Bisedë me Hënën (Lirika ime, lirikë)
| Sunday, 09.23.2007, 03:36 PM |  

"Dikush është, thashë, jashtë që troket në derën time"
Edgar A.Poe

Dikush është,
thashë,
përgjon
nëpër dritare.
Hënëz moj
e teletisura hënë,
dashnorët e dehur
u ngujuan nën
bukurinë tënde
kurse unë s’i hoqa sytë.

a) E mjera ti,
që je futur galuc në shtrat të huaj

E mbaj mend mirë
kur më bëre të dënes
e ngujuar
në pranverë
afër pemëve me ngjyra
nën hijen tënde të vakur
kokëvarur ndeja
si këngë e harruar.
Ti u zgjove vonë,
as këngën e gjelit s'dëgjove
as dritaret nuk i hape
as një sy nuk ma hodhe
se fute kokën në pus
dhe luaje mbi pasqyrë uji:
Pasqyrë, pasqyrë
unë jam e bukura Hënë,
më e bukur se unë
s'është
as lulebora
që çel vetëm njëherë
në një stinë,
afër trungut të një molle.

b) ti udhëtoje

Kur ti udhëtoje gjatë
me krahët e shtrira
pas maleve
mua s’më ngushëlloje
për Eremi
kur u lava
me ujë mulliri
të më duan sojnikët,
se u fute në Drinin e zi
vetëm kokën ngrije
sa të mos mbytesh
dhe përgjoje britmën e korbit
famëkeqit
kur këndonte:
u ul hëna në brigje
të lumit
ndezi zemrën e një vashe
se nën hijen e saj
lutej :
fol moj fol
hape zemrën
kë ke parë atje
mbi ty
çka ke parë
këtu nën ty
e amshuar
e adhuruar
akoma virgjëreshë
dhe prostitute
që futesh në çdo shtrat
çifti të ri
dhe plaku,
po kur hyre e dole
nga i bardhi Dri
njësoj si ai,
si ai korbi i zi
"Aq e hollë ish trokitja
aq e lehtë ish goditja"
përmes dritareve të mbyllura
sehir bën.

c) o hënë nur

Përse më shtiresh skofiare
e i thanë kujtimet
në pemët e zhveshura
kur gjethet bien,
përhumbesh diku larg
me sytë e tu
dhe futesh
portë më portë
e ne trazohemi në shpirt
para hirshmërisë,
pastaj pikojmë
si manaferra
dhe vdesim
natën, ditën
kur ti del
dhe fshihesh stinëve
e moteve
në dashuritë e mëdha
veneron amshimin
dhe vetëm jeton,
e jeton...

ç) Mistike je

Përse na shikon
me bisht të syrit
na përgjëron
e na përqesh
kur ne të duam
çdo stinë
gjëmojmë
nën hijen
e rrezes tënde
nga gëzimi
kur je e plotë
si mis bote
si beqare
dhe e fisme.
Njësoj e shikoje
Korb ziun
kur përplasej në dritaren e kyçur
derisa i përgjakeshin
flatrat,
se shpend e njerëz
ah,shpend e njerëz
vdesin moj!

d) dritëhija jote

Ah kur e kyç vetëm në dhomë
poeten e sfilitur
angarizesh si e marrë,
ajo varet nëpër shkronja
futet në vargje
e përpëlitet
të vejërojë,
sa prapthi jetoi
e dashuroi,
mbarë i shkruante
vetëm vargjet për ty.

e) qenie e amshuar

Hënëz moj, ti je!
Po rri moj
rri e mrizo
mos përgjëro
të tjerët.
Shiko veten moj,
si në rini
e pleqëri
mbete
e ndezur flakë
nga dashuria
e futur në shtrat të huaj
lakuriq,
e brishtë
me shumë naze,
e mbushur me dashuri të kuqe
me ndarje të kuqe
e përkëdhelura e kuqe
nga gjithë qeniet që frymojnë.

f) brenda teje

Brenda teje lexova
ca vargje
dhe një këngë
të kompozuar
me nota qershie.
Hënë moj,
mos ma fsheh atë romancë
ata motive,
sa dua t’i sodis.
Ti nuk s'kuqesh
kur më futesh nga dritarja
e paftuar
dhe mi hap ata dy sy
herë më dukesh martire
e herë vashë lozonjare
"Çporru prapë mu në djall,
në skëterrë dhe në zall!"
se poetët e tu të molisur
mbeten nxënës
që ende pyesin
pse erdhëm të gjallë,
ku do vemë të vdekur!

g) ti shikon

Si e shikon këtë tokë
bujtinë
këtë varr
këta njerëz të hidhëruar
të egërsuar
që vetëm një gjysmë stine
bëjnë dashuri
dhe futen në dhe
pa përkëdhelje të bardha,
janë bërë për t'i qarë
me gra Zajazi
me virrma korbi
krra,
krraaaa!

gj) vasha pyet

Hënë moj
ti ende rri këtu,
kur do ikësh
e ku do vesh ?
Ah, na bjorre bukurinë
ik po deshe në djall e n’zall
se ne s’jemi të amshuar
e ti rron e përgjëron
a do vdesësh ti !

i) vetëm një natë

Një natë kur i lazdrove
i qave dhe i miklove
ah vetëm një natë
i mashtrove
me një sheqerkë të kuqe
dashnorët
që bënin si të përvëluar
kur i fute në merak,
ata të vezulluar
zbritën nga hijet e brigjeve
dhe u shikuan në pasqyrën e ujit
duke u çjerrë:
"Pasqyrë, pasqyrë
ne jemi më të bukur se ajo hëna mistike".
Ti i fute nën kthetrat e tua
gjithë ashikët e utnuar
se vetëm ata,
ah,vetëm ata çirreshin nga lezeti:
Pasqyrë, pasqyrë
më e bukur se ne është ajo hëna mistike.

j) nur hëne

Hënë e re,hënë e vjetër
a je ti moj
e teletisura hënë,
dashnorët e dehur
mbeten duke trokitur në portën tënde
kurse unë s'i hoqa sytë.

k) vashat ziliqare

Të vraftë rrufeja
ah, një rrufe të copëtoftë
e tu bëftë rrudha-rrudha
fytyra pasqyrë
të shëmtoftë një shi i turbullt
e të bëftë gogol
se vetëm ti ruan sekretin
e të bukurës
të shëmtuarës,
vetëm ti dëgjon
ofkëllimet
dhe na hedh
mjegull syve
derisa bëhet koka jonë
byk.

ll) smirake

Smira më futet në kocka
prej teje
o e amshuar
tradhtare
nënë a bijë
burrë a djalë,
kush të lindi
të mbuluar me mister
pa gjini.
Ah ç'fytyrë të skuqur ke
prej kur nuk ngadhënjeu
ai humbësi i madh
vrasësi, katili
shpirtëmbli
Gilgameshi prej mishi e gjaku
smira i futej në bark
se të hirshme
të amshuar
të kishin
vetëm ty.

o) malet rob do të zënë

Rritu mal
ah,rritu mal mbuloje hënën
të mos bëjnë hije rrezet e saj
kur vezullojnë dashnorët
se shtiret sikur i miklon
se shtiret sikur i qan
se shtiret sikur i do
qan e qesh me ata.

p) kur do të rriten malet

Ah kur do rriten malet moj
hënën rob do e zënë
njërin sy jashtë do ja lënë
mos e paftë kurrë vdekjen tonë!

q) plakat thanë

Nën rrënjët e saj flenë foshnjat
ne prej ëndrre zgjohemi
si të hutuar,
a t'i besojmë asaj
që nuk na tregon dritën e varrit
dhe terrin e jetës !

r) kujtohuni

Ah, s'u kujtua njeriu i gjorë
kur zbret agu
të prek
një tempull
një piramidë,
këta gjigante
të mistershme
ogurbardha
e ogurzeza
fat do sjellin,
se vetëm ne
do venerojmë
anën sublime
të faqes tënde
të mbuluar me mister.
Ndal thanë:
Mos ngul sytë
në apogje
ndal, ndal
se do shkrumbohesh,
njeriu nuk ka lindur të di
për parajsë e ferr
për dritëhijen
e një hëne
të amshuar.
Ndal, ndal
ah, ndal !
Ku e di i gjori njeri
se bën dashuri
me Diellin,
kurorëzohet
e shkurorëzohet
në pleqëri
dhe mbetet beronjë !

s) dilemat

Dhe në vdeksh
nga damlla e frikës
o njeri
lind e vdis
kur të duash
se do vdesësh
përherë.
Në pyetshin
të gjithë
a janë të amshuar
ata në katin e shtatë qiellor,
do përgjigjet ai që i ka parë
dhe i ka prekur me gishta.

sh) moj e bukur

Hap parajsën e shpirtit
moj e bukur
se mbrëmë lëngoi
një çapkën i ri
bukuria e tij u tha
kur ju shua dashuria,
nuk e priste
e vluara
sy shkruara
e përsosura
që të përngjante në vetulla
edhe veshë fisnikësh kishte
të vogla si kokrra arre
dhe për një çast
ah vetëm për një çast
këndoi:
Ulu mal
ah,ulu mal të del hëna
hëna doli
sa tinëzare
aq memece,
vasha lutej
mali s'ulej
mali s'rritej.
Po fol,moj fol
çka ke parë atje mbi ty
kë ke parë këtu nën ty
kur je futur moj tinëzare
në çdo dritare.
Ndal, ah ndal
se vetëm ti e di
ku lëngon çapkëni ri
që mbytet në merak.

t) kurrë mos pyet

O njeri
ti mos pyet
ç’bëri mbrëmë e bukura hënë
kur një vashe ju tha nuri,
derdhi ca lot në dritare
kur u err
e s’u zbardh
nuk shihej gishti ndër sy.
Rrugët mbetën shkretë
dashnori i përflakur
s’pyeti “kurrë më”
se ku endet
e ku futet,
kur dashuron
e lëngon
ajo,
hënëza e teletisur.

(Kur bisedoj me ty)

Hënëz moj
nuse e teletisur
u ngujova para teje
e s'ta vodha bukurinë,
se dashnorët e përflakur
vetëm ty të shikonin lakuriq.



(Votes: 1)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •