Agim Vinca
| Saturday, 07.21.2007, 03:13 PM |  

Personalitet i shquar i kulturës shqiptare
Në 60-vjetorin e Prof. Agim Vincës

Prof. as. dr. Roland ZISI

Agim Vinca
Biografia jetësore e intelektuale e poetit dhe studiuesit Agim Vinca mbërriti në stacionin e gjashtëdhjetë të saj. Emri dhe vepra e tij tashmë janë tepër të njohura e të respektuara jo vetëm në hapësirën shqiptare, por edhe përtej saj. Lindur 60 vjet më parë, në Veleshtën shqiptare të Maqedonisë, Agim Vinca që në rini e lidhi jetën e tij me letërsinë dhe kulturën shqiptare. Dhe qysh atëherë nuk është ndarë prej tyre. Mendja dhe puna e tij i kanë dhuruar bibliotekës shqipe dhjetëra libra të çmuar.
E kanë vlerësuar si “poet i idealit kombëtar”, “mjeshtër i thjeshtësisë (madhështisë) poetike” dhe se “zëri poetik i tij e ka pasuruar poezinë shqiptare”. E kanë cilësuar si “mik dhe krijues i shquar”, “mjeshtër bindës i shkrimit”, “dijetar dhe profesor i Kosovës”. Për studimet e tij janë shprehur se ato janë “shprehje e vetëdijes më të lartë kritike dhe historiko-letrare”, janë kontribut “në ringritjen e institucionit të kritikës” dhe “në realizimin e projektit të Historisë së Letërsisë sonë kombëtare”.
Ai është poet, historian i letërsisë, kritik letrar, eseist, pedagog e edukator shembullor, përkthyes, publicist, polemist, drejtues mësimor e shkencor, veprimtar i palodhur politiko-shoqëror. Për mëse 40 vjet, prof. Vinca kontribuon për promovimin e gjuhës letrare shqipe, arsimit, letërsisë e kulturës mbarëshqiptare; ka marrë pjesë aktive edhe edhe në aksionin për pajtimin e gjaqeve në fillim të viteve ’90; ka luftuar për të drejtat dhe lirinë e shqiptarëve në Maqedoni, për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, me qëllim fitoren e lirive njerëzore e kombëtare. Një jetë me psalme poetike e kulturore për lirinë e Kosovës. Ato vijojnë ritin e tyre deri në ditët e sotme, kur Kosova martire ndodhet kaq pranë lirisë dhe pavarësisë së ëndërruar në shekuj. Dhe nuk mund të ndodhë ndryshe me A. Vincën, për të cilin akademik R. Qosja shprehet se është “intelektual që jetën dhe punën ia ka kushtuar ardhmërisë së popullit të cilit i takon”.

POETI

Tek Agim Vinca janë shkrirë talenti poetik me racionalitetin e shkencëtarit, studiuesit dhe kritikut të artit. Muzën poetike e ka takuar herët. Ka shkruar e botuar poezitë e para qyshkur ishte nxënës në shkollën e mesme. Në përvjetorin e 60 të datëlindjes, bilanci në këtë fushë duket i pasur: tetë vëllime me poezi, disa cikle e poezi të veçanta të botuara në shtypin letrar mbarëshqiptar, përkthime dhe disa antologji të autorëve shqiptarë. Por hijeshia dhe vlera e poezisë së Agim Vincës nuk lidhet kurrsesi me aspekte sasiore e statistikore. Poezia e tij është e gjerë (universale) në tematikë, e thellë në mesazhe dhe mjeshtërore në rrafshin stilistikor. Njohja shkencore e prof. Vincës, e përvojave kombëtare e botërore të vargëzimit, ka mundësuar krijimin e një poezie korrekte e fine në rrafshin e teknikave poetike e mjeteve të shprehjes. Pjesa më e madhe e vargjeve të tij ndjekin mençurisht traditën e vyer të Naimit, Nolit, Lasgushit e Migjenit: pra poezitë lexohen/perceptohen njëherazi me sy, vesh, shpirt e zemër. Do të mjaftonte vetëm poezia-ese trevargëshe, me titull “Letër Ukshin Hotit në Burgun e Nishit”, për të vërtetuar këtë: “Nuk e kanë vështirë të të burgosin./ As të të vrasin nuk e kanë vështirë./ Vështirë e kanë të të lënë të lirë”.
Atdheu si një tërësi, rrënjët shekullore të tij, vendlindja dhe familja, dashuria njerëzore, lufta për lirinë dhe të vërtetën, priren të jenë obsesionet kryesore tematike të poetit A. Vinca. Tek kjo tematikë universale, ai sheh dhe identifikon idealet humane dhe intelektuale të tij, çka do të dëshironte që kjo të ndodhte në gjithë racën e homosapiensëve, pavarësisht dallimeve fetare, etnike, ekonomike, sociale, kulturore, ngjyrës së lëkurës, gjinisë etj. Në këtë kontekst poezia e tij denoncon “ushtarët e apokalipsit” (vdekjes), që vërsulen me thikë ndër dhëmbë e litar në dorë mbi Kosovë. Mbi Kosovë a gjetkë, dje apo sot, njëlloj ata ia “pshurrin fytyrën…” dhe “ia punojnë qindin botës”. Shumë nga krijimet poetike e letrare të A. Vincës janë përfaqësuar jo vetëm në antologjitë e përgatitura në gjuhën shqipe, por edhe në frëngjisht, anglisht, italisht, gjermanisht, rusisht, polonisht, turqisht, arabisht.

HISTORIOGRAFI DHE KRITIKU LETRAR

Agim Vinca është krijues dhe interpretues i letërsisë. Jeta e tij nuk mund të kuptohet pa këto dy veprimtari paralele. Siç pohon edhe ai vetë, sprovat e para në këta lëmenj të dijes, i ka pasur nga fundi i viteve ’60. Punimi i parë serioz në fushën e studimeve letrare ishte “Mendimi kritik i M. Kutelit”, tezë magjistrature (1974). “Aspekte të kritikës sonë” (1977) dhe “Qasje” (1980), janë dy librat me analiza dhe kritika letrare, me të cilat A. Vinca prezantohet si një studiues i talentuar i proceseve dhe fenomeneve letrare shqiptare.
Pas një pune të palodhur dhe disavjeçare publikon studimin voluminoz “Struktura e zhvillimit të poezisë shqipe (1945-1980)”. Opinioni intelektual, shkencor, universitar dhe publiku i gjerë vijojnë ta konsiderojnë këtë libër si veprën më të thellë, “më të plotë” dhe “më të rëndësishme për poezinë e sotme shqipe deri në ditët tona”... Mendojmë se kjo vepër meriton vlerësim të veçantë për dy arsye: e para, duke vënë në krahasim metodologjitë dhe praktikat letrare të poezisë shqipe të viteve ‘50 e ’60, Agim Vinca bëhet studiuesi pionier që inicion studimet komparativiste në literaturën shqiptare dhe e dyta, “Struktura…” është vepra e parë historiko-letrare tek ne, në të cilën procesi dhe produkti letrar poetik analizohet posaçërisht në mënyrë unike, mbarëkombëtare, larg fragmentarizimit politiko-shtetëror.
Në dhjetëvjeçarin e fundit kemi disa analiza, të cilat janë përmbledhur në botimet: “Kurs i teorive letrare” (2002), ribotuar në Shqipëri nën titullin “Panteoni i ideve letrare”, “Fije të pakëputura” (2004) dhe “Kënga e hapur” (2005), antologji e komentuar, e cilësuar si e para e këtij lloji në letërsinë shqipe. Ndërsa vepra “Alternativa letrare shqiptare” (Shkup, 1995) e ribotuar më 2005-n, sipas studiuesit kanadez R. Elsie, “është sinteza e parë shkencore e ideve dhe rymave të letërsisë shqiptare të shekullit të njëzetë, veçanërisht e rrjedhave që ishin në kundërshtim me doktrinën zyrtare të pasluftës, realizmin socialist…”. Në këtë libër, prof. Vinca zbulon për herë të parë në mënyrë të plotë, portretet e dy intelektualëve e shkrimtarëve të panjohur sa duhet më parë, S. Malëshovës dhe disidentit K. Trebeshina, rishqyrton shkrimtarin I. Kadare e prozën e tij, në raport me konformizmin politik e disidencën intelektuale (letrare) dhe bën një analizë relativisht të gjerë për V. Zhitin e poezinë e tij të shkruar në burgjet komuniste. Sjell gjykime e konkluzione të reja për krijimtarinë e autorëve, Gj. Fishta, L. Gurakuqi, F. Noli, P. Marko, S. Spasse.

VEPRIMTARI ATDHETAR DHE SHOQËROR

Në gjithë veprimtarinë si qytetar dhe patriot, që nga pjesëmarrja në demonstratat e studentëve të vitit 1968 e deri sot, me aktivitetin e tij ka dëshmuar integritet të lartë moral dhe intelektual, kohezion pikëpamjesh dhe veprimesh, ndershmëri profesionale e njerëzore. Pikëpamjet e tij të qarta politike e shoqërore, përkitazi me çështjen e Kosovës, shqiptarëve në Maqedoni dhe të drejtave të njeriut, i ka afishuar dhe mbrojtur qysh në fillim të viteve ’80, në një varg artikujsh publicistikë të botuara në të përkohshmet ish-jugosllave.
Në mars të vitit 1989 nënshkruan “Apelin 215” për mbrojtjen e autonomisë së Kosovës. Në qershor 1991, A. Vinca ishte një ndër themeluesit e Forumit të Intelektualëve Shqiptarë nga Maqedonia dhe zgjidhet kryetar. Po atë vit udhëheq mbledhjen për themelimin e Forumit të Intelektualëve Shqiptarë dhe zgjidhet anëtar i kryesisë së tij. Në jo pak raste, sidomos pas viteve ’89-90, i është dashur të përballojë fushata të ashpra politike e mediatike, në Maqedoni e Kosovë, thirrje nga Sigurimi Shtetëror dhe mbajtje 20 orë në “bisedë informative”, akuza si “nacionalist” dhe “dezinformim i publikut”, largimin nga Fakulteti si “i padenjë për edukimin e brezit të ri”, bastisje të ambienteve familjare dhe konfiskime të shkrimeve personale. Arrestohet në vitin 1996 dhe mbahet 15 ditë në burg, në Prishtinë e Lipjan. Më 1997-n merr pjesë në mbledhjen solemne, që mbahet në selinë e OKB-së në Nju-Jork me rastin e 50-vjetorit të Deklaratës së Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut, ku flet për gjendjen e rëndë në Kosovë dhe bën ftesë për pengimin e katastrofës. Në 1999-2000 emërohet zëvendësministër dhe më pas edhe ministër i Arsimit dhe Shkencës i Kosovës, post i lartë, prej të cilit jep dorëheqje për shkak të mospajtimit me politikat arsimore të ndjekura nga UNMIK-u.
Intelektual idealist, poet i mirënjohur, shkencëtar ekzigjent, pedagog profesionist, pajtues gjaqesh, “dashnor” i gjuhës letrare shqipe, vendlindjes, familjes dhe i çdo pëllëmbe toke shqiptare, patriot dhe europianist; ky është me pak fjalë letërnjoftimi i tij në këtë përvjetor të gjashtëdhjetë të datëlindjes së tij.
Jetë të gjatë, miku ynë i shtrenjtë Agim Vinca!
26 Qershor 2007



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  •  
  •