MODERNIZMI DHE MIKROBOTIZMI
| Sunday, 07.22.2007, 09:17 PM |  

 

(Pasthënie e autorit për botimin e romanit “Kukullat e pyllit”)

 

Ky shkrim nuk merr përsipër të ezaurojë katërcipërisht shkaqet që e lindën modernizmin, historike apo sociale, as meritat e të metat e tij. Është e vërtetë se modernizmi, me degëzimet e shumta, solli dhe po sjell pasuri të pafundme veprash dhe kryeveprash në të gjitha fushat e letërsisë dhe të artit, stile, mjete shprehëse. Është gjithashtu e vërtetë se zbulimet e mëdha në botën e shkencave, sidomos në fizikë, tronditën mjaft pikëpamjet filozofiko-estetike tradicionale, duke hedhur bazën për platforma të reja të mendimit, mbi të cilat do të lindëte modernizmi.

Filozofi  estet amerikan P. Blank është shprehur se gjithë merita e Shredingerit, Hajzenbergut, Dirakut, Borit qëndron në formulimin se “bota kuptohej si diçka e përbërë nga thërrmija materiale, kurse doli në fakt se është një sistem valësh, qendër e një cikloni valësh ose luhatje e eterit imagjinar”. Sipas tij ishte meritë e zbulimeve të mëdha shkencore të autorëve të mësipërm që  materia u bë sinonim i energjisë. Pas kësaj, po sipas tij, tani materies s’i mbetet fare gjë dhe çdo aspekt qëndrueshmërie bëhet iluzor. Blanku është i mendimit se njerëzimi jeton në një botë hijesh, ajo që ndodh në të vërtetë nuk mund të kuptohet dhe çdo gjë, deri te sendet e njerëzit, janë fantazma të vetes së tyre. Kështu që arti bëhet abstrakt, sepse vetë bota është bërë abstrakte.

Para një hopi të tillë të shkencës, që do të përgatisë shtysën aq të madhe të zhvillimeve të shekullit XX, njerëzimi ndjen krizën e personalitetit të vet. Estetja Sjedakova  vëren se modernizmi nisi në kohërat e ashtuquajtura të krizës së personalitetit dhe kësisoj duhej të kishte punë me këtë krizë. Meqë gjërat koklaviten, nuk janë më aq të thjeshta si më parë, sipas saj, duhej të krijoheshin forma të reja më reale se ato që zotërojnë në kohën e tashme: kërkohej një harmoni e re, më e koklavitur, më e thellë.

Kriza e personalitetit ndjehet thellë në të gjitha rrymat moderniste, te simbolizmi, dadaizmi, surrealizmi, ekzistencializmi, përroi psiqik, antiromani, realizmi magjik, etj.*

Te përfaqësuesit e shquar të “përroit psiqik”, Prusti, Xhojsi, Kafka etj, si dhe ata të ekzistencializmit si Sartri, Kamy, kriza e personalitetit përftohet në gjëndje unikale, herë si vetizolim, neveri, bashkëfajësi e herë tjetër si paaftësi për të perceptuar botën materiale jashtë botës iluzore.

Kafka është i mendimit se njeriu nuk mund të ketë personalitet, përderisa jeton në situata absurde.

Xh. Xhojsi në romanin “Ulisi”, botuar në vitin 1924 shprehet me gojën e njerit prej personazheve se “jeta e secilit nga ne është baras me shumë ditë njëra pas tjetrës. Duke kaluar përmes vetvetes ne takojmë hajdutë, shpirtëra, trima, pleq, të rinj, gra, të reja, vëllezër, bashkëpunëtorë. Por te ata takojmë gjithmonë e gjejmë veten tonë”.

Kriza e personalitetit është një temë mjaft e gjerë që kërkon vëmendje dhe trajtim të veçantë për të kuptuar thellë krijimtarinë moderniste. Por ajo lidhet ngushtë me krizën e kohës dhe nuk mund të vështrohet asnjera më vete, pasi prej tyre rrjedhin edhe prurjet e tyre të mëdha në fushën e gjuhës, simboleve, shenjave e kodeve të tjera.

Teoria e relativitetit e Ajnshtajnit, sipas së cilës bota nuk është me tre dimensione, por me katër, ku trupat e ndryshëm nuk kanë vetëm gjatësi, gjerësi, thellësi, por edhe kohë të ekzistencës së tyre, nuk mund të mos prekte krijimtarinë letrare e artistike.

Bergson e konsideronte kohën ireale dhe e barazonte me kujtesën. Sipas tij kujtimet janë faktor  vendimtar në jetën e njeriut, bazë e ekzistencës së tij. Ai kështu i hap shtigje me filozofinë e vet letërsisë së “përroit psiqik” të Prustit, Xhojsit, Kafkës.

Kujtimet nuk paraqitin jetën e njeriut, por e gëlltitin atë, e vënë nën pushtetin e tyre; nuk janë mbresat që na rrëfejnë për jetën, por jeta përbëhet nga vetë kujtimet.

Shkrimtarët modernistë e mohojnë rrjedhjen e kohës në një drejtim. Copëzimi i kohës, u bë për modernistët pikënisje e irracionalizmit, ku personaliteti copëzohet në gjëndje të kundërta shpirtërore. Copëzimi i kohës jepet sidomos në antiromanet e Rob-Grijesë, ku ka kaos ngjarjesh që duken absurde, ngaqë koha jepet e copëtuar dhe e çliruar nga lidhjet shkak pasojë.

Sipas  A. Hauzer (estet amerikan), kujtesa mbi kohën është një periudhë e caktuar e jetës sonë dhe s’ka ekzistencë reale.

Platforma e estetikës moderniste për hapësirën dhe kohën është ndërtuar duke u mbështetur te filozofia pozitiviste e Mahut dhe Avenariusit ku hapësira dhe koha janë vargje të rregullta ndijimesh

Për modernistin e shkuara ende s’ka qenë, ajo pret të ardhmen e saj. Forma e kohës ka kaluar pakthyeshëm...mbetet vetëm montazhi mekanik i copëzave, në mbledhjen e të cilave nuk presupozohet asnjë lloj kufizimi, kurse shenjat janë të kufizuara e të zbrazëta.

Eliot - Në fundin tim është fillimi im.

Kavafis - ...Mësoje se kurrë,

askush nuk lindi dhe nuk vdes askush. poezia “përjetësi”

Paul Celan – Duke ia hequr kohës guackën, e mësojmë të ecë –

koha kthehet në guackë. – poezi “corona”

Në jargë paravdekje nën parzmën e erërave dhe hëna

plastë si bombë.

Një tjetër tokë ardhtë! – poezi “jo këtu dhe jo menjëherë”

Elitis Asgjë nuk vjen. Asgjë

nuk shkon. - poezi “klima e mungesës”

Jetën time e solla këtu

mbledhje të bardha, shuma të zeza.  - poezi “përvjetor”

Jetojmë veç falë përjashtimit

shtiremi se asgjë nuk ndodh.  - poezi “lufta e Trojës”

A. Breton te “Manifesti i parë i surrealizmit” 1924 thotë: “Unë besoj në bashkimin e ardhshëm të këtyre dy gjendjeve, që në vështrimin e parë duken si të kundërta: gjumit dhe të realitetit në një realitet absolut, në një superrealitet”.

Sipas modernistëve gjuha është pushtet tiranik përdhunues, ajo nuk e zbulon botën, por e mbyll në shtatë dryne që duhen thyer, shprehet Sjedakova. Kurse në  estetikën semiotike objekti themelor i vëmendjes së artistit duhet të jetë procesi i ndërtimit të veprës artistike, jeta e pavarur e fjalëve dhe jo njerëzit, sjelljet, mendimet, ndjenjat e tyre. Arti në tërësi shpallet gjuhë dhe vlera estetike e veprave artistike lidhet me strukturat e shenjave të ndryshme dhe raportet e tyre formale.

Shkrimtarët modernistë ndjejnë terrorin verbal, shkatërrimin e gjuhës, gramatikës, sintaksës. Kjo edhe te përroi psiqik, dadaistët, futuristët, ekspresionistët, surrealistët, përfaqësuesit e antiromanit. Përfaqësuesit e kësaj rryme, të ashtuquajturit chozistë (sendistë), pasi kanë përjashtuar njeriun nga qendra e artit, përdorin një gjuhë natyraliste, me fjali të gjata dhe plot imtësira. Për modernistin tjetër kod ka shkrimtari, tjetër lexuesi e përderisa ekzistojnë dy kode të tillë, më tepër rëndësi ka ai i të parit.

Te ky fragment i Rob-Grijesë ndjehet fort mirë se si vepra letrare është vetë gjuha. “Tetë gishtrinj të shkurtër, të trashë prekin njeri tjetrin. Pjesa e prapme e dorës së djathtë është mbi pjesën e brendshme të së majtës. Gishti i madh i së majtës përkëdhel thuan e gishtit të djathtë, në fillim lehtas, pastaj e shtrëngon më me forcë. Pastaj e ndryshojnë pozicionin...”

Ka kaluar më se një shekull që nga fillimet e modernizmit, i cili u degëzua në dhjetra shkolla e rryma, secila me përfaqësues të shquar e me kryeveprat e veta. Në se shkencat moderne të kohës hodhën hapat e para të mëdha dhe “materia u bë sinonim i energjisë”, duke krijuar iluzionin e shkatërrimit të saj, edhe letërsia e artet e të gjitha llojeve kërkuan e gjetën mjete të reja shprehëse, stilistike e gjuhësore, duke i gjallëruar ato. Shohim kompozicione të reja, vendosen të tjera pozicione filozofiko-estetike, personazhet ndihen më ngushtë se më parë, bota konceptohet krejt ndryshe, bëhet më e imtë, më e copëzuar.

Kjo vihet re më mirë, në se lexon në të njëjtën kohë një roman të Balzakut dhe një të Kafkës apo Markezes. Pikërisht imtëzimi i botës, apo mikrobotizimi, bëhet një fenomen shumë i dukshëm në zhvillimin e mëtejshëm të shkencave, të cilin nuk mund ta lërë pa vërejtur as shkrimtari. Raportet makrobotë-mikrobotë lidhen më ngushtësisht, po dhe acarohen nën trysninë e streseve të ndërsjellta.

Të gjitha veprat letrare e shfrytëzojnë kohën në drejtim të kundërt të saj. Në se koha realisht rrjedh në një drejtim, e shprehur gjuhësisht kështu: vjen nga do të..., prek po dhe shkon te isha, që janë përkatësisht e ardhmja, e tashmja dhe e shkuara, në letërsi ngjarjet asnjëherë nuk rrjedhin me këtë sens, por me isha dhe rrallëherë me jam, kurrë me do të. E ardhmja ose ajo që shprehet me do të, është një kohë iluzore, që pritet të ndodhë, mund edhe të mos ndodhë, mundet të jetë edhe një dëshirë, vegim, apo trillim i yni, një zanafillë e mikrobotës njerëzore. E ardhmja ose ajo që shprehet me do të, është një kohë e gjatë, por edhe e pafundme, megjithëse e mjegullt dhe pa konture të dukshme, që pritet në mënyra të ndryshme, me gëzim, neveri, tmerr, entusiazëm, apo indiferentizëm. Edhe e shkuara, ose ajo që shprehet me isha, është një kohë e gjatë, por edhe e pafundme, edhe ajo pa konture tepër të qarta, e deformuar dhe aspak e njëllojtë, qoftë edhe për dy vetë, të cilët e kanë përjetuar bashkarisht të njëjtën ngjarje. Është një kohë e ftohtë, emocionet e së cilës gjithnjë largohen, mjegullohen, deri sa një ditë humbasin krejtësisht, në se nuk janë riprodhuar. Kurse e tashmja, ose ajo që shprehet gjuhësisht me po, është një kohë tepër e shkurtër, një grimcëz, që vjen me shpejtësi nga do të dhe largohet po me shpejtësi te isha. Kjo kohë kaq e grimcëzuar, që do ta quaja koha reale, i vuan të tria kohët njëherësh. Ajo e pret të ardhmen në mënyra të ndryshme, me gëzim, neveri, tmerr, entusiazëm, apo indiferentizëm, përjeton të gjitha sa sjell ajo dhe i përcjell drejt së shkuarës, me dhimbje, gëzim, shpresën e ritakimit, rigjetjes, ankthin e harrimit, humbjes, zhgënjimit. Në se e ardhmja vjen pambarimisht dhe e shkuara largohet pafundësisht, e tashmja, tejskaje e vogël, pret e përcjell ndën trysnitë dhe streset e dy të tjerave, të cilat në krahasim me të janë makrobotë. Në se e tashmja është kohë reale,  krijuar nga e ardhmja që vjen për t’u bërë kohë reale vetëm për një grimë, atëherë lind pyetja: po jeta vetë ç’është? Mos vallë shuma e këtyre mikrogrimcave reale të të tashmes? Apo pritja e prurjeve të mundshme e iluzore nga e ardhmja, ose rrjedhje drejt të shkuarës e këtyre mikrogrimcave, që pasi janë konsumuar largohen pambarimisht deri në shuarje?

Në se të gjitha këto do të bëhen lëndë letrare, shkrimtari do të bëhej tepër arbitrar dhe i dhunshën në se i imponon lexuesit si kohë reale të shkuarën, për ta bindur atë se gjithçka ndodh vetëm kështu e jo ndryshe, kur vetë lexuesi i ndjen trysnitë e të tria kohëve njëherësh, ndjen se si personaliteti i shtypet ndën këto trysni dhe jeta reale e tij është vetëm një grimcë e ardhur nga një kohë e turbullt që ai e ka përfytyruar në mënyra të tjera e që ka rrjedhur me shpejtësi drejt së shkuarës duke e kënaqur apo zhgënjyer dhe vetëm mendimi se edhe ai, në një të shkuar jo tepër të largët, në fillim do të shndërrohet në një kujtim që pak nga pak do të shuhet deri sa të humbasë përfundimisht, sikur s’ka qënë. Ndoshta do të duhej t’i jepnim deri diku të drejtë Sjedakovës kur pohon se kërkohet një harmoni e re, më e koklavitur, më e thellë, apo Bergsonit  që e konsideronte kohën ireale dhe e barazonte me kujtesën.

 

*Autori i shkrimit u është referuar disa burimeve që sjell prof. AUçi

 

Po e dërgoj këtë pasthënie, meqë pretendoj se e gjithë krijimtarie ime mbështetet mbi rrymën letrare të mikrobotizmit, të cilën e kam ideuar për shumë vite me radhë.



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •