NJË ROMAN PËR JETËN NGA SPEKTRI I MIKROQËNIES
| Sunday, 07.22.2007, 08:52 PM |  

(Hiqmet Meçaj "Kukullat e pyllit", roman )

Nga Dr. Xhemal Ahmeti
               
Kur një prozator arrin që edhe personazhin e rastësishem, sporadik ose ilustrativ ta paraqes aq të gjallë dhe aktiv saqë pas leximit mund ta vizatojmë në sajë të kujteses, atëhere ai ka mbrritur në Olimp, edhe atëhere në rast se ai ankohet si Hiqmet Meçaj "qënka e lodhshme të arrish në Olimp edhe kur s'ështe atje Zeusi"².
"Një libër si ky s'rri në vitrinë, s'do ta mbyllësh kurrë, nuk ka fund, i hap faqet turbulluar krejt, i lexon, i përkëdhel, i puthë."? Kjo është motoja që do të duhej të hapte romanin "Kukullat e pyllit" të Hiqmet Meçajt. Kjo devizë do të ndihmonte sidomos ata që nuk dijnë se si të sillen me realitetin (e djeshëm e të sotëm) pa e bërë partner jete infarktin. Para "Kukullat e pyllit" në periudhën postdiktatoriale, asnjë autor shqiptar nuk ka sjellur biografinë e "epokës së kuqe" me kaq objektivitet dhe me kaq sinqeritet. Ciltërsi që therr deri edhe në ashtin më të dhjamosur të ndërgjegjes shqiptare: si viktimën ashtu edhe të privilegjuarin e "pyllit të egër" kajatan "kronisti" i pakompromis Hiqmet Meçaj i nxjerë para pasqyrës lakuriq, pa u lënë atyre mundësinë për të fshehur ndonjë pjesë të pahijshme të karakterit human.
Në ç'gjendje psikike e shpirtërore duhet ta sjell veten një njeri për ta trajtuar dramën ku edhe vete ka qënë viktimë pa nevojën e zjarrtë të hakmarrjes, pa u shndrruar në një Rambo që fshijnë nga toka çdo gjallesë që ia zë rrugën (si shumica e shkrimtarëve që pas diktaturës po lajnë hesapet me armiqt e tyre)? Si ka pasur mundësi Hiqmet Meçaj të rrëfej pa e ekzekutuar në roman së paku atë shefin e Tiranës që e hedh në atë fshatin ekzotik "ku pula han vetëm gurrë" me emrin Kajat? Si? Hiqmet Meçaj eshte poet. Poeti i njëmendte është i paaftë, i pazoti madje t'ia heq qafën edhe një gjeli në ngordhje e sipër, e lëre ta shpor një njeri nga bota. I paaftë madje ta eliminojë edhe ndonjë personazh që pa lejen e tij i ka hyrë në rrëfim dhe që rrezikon t'ia nëpërkëmb harmoninë estetike tregimit. As atë s'do ta vriste dot babai i vargjeve si "Rruga ime, prej drite le të jetë edhe në më djegtë". Ky është "mallkimi" i poetit Meçaj që edhe armikun e trajton me dashuri. Poet, pra!

2.
Admetit nuk ia zë rrugën më asgjë për ta marrë ndonjë post të mirë në kryeqytet. Kështu mendon ai para se të hyjë në zyrën e shefit. Ai mendon se nuk e ka ngucur sistemin në nerv, nuk ka bërë asgjë të pahijshme, me sukses ka mbaruar studimet, kështu që patjetër të marrë ndonjë post të merituar. Ndryshe s'mund të jetë. Po, po, edhe ndryshe mund të jetë. Këtë e kupton pasi që e braktis zyrën e shefit, i cili e urdhëron të bëhet mësues në një fshat malor e që nuk ekziston në asnjë hartë. Pse? Admetit nuk i kujtohet asnjë çast madje edhe në ëndërr të ketë bërë diçka kundër sistemit, pse ai e dënon në këtë mënyrë? E ku ta dijmë se ç'traktatesh poetike për përmbysjen e pushtetit ka thurrur ky Admeti i sjellshëm në ato vjershat e tij, që as çenzoret më të mprehte të shtetit nuk iu bien në fije. Kjo është ndoshta arsyeja: çenzorët kanë hasur diçka që nuk e kanë kuptuar (ose e kanë kuptuar) dhe i kanë dhënë alarm pushtetit. Arsyetimi ka mundur të duket kështu: "Poezitë e qytetarit dhe autorit A. janë tepër misterioze. Përmbajnë ca figura, metafora e imazhe që nuk i krahasojmë dot me ato që i njohim. Deri sa të zbërthejmë ato e lusim partinë të rijë në distancë nga ky njeri". E kjo shqip do të thote: shporeni në Kajat, kur të bëhet çenzura e mençme sa duhet që ta kuptojë poetin, atëhere ose e internojmë, ose e privilegjojmë ose e asgjësojmë fare dhe pikë.
I zhgënjyer dhe i dëshpëruar Admeti mbrrin në Kajat, në atë copë të humbur planeti, në atë botë të imët ku jetojnë mikroqëniet, ato qënie që fillimisht duken aq të vlefshme sa një turmë mizash mbi një grumbull muti të tharrë e që dikur i ka studiuar doktor Shahoja të profesori italian me namë boterore K.K.
Admeti bëhet qytetar i mikrobotës. I njerëzimit në miniaturë. Këtu nuk nis vetëm historia e një intelektuali të degraduar nga diktatura, por edhe ajo e Shahos dhe Baxhos, e fantazmës, e nënvetëdijes (që shfaqet në formë të ëndrrës) e parasëgjithash nis rrëfimi i botës dhe jetës nga mikroperspektiva - nga njeriu i kërrusur në pozitën e insektit.

3.
Elementet biografike në romanin "Kukullat e pyllit" janë skeleti i rrëfimit. Hiqmet Meçaj pasi diplomon fakultetin e Historisë dhe Filologjisë dërgohet si mësues në shkollën fillore të fshatit Rexhepaj. Po si Admeti edhe Hiqmeti qysh në kohën e studimeve boton libër dhe konsiderohet si shkrimtar i suksesshëm. Këto janë vijat që luajnë rol në formësimin e jashtëm të rrëfimit. Në atë të brendshmin rrëfimi autobiografik mbetet si burrim fabulash, por jo edhe si strukturë kryesore e rrëfimit. Aty shkruhet mjeshtërisht biografia e kohës, përshkruhet në mënyrë të perimtuar lufta që bëjnë personazhet, pavarrësisht pozitës dhe statutit social, për të mos vdekur nga monotonia, nga pushteti i kotësisë që e gërryen shpirtin e kajatanëve. Meçaj zhytet thellë në botën e fshatarëve të Rexhepajve për të kuptuar universin e tyre, që nga jashtë nuk e zbulon as me llupën më të madhe të qytetërimit. Autori nga ky stad tërhiqet nga bota formale, e jashtme e jetës së fshatit (prandaj nuk letrarizon aktivitetin e tij në fshat) dhe futet në atë thelbësoren, të padukshmen, në historitë intime dhe të kaluarën e tij. E bën këtë për t'i ikur monotonisë vrasëse të jetës aty apo thjeshtë për t'u zbavitur, nuk ka rëndësi. E rëndësishme është se ai suksesshëm depërton në shpirtin e atyre qënieve të vogla (mikroqëniet) dhe nga pozita e tyre prej imtësirash shpalos botën dhe jetën e qënies humane të zhveshur prej çdo kozmetike të mundshme.

4.
As lexuesi që s'ka jetuar në ato rrethana, e as ai që nuk ka pasur mundësi ta njohë atë botë as në fantazi në "Kukullat e pyllit" mund ta shoh atë botë në film. Aftësia përshkruese e Hiqmet Meçajt është gjeniale, e kulluar dhe aq e prekshme saqë edhe i verbëti i sheh skenat që zhvillohën nëpër Kajat. Lehtë i parafatyrojmë personazhet aktive si; Admetin, Shahon, Baxhuan, Ladinan, Billin, Linan, etj. Por, po aq lehtë i takojmë edhe personazhet pasive si banakieri Simo, shefi, kolegun e studimeve Afrimin, profesorin K.K, Xebën e Shahos e të tjerë. Kur një prozator arrin që edhe personazhin e rastësishëm, sporadik ose ilustrativ ta paraqes aq të gjallë edhe aktiv saqë pas leximit mund ta vizatojmë në sajë të kujtesës, atëherë ai ka mbrritur në Olimp, edhe atëherë në rast se ai ankohet si Hiqmet Meçaj "Qënka e lodhshme të arrish në Olimp edhe kur s'është atje Zeusi"².

5.
"Kukullat e pyllit" jane dy libra në një. Dy romane të mbështjellur me një palë kopertina. Njëri roman ka për kryepersonazh Admetin dhe rrëfen jetën e tij në Kajat në kohën e diktaturës, ndërsa tjetri roman me titullin "Shënimet e Shahos" ka për kryepersonazh Shahon dhe jetën e tij para, gjatë dhe pas diktaturës. Një roman filozofik mbi dytësorin - mbi dy pjesët e një qënie që e përjashtojnë njëra tjetrën, por që nuk jetojnë dot të ndara.
Hiqmet Meçaj ia ka dalë të shkruaj dy libra të përveçëm që në kohë e hapësirë nuk përputhen, janë biografi të ndara dhe që mundet botuar veç e veç, por që pa qënë bashkë nuk e kanë urën për të kaluar nga njëra te tjetra dhe anasjelltas. Autori ua kushtëzon jetën të dy kohëve me bashkëjetesën. Ashtu siç ia kushtëzon jetën Admetit të jetojë në paqe me Billin edhe atëhere kur ai nxjerr revolen dhe do duel. Romani "Kukullat e pyllit" është libri që na mëson se si mund të pajtohemi me unin tonë pa e vrarë veten, pa jetuar në gjëndje absurdi, pa urrjetur, se si mundemi të jetojmë me fantazmat dhe ëndrrat tona edhe kur ato janë të çmendura fare, se si mund gjykojmë botën me objektivizëm edhe atëhere kur vetë jemi të involvuar ose viktimë në proçesin e shembjes ose poshtërimit të saj.
Hyqmet Meçaj rrëfen bukur edhe kur i duhet të vizatojë thikën e Baxhos duke pikuar gjak. Ai nuk shndrrohet në mbret apo Zeus për të parë nga lartë se si jetojnë të vdekshmit, jo ai shndrrohet vetë në një nga ata qëniet modeste për të rrëfyer pastaj storien autentike të tyre. Hiqmet Meçaj ia ka dalë më mirë se ndonjë autor tjetër, të flasë për kohën e diktaturës pa u përcirë, pa gjykuar e dënuar njërën apo tjetrën palë, por duke i përshkruar ato vetëm si karaktere humane, si qënie të sjella nga perënditë pa vullnetin e tyre në një kohë dhe hapësirë të vdekshme të globit.
Keto dhe shumë arsye të tjera e bëjnë romanin "Kukullat e pyllit" ndër romanet e rëndësishme të letërsisë postdikatoriale. Këto dhe shumë arsye e bëjnë këtë roman "një libër si ky s'rri në vitrinë, s'do ta mbyllësh kurrë, nuk ka fund, i hap faqet turbulluar krejt, i lexon, i përkëdhel, i puthë.".

1 Hiqmet Meçaj, libri "Vetvrasja e qirinjve", poezia "Hapur si fletore" fq. 65
2 Po aty, poezia "Libri Mikrobotizëm", fq.35

nga një e-mail i datës 8.4.2004
I dashur Andi,

 më fal për këtë përgjigje aq të vonuar. Për më shumë se një javë kam qenë i ftuar i një instituti gjerman, ku kam ligjëruar për Rembrand-in dhe Co., respektivisht për artin e tyre me motive religjioze. Një studim që unë para do vitesh e kam publikuar në frengjishte e gjermanishte. Kjo vetëm sa që të dijsh arsyen e vonesës.
Librat më kanë ardhur, para se të nisem. Të falemenderit shumë. Dhe manuskripti poashtu. Me vete e kam pasur «Kukullat e pyllit» që më ka bërë probleme: në vend që të ristudioj tezat për ligjerime, e lexoja romanin dhe s’i ikja dot. Ndoshta për arsye se vonë kam nisur studimin e autorëve shqiptarë (pas shtatë vitesh angazhimi vetëm me letërsinë e huaj) dhe veç tash shoh se paragjykim paska qenë mendimi se «s’ka asgjë të dobishme nga leximi shqip».
Do të ta kisha ditur shumë për nder, nëqoftëse m’i dërgon poezitë të digitalizuara – kështu e përgatis veprën më mirë dhe insatloj tekstin tim, duke e bërë gati për ofrim shtëpisë botuese. Vetëm nëse mundesh, përndryshe i daktilografoj edhe njëherë tekstet, me qejf.
Kjo për shkak se mendoj që poezia jote e meriton, jo për ndonjë arsye tjetër.

Të lutem, do të më kishe bërë një nder shumë të madh, nesë ma dërgon adresën e Hiqmet Meçajt.
Të përshëndes përzemërsisht me shpresën që do të më shkruash
Xhemali

e-mail i datës 18 mars 2005
Andi,

I lexova disa herë poezitë. Ti e di mendimin tim për poezinë tënde, qysh kur i kam lexuar të parat. Se je poet i mrrekullueshëm nuk ka diskutim. Ama me këtë cikël «ma ke ftohë» siç thonë vëllezërit tanë kosovarë. Cikli që ma ke dërguar tash është diçka e veçantë, është «hyjnor», është i shkëlqyeshëm dhe i përkryer, aq i përkryer saqë më nxjer punë duke e riorganizuar atë katalogun e vlerësimit tim të lirikës, duke u detyruar të fusë aty segmente të tjera. Lexoja edhe disa herë Hiqmetit këto poezi...dhe pyete se a gjen ndonjë gjë të re, në krahasim me poezitë tjera  (të bukura tuat)...nuk e di se ç’ke lexuar, çka ke bërë kohën e fundit, por e di se diçka e veçantë ka plasur, ka kulmuar në ty, mbaje këtë hov edhe më tej se jam i sigurtë se do të na dalë diçka e madhe, shumë e madhe, pa ekzagjerime....Më ke gëzuar shumë me këtë dërgesë. Të falemenderit shumë!

I bën të fala Hiqmetit dhe kolonisë shqiptare të Greqisë
Vllazërisht
Xhemali

PS - Sa u përket shënimeve mbi romanin e Hiqmetit:I kam shkruar para shumë kohe anash fletëve të librit kur e kam lexuar atë për herë të parë. Unë vetë nuk jam i kënaqur me atë shkrim dhe nuk e quaj profesional, por një refleksion. Romani meriton ma shumë. Mirëpo, pasi shumë veta kishin shkruar dhe kishin thënë gjëra (?!) të qëndrueshme thash «hajt mos e teprojmë shumë» dhe i plasova shënimet. Ndërkaq në librin tim me ese e kritika letrare (kryesisht për letërsinë e huaj e me shumë pak shkrime të zgjedhura për autorë të veçantë shqiptarë) që botohet së shpejti në Tiranë me titullin «Jashtë kishave letrare» është një ese më i gjatë dhe më studimor sa i përket romanit dhe mikrobotizmit si teori.



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •