Intervistë ekskluzive me shkrimtarin Lazër Stani
| Saturday, 09.08.2007, 03:59 PM |  

Një kalorës mes këmbësorisë

 

Nga Bashkëpunëtori yne, Poeti dhe Gazetari Albert Vataj

 

Lazër Stani, ky emër ka behur krej tinzisht në kundrimin tim të hutuar mes titujsh dhe emrash të panumërt që përbënin këmbësorinë e lëtërsisë shqipe të viteve ’90, kohë kur etja për letërsinë e vërtetë shqipe të postkomunizmit, të letërsisë pa pranga, të letërsisë pa fidhërojtës ideologjikë e spitullaq doktrinar të parajsës virtuale të mikluar nga propoganda e komisarëve politikë dhe talku që turfullonte nga olimpi i bllokut, tejshkonte larg çdo përzhitje. Ai emër kishte kohë që ngucaste memorjen time mediatike e letraro, porse këtij shtegu ai do të ngulmonte të ishte krejt tjetërqysh, krejt tjetërçka, të ishte për të mbetur.

Natyrisht s’do të kishte mundur të plazmohej kaq përnjëherësh, sikur mes asaj këmbësorie që tërhiqej zvarrë nëpër baltovinën e postrealsocit, sikur ai të mos të ishte një kalorës që rëndtë plot hir e kreni, duke i dhënë një riliev të thyer kësaj pamje të sheshtë dhe aspak interesante që shpalohej para pamjes teme.

Stanin, ndryshe nga ndonjë penë tjetër që këmbënim nëpër kafenetë e Shkodrës, nuk ma rekomandoi kurrkush (t’jem i sinqertë me vete e me tanken tjetër). Një nga librat e tij më ra në dorë, as sot nuk e di se si. E shfletova me interesin e zakonshëm që më ka bërë vaki të përcjell shumë autor shqiptar. Mes rreshtash, fabulës dhe kumtit që mylmente atë taban bardh e zi të faqeve të librit, mu fanit jo vetëm si diçka ndryshe, por diçka befasuese. Mbylla librin dhe vijova bisedën me miqtë mi e të përditshëm të këfeneve të vobekta të artistëve shkodranë. S’fola për librin me asnjërin perej të pranishëmve që përbënin rrethin e nejes së asaj kafeje.

Thash, ky libër duhet të trajtohet më fisnikërisht nga sa mund të ishte gati të ofronte bisedat e kripura të artit dhe trajtat shumëformshme të tymit që cigareve që na vinin kundrull këtij kuvendi. Në darkë e lexova librin e Lazër Stanit. Të nësërmen jo vetëm libri por dhe vetë autori u bë shtjella ku u mbrujt biseda e saj dite gri poshtë Taraboshit që kishte vënë kapelen në njenin sy. Më pas e kam ndjekur, edhe në publicistikë. Preferoj të mos heq paralele, por si kalorës ai mbeti sot e asaj dite në memorjen time letrare.

 

Intervistë me shkrimtarin Lazër Stani

 

“Poezia dhe dashuria e kanë shpëtuar shpirtin tim”

 

Intervistoi: Gëzim Marku - www.zemrashqiptare.net

 

Le t’ia fillojmë me disa pyetje më të përgjitshme.  Si fillim doja të dija se në ç’kontekst është proza juaj me letërsinë e shkruar nga shkrimtarët e gjeneratës tënde?

 

Lazër Stani
Nuk mendoj se kam ndonje lidhje të veçantë me levizjet apo grupimet letrare të viteve nëntëdhjetë, kur unë u bëra prezent në letërsi, pas botimit të disa tregimeve në vitin 1989 në gazetat letrare të Tiranës si “Drita”, “Zëri i rinisë” etj. Edhe sot e kësaj dite unë qendroj jashtë ketyre grupimeve, jashtë këtyre folezave letrare, që krijohen më shumë duke imituar shkolla të ndryshme letrare, edhe pse këtu tek ne ato ende nuk kanë ndonjë identitet të qartë, të përcaktuar. E vërteta është se kam filluar të shkruaj qysh heret, por gjithnjë të shkruarit ka qënë një proces që ka ndodhur në vetminë time dhe është mbajtur kështu për shumë kohë si një sekret përsonal, si një e fshehtë që më përkiste vetëm mua. Dhe kështu, në luftën me veten, shumë herë kam hequr dorë nga shkrimet e mia, i kam asgjësuar të gjitha dhe kam vendosur të merrem me diçka tjetër. Kjo ka ndodhur disa herë, sidomos, para se të botoja tregimet e para. Po kur botova tregimet “Njeriu i Dosjes”, “Orët e pagjuma” dhe “Fundi i shetitjeve natën”, atëherë kuptova se unë më së fundi kisha filluar të rizbuloj vetveten dhe një botë tjetër e cila më përkiste absolutisht vetëm mua. Në një farë mënyre e fillova udhëtimin në këtë botë, një udhëtim i papiketuar dhe mistik, i cili gjithsesi nuk ka një fund. Mund të ndodh një ditë që unë të lodhem e ta ndalë udhëtimin tim përgjithmonë diku, por gjithsesi kjo botë tjetër që është vetëm e imja është e pakufizuar, e pafundme. Tregimet e mi të deritanishëm janë shënimet e këtyre udhëtimeve, të projektuar diku midis fantastikës dhe realiteteve ekzistenciale brenda kësaj bote. E kam përsëritur shpesh se ne jemi qenie të përvetshme dhe pikërisht për këtë edhe letërsia që shkruajmë është e përvetshme, e papërsëritshme. Nga ky këndvështrim nuk gjej ndonjë kontekst me asnjë autor tjetër shqiptar paraardhës apo bashkëkohës qoftë. 

 

Ju jeni një shkrimtar, që siç ka vërejtur me të drejta kritika, keni një stil origjinal. Cili ka qenë edukimi juaj letrar?

 

Autodidakt. Shkollën e mesme e kam mbaruar për veterinari në Shkodër, të lartën për Biologji-Kimi në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Në kontekstin e shkollës letrare jam krejtësisht i pashkollë. Gjithsesi ky është një vlerësim i përciptë dhe krejtësisht formal. Në fakt kisha filluar të lexoja qysh në shkollë fillore. Lexoja gjithçka që më binte në dorë, libra, revista, gazeta. Në fundin e klasës së pestë e dija përmendsh “Makbethin”, por i vetmi njëri që i dëgjonte recitimet e mia, por edhe ndiqte me vemendje përpjekjet për aktrim, ishte nëna ime. Asaj, në atë moshë, i besoja çdo të fshehtë timen, çdo ambicie timen. Ajo kishte një durim të jashtëzakonshëm për të më dëgjuar dhe mbi të gjitha fliste shumë bukur, aq sa më mahniste me gjuhën e saj, me fjalorin e saj të pasur. Kur shkova në shkollë të mesme pata një mesues letërsie që do t’i jem përjetë mirënjohës: quhej Xhabir Topalli. Ishte një intelektual i vërtetë, jo konformist, me dije të jashtëzakonshme letrare. Kur më pyeti në mësim për herë të parë më vlerësoi me notën 8. Ishte një zhgënjim i tmerrshëm për mua dhe më pushtoi një dëshprim i thellë. Isha mësuar gjithmonë të merrja nota maksimale, të isha gjithkund i pari. Për herë të parë gjithçka brenda meje u vu në dyshim, edhe shkëlqimi im si nxënës. Në një farë mënyre gjithmonë isha tallur në heshtje me mesuesit e mi, që i deklaronin të sigurtë babait: “Lazri është i aftë të marrë çdo shkollë të lartë”. 

Profesor Xhabiri që e kuptoi shumë mirë dëshpërimin tim, më ndaloi pas përfundimit të orës së mësimit: “Unë mund të të vija edhe dhjetë, më tha. Unë jam i bindur se ti do ta mbarosh këtë shkollë me dhjeta dhe po me dhjeta do ta mbarosh edhe universitetin. Por me dhjeta mbarojnë shumë,  intelektualë bëhen pak, shumë pak, në mos aspak...” Dhe si u mendua një grimë, shtoi: “Ti je ndryshe”. Buzënaten  e asaj dite më ftoi në shtëpinë e tij. Kurrë nuk kisha parë aq shumë libra të sistemuar me zell të veçantë nëpër rafte. “Kjo bibliotekë është në dispozicionin tënd”,  tha dhe më këshilloi të mësoja gjuhë të huaja. Pranë këtij burri të shquar, që shoqëria e atëhershme shqiptare kishte shprehur refuzimin e saj, qendrova vetëm një vit. Vitin tjetër atë e kishin transferuar në fshat për shkak të refuzimit të heshtur që i bënte regjimit. Atë e zëvendësoi një mesuese e re me emrin Shkelzime Kraja, e cila u habita kur erdhi e më kërkoi me emër: “Tha se për mua kishte porosi të veçantë nga profesori dhe pas disa ditësh më dorëzoi çelësat e bibiliotekës së shkollës. Profesor Xhabirin nuk e takova më kurrë, por ai mbeti në memorien time si një nga njerëzit më të dashur dhe më të zgjuar që kam njohur, një karakter krejt i veçantë, që kishte mundur t’i qendronte besnik vetvetes dhe pikëpamjeve të tij edhe në ato kohë terrori, një model i njeriut fisnik dhe të pakorruptueshëm. Më vonë në po këtë shkollë njoha edhe një profesor tjetër, Moisi Mozalin, një nga intelektualët e rrallë të Shkodrës, me një formim krejtësisht perendimor.  Fliste hapur me mua dhe herë pas here ironizonte shkollën që bënim, socializmin, tallej me skemat e regjimit. Dhe në konfidencë më porosiste që të kisha kujdes, pasi ai e njihte egersinë e diktaturës. Këta profesorë pothuajse anonimë që jepnin mësim në një shkollë në periferi të qytetit, u bënë mbështetësit e mi shpirtërorë në rrugën time refuzuese ndaj gjithçkaje që ofronte regjimi. Nga ana tjetër lexoja shumë, përpiqesha të kuptoja më mirë vetveten dhe realitetin në të cilin jetoja, i cili për mua ishte armiqësor, i ashpër dhe krejt i huaj. Unë habitesha me elozhet që i bënin shkrimtarët shqiptarë këtij regjimi, duke trilluar realitete demagogjikë që nuk ekzistonin në të vërtetë. Kjo më ngjallte neveri. Në vit të katërt të shkollës së mesme vendosa të mos lexoj më asnjë autor shqiptar dhe këtë vendim e mbajta për dhjetë vjet. Rifillova të lexoj letërsi shqipe vetëm në vitet nëntëdhjetë, kur vërejta me dhimbje se për shkak të leximeve në gjuhë të huaj, kish filluar të më varfërohej gjuha shqipe, edhe pse kolegët më mburrnin për gjuhën. Pra siç e shikoni edukimi im letrar nuk ka patur asnjë lidhje me letërsinë që shkruhej në Shqipëri. Kjo është me të vërtetë e dhimbshme, sepse një regjim që të bën të ndjehesh i huaj në vendin tënd, është regjimi më i keq i mundshëm.

 

Para pak kohësh keni botuar një ese me titullin “Fantazma e paraardhësit”.  Ju cilët autorë konsideroni shkrimtarë paraardhës, dhe cili është raporti i vendosur midis teje dhe këtyre autorëve?

 

Origjinaliteti, përvetëshmëria është një shqetësim për çdo shkrimtar. Në fund të fundit, çdo qenie njerëzore, qoftë edhe një mënyrë të pavetëdijshme, instinktive, kërkon të ketë identitetin e vet, kërkon të jetë vetvetja. Sabato ka shkruar se asgjë që është njerëzore nuk është e pastër, ndërsa Horhe Luis Borges shtron pyetjen se sa janë ndikimet në veprën tij. Duke iu përgjigjur kësaj pyetje ai shkruan se “në vend të parë janë shkrimtarët që pëlqej, në vend të dytë shkrimtarët që kam lexuar dhe rilexuar, pastaj ata qe nuk i kam lexuar kurrë por që janë brenda meje”. Në një farë mënyre të gjithë ne, krijuesit kemi shkrimtarët që i kemi pelqyer, që i kemi dashur shumë, shkrimtarët që i kemi lexuar dhe rilexuar. Çështja e identitetit është të shkrimtarët që as i ke lexuar dhe as i ke takuar kurrë, por që janë brenda teje. E verteta është se unë që në rini kam patur shkrimtarët e mi të dashur, por shijet dhe koncepti im për letësrinë kanë ndryshuar me kalimin e viteve. Si nxënës shkolle lexoja vetëm letërsinë antike greke dhe romake si dhe Shekspirin e Hashekun. Vite më vonë pasi kisha lexuar shumë libra kryesisht në gjuhën ruse, rashë në kontakt me letërsinë moderne, me Cortazarin Marques-in, Sabaton e Borges-n si dhe me Franz Kafkën, të cilin e kam lexuar nga fundi i viteve tetëdhjetë. Por them me bindje se tre janë shkrimtarët e mi më të dashur: Çehovi, Ernesto Sabato dhe  Julio Cortazar-i. Këta shkrimtarë i kam lexuar dhe rilexuar dhe në një farë mënyre vepra e tyre është bërë pjesë e jetës sime, secili në një kontekst të veçantë. Por nuk mund të lë pa përmendur këtu edhe shkrimtarin grek Nikos Kazantzakis dhe Ernest Hemingway-n. Me Cortazar-n që kur i kam lexuar tregimet e para në rusisht kam patur një lidhje shpirtërore të pashpjegueshme, ndersa Sabato vazhdon të mbetet për mua një habi estetiko-filozofike. Para pak kohësh kam humbur një liber me ese të tij dhe më erdhi shumë keq. Kisha menduar që një ditë ta përktheja atë libër.

 

Në tregimet e tua ka shumë poezi. Cilat janë lidhjet e tua me poezinë?

 

Me poezinë kam një lidhje të vjetër, të fshehtë, si një sekret i bukur dashurie, që vazhdon të më frymëzojë. Por nga ana tjetër, gjithmonë i kam asgjësuar poezitë që kam shkruar, ngaqë asnjëherë nuk më është dukur vetja poet, pavarësisht përceptimit poetik mbi botën që vazhdimisht shfaqet te unë. Poetet i kam dashur gjithmonë dhe miqtë e mijë më të mirë kanë qenë poetë, ndoshta për shkak të dobësisë sime për poezinë, të cilën në një farë mënyre ia ndalova vetes që në moshën gjashtëmbëdhjetëvjeçare. Në atë kohë bota më dukej shumë e ashpër, mbytëse, e dhunshme nga të gjitha anët. E dija se një instinkt poetik ishte shkatërrues në atë botë me kulturë ushtarake dhe vendosa t’i kundërvihem, duke mos i lejuar vetes asnjë dobësi, as poezinë pra. Fundja jeta është një sfidë e ashpër dhe unë isha i vendosur t’i shkoja deri në fund kësaj sfide, pa i lejuar vetes asnjë shenjë dobësie, pa u mposhtur. E di se është një vizion heroik dhe disi naiv, po një gjashtëmbëdhjetë vjeçar si unë nuk mund të mendonte ndryshe. Kisha lindur në një familje ku çdo shfaqje dobësie konsiderohej mëkat para Zotit. Ndërsa me poezinë me ka ndodhur si më dashurinë. Të tjerë poetë kam dashur kur isha njëzet vjeç dhe të tjerë dua sot. Përshembull, disa poetë që në moshën njëzetvjeçare më dukeshin të mahnitshëm, tani më dukën pothuajse të palexueshëm, ndërsa vazhdoj të mbaj si bibël në shtëpi një përmbledhje me poezi të Yehuda Amichay-t, të cilin e lexoj herë pas here, çdo javë. Po kështu lexoj Cesare Pavese-n, një poet brilant. Lexoj dhe rilexoj “I mari del Sud” ose “Antenati” dhe në mendjen time më shfaqet poeti, duke zbritur kodres nën vezullimin e yjeve të parë të mbrëmjes, me duar të lidhura pas shpine. Në tavolinën time të punës vazhdimisht gjendet një libër poetik dhe them se poezia vazhdimisht e ka provokuar energjine time te krijimit, madje është ajo që e vë në levizje mekanizmin, e bën të funksionojë. Ndryshe në këtë botë zhgënjyese gjithçka do të kishte ngrirë prej kohësh. Pra e them me bindje: poezia dhe dashuria e kanë shpëtuar shpirtin tim.

 

Ju vini nga një zonë shumë e veçantë, që njihet në histori prej dy mijë vjetësh. Sa ka ndikuar familja dhe vendlindja në formimin tuaj si shkrimtar?

 

Askush nuk e zgjedh vendlindjen e tij, as familjen në të cilën lind. Por, gjithsesi, them se prej familjes trashëgova gjithçka, një memorie qindra vjeçare, vizionin për botën, dashurinë, ndjeshmërinë, mitin dhe mistikën e ekzistencës. Im gjysh ishte një njeri shumë inteligjent dhe kishte një zemër të madhe e fisnike. Edhe pse kohët ishin të vështira ai nuk ngushtohej kurrë, tregohej gjakftohtë dhe i kalonte gjerat me të qeshur. Babai, nga ana tjetër, ishte një njeri i fortë, i ashpër dhe shumë krenar, por krejt i ndryshëm nga gjyshi. Në fakt ishte një burrë që të gjithë e respektonin. Nëna ndërkaq ishte gojëtare e rrallë, e dhembur dhe tregonte një dashuri të jashtëzakonshme për ne fëmijet. Edhe pse feja po ndalohej gradualisht, familja ime e krishterë ishte besimtare dhe nuk e humbiste kurrë shpresën se një ditë gjerat do të ndryshonin. Pushtetin e shikonin si një të keqe të përkohëshme dhe i rrinin larg si djallit. Nga ana tjetër stërgjyshja ime Zoga Stani, që njeriu që ndikoi më shumë në fëmijërinë time. Ishte më shumë se tetëdhjetë vjeç kur linda unë dhe në vitet e para të fëmijërisë qe njeriu më i dashur për mua. Ajo jetonte më shumë me botën ku po bëhej gati të shkonte se sa më këtë botë, që sipas saj po prishej e shkatërrohej çdo ditë. Fliste shpesh me vete dhe thoshte se Zoti po hakmerrej per mëkatet e të parëve prej treqind e kusur vjetësh. Dhe i lutej çdo ditë Shen Ndout, që të më shpëtonte mua nga mëkatet e të parëve, por edhe nga mëkatet e sotme, që po tregonin se raca e robit ishte çoroditur e ia kishte falur shpirtin qoftëlargut. Në një farë mënyre unë e kalova fëmijërinë në kufirin midis dy botëve, sepse në atë kufi jetonte në atë kohë stërgjyshja ime. Në fakt ajo jetonte më shumë me të vdekurit se me të gjallët. Shpesh thoshte me dhimbje se me duart e saj kishte varrosur njëzetekatër njerëzit më të dashur të familjes së saj, midis tyre edhe njërin prej djemëve të saj, Preçin që qe shuar në moshën njëzet e tre vjeçare. Lutej për shpirtin e tij kur e kujtonte, dhe shprehej se vdekja e tij e la tim gjysh pa krah.

Ndërkaq në familjen time të gjithë këmbëngulnin që unë të shkollohesha, të bëhesha dikushi në jetë. Stërgjyshja ime të gjitha shpresat e familjes i kishte te unë, se me gjyshin dhe babanë nuk merrej vesh, grindej vazhdimisht me ta dhe shtonte, duke e ngritur zërin, se vetëm unë do ta ngrija lart namin e kësaj shtëpie.

Kësaj familjeje shumë të veçantë i shtohet edhe rrita ime në një zonë krejt të veçantë, nga më të vjetrat në Shqipëri, e konservuar në memorien e vet, duke refuzuar gjithçka të huaj, që pushtuesit e sillnin më shumicë. Pulti, është një nga zonat më të vjetra që përmendet nga Romakët qysh përpara dymijë vjetësh. Dhe mbeti një krahinë e krishterë dhe e panënshtruar edhe në pesëqind vitet e perandorisë osmane. Kështu banorët e kësaj zone mbetën të izoluar, të lidhur vetëm me kishën dhe identitetin e tyre shqiptar, krejtësisht të pandotur. Ata ishin njerëz arsimdashës dhe me një memorie të jashtëzakonshme. Unë pata fatin të njoh arkivat e fundit të kësaj memorieje që po zhdukej me ngadalë, nga puna e palodhur e vdekjes. Ata pleq mistikë mbanin të ngujuar në trurin e tyre vizionet, memorien, misteret, legjendeat dhe shpirtin e dy mijë vjetëve. Tregimin tim “Shtarti i dytë i Lumit”, e kam shkruar pikërisht për këta njerëz, që vdekja i korri të gjithë dhe që në jetën e mëpastajme nuk do të takoja më kurrë burra të ngjashëm me ta. Tregimi është një përpjekje për t’i mbajtur ata gjallë, një përpjekje për të mos i humbur ata përfundimisht. Dhe një një farë mënyre gjithçka që unë shkruaj është e lidhur me Pultin, vendlindjen time, por edhe me Dukagjinin në përgjithësi, i cili për mua, si shkrimtar, është një thesar i pafund.

 

Ju keni botuar deri tani pesë libra me tregime. Pse keni zgjedhur pikërisht këtë zhaner dhe jo diçka tjetër?

 

Nuk është se e kam zgjedhur unë. Thjeshtë fillova të shkruaj tregime dhe vazhdoj të shkruaj herë pas here, sa herë që e ndjej se mund të shkruaj një tregim. Pas botimit të tregimit “Njeriu i dosjes” dhe vlerësimet që më bënë për këtë tregim miqtë e mi, si poeti Xhevahir Spahiu, Bardhyl Londo, Dritëro Agolli e ndonjë koleg tjetër, e ndjeva se isha një prozator. Tregimi është më i afërt me poezinë, bart po atë harmoni, densitet gjuhësor, ritëm të brendshëm, fuqi magjepsëse. Eshtë një formë e shprehjes e afërt me poezinë moderne. Në tregimet e mi ekziston një simbiozë e poetit dhe prozatorit. Gjatë procesit të krijimit duket sikur të dy shkruajnë njëkohësisht në mirëkuptim të plotë dhe duke e ndihmuar njëri-tjetrin. Kush e di, mundet që pikërisht  për këtë arsye shkruaj tregime. Në një roman me dyqind faqe, ndoshta është e pamundur ta ruash një gjendje të tillë të rrefimit dhe poetikës.  Disa miq të mijë, kritikë dhe shkrimtarë më kanë sygjeruar që disa prej tregimeve t’i shkruaj si romane. Eshtë diçka që kurrë nuk e kam marrë shumë seriozisht, sespe ajo që shkruhet si një tregim nuk mund të shkruhet si një roman dhe anasjelltas.

 

Si i "gjurmoni" ngjarjet që shkruani në tregime? A ka në këto tregime nota autobiografike?

 

Krejt spotanisht. Nga një detaj i parëndësishëm, nga një imazh ose tronditje e çastit. Një histori vjen të unë si një gjendje makthi, si një gjendje endrre. Po ju tregoj si e kam shkruar “Njeriun e Dosjes”, për të kuptuar mekanizmin se si janë shkruar pjesa dërrmuese e tregimeve të mi. Kisha botuar dy tregime në gazetat letrare të kohës: “Mara nuk është e qartë” dhe “Fundi i shetitjeve natën”, tregime që nuk i kam përfshirë në asnjërin prej librave të mi. Pas disa ditësh po rrija me mikun tim, prof. Zyri Bajrami. Ai i kishte lexuar tregimet e mi dhe përveç vlerësimeve për to, po më këshillonte që të kujdesesha për veten. Me tha që të bëjë ndonjë temë e të mbroja doktoraturën. “Ka tjetër peshë për publikun, më tha, kur të botosh diçka dhe sipër të jetë shënuar: Lazër Stani, doktor i shkencave”. Kur u ndava nga profesori, po mendoja se në fakt profesori kishte të drejtë. Kjo botë është shumë formale, robinë e opinoneve. Unë duhej të zgjidhja raportin tim me këtë botë. Dhe në këtë zgjedhje kishte dy rrugë: ose duhej të jetoja që të krijoja një opinion të mirë për vetën tek të tjeret, një dosje të mirë në sytë e të gjithë njerëzve që më njihnin dhe këtu kishin rendësi edhe titujt, gradat shkencore, kostumet, gravatat, modelet e jakave, vija e hekurit në pantallona, ose duhej të mos vrisja mendjen për dosjen time, për atë çka të tjerët do të mendonin për mua.

Pra unë zgjodha të jetoj për veten, duke refuzuar skllavërinë e këtyre dosjeve, edhe pse e dija se kostoja në këtë rast do të ishte shumë e lartë dhe jetën do ta kisha të vështirë. Nuk më dukej jetë një jetë e jetuar “për sytë e botës”.

Nga kjo dilemë me veten lindi tregimi “Njeriu i dosjes”. Kur e përfundova tregimin që e shkrova me një frymë ia dhashë profesorit ta lexonte ende në dorëshkrim. Pasi e lexoi tregimin, profesori vuri buzën në gaz dhe më tha: “Je ai që njoh,  i pandreqshëm”.

 

Cili është tregimi që keni me përzemër, ka diçka specifike që të mban të lidhur me të?

 

Janë shumë, ose më saktë shumicën e tregimeve i dua edhe sot e kësaj dite, edhe pse mund të kenë pësëmbëdhjetë vjet që janë shkruar. “Njeriun e Dosjes” dhe “Margaritarët” i kam shkruar para viteve nëntëdhjetë dhe kam po atë lidhje me ta, që kam patur kur i kam shkruar. Po kështu jam i lidhur me tregime të tjerë që janë shkruar shumë më vonë si “Pëllumbi i bardhë, i bardhë”, “Gruaja me të zeza”, “Shtrati i dytë i lumit” apo “Dënesje në dru”.  

Me secilin tregim kam një lidhje te veçantë një histori të veçantë që qendron e fshehur pas aktit të krijimit, pas tekstit. Kjo lidhje do të vazhdojë të ekzistojë edhe kur unë të mos jem më.

 

Në tregimet e tua femra është shumë e pranishme. Ç’raporte keni me gjininë femërore, e mendoni atë si ideal frymëzues apo thjesht si nënshtrim i gjinisë së kundërt?

 

Mendoj se çdo burrë lind me imazhin e një gruaje brenda vetes. Ne e kërkojmë këtë gruaimazh, gjithë jetën, prej çastit që fillojmë të ndjejmë diçka për seksin tjetër e deri sa të jemi gjallë. Shumë njerëz flasin për dashurinë e parë, si të paharruarën, të papërsëritshmen. Për këtë madje shkrimtarët kanë shkruar shumë poezi, tregime, romane. Mua më pëlqen një poezi e Yehyda Amichay-t që titullohet “The first love”. Po i citoj disa vargje të kësaj poezie në anglisht:

I have forgotten the words

of the only letter I wrote to you.

All that I remember is the taste of the glue of the stamp

on my tongue”.

Unë nuk kam shkruar kurrë asnjë rresht për dashurinë e parë, edhe pse ajo në të vërtetë qe tronditëse dhe i pati dhënë një kuptim të veçantë jetës sime në atë kohë. Ishte diçka e bukur që zgjati katër vjet. Njëherë takova në Shkodër një mik timin që e njihte, por nuk munda ta pyes për të. Nuk e di pse m’u lidh gjuha.

Me mua gjithmonë ka ndodhur që më e rëndësishmja të jetë dashuria e fundit dhe asaj i jam dhënë me gjithë shpirt. Dhe çdo histori është herë e parë, e përvetëshme, e papërsëritshme.

 

Çfarë konsiderate ruani për “shkrimtaren femër”, disa nga autoret tuaja të preferuara?

 

 Ah po, i lexoj me shumë kenaqësi. Ana Ahmatova vazhdon të mbetet një nga poetet e mia më të dashura. Para shumë vitesh i përktheva disa poezi të saj dhe i botova në gazetën “Drita”. Eshtë një poete që gjithmonë ka patur një vend të veçantë në shpirtin tim. Por edhe me poetet shqiptare kam patur shumë miqësi dhe gjithmonë i kam lexuar librat e tyre me vemendje. Një botë e shikuar me sy gruaje gjithmonë ka qenë interesante për mua, një dritare për të kuptuar gjysmën e botës, pra femrën. Se burrë, siç shprehej Balzaku, jam vetë.

 

Se fundmi ju keni botuar në shtyp disa esse të cilat janë vlerësuar nga publiku. Mendoni se mund të eksploroni më shumë në këtë fushë, ndoshta të botoni edhe një libër?

 

Po, kam ndërmend të botoj një libër me ese. Janë sprova të ndryshme, për letërsinë, muzikën, shkrimtarin, dilemat tona ekzistenciale. Madje këtu do të përfshihet edhe një ese për dashurinë e parë. Disa prej këtyre eseve si “Leximi, një ecje këmbëzbathur”, apo “Koha për muzikë” i kam botuar edh në shtypin tonë letrar. Esenë, shumë autorë e konsiderojnë si një përsijatje mbi një objekt të caktuar. Unë shkrimin e një eseje e konsideroj një akt të mirëfilltë krijimi. Gjatë këtyre kohëve jam marrë shumë me ese-në, aq sa një ditë u tremba se mos po divorcohesha me prozën, mos papritur letërsia më kishte braktisur. Sidoqoftë ky ishte vetëm një makth i përkohëshëm, pasi sprova për të shkruar ese, është veç një kërkim i formave të reja të të shprehurit.



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •