Adoptimi
| Tuesday, 04.03.2007, 02:32 AM |  

"Ha, ha, haaa...", qeshte Shpresa si me vete, "po më mbysin danezët... shih çfarë thotë?" "E kush të vret në Danimarkë?! Këta po na mbajnë me bukë pa punuar, e jo të na vrasin... ha, ha, haaa...".

E kishte fjalën për një grua të moshuar me origjinë nga Shqipëria, e cila ishte martuar në kohën e saj me një shqiptar të Maqedonisë, pasi ishte arratisur që në kohën e komunizmit. Burri kishte kohë që i kishte vdekur, por i kishte lënë mjaft para gruas së tij. Ajo, tashmë e vetmuar, vazhdonte të banonte në apartamentin e saj në Christianshavn, një lagje në qendër të Kopenhagës, jo shumë larg lagjes së famëshme Christiania, e njohur për veçanësinë e saj, pasi banorët në Chrisiania jetojnë në një "komunitet primitiv", si një qeveri më vete, ku tregtohen lirshëm edhe bimët narkotike.

Shpresa tregonte historinë e asaj gruaje të braktisur nga jeta, dhe thoshte se ajo kishte rrjedhur nga trutë. Vuante nga paranoja, sikur danezët donin ta vrisnin, meqë donin t'i merrnin asaj apartamentin që kishte, dhe ta dërgonin atë në një azil pleqsh. Por gruaja e moshuar, nuk dëshironte ta linte apartamentin, të cilin e pati blerë me kohë burri i saj. Aty kishte kujtimet më të bukura, që ruante në kujtesë nga jeta me burrin e saj. Për më tepër, apartamenti ishte tashmë pronë e saj, dhe ndonëse nuk kishte trashëgimtarë, prapë se prapë, ajo donte ta mbante apartamentin deri në vdekje.

Gjëra të çuditshme kishin filluar t'i ngjanin gruas së gjorë në atë apartament, shqetësime gjatë fjetjes, saqë i shfaqeshin figura para syve, sikur dikush i hynte asaj pa leje në shtëpi, dhe kishte frikë se donin t'ia vidhnin të gjitha paratë. Kishte disa muaj që nuk ndjehej mirë në krevain e saj. Ndjente një shqetësim të përgjithshëm në të gjithë trupin, dhe kishte filluar të hynte si stofi në ujë. Nuk e kuptonte se pse po dobësohej ashtu pa pritur dhe një panik i brendshëm e pushtonte me të drejtë.

"Ja, kam para mjaft!" i kishte thënë Shpresës, e cila bënte shaka, pasi ajo i dukej padyshim e çmendur dhe paranoja e saj krejt e pabazë. "Si nuk m'i dha mua pak para...", përfundoi Shpresa duke qeshur. Gruaja e moshuar kishte humbur diku. Ndoshta e kanë mbyllur në ndonjë azil pleqsh, kush e di!

* * *
Pasi kishte kryer fakultetin e gjuhë-letërsisë shqipe në Prishtinë, Shkëmbi u martua me shkuesi me Shpresën. Shpresa kishte përfunduar vetëm shkollën tetë-vjeçare, por rridhte nga një familje e mirë dhe e njohur e Podujevës. Mbante mbiemrin e një Pashai të zonës, që në kohën e pushtimit osman, dhe familja kishte traditë në ruajtjen e zakoneve më të mira shqiptare. Dy vëllezërit e Shpresës merreshin me tregëti, të cilët u dëmtuan shumë nga lufta e fundit në Kosovë, por e rimorën veten shumë shpejt pas luftës.

Ngaqë Shpresa kish qenë e pafat dhe nuk kishte mundur të lindte fëmijë, vëllai i saj Naimi kishte rënë dakort me të shoqen, që të bënin një fëmijë për të motrën e tij. Një fëmijë i gjakut të saj, do ishte si fëmija i saj, dhe Shpresa nuk kishte se si të mos gëzohej pa masë nga kjo dhuratë e jetës. Bashkë me të shoqin, ata prisnin lindjen e fëmijës, për të cilin doktorët kishin thënë se do të ishte djalë.

Dhe djali lindi, e shumë shpejt pas lindjes, e ëma e tij e hoqi nga duart, që të mos krijonte lidhje me të birin, meqë kishin vendosur t'ia falnin Shpresës. Gjetën një rrugë dhe ashtu të mitur, Kastriotin e sollën në Kopenhagë. Familja e Shkëmb Kosovës kishte gëzimin e jetës. Ata u bënë me fëmijë. Vuajtjet e jetës dhanë një rezultat të papritur më në fund, dhe tani Shpresa do kishte me se të merret. Ajo do rriste fëmijën e vëllait, sikur të ishte fëmija i saj. Nuk bënë ndonjë bujë të madhe si fillim, vetëm se u treguan miqve të tyre më të afërt, të cilët u gëzuan për këtë lajm të mirë.

Çifti në fjalë, që tashmë i kishte kaluar të dyzetat, nuk e dinte se sa vështirë do ishte adoptimi i Kastriotit. Në Kosovë, kjo do ishte një formalitet i thjeshtë dhe Shkëmbi me të shoqen do shkonin në gjendjen civile dhe do e regjistronin Kastriotin si fëmijën e tyre, pa shumë probleme. Fëmija do rritej pa e hetuar fare se kush qenë prindërit e tij të vërtetë, e do i donte prindërit e rinj, sikur ata të ishin vërtetë prindërit e tij biologjikë. Kjo ka shumë rëndësi për botëkuptimin shpirtëror të një fëmije dhe stabilitetin e tij në jetë.

Në atë kohë, ata nuk e dinin se autoritetet daneze, që merreshin me këtë punë në Presidiumin e Kopenhagës, krijonin një thes me letra burrokratike për një adoptim, dhe adoptim nuk bënin. E ku ta dinin ata, as që u shkonte në mend diçka e tillë. Danimarka i kishte mbajur me bukë, strehim dhe gjitha të mirat, në një periudhë gati 10 vjeçare, pa punuar asnjë ditë, e pse duhej t'ua shpërblente tani në këtë mënyrë? Ata do i spjegojnë autorieteve se fëmija qe falur, dhe si i tillë edhe procedurat duhej të kryheshin pa problem. Dhe danezët janë rracë e zgjuar e kuptojnë.

Shkëmbit i shkoi në mendje të kontaktonte avokaten Birthe, e cila e kishte mbrojtur në kërkesën e tij për azil politik. Ndonëse atij i mori 6 vjet për të marrë qëndrimin në Danimarkë bashkë me të shoqen si azilantë politikë, prapë se prapë, në fund të fundit, ata e patën marrë qëndrimin ashtu siç duhej.

Pasi bisedoi në telefon me Birthen, ajo i tha atij se çështja ishte paksa e ndërlikuar dhe jashtë traditës së adoptimeve. Ndonëse fëmija është i falur, para autoriteteve ky fëmijë duhej të paraqitej si fëmijë pa shtëpi dhe të dorëzohej tek autoritetet që merreshin me azilantët, pasi kështu fëmija mund të marrë qëndrim në Danimarkë dhe ata mund të përkujdeseshin gjatë gjithë kohës për të.

"Unë nuk e lëshoj fëmijën tim nga dora" - përsëriste papushim Shpresa. "Avokatja Birthe mund të na gënjejë..." - i thoshte ajo të shoqit, i cili mundohej ta qetësonte.

"Mirë pra, do shkoj e do flas me Birthen në zyrën e saj. Po lë një takim me të." Dhe kështu bëri.

"Mos guxoni t'i thoni autoriteteve se fëmija është falur, se ato do jua kthejnë fëmijën në Kosovë menjëherë, edhe pse është gjendje lufte atje!" - e paralajmëroi me rreptësi Shkëmbin avokatja Birthe, gjatë bisedës në zyrën e saj.

"Po ç'të keqe ka, fëmija është lindur vetëm për ne, dhe ne duam ta adoptojmë atë..." - foli Shkëmbi me një zë të lehtë, siç e kishte zakon të fliste. "Atëherë, e kam problem me gruan, ajo nuk pranon ta lëshojë fëmijën nga dora... ti e di si janë gratë..." - foli ai si me takt.

"Jo, jo! Këtë nuk duhet ta pohoni kurrë. Fëmijë i falur, kujt i hyn në kokë kjo tek Presidiumi i Kopenhagës? Askujt! Ju duhet ta dorëzoni fëmijën në azil, dhe ta mbani atë njëkohësisht e të përkujdeseni për të, meqë ai është i vogël. Këtë punë e rregulloj unë. Kështu që fëmija nuk do kthehet prapa, se ligji e merr në mbrojje dhe ju e mbani fëmijën pë vete..." - sqaronte avokatja Birthe, e cila uli disi zërin, për të krijuar konfidencë dhe e mbylli bisedën duke thënë: "Në këtë mënyrë, fëmija do marrë më shumë para nga enti social..."

Kjo e fundit i bëri më shumë përshtypje Shkëmbit, dhe e bindi atë, se argumentet e Birthes ishin të drejta. Për më tepër, ky ishte edhe argumenti më i fortë për t'i mbushur mendjen Shpresës, e cila natyrisht që donte para, pasi fëmija kishte shpenzimet e veta. Aq më tepër që, konfidenca e dhënë nga avokatja Birthe në atë moment, e bëri të veten. "Është grua e zonja kjo!" mendoi Shkëmbi me vete.

* * *
Procedurat e azilit i mori përsipër avokatja Birthe dhe brenda 7 muajsh, Kastrioti e mori qëndrimin si azilant politik në Danimarkë, ashtu siç e kishte qëndrimin edhe Shkëmbi me të shoqen. "A qerratai, babaluqi i babit" - i tha Shkëmbi të shoqes, "pa i dalë dhëmbët akoma, ai është politikan si i jati!".E kishte fjalën për veten.

Pas pak javësh, Kastrioti u pajis edhe me pasaportë, se prindërit e tij të rinj donin të udhëtonin... Surprizë. Kastriotit i dhanë pasaportë daneze, jo pasaportë azili. Pra, atij i dhanë menjëherë shtetësinë daneze. Kjo ishte diçka e mrekullueshme. Me një pasaportë evropiane në xhep, Kastrioti do i kishte rrugët e hapura. Por se pse ia prishi humorin të dyve mbiemri i Kastriotit. Në pasaportë figuronte Kastriot Dugolli e jo Kastriot Kosova.

Avokatja Birthe i sqaroi të dy, në një darkë në shtëpinë e tyre, se procedurat ligjore ishin të tilla, që fëmija do marrë mbiemrin e prindërve biologjikë, pasi ata janë prindërit e vërtetë. Më vonë do fillojmë adoptimin, kur ju të mësoheni me fëmijën dhe ndoshta autoritetet do e justifikojnë moshën tuaj, pasi duhet edhe një moshë e caktuar për të qenë në gjendje të adaptosh, që fëmija të mos e kuptojë, se prindërit adoptivë nuk qenkan prindërit e tij të vërtetë.

Avokatja kompetente Birthe fliste një gjuhë të ndërlikuar, dhe njohuritë e Shkëmbit në gjuhën daneze nuk ishin aq të gjëra, sa të kuptonte çdo fjalë të avokates, por merrej vesh mirë me të. Ndërlikimi i fjalëve në një gjuhë të huaj e ngrinte avokaten në një shkallë sipërore, dhe teksa përtypte me delikatesë kafshatën e fliut që kishte përgatitur Shpresa, Shkëmbi iu kthye të shoqes e i tha: "Gjynah që kjo alamet gruaje rri e pamartuar...". Pastaj vazhdoi po shqip:

"A e sheh moj grua, sa të zgjuar janë danezët, i kanë menduar të gjitha!"
"Po, po të gjitha..." - pohoi Shpresa disi me dyshim.

* * *
Një ndjenjë e brendshme nëne e brente Shpresën për mënyrën se si u trajtua fëmija i vëllait të saj. Nuk i dukej normale. Ndonëse Shkëmbi, herë pas here ia mbyllte gojën: "Dreqi e mori, ma çave kokën me këta dyshimet e tua! Asgjë e keqe nuk ka ndodhë, as ka për të ndodhë! Po, mjaft tani!"

Pasi Kastrioti e mori qëndrimin, çiftit Kosova i erdhi një letër nga enti social për ta çuar fëmijën në çerdhe. Por Shpresa nuk pranoi. "Në kopësht po, por jo në çerdhe" - i tha ajo Shkëmbit. Dhe Shkëmbi u pajtua, e shkoi një ditë dhe i sqaroi ata të komunës për këtë çështje.

"Meqë gruaja është në shtëpi gjithë kohën, le ta rrisë vetë fëmijën, sa është i vogël... Në kopësht do e dërgojmë, por jo në çerdhe" - u tha ai atyre, dhe komunarët u pajtuan.

Kur Kastrioti mbushi dy vjet, me ndërhyrjen e komunës, erdhi një familje daneze, një çift burrë e grua pa fëmijë, dhe ata shprehën dëshirën që të njiheshin më afër dhe të lidhnin miqësi me familjen nga Kosova. Shkëmbi dhe Shpresa u gëzuan natyrisht për këtë përkujdesje të autoritetve dhe e panë këtë rast si shans të madh për të ushtruar sado pak edhe gjuhën daneze. Në të vërtetë bënin një jetë thuajse të izoluar, larg shoqërisë daneze, vetëm se takoheshin ndonjëherë me shqiptarët e Kopenhagës. Vazhduan për disa kohë vizitat e ndërsjellta dhe shtronin darkë për njëri-tjetrin në shtëpitë e tyre respektive. Një ditë prej ditësh, çifti danez shpehu dëshirën për ta mbajtur Kastriotin për nja një javë me pushime tek shtëpia e tyre. Ishin për darkë tek familja daneze. Shkëmbi si burrë i pa të keq e me besë shqiptare, tha se nuk kishte gjë të keqe në këtë mes.

"Kastrioti mund të rrijë... si thua ti moj grua?" - dhe shikoi nga Shpresa.
"Jo, kurrë, Kastrioti është i vogël... Kur të rritet, tjetër gjë...".
"S'ka asgjë të keqe," - tha Inge, e shoqja e Larsit. "Kasrioti do rrijë dy javë tek ne, dy javë tek ju. As ne nuk kemi fëmijë..."
"Jo, jo, në asnjë mënyrë!" - kundërshtoi Shpresa dhe u ngrit në këmbë, kapi Kastriotin për dore dhe u nis për nga dera e daljes, pa parë fare nga Shkëmbi.

Bashkëbisedimi u acarua disi, pasi çifti danez u ndje i fyer tashmë nga ky mosbesim arrogant i Shpresës dhe Larsi, u ngrit në këmbë e tha:

"Po ne jemi miq, ju andej nga Kosova keni edhe zakone të mira, si psh. zakoni i besës... A mos e keni harruar atë?" - u drejtua ai nga Shpresa me fjalët e tij prekëse.

"Jo, faleminderit, djali është i vogël, dhe kam frikë se nuk ndjehet mirë po ndërroi ambjent familjar... nuk ka asgjë pesonale këtu, as punë bese..." - u kthye menjëherë për të sqaruar Shpresa. Se nga i dilnin këto fjalë kaq rrjedhshëm...

Shkëmbi i tha më pas, se ajo ishe ngutur, dhe rrugës në autobuz deri në shtëpi, s'bënë tjetër veçse u zunë gjatë gjithë kohës. "Grua e trashë, po çdo e gjejë djalin?" - foli brutalisht Shkëmbi, si rrallë herë në jetën e tij, pasi ai nuk kishte dashur që danezët të fyheshin. "Po na mbajnë me bukë, dreqi e mori, nuk duhet t'ua kthejmë kështu... Asgjë nuk ka për ta gjetë djalin..." - u shpreh ai, ndonëse nuk ndjehej i sigurtë për vërtetësinë e fjalëve që thoshte.

Dhe çifti danez humbi si bora e parvjetme. Ata nuk u bënë më të gjallë, sikur të mos kishin qenë të njohur kurrë. "Më mirë kështu" - thoshte Shpresa me vete. "Qeni i do drutë shkurt!" - perifrazoi ajo në mendje një fjalë të urtë të zonës së saj.

* * *
Kastrioti filloi më pas të shkonte në kopësht. Ishte i kënaqur shumë, se atje kishte fëmijë të moshës së tij. Kur mbushi katër vjeç, Kastrioti zuri edhe një të "dashur". Ajo e kishte emrin Olia. Me Olian në gojë, rrinte gjithë ditën kur kthehej në shtëpi...

"Babi, babi, Olia ka thënë se unë do i marr lodrat me vete..."
"Mirë mirë," ia kthente i jati pa shumë vëmendje. Ai nuk ia prishte kurrë dhe Kastrioti e donte më shumë të jatin se të ëmën, e cila e qortonte shpeshherë... Qeshnin e talleshin me të.

"Kë do më shumë, babin apo Olian?" - e pyeta unë.
"Olian" - ma kheu ai pa hezitim...
"O dreq i keq, ta morën djalin Shkëmb", u ktheva nga Shkëmbi. Ai nuk u ndje mirë. Nuk shfaqi ndonjë shenjë hareje...
"Të fusin femrat nën këmbë, këta danezët...", qesha unë përsëri me Shpresën e Shkëmbin, ndërkohë që Kastrioti luante më tej në dysheme me vinçin e tij "Uuuuu... Uuuuu..." Asnjëri prej tyre nuk foli. Pas pak Shpresa nuk duroi e tha:
"Sa të poshtër janë ata punonjëset e kopështit. Ia kanë larguar djalit të gjithë fëmijët dhe askush nuk dëshiron të luajë me të. Kur isha dje në kopësht, edukatorja e thirri djalin Kastriot Dugolli, dhe unë iu ktheva: A të kam thënë të mos ia përmendësh atë mbiemër?! Bushtrra e keqe..."

"E po kështu ju kanë ardhur punët..." - u përpoqa unë të sqaroj situatën... Pastaj u ktheva nga Shkëmbi dhe i thashë:

"Po pse nuk provoni ta adaptoni? Sikur e keni lënë pas dore këtë punë?"
"Po ajo avokatja thotë se jemi të moshuar dhe nuk mund ta adoptojmë... Presidiumi i Kopenhagës nuk pranon adoptime për prindër në një moshë të tillë..."
"Nuk më besohet," - ia ktheva unë. "Ju keni marrë një fëmijë nga familja e vëllait të Shpresës, unë nuk shoh asnjë pengesë për ta adaptuar atë. Për më tepër, fëmija jeton me ju dhe ndihet sikur ju jeni prindërit e tij të vërtetë..."
"Po mirë pra, a shkojmë bashkë në Presidiumin e Kopenhagës dhe pyesim për këtë?"

Dhe ashtu bëmë. Të nesërmen paradite shkuam në Presidium dhe u takuam me një zonjë rreth të dyzetepesave. Ajo na sqaroi se nuk ka asnjë pengesë ligjore...

"A jeton fëmija me prindërit, që duan ta adaptojnë?" - pyeti ajo.
"Po!" - ia ktheva unë.

Atëherë ajo sqaroi se duhet të plotësoheshin formularët e duhur, duhet që të merreshin dëshmitë nga prindërit biologjikë, çertifikatën familjare, e dokumente të tjera, që duhen në këtë rast për adoptimin e një fëmije, në bazë të ligjeve daneze.

"I kam të githa" - i tha Shkëmbi, pastaj vazhdoi "Avokatja ka provuar ta përgatisë lëndën një herë për adoptim, por nuk e di pse ajo e pati lënë. Pati nxjerrë si problem moshën..."

"Jo, mosha nuk luan rol në këtë rast!" - tha punonjësja e Presidiumit të Kopenhagës.

* * *
Një zot e di si kryhen punën në Kopenhagë. Qyteti qëndron si i ngulur mbi ujë dhe uji shpeshherë mbulon sipërfaqe tokash përreth. Kështu duket se njerëzit kanë zhvilluar qënien e tyre mbi atë ishull... Ta fusin ujin nën rrogoz, pa e ndjerë... Duket sikur kanë antena dhe merren vesh si me shenja.

Shkëmbi shkoi më pas tek avokatja Birthe që të merrte dokumentat e duhura, dhe t'ia çonte Presidiumit të Kopenhagës, ku iu premtua, se pas kërkesës, duhej të priste 3-6 muaj dhe do të merrte përgjigje për adoptimin, që donte të bënte.

Ishte vjeshtë e vitit 2002. Kastrioti kishte hyrë për pesë. Pasi kontaktoi avokaten Birthe, ajo i tha Shkëmbit se i kishte arkivuar dokumentet e adoptimit dhe ai duhej të priste që t'ia dërgonte me postë, kur ajo të kishte kohë për të hyrë në arkiv e për t'i marrë ato.

Shumë shpejt pas kësaj Shkëmbi bashkë me të shoqen filluan të ndiheshin keq. Në mëngjes zgjohej mirë, pasi pine një kafe, nisej bashkë me të shoqen në një furgon të përdorur, që kishin blerë dhe çonin më parë djalin në kopësht, pastaj shkonin secili në shkollë. Shpresa për të mësuar gjuhën, ndërsa Shkëmbi merrej me mësimin e zanatit të zdrukthëtarit. Dora i vinte të bënte shumë punë si mjeshtër, dhe meqë e kishte pranuar se në Kopenhagë ai ishte një zero me xhufkë për shkollën që kishte, atë e kishin çuar në një kurs zdrukthëtarie. Ndërkohë që Shpresa, zihej herë pas here me ato mësueset e gjuhës, të cilat i rrisnin pa të drejtë mungesat në shkollë dhe pastaj e mbesnin në klasë.

Në mënyrë që Kastriotin ta çonin në kopësht, Shpresën nuk e kishin lënë në shtëpi, i prisnin edhe ndihmën sociale po të mos shkonte në shkollë.

Në mbrëmje, si Shkëmbi, ashtu edhe Shpresa ndjeheshin keq. Një tension shqetësues i kalonte nga shpina, teksa rrinte në divanin e tij përballë televizorit, dhe ndërsa shtrihej që të pushonte më mirë me kokën mbështetur në shpinoren e divanit, shqetësimi i kalonte në kokë.

Kur e pashë unë pas disa kohësh në atë gjendje, ai më sqaroi se ndjehej mjaft keq. Sytë kishin filluar t'i buçateshin dhe ndjehej i dërrmuar.

"Kjo gjë ndodh vetëm në darkë," më sqaroi ai. "Tension, a zoti e di çfarë është... edhe aparati elektronik i tensionit na është prishur... Jemi sëmurë të dy, bashkë me gruan... asnjëherë nuk na ka ngjarë kështu" - fliste ai ngadalë, duke shprehur një dyshim të brendshëm.

Unë hyra për një kafe në shtëpinë e tij, dhe u ula në divanin përballë televizorit. Një lëvizje "bërrrrr..." e lehtë më qarkullonte nga kurrizi, sikur të lëviznin miza brenda qelizave të mia nervore në pjesën e muskujve në mes shpatullave...

Kishte tre muaj që kur pronari i banesës i kishte kërkuar Shkëmbit të dilte nga shtëpia, pasi ai donte ta përdorte apartamentin për vete. Kjo ndodhi fill pas bisedës së tij me avokaten Birthe për adoptimin. Por Shkëmbi i kujtonte atij kontratën. Kur dola jashtë, Shkëmbi më përcolli deri tek makina, dhe më tregoi se njëri nga fqinjët i kishte thënë, se pronari i apartamentit donte ta shiste atë. Gjatë rrugës i thashë:

"Energji të çuditshme çlirohen nga divani! Mos rri në mbrëmje në divan, pasi dikush duhet të ketë bërë magji të zezë..." Ai pa nga unë dhe po lexonte në fjalët e mia, atë që kishte dyshuar prej kohësh...

Pas dy-tre javësh, ai me të shoqen kishin lënë kohë që të kontrolloheshin në spitalin e Amagerit. Dolën mirë, dhe u gëzuan shumë pasi mjeku u tha se nuk vuanin nga asgjë, as tension i lartë dhe asgjë tjetër shqetësuese. Por Shkëmbi, bashkë me të shoqen dhe të birin e tyre të pa-adoptuar akoma, u detyruan të jetonin më pas, më shumë se një vit në dhomat e një hoteli, ku i çuan autoritetet komunale, në pritje të gjetjes po nga komuna të një banese tjetër. Në fillim, u gjetën një banesë të keqe dhe Shpresa nuk e pranoi, pastaj i çuan diku në periferi, ku u detyruan të pranonin, pasi ishte edhe oferta e fundit...

Kur e takova për herë të fundit mikun tim Shkëmb Kosova, ai kishte ndryshuar pak. Ndjehej i lodhur, dhe disi më i mplakur, e nuk i bëhej më të bënte ndonjë punë. Edhe disa projekte që kishte nisur në Shqipëri, nuk i bëhej t'i ndiqte. Dolëm paksa të shëtisnim në qendër të Kopenhagës, dhe ai shprehu dëshirën të shkonim për të parë Metronë e re të Kopenhagës, e cila sapo kishte përfunduar një pjesë të saj. Kastriotin nuk e kishte adaptuar akoma, nuk kishte energji t'i hynte përsëri kësaj pune. Për më tepër, avokatja Birthe nuk i kishte dërguar fare dokumentat e duhura, pavarësisht premtimit të bërë. Danezët siguruan kështu një ushtar të ri për sistemin e tyre social...

"Një kryevepër arti. Kanë para këta dreqën...", përsëriste Shkëmbi herë pas here, duke zbritur poshtë me ashensor në tunelin e metrosë...
"Punojnë i gjithë populli si milingonat, pa marrë asgjë..." - ia ktheva unë disi provokueshëm...
"Po edhe Amerika, një lloj është... Jeta atje transformohet në dollarë..." - vazhdoi ai.
"Të paktën punon për vete... e jo për komunën..."- vazhdova unë.
"Eh, kjo mola daneze..." - psherëtiu ai.
"Edhe shkëmbin e Kosovës e bren nga poshtë..." - fola unë si me vete.



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •