BAUDELAIRE-RIMBAUD-MIGJENI dhe Gjeneza e Poezisë Moderne Shqipe
| Friday, 09.07.2007, 06:54 PM |  

Nga Albert Nikolla

1 – Estetika poetike e Baudelaire dhe Rimbaud në poezinë e Migjenit.

“Kështu akullsia, që është në thelb të gjërave sterile, zhytur në të ftohtë, arrin më në fund të gjejë ajrin e vet të vërtetë, që është mortja, dhe kjo shprehet me figuracionin luhatës, ndërkohë që Baudelaire rrezikon të bëhet shpërfillës gjer në sadizëm, si një metal i pa- ndikueshëm, i ruajtur dhe i paprekshëm nga kufomat, në rrugë të humbjes së ngrohtësisë kafshërore. Mungesa e jetës, në procesin e shkatërrimit të jetës, - bën që shpirti bodlerian të cekë hapsirat e brendëshme gjer në skaje” ( Sartre, “Baudelaire”, édition Gallimard, 1947, Page 166-167)- Eshtë pikërisht ky formulim apokaliptik që vetëm një personalitet si Jean-Paul Sartre, mund ta formulonte rreth poezisë se re moderne franceze të Baudlaire-s , që gjen pothuajse të njëjtën vlerë edhe për njërin nga pasardhësit e këtij Gjeniu, - Millosh Gjergj Nikolla i njohur ndryshe MIGJENI.
Nëse Poemën e Mjerimit, të këtij autori të viteve 30 të shekullit të kaluar, do ta përfshinim gabimisht, (Natyrisht përkthyer në frëngjisht) në ndonjë ribotim të Baudelaire-s, asnjë studiues, nuk do të arrinte ta dallonte poezinë e mjeshtrit francez, nga poezia e nxënësit të tij shqiptar.
Mjerimi tërbohet në dashuri epshore,
Nëpër skaje t’errëta, bashkë me qej, mij, mica,
Mbi pecat e mykta, të qelbta, të ndyra, të lagta,
Lakuriqen mishnat, si zhanga, të verdha, të pista,
Kapërthehen ndjenjat me fuqi shtazore,
Kafshojnë, përpijnë, thithen, puthen buzët e ndranga,
- Kjo poemë, për nga tematika mund të huazonte denjësisht titullin e poezisë së famshme të Baudelaire-s “Vdekjet e skamësve”, poezi e botuar për herë të parë më 1857, shkëputur nga nga vëllimi, “Lulet e dhembjes”, (Larousse, 1972, Paris). Por për nga metrika e përdorur në varg, në ndërtimin logjik e estetik, kjo poezi është në linjën e Rimbaud, ose më konkretisht “Soleil et Chair “(Diell dhe Mish). Forca tematike e poezisë së Baudelaire duke u bashkuar me metrikën e lirë të Rimbaur ka ngjizur, sharmin e zi të poetit shqiptar.
................................................................................
Njeriu langanjos, me gaz, mantelin ja bekon,
Si një bebe e butë, në prehrin e tij lodron,
-Sepse ai është i fortë, viktima tij e butë.

Varfanjaku! Kujton, ndaj nis e flet: Gjërat sa mirë e di
Dhe ecën syqorruar, veshmbyllur në qetësi,
E ndërkohë s’ka Zot, Perendia se meriton shancin e vet!
Njeriu le të bëhet mbret!
Njeriu apo Zoti i paqenë! Ç’dashuri, në një psallm pis,
Oh Zot! Si nuk doli një fëmijë, mantelin tënd ta gris.
..............................................................................................
Nuk mund të mos mahnitesh nga fakti sesi universi i poezisë së re franceze me një ndjesi kataklipsi ka përgatitur ardhjen e dishepujve të tjerë poetikë, si Millosh Gjergj Nikolla. Eshtë vërtet një kuptimplotë poetikisht fakti që një poezi shkruan në një gjuhë aristoktatike si gjuha Franceze, arrin të japë në gjuhën e një populli të vogël, (aq më tepër të ndalur rreptësisht për pesë shekuj nga turqit për të mos u folur e shkruar), një indikacion të atillë poetik, sa të lindë një kryevepër si “Poema e mjerimit”. Dhe e gjitha kjo, vetëm njëzet vite pas krijimit të shtetit të parë shqiptar, traumatizuar nga masakrat dhe spastrimet etnike të fqinjëve.
François Rigoloit, në analizën e tij “Poetika dhe analogjia », mundohet të shpjegojë këtë fenomen misterioz letrar:
“Nuk është ndoshta futja në një fenomen historik, (biografinë e poetit, -shënimi i autorit) ajo që përbën thelbin e trashigimisë bodleriane, por rishfaqja e herë-pas- herëshme (e tij) në kursin e historisë, ndërkohë që vetëdija poetike arrin dhe përceptohet në rizgjimet e raporteve të reja, mes përbërësve të shpërndarë në lëndën poetike: Thënë ndryshe, pikërisht në epokën kur gjuha mundohet të pakësojë kapacitetin e saj shprehës për të kapur realitetin, krijimtaria poetike (e poetëve admirues të Baudelaire) tenton të rimarë funksionin e saj retorik; ekzaktësisht në rigjentjen e sistemeve figutative, të destinuara për të dhënë mesazhe më të forta”.
Kjo analizë, na bën të mendojmë se lëvrimi i poezisë, ka qenë një nga format e shpëtimit të gjuhëve, pasi ka stimuluar konceptet e iluminizmit, dhe nuk e ka lejuar pakësimin e fondit të shprehjeve. Po ti drejtohemi rilindjes kombëtare shqiptare, ishin pikërisht poetët që në përpjekje për të shpëtuar gjuhën shqipe, shkruan poezi romantike fshehtas në këtë gjuhë gjatë pushtimit turk. Më pas Migjeni, duke parë se realitetit shqiptar i mungonte diçka, nisur nga përvoja që trasmetonte eksperinca e Baudelaire, bëri hapin e dytë: Forcoi poezinë në aspektin emocional, duke spikatur të shëmtuarën, dhimbjen dhe vdekjen. Pra kompletoi ekuacionin estetiko-gjuhësor. Edhe në këtë rast kemi një rikthim të Baudelaire, në një formë të re: Në imagjinatën moderniste të një poeti shqiptar.
Nëse do të pranojmë vetëm një moment teoritë e reja shkencore mbi kohën dhe hapsirën, e mbi të gjitha atë të ekzistencës së jetëve zingjir, mund të imagjinojmë një komunikim telepatik mes poetëve që jetojnë kohë të dryshme dhe sisteme të ndryshme jetësore. Thënia e grekut të vjetër Aristotel: “Aq sa jemi para një ngjarje, aq jemi edhe pas saj”, krijon një ekzistencë poetike universale, dhe na bën të mendojmë se Edgar Alain Poe, eshtë lidja e parë e Baudlaire në versionin Amerikan, Athur Rimbaud, lindja e tretë, Miroslav Kërlezha lindja e katërt në variantin Sllav dhe Millosh Gjergj Nikolla, varianti i pestë i lindjes së magjishme të i Baudelaire, në variantin tipik ballnanik, atë shqiptar. Vetëm teoritë e reja formaliste, mbi “Shtegtimin e teknikave dhe subjekteve poetike”, mund ti japin një shpjegim të saktë këtij fenomeni letrar universal. Rreth 80 vjet para publikimit të librit “Vargje të lira” të Migjenit, të ndaluan nga regjimi i kohës, mësuesi shpirtëror i tij, Baudelaire do të shkruante vargjet e tij madhështore, të cilat kanë ushqyer në mënyrë drejt përdrejt themeluesin e letërsisë moderne botërore përfshirë dhe atë shqiptare: Do të mjaftonte thjesht krahasimi i ritmit dhe muzikalitetit të vargjeve të dy poetëve për të kuptuar atë që quhet “Komunikim ndërkohor, i muzave”. Ja poezia “Lulet e dhembjes”

Krisja e çmendia, tërbimi e mëkati, kopracia,
Gëlojnë shpirtrat tanë, na zhysin në tundim,
Ushqim i neveritshëm është dashuria në rrënim
Si rrjepje e shtatit të lypsit, që qelbet nga kërrmia.

Pandërprerë i rizgjojmë në ethe mëkatet tona ,
E sjellja jonë e zezë mrekullisht e paguan fajin ,
Marrin plot me gaz rrugët ku drobiten s’kamsit ,
Ne, ndytësit, me zemra të palara plot dranga.

Në veshit e së keqes na fryn djall-djalloshi-satan ,
Shpirtrat e gëzuar na i rrëzon me bisht të artë,
Me trupat tanë metal krijohet vaporri i tij i flaktë
Kimisti ja gatit, që t’na shkrirë më leht’ në katran.

Eshtë i paudhi që ndjell të binjtë me gjith demonë
Joshjen na e zgjon me iluzione, pash më pash,
Katosemi çdo ditë ferrit, për humbjen s’ka ilaç,
Se notojmë errësirave, mallkimi ne na shëlbon. ..................................................................................
Mespërmes çakejve , panterave, bushtrave tërbuar,
Majmunëve e akrepëve, skifterëve e gjarpërinjve
Mostrat ulëritëse përleshen hangërt me skërmitje
Në përzierjen e urryer të jetën sonë shkatërruar.

Ai është më i shëmtuari, më i keqi, thellë më i ndyri,
Kur nuk tundohet nga trimëritë, as klithjet në drojë,
E kthen me tërbim tokën tonë të shenjtë në rrënojë
Dhe në shtëpinë e tij burgos universin. Fatthyeri!

Ja tmerri kobzi! – bebet e syve na zhytet në vajtim,
Mundohemi t’i shpëtojë mjergullën që stis opiumi,
Njihe o i mençur, përbindëshin katranosur në lubi,
-Të llahtarshmin hipokrit – vetë dyzimin tim.

Nëse një piktor do të realizonte dy pikatura simboliste mbështetur mbi vargjet, në rastin e Baudelaire do të kishim një njeri lakuriç, zhutur përbrenda në ngjyera të errëta, në anatominë e të cilit lëvrijnë djantë, çakejtë, ujqërit, panterat, akrepët, gjarpërinjtë, shkurt dëshirat mëkatare që duan ta shkatërrojnë njeriun, ndësa tek vargjet e Migjenit, një katror të zi mizerje, që është shtëpia, trupar e palarë të disa fëmijëve që nuk dihet a janë duke fjetur apo kanë vdekut, çifti që bën dashuri shtazarake e që zhgërryhet mes lecakave të qelbëta me mij, mace, pa harruar foshnjen që qan nga uria.
Dallimi mes dy poetëve, qëndron vetëm në një element të logjikës poetike. Baudelaire, e fut shkatërrimin në trupin e tij, dhe e vëzhgon brenda vetes, (Duke krijuar një dialog mes UN-it mëkatar dhe shoqërisë perverse) ndërsa Migjeni e shikon atë si një piktor, nga jashtë. Shkurt nxënësi e merr teknikën e mësuesit, por nuk imiton. Ai krijon një sistem të ri vëzhgimi. Dhe pikërisht kjo është madhështia e poetëve të mëdhej: Ata shkëmbejnë ide, teknika, konvergojnë, por kurrë nuk kopjojnë.
Në leksinet e tij për Baudelaire, të ligjëruara në disa nga Universitetet evropinane, Hugo Friedrich, pasi e etiketon këtë poet si fillimin e modernitetit në Letërsinë Evropiane kostaton diçka esencaile: “Lulet e dhembjes” nuk janë poezi të errëta. Ata hyjnë në venat e jetës qartësisht të kuptueshme, në gjendje normale e të vetëdijëshme , me misteret dhe kontradiksionet. Teoria poetike e Bodelaire, është gjithashtu tepër e qartë. Pikërsiht për këtë, (Idetë) prezantojnë pika shikimi dhe synime të reja, të cilat nuk kishin arritur të realizoheshin nga poeti në jetë për shkak të hetimeve, por që gjejnë mundësi shprehje e realizimi në poezinë hermetike që do të vinte më vonë. Në thelb është fjala për teoritë mistike të frazës dhe imagjinatës”. Ja poezia “Le Guignon” i Baudelaire.
Për të shdritur në dritë si mbret,
Sizif, na duhet sakrificë e thellë,
E nëse zemrave vlon plot dellë,
Arti është vuajtje, koha rrëshqet.

Larg varrimit plot nderim,
Drejt një varreze krejt vetmuar,
Zemra ime, tambur i shuar,
Do shkoj’ të kalbet në thëllim.

-Të gjitha misteret treten, fshihen,
Në ërrësirë ku nuk dihen,
Pa njohje, humben terreve varg.

E lulet shuhen në lot gjith’ dert,
Parfumi lehtë zgjon sekret,
Vetmisë mister që doret larg.

“Fjalë të zgjedhura dhe imagjinacione.....” –elementë këto që përcaktojnë aftësinë e poetit për t’u shprehur dhe modernitetin e tij. Baudelaire i kushton një poezi fatit të tij të pashmangshëm . Migjeni, në të kundër shkruan poezi për fatin e pashmangshëm të njeriut. A vlen përcaktimi i Hugo Friedrich edhe për poezinë moderne të Migjenit!.
Manjerën krijuese të Baudelaire, e gjejmë mjaft të aktivizuar edhe tej Migjeni. Kështu, poezitë e tij janë një zgjedhje fjalësh, një imagjinacion tejet krijues, gjigant si tek pikturat e Salvador Dali.
Poezia “Recital i Malësorit” e Migjenit është pa dyshim shembulli më tipik i aksiomës së Hugo Friedric, që spjegon qartë efektet zingjir që vijnë nga këmbimi poetik mësues-nxënës, konkretisht nga ndikimi që pati poezia franceze në atë shqipe.
O, si nuk kam një grusht të fortë,
Ti bie mu në zemër malit që s’bëzan,
Ta dij dhe ai se ç’domethanë i dobët,
N’agoni të përdridhet si vigan i vramë.

Unë lugat si hij’e trazueme,
Trashëgimtar i vuajtjes dhe i durimit,
Endem mbi bark të malit me ujën e zgjueme,
Dhe me klithmat të pakënaquna të instiktit.

Mali hesht. Edhe pse përditë,
Mbi lëkurën e tij, në lojë varrimtare,
Kërkoj me gjetë një kafshatë ma t’ mirë,
Por me rren shaka, shpresa gënjimtare.

Mali hesht, dhe në heshtje qesh,
E unë vuej, dhe në vuetje vdes.
Po unë, kur? Heu kur kam për t’u qesh?
Apo ndoshta duhet më parë të vdes.

O si nuk kam një grusht të fuqishëm!
Malit që hesht, mu në zemër me ja ngjesh,
Ta shof si dridhet nga grushti i paligjshëm,
E unë të kënaqem, të kënaqem tuj u qesh.

Studiuesi Gjermano-kanadez i letërsisë shqipe Dr. Robert Elsie duke prezantuar Migjenit në antologjinë e poezisë moderne shqiptare “An elusive eagle soars” publikuar nga edicioni “Forest Books” London&Boston 1993, arrin në këtë konkluzion:
“Migjeni është i pari poet që abandonon traditën nacional-romantike, që ka sunduar për një kohë të gjatë në literaturën shqiptare. Poetët bashkëkohorë në Shqipëri, shohin tek Migjeni karakterin e fortë social e etic, jo si art për art, por si një armë të fortë për të goditur padrejtësinë dhe shtypjen”. Në përcaktimin e Dr Elsie ndihet qartë trysnia e konceptit të kritikës aktuale shqiptare, që e ka “shëndërruar” Migjenin si një poet social. Kjo ka sjellë moszbulimin e kapaciteve të tjera letrare, stilistike, gjuhësore, estetike, si talentin të poetin për të kapur fenomenet e kohës së tij. Me një fjalë Migjeni është një fenomen letrar shumë më kompleks. Revolta sociale e Migjenit, është vetëm një element i krijimtarisë së tij.
Në të kundërt, Ismail Kadare, ka mundur t’i afrohet arsyeve pse lindi Migjenin si poet.
Në esenë e tij e tij “Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe”, (Botuar në vitin 1990 nga Edicioni “Fayard”, Paris) zbulon sencin e të vërtetës, në aspektin e revolucionit që shkaktoi ky poet, në botën e mykur shqiptare, anadollake dhe donkishoteske. “Përballë euforisë dhe vetëlëvdatave prej të cilave po i merrej fryma artit, Migjeni dhe plejada e tij i parashtruan botës shqiptare një vizion të ri: Sencin vetëkritik. Sfida e Migjenit ka të bëjë me “Malin që s’bëzan” pra me krejt mendësinë shqiptare, me idolet, kanunet, mitet, komplekset e paragjykimet e shtresuara në shekuj e shekuj”.
“Ideja e vetme e Baudelaire është ideja e vdekjes. Përjetimi i vetëm i Baudelaire është përjetimi i vdekjes. E mendon gjithkund e për çdo ditë, e shikon ngado që hedh sytë , e dëshëron në çdo moment, dhe pikërisht me këtë formë të menduari ai del nga romantizmi”- do të shkruante më 1894 Gustave Lanson, në manualin e poezisë franceze”.
Kjo analizë që tregon se si Baudelaire ka arritur të shkëputet nga tradita romantike e poezisë franceze, na shërben për të kuptuar pse Migjeni, i cili vinte nga qyteti ku romatizmi shqiptar kishte tri kollosët e vet, At Gjergj Fishta, At Ndre Mjeda e themeluesi i romanit Shqiptar At Ndoc Nikaj, nuk përfundoi një pasues i traditës së tyre, por një themelues i një tipi të ri letërsie. Thirrja e Migjenit: “A po duhet më parë të vdes”, vjen pikërisht nga kjo tendecë e tij për ta parë botën ashtu siç është, për tu zhytur në vuajtjen e njerëzve, dhe për të klithur bashkë me ta. Njëra nga poezitë më të arritura stilistikisht të poetit, e cila fatkeqësisht ende nuk është vënë re nga një pjesë e madhe e studiuesve të tij, është “Rezignata”

Na shpehun të ngushëlluem gjetmë në vaj..
Mjerimet i mormë në paj,
Me jetë... se kjo botë mbarë,
Ndër gji t’Univerzumit asht varrë,
Ku qenia e dënueme shkrrehet rrëshqanë,
Me vullnet të ndrydhun në grusht të një vigani.
Një sy i stolisun me lot të kulluet t’dhimbës thellë,
Ndrit nga skaji i mjerimit,
e kaherë një reflesk i një mendimi të thjedhtë,
veton rreth rruzullimit,
shfrimin me gjetë mnisë së vet të mnertë....
Por kreu varet, syn’i i trishtuem, mbyllet,
E nga qerpiku një lot i kjart’ shtyhet,
Rrokulliset nga ftyra, bie në tokè e thrrimet,
E ndër thrrimet e vogla të lotit ka një njeri lindet,
secili prej tyne në udhë të fatit të vet niset,
me shpresë në ngadhnjim sado të vogël,
përshkon të gjitha viset,
ka rrugët që janë të shtrueme me ferra e rreth të cilave shifen,
vorret e shpërlame me lot e të marrët që zgërdhihen.

Kjo poezi, përbën një ndër poezitë më fataliste të shekullit të njëzet. Do të mjaftonte analisa e vargjeve “...se kjo botë mbarë / ndër gji t’Univerzumit ashtë varrë” – për të kuptuar sesi poeti e ka marrë elementin biologjik të vdekjes, për ta kthyer në një klithje të pashpresë. E nëse vdekja, është marrë prej Migjenit nga Baudelaire, univerzumi, sistemi kosmogonik në të cilën vdekja transplantohet, është marrë nga Rimbaud.
Rimbaud është një operues fantastil me Universin...
“Rezignata” Eshtë poezia që jep esencën e jetës njerëzore gjithsej në njëzet vargje. Të tjerë poetë kanë shkruar me mijëra vargje duke derdhur lot, e duke mallkuar fatin, e nuk kanë arritur ta japin thelbin e trishtueshëm të ekzistencës ashtu si ky poet. “...vorret e shpërlame me lotë, e të marrët që zgërdhihen”- është një nga finalet më të zeza që pena e ndonjë shkrimtari mund të ketë shkruar.
Nëse në aspektin stilistik, e ideor, Baudelaire përbën babain shpirtëror të Migjenit, në aspektin e motiveve Arthur Rimbaud përbën vëllain misterioz të poetit. Në shënimet e tij personale “Një verë me Migjenin” Lazër Radi, duke përshkruar bisedat që ka pasur me këtë njeri misterioz, ka mundur të informohet edhe pë autorët e preferuar të poetit. Përveç shkrimtarëve sllavë, (Të cilët kishte pasur rastin ti lexonte në seminarin ortodoks të Manastirit –Maqedoni) Gjermanë e Anglo-amerikanë, mund të përmendim këtu Fyodor Dostoyevsky, Ivan Turgenev, Lev Tolstoy, Nikolay Gogol , Upton Sinclair, Jack London, Ben Traven, Edgar Alain Po Friedrick Schiler, e mbi ta poetin Serb Miroslav Kerlezha, Migjeni një njohës i shkëlqyeshëm i frëngjishtes, admironte Jean –Jacques Rousseau, Stendalin, Emil Zolanë, e mbi të gjithë Charles Baudelaire e Arthur Rimbaud, të cilët i lexonte të origjinal.
Steve Murphy, në shkrimin e tij “ Vjedhja zemrës flijuar” (Të poetit), botuar në librin “Leximi i Rimbaud” – Publikim i Universitetit të Brukselit, merr përsipër të bëjë një gjygj analitik: “Në një artikull të mrekullueshëm (mbi Rembaud-shënimi i autorit) Marc Ascanien et Jean-Pierre Chambon.....rinjohim kotraditat mes burimeve të përcaktuara (Poetike) dhe varfërsë sinjifikative (Të realitetit)“. Ne mund të themi pa frikë që akuzuesit kanë krijuar qëllimisht një reduksion, por do të jetë një tentativë kotë për të kapur qorrazi një Rimbaud naiv, lirik thjesh me një vështrim mistik.
Mystik!!! ....Murphy e quan mistiken thjesht një element të Rimbaud. Por kush do të ishte në gjendje të kapte të gjithë elementët e potikë, etikë, moralë, të poetit. Atëherë, megjithëse përbën thjesht një element i drejtohemi mistikës së poetit aventurier. Mund të kostatojmë se Murphy, zbulon në sencin pozitiv, thelbin “diabolik” të poetit francez.
Rimbaud , në vitin 1871 shkruan ndër të tjera edhe poezinë: “Skamësit në kishë”
Tulatur mes bankave të fundit, skamësit në kishë,
Vagët i tregojnë dhembjet, e me sytë në perendim
shohin korin si relike dhe mjeshten që tjerr këngë,
me njëzet gojërat hapur mbi pulpat pa num’rim.

Si era e bukës njerëzore, dyllosur në mirësi ,
Të mahnitur, të nështruar si qëntë e torturuar,
Të varfrit e të buk’rit Zot, sundues plor fuqi,
Qeshur faljen hyjnore presin, për ta gllabëruar.
..................................................................................
Këtë mrekulli e kanë kaluar dhumë epileptikë,
Teksa mundoheshin dje në të madhin kryqëzim,
Dhe gungaqët hundë përbidasha, si baballar’ antikë,
Të verbërit me qen-gida, arrijnë të gjejnë drejtim.
.......................................................................................
I njëjti sistem, por në një realitet të ri, haset edhe tek Migjeni. Poezia e tij “Blasfemi”, dallohet fare qartë për një antimisticizmin shokant, të cilin autori mundohet ta “zaptojë” me mjete poetike, për të denoncuar sencin diabolik të ekzistencës, nën trysninë jo direkte të Zotit, siç bën Rimbaut, por të atyre që hiqen si përfaqësues të tij, e që në të vërtetë nuk janë vetëmse sharlatanë, që ndyjnë imazhin e Tokës së Mjeruar.
Notojnë xhamiat dhe kishat nëpër kujtimet tona,
E lutjet pa kuptim e shije përplasen mbi muret e tyre,
Dhe nga këto lutje zemra Zotit, ende s’iu thye,
Por vazhdoi të rrahë ndër lodra e kumbana.

Xhamiat dhe kishat madhështore ndër vende të mjerueme,
Kumbanaret dhe minaret e nalta mbi shtëpitë tona përdhecke,
Zani i hoxhës dhe i priftit në një kangë të degjenerueme....
O pikturë ideale e vjetër njëmijë vjeçe.......

Përcaktimi i Sartre në lidhje me konceptet hierkike që sundojnë psiqikën kolektive njerëzore, të transplantura nga shoqëria në poezi prej Baudelaire, janë vërtet shumë të rëndësishme edhe në përceptimin e poezisë “Blasfemi” të Migjenit. “Shtresa shoqërore e favorizuar, është e organizuar në mënyrë perfekte, në një hierarki të vazhdueshme, që nuk toleron asnjë lloj mundësie përmirësimi. Në qoftë se ky sistem jeton gjatë, kjo në saj të korrupsionit që lulëzon. Dhe tek individët e saj, nëse i vrojtojmë mirë, zgjatja e jetës së sistemit nuk jep gjë tjetër veçse mefshtësi e kalbje“
Ky dekompozicion, kalbje e patriarkalizmit, i jep dhimbje shoqërisë, dhe Migjenit nuk i mbetet vetëmse të aktivizojë ironinë e tij të pamëshirme. Megjithë formimin e tij në një shkollë teologjike, ai arrin deri atje sa të tregojë bindjet e tij si ateist; “Dhe nga këto lutje, zemra e Zotit su thye/ Por vazhdon të rrahë ndër lodra e kumbana”.
Jacqueline Biard, në studimin e saj kritik mbi Rimbaud, në Revue de L’université de Bruxelles, 1982 të titulluar “Délires 1 ou le théatre du double” (Deliri 1, ose teatri i dyzuar) tenton të ngërthejë një element interesant, përsa i përket sistemeve teologjike që poeti misterioz francez, exploron:
“Kurani qëndron një aferë më shumë se e komplikuar dhe është për të ardhur keq që nuk i njohim thellësisht mendimet e kapitenit (Rimbaud eshtë kapiteni i anijes së aventurës-shënimi i autorit). Por ashtu siç thyen gramatikën (E gjuhës) ne shohim Rimbaud të bëjë të njëjtën gjë (edhe me kuranin) duke refuzuar e duke u mrekulluar, njëkohësisht. Ashtu si edhe në Soisson, ai është bërë rrjedhje e “urtësisë kopile” të Islamit, ndërkohë që në të njëjtin botim, janë para të gjithave Bibla dhe Ungjilli që janë deshifruar sipas logjikës së poetit (Libra që i ka njohur që në fillim të lindjes, pasi kishte njohur nënën). Nuk na mbetet vetëmse të shtrojmë pyetjen: Për ç’arsye Rimbaut është arratisur në drejtim të vendeve Islamike? Pse është thirrur prej Allahut në dëshirat e fundit...”
Nëse Rimbaud kërkon forma të reja misticizmi për të shpëtuar shpirtin e tij nga “brejtjet”-mëkatare të një krijese që nuk lë gjë pa provuar, nuk le parajsë e ferr pa vizituar, dhe nuk lë djall e engjëll pa tunduar, tek vëllai i tij ballkanik ka ndodhur një kthjellim. Refuzuesi i mantelit priftëror e kupton se misticizmi qoftë Kristian qoftë Islamik, nuk është vetëmse një formë e “Burgosjeje e lirisë së mendjes”, një sundim i trajtave të padukshme të imagjinatës mbi lirinë individuale, nuk është vetëmse një gjenerues prapambetje, në shoqëritë ku “Admirimi i verbër” është i kthyer në traditë.
Konceptet e Rimbaud, jo vetëm në aspektin mistik, kanë marrë një drejtim të ri tek Migjeni, por edhe në fenomenin e vdekjes brenda natyrës. Stina e vjeshtës zë një kult të rëndësishëm, në raste të rralla duke anashkaluar varfërinë e duke zbuluar fatalitetin e ekzistencës me ligjin natyror: “Gjithçkaje që ikën”.

Pas të ndritshmes hënë, shkurrnajave pa të sosur;
murrkuqet ashti kodrave nën qiell të zi, ca luftëtarë
kalërojnë qetësisht portat me gjokët e bardhë,
xhinglin çaklli poshtë bandes, në ajrin pluhurosur.

-U vendos- do pij thekshëm, sa tja humb anën fillit,
tja cis nusen syshkruarit, burrit kuqalash, - Gaula,
i brishti Paskal, le të ikë me këmbët e tij të lehta,
te Misheli e Kristina - dhe Krishti, - në fund të idilit.

Kuptohet në konceptin biblik , vajtja tek Krishti për gjykim është fundi i idilit njerëzor, fundi i jetës. Poeti Francez e kërkon misticitetin në elementët e kulturave të ndryshme, ekzistuese në botën e shekullit të nëntëmbëdhjetë, ndërkohë që poeti shqiptar e shikon tek “Fati i pashmangshëm”. Thirrja “Vall! A ka shpëtim ndokund” – tregon zhgënjimin apsolut të tij. Në njërën nga poezitë e pakta futuriste të letërsisë shqipe të viteve 30 të shekullit të kaluar siç është “Vjeshta në parakalim” , mund të lexijmë këto vargje:
Ngjyrat e verdha lozin me vallen e fundme,
(shpresa e marrë e gjetheve, që një e nga një vdesin)
Gëzimet, andjet tona, dëshira e fundme,
Nëpër baltra të vjeshtës që heshturazi shkelim.

Një lis pasqyrohet në lotin e qiellit,
Tundet dhe përgjaket në pasionin e viganit,
“Jetë! Jetë unë të due!” – e frymë merr prej fellit,
si stuhi shkyn ajrin... por në fund ia nis vajit.

Dhe në vaj bashkohet horizont i mbytyr,
Në mjergull përpise. Pemët e degèt e lagun,
Me vaj i mshtjellin në lutje por kot! E dinë të fikun,
Se nesër do vdesin... Vall! A ka shpëtim ndokund?!

Dy poetët që vinin prej shkollës Baudleriane, Rimbaud e Migjeni patën pothuajse të njëjtin fat? Vdiqën tepër rinj, dhe lanë shumë pak poezi e tregime. Karakteristika e tyre e përbashkët ishte: Rebelizmi , shembja e tabuve dhe normave që shtypnin shpirtin e tyre të lirë”. Ashtu si Rimbaud edhe Migjeni, la pas vetes, dy vëllime, i pari “Vargje të lira” poezi e poema, dhe tjetri me tregime “Kronikat e qytetit të veriut”. Nëse Baudelaire, do të linte në atmosferën poetike botërore shprehjen monumentale: “Amerika nuk ishte e denjë për veprën e Edgar Alan Poe-s”, e njëjta gjë mund të thuhet për Migjenin. “Shqipëria ishte tepër e vogël për një poet si Migjeni”.
Njëri nga kritikët më të mirë aktual të poezisë moderne, gjermani Hugo Friedrich, ka arritur në një farë mase ti afrohet të vërtetës, kur në leksionet e tij botuar më 1956, merr guximin ta shikojë realitetin letrar të Evropës në sy, dhe pa nota nacionaliste:”Ata që hodhën themelet e poezisë moderne në Europe, dhe që vazhdojnë të jenë përfaqësuesit më i rëndësishëm, janë francezët e shekullit të nëntëmbëdhjetë, Rimbaud e Mallarme”.
Pra këtyre të dyve unë do të thoja: Baudelaire.
Nuk besoj që Baudelaire me poezinë e tij të mos jetë magjik edhe përkthimin gjermanisht. Megjithëse poezia e tij është gati e pa përkthyeshme në gjuhë të tjera, për shkak të vargjeve mrekullisht të strukturuara dhe metrikave të stërholluara, (Albatrosi në shqip është një perlë po aq sa poezitë e Shekspirit), vazhdoj të besoj në revolucionin estetik që ai trasmeton nëpërmjet tyre. Por paraardhësi i Rimbaud, është vetë fillesa dhe ka tërhequr vëmendjen e kritikut Hugo Friedrich. Prefernca e gjermanit për Mallarmé, zbutet kur për kollosin e poezisë franceze thotë: “Në përpjekjen për të prezantuar dy themeluesit e mëdhej që janë Rimbaud e Mallarme, shtytësi ( Inspiruesi) Baudelaire, nuk rezulton rastësisht i vendosur në interesat e mia prej specialisti, por si një nevojë vërtet e pashmangshme”. Në të vërtetë të mos njohësh dhe të mos meresh me poezinë e Baudelaire, do të thotë të mos pish ujë në burimin e modernitetit të letërsisë, e si rrjedhim të mos dish të lexosh as Rimbaud, as Kërlezhën e as Migjenin.

Rimbaut dhe “shtegtimi” i koncepte poetike

Po le ti kthehemi sërish Rimbaud, pasi shumë elementë teknikë e poetikë, të panjohur në poezinë shqipe, do të merreshin nga Migjeni, prej këtij autori, që për profesorin Friedrich përfaqëson sharmin e poezisë franceze.
Instrumentet poetike të zgjedhura nga Rimbaud, janë përgjigjja e vetme për perendimin e velur (ngopur), të vetëkënaqur, por në thelb barbar e pa forcë, që ka humbur gjer edhe instiktet e shprehjes lirë të dëshirave të bukura, në raport me tradicionin dhe praktikat e shenjta të popujve të lindjes, mbi të gjitha të religjioneve prejhistorike, thënë më qartë të magjive pozitive që vijnë nga popujt primitivë” - shprehet René Char në parathësien e poezive të Rimbaud, në vitin 1956. Mund të thuhet se Orienti, që kishte arritur të imponohej gjet në zemër të evropës, Shqipëri nga invazioni barbar turk, për një poet si Migjeni nuk përbënte asnjë lloj magjie primitive, por megjithatë ashtu si tek “Vëllai francez” ishte një objekt tëpër i preferuar, vrojuar jo në aspektin ekzotik që thotë studiuesi francez por në aspektin e përditshëm, në tërë thelbin poetik. Jo vetëm tek poezia Blasfemi, ndeshet hapur kjo tentativë e Migjenit, por edhe tek poema e mjerimit. Madje kalon në një ekstremitet të atillë, sa fillon e kap përmasa të karakterit suerralist. “Therin qiellin qiellin kryqet e minaretë e ngurta”. Imagjinoni, Kryqet e mëdha të kishave, dhe Minaretë si shpata gjigande që therin qiellin, dhe mjerimin në kasollet e lagjeve periferike ku fëmijët vdesin nga urija, që ndjehet i tradhtuar nga premtimi biblik “Perendia ushqen zogjtë e malit, jo më të mos ushqejë njerëzit e tij”. Më kot plakat kockëdala, me magji mistike kërkojnë ti rikthejnë në jetë të vdekurit. Popujt primitivë, të detinuar për të pjellë vuajtje tek Migjeni ç’mitizohen. Por kjo se pengon poetin shqiptar, ta përthithë teknikën e paraardhësit të tij francez, me një finesë të magjishme
“Zefiri i zgjoi fletët,/ Gushkuqi fluturon duke u lëkundur/ Lulja petaleve ua heq jetët, Ç’dush dallditës dhe i bukur”.-thote Rimbaud në një nga poezitë e tij. Dhe pas shumë vitesh, pas shtegtimit të teksnikës lineare poetike nga zemra e Francës, në një qytet verior shqiptar, ku ka shume kryqe, minare, shi e varfëri, metrika e mjeshtrit francez përfundon në këtë variant të shkruan nga poeti shqiptar, që për nga muzikaliteti dhe mënyra e rrjedhjes semantike nuk ka si mos të mahnisë me futurizmin elegant: “U harrua jeta e ditës,/Ndër shtretërit e natës, e paqja, /U derdh nga parzm’ e errsinës, /N’andrra përkundet lagja.”
Nata.... Në konceptin mitologjik ballkanik nata përbledh një mister të madh. Ajo simbolizon errësirën, padijen, pushtimin. “Turqnim i zi,i mallkuem / Shqipnis i ra si shplak e zez’/ t’ bardhat qytete, n’gjak u shuen/ a thue kurrë s’kishiu kenë”- thotë një këngë popullore shqiptare. Megjithëse për shqiptarët orienti ka një konotacion negativ, pasi ka qenë destruktiv për kuturën e tyre, për shumë personalitete perendimore kryesisht piktorë e poetë ishte simbili i lirisë në aspektin ekzotik.

Pjesa e dytë

Preferencat seksuale të poetëve dhe pozia e re moderne

Nëse Bajroni, poeti i famshëm anglez që u akuzua për inçest me motrën e tij, për ti shpëtuar ferrit të aristokracisë ziliçare londoniane, iku në Janinë, për të zbuluar virtytet dhe sinqeritetin e shoqërisë primitive mes Shqiptarëve, nëse Rimbaud, iku në vendet islamike për të zbuluar liritë seksuale dhe eksperiencat ndryshe që ky rajon i botës ofronte, pas akuzave për homoseksualizëm, Migjeni, poeti shqiptar që u akuzua për inçest me njërën nga kushërirat e tij, nuk pati as para për të kuruar sëmundjen e tij dhe aq më pak për të udhëtuar në kërkim të parajzës së lirë poetike. Megjithëse kanë kaluar , pak më shumë se 55 vjet nga vdekja e tij, dhe megjithëse të afërmit e Migjeni kanë s’qaruar qartë se djaloshi poet nuk kishte asnjë lidhje gjaku me femrën që e dashuronte, prapaseprap thashethemet vazhdojnë. Si duket poetët e mëdhej janë të mallkuar të përfolen gjithë jetën e tyre, madje me shekuj pas vdekjes siç ngjan me Bajronin ku edhe sot shkruhen vepra të tëra, jo vetëm për të ashtëquajturin “inçest brenda familjes”, por edhe për marrëdhëniet dashurore me Pashain e famshëm shqiptar të Janinës.
I vetmi element që e ndan Migjenin nga Rimbaud, në plot kuptimin e fjalës është preferenca sexuale. Nëse Rimbaud, ishte homeseksual, dhe vuajtjet e tij vinin pikërisht nga përbuzja e shoqërisë që e rrethonte, Migjeni, në të kundërt ishte admirues i bukurisë femërore, element që dukshëm ndikoi në krijimtarinë e tij. Studuesit Robert Elsie nuk i ka shpëtuar një gjë e tillë, dhe në studimin e tij të zgjeruar: “Rruga drejt modernitetit dhe koha e artë e letërsisë shqiptare” –publikuar në shqip dhe anglisht njëkohësisht, mundohet në një farë mënyre ta shpjegojë këtë indikacion poetik të realitetit seksual mbi poezinë e Migjenit. “Poezia dhe frazat e tija janë plot me figura grash, shpeshherë prostituta të mjeruara, për të cilat Migjeni tregoj edhe mëshirë edhe një interes seksual të hapur. Janë sytë e përlotur dhe buzët e kuqe që përmenden. Pjesët e tjera të trupit nuk përshkruhen kurrë. Per Migjenin, seksi ishte një vuajtje”- përcakton Elsie.

Ato dy buzë të kuqe,
Dhe dy lotë të mija,
Qenë shenjat e dhibjes,
Kur më vrau bukuria,
Kur më zu dashnia,
Kur më dogji rinija.

Gjithmonë sipas studiuesit gjermani-kanadez Elsie “Pasioni dhe dëshira epshore janë gjithandej në poezinë tejet sensuale të poetit. Gjejmë tek vargjet e tij përshkrime të imtimitetit trupor, por shpeshherë me neveri dhe hidhërim. Për Migjenin edhe seksi mund të trasformohej në mjerim, ashtu si në Poemën e Mjerimit”. Elsie madje arrin deri atje sa konfirmon zërat se poeti ka vdekur i Virgjër. Kjo shpjegon edhe vuajtjen në emër të dashurisë, në poezitë e tij! Një problem mjaft i diskutueshëm po të kemi parasysh poezinë e tij “Një natë” që fillon me :
“Një grue hyjneshë,
e mbështjellur n’erssi të natës
zbriti nga sferat e panjohura/
ndër odat e mia,
dhe u shtrue një fllad,
një e kandshme ndjesi”
.....................................

dhe përfundon me:

“Buzët e njoma të saj
sytë e zez e të mdhaj
me harmoni vijash të bindshme,
premtuan një dashni të hijshme
(Ashtu dhe akordi i heshjes,
frytin e ambëm të marrëveshjes.)

Nuk ka dyshim, që “fryti i ëmbël i marrëveshjes” është marrëdhënia seksuale që Migjeni ka pasur me këtë grua. Rëndom ndodh në jetën e meshkujve të pashëm, që netëve të kenë vizita nga admiratoret, qofshin këto edhe gra të martuara, (Burrat e të cilave vuanin nga impotenca) dhe nuk është çudi që në një shoqëri patriarkale, bërja seks natën, në errësirë, të ketë qenë një manierë kompesuese për gratë e qyteteve dhe fshatrave shqiptare. Nga kjo përfitonin sidomos për djemtë e ri, të cilët ishin të mbushur me lloj-lloj imagjinatash erotike, dhe mbi të gjitha me uri seksuale. Nga ky përkufizim nuk bën prejashtim as Migjeni, dhe kjo bie qartë në sy tek poezitë e tij. Ndoshta varianti i Elsie, mbi “Virgjinitetin e Migjenit” është një përpjekje e tij për ta shpëtuar nga akuzat në lidhje me inçestin, dhe mbi të gjitha për të treguar pastërtinë e shpirtit të poetit. I virgjër, Migjeni është poet shumë më i bukur, natyrisht.
Për të kuptuar të përbashkëtat dhe dallimet në aspektin e inspiracioneve poetike që ngjall sexi tek Rimbaud,(dhe pse k’to inspiracione janë në një shkallë më fluore tek varinati shqiptar- Migjeni), jemi të detyrar sërish ti drejtohemi më shumë se një herë Steve Murphy, i cili analizon “indikacionin e predispozicioneve sexuale mbi poetikë ” si akumulacione vizuale.
Në krijimtarinë e Rimbaud përvojat seksuale shpërndahet në prodhimtarinë e shenjave,(Poetike-shënim i autorit) dhe zbulimi i tyre përbën një problem të vërtetë, në mishmashin e figurave. Madje, edhe në “Një zemër” fshehtësia e Rimbaud kërkon cepet e shenjës letrare. Por erotizmi nuk përbën “Qendrën” e teksteve Rimbaidiane. Në vazhdim Ascione dhe Chambon theksojnë se “Erotizmi i ri, në një vështrim të drejt-përdrejtë nuk është burimi i parë, i frymëzimeve të tija, por exploruar në thellësi përbën të parin”.
Akumulacionet vizuale, tek Migjeni janë dhe më të theksuara, pasi ai nuk i shikon femrat si objekte direkte seksuale, siç ndodh me poetët e rëndomtë, por duke zbuluar të fshehtat e tyre, shfaq interesat e fshehta. Maskimi në këtë rast fiton dimensione letrare universale.
Në fakt Migjeni jo vetëm në mizerabilitetit seksual që mbretëronte në qytetet shqiptare, (kam parasysh poezinë “Baladë qytetase” e veçanërisht në tregimin “A don qymyr zotni” ku seksi nuk përmendet askund por është i pranishëm në të gjithë prozën,) por edhe në poezi me elementë të lloit social tridimensional: Vetburgosje- mistikë, -varfëri, e përdor maskimin si metodë efikase e shprehjes së koncepteve. Ta zëmë tek “Kënga skandaloze” nuk u drejtohet elementëve të tij direkt, por me sisteme alternative, duke modernizuar format shprehjeve poetike.

Një murgeshë e zbehtë që bashkë me mkatet e botës,
Bar dhe mkatet e mia mbi supet e vet të molisun,
Mbi supet e verdhë si dulli që i ka puth hyjnia,
-kalon rrugës së qytetit si ejll i arratisur...
Një murgeshë e zbehtë, e ftohtë si rrasa e vorrit,
Me sy bojë hini si hini i epsheve të djegna të gjallesës,
..................................................................................

Prej lutjesh (Jo tallse!) duel dhe në lutje prap po shkon,
Lutjet i flenë gjithkund: ndër sy, ndër buzë, ndër gishta.
Pa lutjet e saj bota, kushedi, çfat do të kishte?
Por edhe nga lutjet e saj ende s’i zbardhi drita.
O murgeshë e zbehtë, që çon dashni me shenjt,
Që n’ekstazë para tyre digjesh si qiriu pranë lterit,
Dhe ua zbulon veten...s’mirë ua kam shenjtëvet:
Mos u lut pë mue, se due pash më pash t’i bie ferrit,
Une dhe ti, murgesh, dy skaje po të një litari,
Të cilin dy tabore ia grehin njëri tjetrit,
Lufta është e ashpër dhe kushedi ku do t’dali,
Prandaj grehet litari e përplasen njerëzit.

Mania e poetit për të prekur të paprekshmet, siç ndodh në këtë poezi shpjegon edhe faktin, që autorit megjithëse ju ndalua botimi i vëllimit “Vargje të lira” në vitin 1936 nga censura, - vetëm me botimet e herëpasherëshme në shtypin periodik shqiptar pati sukses të jashtëzakonshëm.
Por ky sukses nuk ishte vetëm aventurë e explorimin e elementëve të paprekshëm të shoqërisë patriarkale shqiptare, por edhe frut i një erudicioni dhe manjere leximi prej kollosi.

Elementë të filozofisë së Nietzsche tek poezia e Migjenit

Studiuesi i letërsisë shqipe, Prof. Doc. Dhimitër Shuteriqi, me gjithë ndikimin e tij të theksuar nga kritika ruse, kryesisht ajo e Bielinskit, duke treguar rreth densitetit me të cilin shkëmbente librat, me moshatarin e tij Millosh Gjergj Nikolla, nuk ka mundur ti shmanget të vërtetës dhe sqaron jo pa një farë nostaligjie futjen e poezisë franceze dhe filozofisë gjermane, në kulturën shqiptare. “Influenca të ndryshme kryqëzoheshin në vendin tonë. Kështu, ndërsa njëri nuk kishte mbaruar ende me Baudelaire, tjetri nuk arrinte të shkëputej Leopardi apo nga d’Annunzio, dhe në fund një i katërt, Migjeni që i përpinte të gjithë, pa harruar Dostojevskin e mbi të gjitha Nietzche”. Monografia Prof Shuteriqit e titulluar “Migjeni” dhe botuar në revistën “Literatura Jone” plot dhjetë vjet pas vdekjes se poetit të parë modernist të letrave shqipe, hedh dritë mbi ndikimin që poezia moderne franceze ushtroi në letërsinë shqiptare, por edhe mbi një element të ri, ndikimin filozofik Gjerman:
Friedrich NIETZSCHE....... “Vetëm në saj të aftësisë për të harruar, njeriu mundet të arrijë në mendimin që ka të fshehur në vetvete një të vërtetë” !!!
Për Migjenin në fillim ishte Jean-Jacque Rousseau, e më pas Nietzsche...! Duket se uria për të lexuar ka qenë aq e madhe sa në të ftohtin e tmerrshëm të dimrit, në qytetin rrëzë alpeve shqiptare, e ka ngujuar poetin për karrigeje. Këtu poeti do të asimilonte nga filozofia teorinë e “Mbinjeriut”, për ta hedhur në poezitë e tij të pakta, por cilësore në të gjitha aspektet: ide, metrikë, imagjinatë surrealiste, përzier me realitetin e zymtë. Poezia: “Të lindet njeriu” është shkruar drejtpërdrejt nën ndikimin të veprës së filozofit gjerman:

Të lindet nji njeri
Nga gjini i dheut tonë të rim, me lot të vakët,
nga thalb’i shpirtit tonë qi shkrinet në dishrim të flakt,
për nji gjen t’ri,
......................
t’gjitha kombet po dehen n’epoperat e veta,
flakt e zjarrmit të tyne na i përzhitin ftyrat,
dhe n’për to, nji e nga nji po shtohen rudhat,
e nan kam e mbi kryt tinzë po na shket jeta.
(Liri-po, liri gzon dhe gaforrja,
po veç gaforre asht......
Liri, ku plagsi ndërgjegje gjallon,
Jo, liri nuk asht!)
Të lindet nji njeri,
I madh si hyjni,
Dhe ndërgjegjet tona ti ndezi në dashni.
“Teoria e Nietzsche përcakton limitet e shpirtit, në emër të të cilit ju shpalosmi të gjithë ndryshimin tuaj të dukshëm, në qoftë se ju kërkoni të vërtetën dhe njohjen.... “ –proklamon në artikullin e tij Synecdoques Tzvetan Todorov, që është edhe hyrja e librit “Sémantique de la poésie” (Kuptimi i poezisë) (T.Todorov, W.Empson, J.Cohen, G. Hartman, F.Rigolot, Edition Seui l- Paris 1979).

Ophélie e Rimbaud dhe leximi i saj sipas modelit të Migjenit

Shumë studiues nuk i janë shmangur tudimit që shkaktojnë vargjet e “Ophélie”, të Rimbaud. Midis tyre edhe Roland Barteu. Magjia e kësaj poeme nuk qëndron në faktin se Rimbaud i këndon një femre, pasi me miliona poetë të mëdhej e provincialë; të botuar e të papabotuar i kanë kënduar femrave.
Koncepti i krijimit të Rimbaud është pak a shumë i ndërlikuar, dhe i luhatshëm nga objetet tokësore tek objektet qiellore, nga ato të dukshme, në ato iluzore, nga mendimet e qarta tek ato mistorize, që shpeshherë mbeten një “Sfinks i padeshifruar”. Mjafton të zhytesh në vargje për disa minuta për të kuptuar këtë lojë poetike të organizuar me mjeshtëri nga poeti.

Përmbi dallgët e qeta e të errta ku yjet flenë,
E bardha Ofeli si një zambak gjigand fanitet
Vërvitet dalgandalë, shtatmbuluar me pelerinë ,
Qetë sipër pyllit ku gjahtari lëshon britjet.

Të gjitha misteret e poemës, me pak nuhatje, i rigjejmë në izotopet që vijnë: Ujore, Bimore, qiellore, mishtore, në raste të tjera, tek njeriu dhe në fund arrihet tek hapsira kohore. Ky numër i vogël izotopesh çuditërisht provokon një dendësi të lartë temash, akoma më të forta për shkak të lidhjeve që rikrijon mes tyre” - thotë Bartheu në lidhje me kryeveprën Ophelie. Ky postulat mund të interpretohet edhe në një formë të re:
Rimbaud, në fillim zgjedh boshtin e universit të poemës, e cila është Ophélie, më pas herdh shigjetat në zonat më të largëta poetike që ai mund të zotërojë, krijon rrethin e aktivizimit poetik, që arrin deri tek yjet më të largët të kozmosit ( Vini re sistemin kozmogonik të aktivizohet tek poeti) kthehet mes objekteve më të afërta, për të pasur në kontroll precis haliçinativ në gjithë haspirat e mundëshme, me anë të izotopeve që Barteu i zbulon. Dhe vetëm me një krahasim, krejt të thjeshtë, në një varg të vetëm, zbulon thelbin e Ophelisë.
Ja stofa magjike që nga frëngjishtja në shqip mund të përkthehet në disa variante:

1-
O e zbehta Ofeli, e bukur si dëbora,
Do të vdesësh, si fëmijë, se nga lumi un të mora,
Nuk është se të njëzetët, rrëzojnë malet e Norvegjisë,
Teksa u flet gaz e shend poshtë pemës së lirisë.

- (Përkthimi besnik - leximi i një frankfili të zakonshëm)

2 –

Qerpikfjetura Ofeli! Bukuroshja si dëbora!
Do të tretesh, lozonjare, ardhur nga lumi, të mora,
Të njëzetë katalanët, Norvegjinë se shembin hora,
Tek këndon poshtë pemës, lirinë ç’ma do e gjora.

(Fjala qerpikfjetur e përbledh zbehtësinë dhe delikatesën - kjo është gjuha e Lasgushit)

3 –

O sykotuna Ofeli! Sikur bora nurharlisun
Dekja vjen, shtatselvi, un ke lumja të kam pikun,
Njëzet difa, Norveginë, me tan malet, se trandin dot,
Shko nan lis, mir e lir, kanga jotë bukur flot.

(përceptim –epik-ky tip përkthimi është shumë afër poezisë së Migjenit) - (Sykotun -sykotur, e përgjumur, e zbehtë si në ëndërr, por nurharlisur, e bukur sa nuk thuhet -me shume dritë, si dëbora)

Duke exploruar në këto tri variante përkthimin e të njëjtës strofë, ne mund të imagjinojmë sesi Migjeni ka arritur ta lexojë poezinë e Rimbaud, e si rrjeshim edhe atë të mësuesit Bodelaire në thellësinë e semantikës së saj dhe jo përciptazi në një lexim rutinë. Logjika e një gjuhe të vjetër si shqipja ofron me mijëra mënyra përceptimi, të poezive shkruar në gjuhët e tjera, dhe mbart në vetvete potencialin e thithjes së vlerave të mëdha letrare, përfshi dhe poezitë e Rimbaud.
A nuk kemi të drejtë të pyesim : Pas ftohësisë së dëborë, “fëmijës” së marrë nga lumi, dhe pemës së lirisë, a mund të ketë diçka thellësisht të fshehur. Përgjigje është PO: në kuptimin figurativ, dëbora është sinonim i mjergullës së seksit, lumi kohëzgjatja e një marrëdhënie dashurore, kënga e lirisë, është kulmi i saj, orgazma. Pikërisht duke fshehur në nëntekst, preferencat e tij, Rimbaud nuk është një poet si miliona të tjerë.
Rimbaud ishte i vetmi autor që arrin ti vijë pë shtat shijeve të Migjenit. Madje edhe shijeve epike të artit folklorik të veriut. Ai me sitemin e figurave eshtë i vetmi poet i huaj që arrin ti aftohet poezisë “Kënga e Tanushës” tek “Epi i Mujit” në densitetin e përdorimit të krahasimeve. Kjo shpjegon edhe faktin pse modeli poetik i poetit francez gjeti shumë terren në gjuhën dhe letërsinë shqipe. Nërkohë, që Migjeni, do të kishte shancin të njihte, të tria njëherësh. Kjo njohje do ti shërbente atij për të krijuar një tip të ri konceptimi rreth objekteve, më tragjik sesa ai i Rimbaud, që e gjejmë tipike tek poezia “Balade qytetase”. Kemi po të njëjtat izotope si dhe Bodleri, kemi po të njëjtin muzikalitetet poetik, por kthyer në senc krejt të kundërt, e mbi të gjitha, me vargje shumë të thyera. Duket se kjo poezi i takon periudhës së fundit të jetës së tij, kur poeti i largohet gjithnjë e më tepër formave klasike, edhe në strukturat ndërtimore të poezive, për të krijuar një stil të ri, krejt personal. Eshtë pikërisht momenti kur poeti vendos ti largohet sistemit modern të poezisë franceze dhe të krijojë, një lloj të ri të poezisë shqipe, mbështetur mbi izotopet Ballkanike, dhe mbi të gjitha diçka të kobëshme. Të risjellë sistemet e dikurshme autoktone të mallkimeve të modelit eskilian.

Mrëmë
Qiella dhe hyjt e vramë
Një ngjarje të trishtueshme panë,
hije...jo por një grue,
me ftyrë të zbehtë dhe me sy
të zinj si jeta e saj,
me buzë të vyshkuna në vaj,
me plagë në gjoks e stolisun,
me veshje dhe me shpirt të grisun,
.......................................................

(Dikur
kur gjinjtë e saj me kreni,
shpërthejshin n’aromë,
kur ish e njomë,
atëherë e dashurojshin shumë zotni,
E sot?)
Jeta e saj është një valle e çmendur,
Në rrugët e qytetit tonë,
...........................................

Ndryshe nga Rimbaud, tek Migjeni yjet janë të vrarë (Imagjinoni një poemë me titullin: vrasja e yjeve). Pas yjeve të vrarë, pra pas një kozmosi të vrarë (katastrofën ka dodhur) shfaqet një hije. Hija nuk është gjë tjetër vetëmse një grua, me sy të zinj, të cilat janë simbolizimi i jetës së saj. Gruaja e Migjenit, kërcen një vallë. Nuk është danci i Ophélisë, por i një prostitute, që kur ishte e re, ishte aq e bukur sa e dashuronin shumë zotërinj të pasur.
Janë të njëjtat izotope, por Migjeni vendos të “vrasë” yjet, të plakë gruan, ta detyrojë të kërcejë, dhe në fund të “vrasë” dhe vetë poezinë duke i thyer vargjet deri në ektremet e mundëshme.
Dhe vërtet! Thyeja e vargjeve mund të konstatohet mjaft lehtë. Ja si do të trasfermohet poezia e thyer e Migjenit në vargje të rregullta:

Dukur, kur gjinjtë e saj shpërthejshin në aromë,
Kur ishin të njomë, e dashurojshin shume zotni,
E tani, jeta e saj është një valle e çmendur,
rrugve të qytetit tonë, një hap para, një hap prapa...

...n’agoni.......

Formula:
“Pandjeshmëria, steriliteti, akullsia e papranueshme e femrës së ftohtë, gjejnë sencin e tyre ekstrem dhe realizimin e tyre të përsosur në limitet e fundit: kufoma. (Një femër që nuk fal më ngrohtësi ka vdekur- shënim i autorit) Pikërisht përballè kësaj kufome dëshira sexuale nëse lind bëhet edhe më kriminale, (Ta zëmë kureshtja sesi kjo femër ka qenë seksualisht kur ishte e re, ende e pavdekur - shënim i autorit ) edhe më vetmitare (e tejfshehur): në të njëjtën mënyrë që ndoshta shkakton kërditje për shkak të elementëve të mortes që depërtojnë deri në fundin e fundeve, që bëhen të pakontrollueshme, e që megjithatë shprehin ”Riftohjen” (Persëritjet periodikje të ftohjes) – zgjidh ecuacionin e ndikimit seksual të species femërore mbi poetin. ( Jean-Poul Sartre, në librin e tij mbi Baudelaire.)
Ku koncept gjen zbatim edhe për nxënësin shqiptar të gjigandit të poezisë franceze. Para se të shkruante poezinë e tij, gjatë gjithë ditës poeti duhej të kishte parë në rrugë, vajza të reja. Por asnjëra prej tyre nuk i ka dhënë, atë që i kanë dhënë hapat e një prostute, tashmë e plakur, (Të vdekur seksualisht) që i merren këmbët duke ecur si e marrë rrugëve të kaldrëmta. Ajo është një kufomë e gjallë, që dikur ka pasur gjinj të mrekullueshëm. Pse pikërisht ky mendim për gjinjtë e një prostitute në prag të vdekjes së saj, një natë të vonë... Pse ky zgjim makabër fantazie seksuale tek poeti i ri. Ku janë poezitë e dashurive të përgjëruara, ndaj Vajzave të reja, që shëtisin në rrugën e konsullatave të huaja, flokëverdhave katolike që pinin çaj në “Kafen e madhe”, në shoqërinë e baballarëve barkmëdhej apo të fejuarve të tyre të pasur, të myslimaneve zeshkane e të misterëshme tek laheshin kolektivisht në banjot turke, në ekstazën e përjetëshme të imagjinatave besnike për burrin e tyre të përbashkët. Mos i kërkoni tek Migjeni këto vajza, se nuk do ti gjeni... Tek Migjeni do ti gjeni këto vajza, pasi janë plakur e flakur.... pra kur ato të jenë kthyer në kufoma. Këtu lind dëshira seksuale jo në planin banal por në konceptin poetik.

....dhe si konkluzion:

Pas gjithë këtyre paralelizmave mund të themi se Migjeni implementoi në letërsinë shqiptare pikpamje të reja artistike, përpunoi konceptet ndërtuese të poezisë ( Për prozën e tij analiza është akoma më e vështirë) shkatërroi këndvështrimin tradicional mbi shoqërinë, natyrën dhe pozicionin e individit në këtë ansambël elementësh. Novatorizmi i tij, jo vetëm që e shkëputi letërsinë shqiptare nga romantizmi që kishte sunduar për katër shekuj rrjesht (Që nga ndarja nga Letërsia Latine në shekullin e gjashtëmbëdhjetë me poetë romantikë të klasit të lartë si Pjetër Bogdani, dhe Pjetër Budi) por solli edhe krijimin e gjuhës moderne letrare shqipe, dhe modelin e artë për autorët që do të vinin më vonë.
Migjeni duke përdorur neorealizmin, simbolizmin, surrealizmin dhe futurizmin mjeshtërisht në ndërtimet poetike, arriti të pasqyrojë më mirë se askush shoqërinë shqiptare të viteve 30, dallimet mes shtresave të ndyshme shoqërore si në fshat dhe në qytet. Duke përdorur gjuhën simbolike, nëntekstin, ai arrihet ti kundërvihet rendit në fuqi, akuzoi fashizmin që po vinte me identë e tij shkatërrimtare, stigmatizoi klerin, u tall me artin zyrtar dhe parashtroi nevojën e ndryshimeve të thella, për të dalë nga kriza e rëndë.
Ishte i pari poet që realizoi portrete të plota e të fuqishme të malësorit të uritur, të punëtorit të nëpërkëmbur, të gruas që për të jetuar bën prostitutën, të fëmijëve që shuhen nga jeta prej sëmundjeve dhe mizerjes.
Revolta që shpërthen, vuajtjet dragoniane, e në më të rrallë optimizmi, përbëjnë tipare të dukshme të poezisë së tij, e cila arrin të bëhet moderne dhe dizajnuar për shkat të sistemin origjanl të figurave letrare, dhe pesonazheve që ai ka përthithur.
Eshtë e pa mundur që në një temë diplome të prekeshin, edhe aspekte të tjera të krijimtarisë së tij, ta zëmë prozën , me novelën “Studenti në shtëpi”, tregimet “Bukuria që vret”, “A do qymyr zotni”, “Luli i vocër”, “Sokrat i vuejtun apo derr i kënaqun”, dhe “Vetvrasja e trumcakut” etj, ku kontributet e shkrimtarit bëhen edhe më të dukshme.
Ajo që mund të thuhet pa frikë, është se Migjeni solli një satirë politike shoqërore të fuqishme. Antiteza, simboli, alegoria, dhe krahasimi, si figura letrare zënë një vend të privilegjuar tek krijimtaria e tij. Migjeni experimentoi në letërsinë shqipe, neorelizmin, simbolizmin, surrealizmin, dhe futurizmin, pa mundur të kanalizohet në asnjërën prej këtyre rrymave letrare, për shkak të vdekjes shumë të hershme. Pikërisht për këtë gjë, ai mbetet shkrimtari më i vështirë për tu analizuar, dhe me gjithë librat e shumtë të shkruar për të, ende nuk është zbuluar vlera e tij letrare.
Kadare, shkrimtari që vazhdoi direkt punën e Migjenit në modernizimin e gjuhës dhe letërsinë shqipe, do të shprehej për Migjenin dhe brezin e tij: “Kështu Migjeni i brishtë, djalosh i krehur me kujdes, kërcimi i të cilit do t’i bënte të shqeheshin gazit banorët e maleve, goditi i pari atë që ngjante e paprekëshme: Tradicionalizmin mesjetar. Fan Stilian Noli, Lasgush Poradeci, dhe Migjeni ishin të tre, ndonëse në mënyra të ndryshme, shkrimtarë të tipit të ri. Prej kohës letërsia shqipe kishte pasur nevojë për ta. Letrat shqipe prisnin me ngut ardhjen e shkrimtarëve novatorë, ata që do të thyenin rutinën,......” Dhe novatori më gjenial i kësaj letërsie ishte Migjeni, i cili bukurinë e Poezisë së Baudelaire dhe Rimbaud, arriti ta trasplantonte me sukses të jashtëzakoshëm jo vetëm në poezinë që ai krijoi, por edhe në sistemin e ri prozaik që aplikoi, me tregimet e famshme “Bukuria që vret” –“Sokrat i vuajtur apo derr i kënaqur” dhe “Vetvrasja e trumcakut”.
Parë në sencin stilitik, e mbi të gjitha në sencin e revolucionit meta-psiqik që sollën në realitetin provincial shqiptar, poezia e Migjenit, mund të thuhet pa frikë se kemi të bëjmë me një ndikim direkt poetik e linguistik të Baudelaire e Rimbaud në realitetin artistik shqiptar me kryeveprat e tyre, e mbi të gjitha në krijimin e gjuhës moderne poetike shqipe, e cila u finalizua më vonë me një proze e tipit poetik dhe exibizionist, nga e cila do dilnin në arenën evropiane autorë autorë tashmë të një niveli të lartë si Ismail Kadare, me kryeveprat: “Gjenerali i Ushtrisë së vdekur, Nëpunësi i pallatit të ëndrrave, Piramida, etj, publikuar prej Editionit Fayard, dhe Dritero Agolli me, “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo, (kosideruar nga kritika franceze si njëri ndër romanet më të mira satirike të shekullit kaluar), publikuar tek Gallimard.
Ende nuk ka vepra shumë të qarta kritike rreth modernizimit gjuhësor e stilistik që shkaktoi poezia e shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe fillimeve të shekullit të njëzetë mbi prozën, kryesisht romanin për fat të keq, por kjo mund të evidentohet në letësinë shqipe tepër qartë.
Kadareja, do të merrte nga Migjeni modernitetin e gjuhës dhe motivet e poezive të Migjenit (Dy buzë, Mbas tryezes, Vjeshta në parakalim - motive që hasen shpesh në veprën e romancirit shqiptar ). Por gjithashtu konceptin e perceptimit në dy plane të ngjarjes ne sencin neorealist, ( Një student që kthehet nga ambjenti liberal italian ku seksualiteti shprehej hapur në familjen e tij patriarkale! Ç’ kontrast spekatkular - “Studenti në shtëpi”, novela e mrekullueshme e Migjenit dhe “Përbindëshit” i Kadaresë ku një studenti që kthehet nga Moska pas prishjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, në ditën e fejesës i rrëmben arkeologut që është studiues i epokës greke, të fejuarën dhe arratiset për tu matuar në ilegalitet në një qytet të jugut. Eshtë vërtet një triangël spektakular: Boudelaere dhe Rimbaud, me poezitë e tyre novatore në frëngjisht, emancipojnë një frankofil si Migjeni për të krijuar një poezi moderne shqiptare. Ky modernizëm nuk mbetet vetëm në vargje po trasplatohet në prozë prej Kadaresë, për ti rikthyer kulturës franceze mirenjohjen në sencin letrar, romane të tilla si “Gjenerali i Ushtrisë së vdekur”.
Nga ana tjetër romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” i Agollit, nuk mund të kuptohen pa muzën ironike therëse të tregimit, “Sokrat i vuajtuar apo derr i kënaqun”, që mund të quhet pa frikë si proza e vetme poetike e sencit ironik në poezinë botërore.
Natyrisht, ndikimi nga Migjeni i dy autorëve të gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë mund të jetë bërë në mënyrë të pavetëdijëshme, siç ndodh rëndom në letërsitë kombëtare dhe më gjërë në ato botërore. Por ajo që vlen të përmendet, është, se dy shkrimtarët e mëdhej të mëvonshëm të letërsisë shqipe, nuk kanë nguruar ta shprehin hapur admirimin e tyre për Migjenin, e mbi të gjitha kanë tejkaluar shabllonizmin e kopjimit, për të nxjerrë në dritë vepra origjinale, karakteristikë kjo e shkrimtarëve të vërtetë. I gjithë ky progres stilistik e gjuhësor, nuk do të kishte asnjë shanc të realizohej, pa revolucionin metrik dhe narrator që hasen në poezitë dhe tregimet e Millosh Gjergj Nikollës dhe pa eksperincën e mëparshme franceze që e inspiroi.


Bibliografi:

Për të bërë këtë studim analitik janë përdorur këtë vepra.

Baudelaire “Lulet e dhimbjes”, seria klasikët e rinj, publikuar nga Larousse në dhjetor 1972
Artthur Rimbaud , “Poezie, një sezon në ferr, Ndriçimet” – koleksion klasik, Gallimard 1965- Paris.
“Vargje të lira”- Migjeni 1947, shtëpia botuese “Naim Frashëri”
“Ardhja e Migjenit në Letrsinë shqipe”- Ismail Kadare, esse 1990, Shtëpia botuese Naim Frashëri, 1989.
“Baudelaire”- esse, nga Jean Poul Sartre, Edicion Gallimard- 1947, Paris.
“Semantika (Kuptimi) i poezisë”- T.Todorov, W Emmpson, J.Cohen, G.Hartman, F.Rigolot.
Llazar Siliqi “Migjeni”- studime biografike në “Letërsia Jonë”-1948, botim i lidhjes së shkrimtarëve. Seuil, Paris 1979.
“Leximi i Rimbaud”, numër kompozuar nga André Guyaux në Revistën e Universitetit të Lirë të Brukselit, 1982.
Hygo Fridrich “Struktura e Poezisë moderne”- leksione mbi poezinë franceze, Fribourg 1956.
Robert Elsie, parathënie “An elusive eagle soars” antologji e poezisë moderne shqipe, publikuar nga “Forest Books”, London & Boston, 1993.
Në temë ka të dhëna biografike dhe informacione mbi Migjenin, nga shënimet e mia personale pas takimeve që kam patur me të afërm dhe kryesisht bashkohës të tij si Lazër Radi, Llazar Siliqi, Angjelina Ceka etj.



(Votes: 1)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •