan triptiku poetik, historiografik dhe publicistik.
Agim Vinca ka hyrë në poezinë shqipe me akuarelet sugjestive e refleksive të jugut.
Lirikat e tij janë dridhje të shpirit, frymëzime të çiltra plot imazhe e vizione simbolike nga jeta, historia e mitologjia. Në lirikat e tij pulson ideali, dashuria, malli,revolta, qëndresa e ironia me freskinë e shprehjes poetike. Aty edhe thjeshtësia sublimohet në poezi.
Agim Vinca ka botuar deri sot gjashtë vëllime poetike: “Feniksi”, 1972, “Bregu i mallit”, 1975, “Buzëdrinas”, 1981 e 1984, “ Arna dhe ëndrra”, 1987, “Kohë e keqe për lirikën”, 1997, “Psalmet e rrënjës”, 2007 dhe tri vëllime të përzgjedhura të poezisë: “Në vend të biografisë”, 1977, “Dri’ “, 1999 dhe “Sonet i vetmuar”, 2001.
Poezia e A. Vincës është vlerësuar bukur nga kritika letrare:
Rexhep Qosja: “Poezia e Agim Vincës ka edhe muzikë, edhe kuptim.”
Dritëro Agolli cilëson individualitetin e tij poetik:
“Agim Vinca, kjo pemë e poezisë, mbetet më vete, pa hijen e të tjerëve.”
Xhezair Abazi: “ Agim Vinca mbart intensitetin emocional përmes një vargu që i ngjan apoteozës së madhe noliane.”
Lirikat e Vincës tashmë ka zënë vend në antologji të poezisë shqipe, duke hyrë edhe në ato të përkthyera anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, turqisht, arabisht, rumanisht, sllavisht etj.
Këtu vlen të theksohen: Robert Elsie, “ Antologji e poezisë moderne shqipe”, 1993 , Aleksandër Zoto, “ Antologji e poezisë shqipe prej fillimeve deri sot”, 1997, Gertruda Ejntrej, “Antologji e letërsisë shqipe” .
Edhe Agim Vinca ka botuar antologjitë “Nga poezia bashkëkohore shqipe...”, Sarajevë, 1985 dhe “Kënga e hapur”, 2005, antologji e parë me perla poetike shqipe, të shoqëruara me vlerësime kritike.
Po ashtu,ai ka përzgjedhur për botim poezitë e Ndoc Paplekës, Koçi Petritit etj.
Agim Vinca konsiderohet sot ndër njohësit e studiuesit më të shquar të poezisë moderne shqipe.
Kritikat dhe studimet e tij letrare, me analiza e sinteza historike, i shquan akribia shkencore dhe qartësia e komunikimit.
Deri sot ka botuar veprat me kritika e studime letrare: “Aspekte të kritikës sonë”, 1977, “Qasje”, 1980, “Orët e poezisë”, 1990 dhe “Fije të pakëputura”, 2004, studimet letrare Struktura e zhvillit të poezisë së sotme shqipe (1945-1980)”, 1985, “Alternativa letrare shqiptare”, 1995 dhe “Panteoni i ideve letrare (prej antikës deri te postmodernizmi)”, 2002.
Akademik Rexhep Qosja ka vlerësuar monografinë e A.Vincës për strukturën metriko-ritmike, semantiko- figurative e tipologjike të poezisë moderne shqipe:
“Libri Struktura e zhvillimit të poezisë së sotme shqipe (1945-1980)përfaqëson punën shkencore më voluminoze, më të plotë dhe, gjithsesi, më të rëndësishme për poezinë e sotme shqipe deri në ditët tona.
Ky libër mund të konsiderohet si një histori e vërtetë e poezisë bashkëkohore shqipe dhe, madje, si një histori e thelluar e kësaj poezie.
Vepra e Agim Vincës është shprehje e vetëdijes më të lartë kritike dhe historiko-letrare.”
Në fushën e kritikës dhe të studimeve letrare A.Vinca ka trajtuar nocione kritike e teorike të poetikave të ndryshme, fenomeneve letrare dhe vepra të veçanta të poezisë e të prozës nga tradita dhe moderniteti.
Këtu shquhen studimi “ Mendimi kritik i Mitrush Kutelit”dhe ato për disidencën letrare të Lame Kodrës, Kasëm Trebeshinës, Petro Markos etj.
Agim Vinca e ka trajtuar gjithherë letërsinë shqipe si një dhe të pandarë, pavarësisht nga kufijtë politikë.
Robert Elsie e ka cilësuar “kritik prijatar i poezisë”shqipe.
Kritikat dhe studimet e tij për poezinë shqipe kanë shoqëruar edhe botimet e poezisë shqipe në gjuhë të huaja.
Agim Vinca ka shkruar edhe për poetët e njohur botërorë: Bodlerin, Brehtin, Elyarin, Lorkën, Majakovskin, Preverin, Ricosin, Tagorën etj., duke përkthyer edhe poezi të tyre.
Në fushën e publicistikës, mendimi i tij intelektual i Vincës nuk ka mundur të heshtë përballë dramës së identitetit kombëtare.
Ai është një vetëdije e zgjuar kritike në veprat publicistike “Populli i pandalur”, 1992 dhe “Shqiptarët mes mitit dhe realitetit”, 1997.
Publicistikën e A. Vincës e shquan guximi intelektual dhe fryma polemiste në çmistifikimin e dukurive konformiste e partikulariste. Aty frymon kuptimi i lirisë dhe i disidencës intelektuale.
Agim Vinca e ka kultivuar me dashuri dhe e ka mbrojtur gjuhën letrare shqipe, si njësinë më të qenësishme kombëtare.
Studiuesi i letërsisë Jorgo Bulo ka vlerësuar:
“Shkrimet e Agim Vincës i shërbejnë ringritjes së institucionit të kritikës dhe ringritjes sonë të përgjithshme.”
Gjatë viteve ’90 kemi punuar bashkë me A.Vincën në Forumin e Intelektualëve Shqiptarë, të ndeshur me shumë sprova intelektuale e sfida politike.
Agim Vinca sot është ndër figurat e shquara të letësisë moderne shqipe.
Disa radhë ka qëndruar në universitetin “Paris 8” të Francës dhe ka marrë pjesë në manifestime të ndryshme letrare kombëtare e ndërkombëtare .
Ky përvjetor shënon moshën e pjekurisë letrare e shkencore të profesor Agim Vincës dhe urimet tona për vlera të reja nga pena e tij.

Prishtinë, më 22 maj 2007


Prof. Abdyl KADOLLI

(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30