Fragment nga romani “DODONA”
| Monday, 10.29.2007, 09:06 PM |  

Kreu   28

Bukurinë e pashoqe të Dodonës e përshkruajnë me dhjetëra legjenda, por më i bukuri ndër to është përshkrimi që i bëhet asaj në romanin e Lum Drinit. Ajo aty përshkruhet si një bukuri e rrallë, si në përrallë, pa të dytë në këtë botë, e padëgjuar, madje thuhet se prej bukurisë së saj qenë verbuar njerëz ngase ajo shkëlqente si diell. Dodona aty del si më mahnitësja mbi faqe të dheut, përshkruhet si vajza pulpëbukur e qafëbardhë, si vajza gojëqershi e buzëtrëndafiltë. Asnjëherë nuk ishte parë një bukuri si ajo dhe emri i saj nuk shqitej nga goja e të gjithëve.
Flokët, sipas romanit, i vareshin teposhtë si degët e njërit prej shelgjeve lotuese që rriteshin viseve ku jetonte atëbotë. Dëshira e njerëzve për ta parë atë floknajë ishte e papërballueshme dhe munduese, sidomos kur i shpupuritej apo valëvitej në erë, kësisoj duke këndellur zemrën e çdo vdekatari që e shihte.
Kaltërimi i syve, këngë anakreontike! Shirat e vjeshtave i mbushnin ato liqej sysh, e kur erërat frynin, valët i stërpiknin qerpikët. Lum Drini kishte shkruar poezi për sytë e saj. Në to ai ishte përpjekur të rrëfente se sa përralltare ishte bukuria e tyre, porse nuk ishte bindur kurrë se ia kishte dalur mbanë.
Buzët flakëruese të Dodonës, të ndërmendnin dy gjysmëhëna ose dy gjysma shege flakë të kuqe, kurse kuqëlimi i tyre të kujtonte perëndimin e diellit në muzg. Buzëqeshja e buzëve të saj shoqërohej gjithmonë me shkreptima në qiell. I kishte puthur ato buzë Lum Drini.
Kurmi i saj harlisej i qelibartë. Sipas romanit të shkruar prej Lumit, ajo e lante dhe shplante atë me vesën e agut, e cila i hynte në poret e lëkurës, ndërsa në kraharor thuhej se mbante të kyçura erërat. Sa për vijën e buzëve të saj dhe vijën e hullisë së gjinjve, ato ngjanin me dy vija ujëvarash, që ta shtonin kudo e kurdo etjen.
Hapat e Dodonës ishin të lehta si fluturime fluture, kurse mënyra se si i mbante supet, krejtësisht legjendare. Pulpat e këmbëve, për t’u pirë në kupë. Kodi i përpunuar i hapave, fjalori i gjesteve, lëvizjet natyrore të kurmit, sistemi i lëvizjeve, simetria e hirshme që nxirrte në pah emocionet e saj, tregonin se nëse për t’u bërë valltare duhet një punë titanike, ajo kishte lindur e tillë.
Ekzistojnë në roman edhe shumë komente që u bëhen harqeve të vetullave, pushit të faqes së qumësht, një vije horizontale në ballin e saj të mermertë, disa paragrafë që përshkruajnë timbrin hyjnor të zërit të saj bashkë me disa poezi të tjera që Lumi u kishte kushtuar syve.
Është shënuar aty me kujdes se rrezet e një dielli mbrëmjesor bashkë me dëshirën e ethshme për me shkrue një kryevepër, kishin zgjuar te Lum Drini dëshirën e kahershme për të lënë një dëshmi për bukurinë e Dodonës. Lum Drini thotë se gjithmonë kishte gufuar një ngazëllim dashuror për Dodonën, sepse shfaqja e saj në jetën e tij i kishte dhënë asaj një kuptim. Nganjëherë ai rrëfen me çiltëri se ajo i dukej e pakapshme dhe ai kishte menduar shumë herë se pa të nuk do të bënte tjetër gjë, pos vajtjes në një manastir të largët për të jetuar si eremit. Lum Drini gjendej gjithmonë midis dy zjarresh, zjarrit të krijimit dhe zjarrit të dashurisë për Dodonën.
Andej kah kalonte Dodona, thuheshin se shembeshin e rrafshoheshin shtëpitë dhe, kur ajo kthehej, ato ringriheshin si dikur, veçse nuk dihej nëse kjo ka qenë e vërtetë apo Lum Drini ka qenë i pushtuar nga vlaga e ndezullisë së krijimit. Bëhet fjalë në roman, se u përhap një thashethemnajë që bashkë me dashurinë për Lumin kishte nisur të venitej edhe bukuria e saj. Askush nuk e kishte besuar dhe nuk donte kurrsesi ta besonte, ndaj edhe një natë nga ato netët kur Dodona kalonte kah varrezat për të takuar Lum Drinin, thuhet se gjindja që banonte aty rrotull ishte fshehur prej kërshërisë së madhe në pyllin aty afër dhe kishte përgjuar daljen e saj.
Kishte pasë veshur atë natë një fustan të bardhë prej cohe të hollë, që tejdukej nën dritën e një hëne të plotë Dodona dhe të gjithë kishin mbetur gojëhapur prej asaj bukurie të kurrëmosparë, por nuk dihej nëse kjo kishte ndodhur nga mahnitja prej Dodonës ndërsa ecte e qetë varrezës që e përgjonin dhjetëra sy, apo kur të gjallët kur kishin parë se si të vdekurit kishin ngritur kryet tinëz prej varreve duke soditur fshehurazi çapitjen e saj natore mbi tokën e tyre.
E kishte vënë re dikush, nuk dihej se kush, këtë skenë tronditëse ku të gjallët kishin ngrirë si në legjenda dhe të vdekurit ishin ringjallur, kësaj radhe vetën për të shijuar bukurinë e një femre si në asnjë legjendë të botës dhe, i frikësuar prej kësaj mrekullie, ai kishte rënkuar dhe i kishte kërkuar Dodonës të mos kalonte mbi varre, po nuk dihej nëse ai që kishte rënkuar kishte qenë i kësaj apo asaj bote, po ka gjasa që ky zë të ketë qenë i përtejjetshëm, ngase ishte dëgjuar të rënkonte drithërueshëm :
Dodonë mos kalo mbi varre
Se të vdekurit i ngjalle
Dhe të gjallët i vdiqe fare.
Kishte patur në këtë rënkim diçka prej dheu të lagësht dhe vjetërimi shekujsh.
Thuhet se të vdekurit atë natë i kishin mbushur plot lotoret e drunjta ku mblidhnin lotët e tyre sa herë qanin për kohën e ikur dhe thonë se me lotët e të vdekurve dhe lotët e të gjallëve u formua një liqen që kishte veti mrekulluese për shërimin e shpirtrave. Po kishte kohë kur liqeni fryhej nga shirat në dimër e bëhej lumë, lumë që në fillim i thirrnin lumi i Dodonës, por që nuk dihet se pse më vonë nisën me i thirrë Drini i Zi.


Baviola SHATRO
 
Lumi, vrapim drejt metakronisë apo thirrje e origjinës?

 
Ky është romani i një simboli shumëvlerësh që rrjedh përgjatë tij bashkë me Lum Drinin: Dodonë. Ky simbol matet në shtratin e një tjetri më të kudogjendur dhe të referuar vazhdimisht në tekst: LUMIT, ndaj të cilit shkrimtari i ri, personazh kryesor vendoset në raporte të tilla, që njëherë i përqaset me anë përjetimit të tij të qendërzuar tek Dodona dhe më pas, duke qenë se kështu i është larguar më shumë se kurrë më parë, duke u nisur drejt vendit të fëmijërisë.
Fëmijëria e Lum Drinit duket se është pothuajse shumë e saktë dhe e parrumbullakosur matematikisht e njohjes së vdekjes (të parët, të prekurit, të nxjerrët dhe të notuarit me trupat e të vdekurve) ky përceptim i pangatërrueshëm i asaj që të nxjerr në mënyrën më të pakthyeshme nga realiteti dhe i leximeve të shumta e ëndërrimeve të nxitura prej tyre. Pra, fëmijëria e Lum Drinit ka qenë larg realitetit të një fëmijërie të zakonshme, larg të vërtetës së përditshmërisë në forma sa të kundërta në pamje aq edhe të njësuara prej tij në një të vetme qoftë edhe nëpërmjet jetës, qoftë nëpërmjet mendimeve të tij. Ndoshta është prej këtij shkaku të fortë që ajo çka e frymëzonte më shumë atë në rininë e tij ishte një kapërcyese ditësh, miljesh, botësh, përmasash kohore aq sa cilësohej prej tij supreme. Më tej, në rininë e tij është shumë e thjeshtë të dallosh rrahjet e gjallimit të asaj fëmijërie aq dhe të ngarkuara me përvoja dhe pritshmëri të pazakonta. Në mënyrë të veçantë simbolika biblike e përhapur me mprehtësi në të gjithë tekstin është inkurajuesja e një leximi të vemendshëm. Vetë ajo prania e pathënë, por e kudondjerë e fëmijërisë së personazhit kryesor është një paralele me konceptin e krishterë sipas të cilit mbretërinë e Zotit mund ta njohin vetëm ata që e kërkojnë dhe e pranojnë si fëmijët  me thjeshtësinë dhe po-në e hapur të plotë të tyre. Kjo është mënyra se si Lum Drini kërkon Dodonën. Ka vetëm një ndryshim të vogël dhe fatkeq. Dodona ishte hyjnia e tij por jo hyjni në vetvete. Ashtu si në njeriun ekziston dicka që shkon përtej atij vetë dhe është e pavdekshme, që në një mënyrë ka ekzistuar që prej fillimit të kohës e do të vijojë të jetë pavarësisht nga cak ai zgjedh, po ashtu do të ekzistojë gjthmonë dëshira e vetvetishme për një Dodonë. Në këtë kuptim thelbi nuk është te Dodona, por tek ajo çka ky emër, kjo vajzë shenjojnë. 
Fillimi i romanit është jashtë kohës së tij dhe jashtë kohës njerëzore. Është ajo përmasë tjetër e paeksplorueshme nga njeriu, por e njohur prej tij si kujtim i kohëve shumë të largëta, megjithatë aspak të mjegullta dhe as të vakëta prej këtij shkaku, madje plotësisht e kundërta: sa më tepër i afrohesh fundit tënd të pashmangshëm biologjik apo përvojave që përmbushin të përditshmen, aq më e fortë bëhet ajo thirrje. Që në faqen e parë gjenden betime të lashta dhe modele të ligjërimit biblik, por të kujtohen në të njëjtën kohë betimet e eposit në gojën e qenieve mitologjike e po aq të heronjve që i ndiqnin. Gjerësia e tyre është kozmogonike. A thua Lum Drini flet nga përjetësia, porse kjo e tija është një përjetësi e vetmuar e për këtë shkak, njerëzore. Për mendja e gjithçkaje madhështore e krijuar që nga fillimet e deri më tash, duke nisur nga natyra te koncpetet më abstrakte bën të krijohet imazhi i mirëfilltë i asaj të përjetshme të papërshkrueshme që Lum Drini e identifikon me një njeri dhe e prezanton me emrin Dodonë. Të kujton Tat Tanushin e Bubutimës. Vecanarisht se të dy i dashuruan të dashurat e jetës së tyre me këngën e Solomonit, porse përjetësia dhe e përsosura ishin të dallueshme te prifti, i cili dallonte të shtrenjtën e tij nga perëndia (prandaj edhe mund të rebelohej ndaj të fundit) ndërsa Lum Drini i ka njësuar. Pikërisht nga kjo, humbja e këtij të fundit tingëllon si humbje në kuptimin e parë të fjalës; ai është fëmija që e ka të vështirë të gjejë rrugën ndërsa tjetri nuk pranoi që ta ndiqte rrugën që e njihte fort mirë. Lum Drini krijoi Shulamitën e tij. Prandaj ne mendojmë se sikur vetëm referencat biblike të vëzhgoheshin do të arrihej në përfundime shumë interesante rreth Dodonës. Ky emër, Dodona, etruskët, ritet e fillimit të romanit janë aspak të largëta përpara përmasës së pafundësisë që krijon imazhi i shumëfishtë biblik. Nëse të parët përfaqësojnë një gjithështrirje, por edhe një prirje sintetizuese, të dytat janë mbi çdo lloj përgjithësimi dhe një çelës i vetëm në efektshmërinë e tij të plotë për identifikimin e brendisë së fshehur.
Vërejmë se veta e dytë e rrëfimit të sjell përpara një rrëfimtar që i drejtohet dikujt të ndarë dyshas, njeh tepër, parashikon me një teknikë profetike të pazbërthyeshme në thjeshtësinë dhe të qenit e saj të drejtpërdrejtë. A nuk duket paksa frikësuese se Dodona mund të ketë qenë forma e vetme e Lum Drinit për të derdhur veten dhe për t’i folur vetes. Ka një rrëfimtar të dallueshëm sa nga lexuesi aq edhe nga personazhi kryesor, por që në ligjërimin e tij të krijon nganjëherë një iluzion të rrallë: Lumi flet.
Që nga kapitulli i gjashtë e tutje duket sikur Lum Drini hedh hapat drejt ferrit që nuk mënjanohej dot, në ferr ku rrojnë vdesin e riciklohen Gordët dhe mjerisht në përpjekjet e ligështa dhe patetike të sekteve që mëtojnë parajsën. Ndërsa Lum Drini ka përshkruar mendime dhe përjetime të tijat të denja për tu krahasuar me ato të Solomonit ët dashuruar për të cilën bukuria dhe gjithcka e të dashurës së tij zeshkane është tregues i lavdisë i së të plotfuqishmit. Lind pyetja: A e takoi kund, me të vërtetë parajsën Lum Drini? Mendoj se pot a kishte takuar nuk do ti nevojitej ndonjë Dodonë. A do ta kishte dalluar pasi ta krahasonte me gjithçka që i ngjasonte apo kjo shqisë e veçantë ishte përgjumur a rimodeluar tek ai prej Dodonës?.
Romani i vërtetë për Dodonën është sendërtuar nga mendimet e tij për të, të cilat kishin nisur si kërkime të heshtura që në fëmijërinë e largët dhe ishin aq të forta e të mëvetësishme nga realiteti-prej të cilit kishte pasur largime të shopeshta  që në moshë të vogël-saqë e bëjnë përvojën e tyre të përbashkët të duket si një ëndërrim fort i dashur. Si personazh Dodona pikën kyce e mban në pothuaj-heshtjen e saj. Ajo flet pak në roman. Shpesh fjalët e saj më të ngarkuara me kuptim dhe më mbështetëse të komunikimit (qoftë edhe i lëvizjeve të brendshme të personazhit kryesor) nuk dalin nga dialogët më shumë se sa nga tjerrësi i kësaj qenie sipas prizmit të tij. Lumit. Ajo flet pak. Në çastet e intimitetit të tyre edhe më pak. Ajo komunikon shumë në shumë mënyra, oporse verbalisht nuk ndodh kështu, sikur të ishte një qenie jo plotësisht reale. Ne njohim Dodonën që shikon Lumi  dhe forma e tij e të parit të saj është prej një të magjepsuri. Shumë pak e njohim dhe shohim “personalisht” atë  duke u ndjerë kështu më tepër ajo zbehja e njerëzores tek ajo që e ka burimin tek shtrirja e Kantikut të Kantikëve me Lutjen shembullore, pra tek njeriu dhe hyjnia. Në kapitullin 28, Dodona ngjet më tepër me një zë legjende sesa me një qenie reale.
Derisa Lumi e kërkonte dhe jetonte me të dhe për Dodonën, për të ishte më e lehtë dhe më e natyrshme shumëcka, porse Dodona është ndryshe. Për të` Lum drini ishte ai që për Lumin mund edhe të ishte cdokush në botë veç Dodonës. Pra, nuk ishte pika e referimit. Dodona vetë jetonte larg, me një pikë të sajën graviticionale. Ajo kishte dhe synonte ‘dodonën’ e vet. Ata të dy kërkojnë të njëjtën gjë por nuk e gjejnë të njëjtë dhe as në të njëjtën mënyrë. Pra është i njëjti lumë, por jo i njëjti ujë. Më sipër thamë për ngjashmërinë me Tat Tanushin, por ndërsa ka diçka të afërt në zgjatjen e përjetimit të tyre (koha e brenshme e Lum Drinit është sa jetët e Tatës), në peshën e përvojës së tyre të brendshme që deshi dhe preku supremen (sado që këtu nis dhe ndarja e tyre), në një pikë ndodh një largim i plotë: Tat Tanushi ëhstë në epikroni ndërsa Lum Drini ka një barrë tjetër, më të hidhur më shumë se sa më të rëndë, pasi ai është vënë poshtë nga koha në disa kuptime, jeton në një kohë kur Gordët bëhen heronj dhe të bëjnë bashkëpuntorë në vrasjet më të llahtarshme, atë të kujtesë sdhe të shndërrojnë në varrmihësin më të mallkuar të të gjitha kohërave, në atë që varros letrat-kocka. Ai jeton në një vend me shqisa të tulatura dhe duke kërkuar të përjetshmen tek e kufzuara.Vështirë të gjesh një trinom më të trishtueshëm ku vlera e së cilës ndryshore është kategorikisht zero e për pasojë edhe rezultat final. Në një farë mënyre atë e ka zaptuar tmerri i kohës, jo i ikjes së saj, por i përpirjes prej saj. Kjo duket hapur veçanarisht në castin kur mbete pa Dodonën e tij, pasi tani atij koha i ikën duarsh, duke e lënë vetëm me vetëdijen e dhimbshme e madje të frikshme të të mos diturit se çfarë duhet të bëjë pasi me largimin e Dodonës gjërat nuk mbartin më ndonjë kuptim për të. Nuk ka më një bërthamë dhe elektronet vërtiten rreth një boshllëku në orbita të çfarëdoshme derisa humbja e energjisë e i përplas mes tyre dhe me atë që duhej të ishte bërthamë. Kështu çdo strukturë bie. Dodona është shtegu më i bukur i shpëtimit. Ndonëse drejtohet kah diçkaje të përjetshme me atributet biblike të Perëndisë, ai nuk arrin dot të qëndrojë mbi kohën, fundja ka zgjedhur të adhurojë një ‘Zot’ tokësor e si të gjithë këta dhe ky do të rrudhoset e plaket një ditë, madje ca më keq, ditë pas dite, në një lloj mizor të agonisë së kohës ku ajo do të bëjë të ndjehet fort lëvizen e saj, deri në ditën ku do ti dorëzohet kalbjes. Sa ironike dhe e palavdishme! Po në fund çka? Lum Drini në Bregdri.
Lumin e gjejmë në rolin e Davidit e të Solomonit. Ashtu si i pari, ai nisi një kërkim të madh, një dashuri, dhe si i dyti, kërkimi i tij u mbyll heshturazi, pa fitore. Ne mendojmë se ky është fundi i kërkimit të pikës së gravitetit në të tashmen. Ky udhëtimi ynë është si një fillim i vazhdueshëm. Prandaj dhe s’të shpie askund. Analogjia me Zanafillën dhe Noen e shpërfytyruar të kujton tashmë jo ditët e krijimit apo të lundrimit të arkës për në tokën e thatë, por skenat shoqëruese të atij udhëtimit në lumin që s’është kurrë i njëjti. Për të parën herë ai e njohu emrin Dodonë nga lutjet e një lutësi (që sdihej mirë kujt i lutej) dhe ajo ishte ëndrra e emërtuar e një jete, e lashtë sa vetë emri dhe me fatin e parathënë për dashurinë e Lum Drinit ashtu si vetë perëndesha apo qyteti i që e mbajti dikur: u tret. Mbeti pakthyeshmërisht e mbyllur në të shkuarën. Pikërisht kjio, e shkuara, është ajo pjesë e së cilës ndoshta pashmangshmërisht jemi, porse s’duhet të jemi kuirrë rob, në asnjë lloj forme. Për më keq edhe ëndërr kjo s’qëndroi gjatë, sepse në kodin gjenetik të kësaj kohe, të kësaj të tashmeje, edhe vetë profecitë pësojnë mutacione. Lindin cdo ditë Noetë që nuk ndërtojnë më var(r)ka por arka, dhe ndodhin rikrijime të gjymta në gjashtë ditë të lodhura. Në roman lexohet më shumë se një dilemë dhe një boshllëk i thellë i brezit. Më shumë se shëmtia e pluhurosur brenda njeriut, dhe më shumë sesa brenga e pamundësisë  për të komunikuar me një gjuhë mbikohore, më shumë se sa një dashuri e fortë dhe e trishtë, besojmë se cështja është tek nevoja, më e pashmangshmja dhe më e parashikueshmja e çdo habie ekzistenciale. Do të mbijetosh. Mjerisht kjo është optimalja. Të duket sikur gjithmonë personazhi jeton në kohë subjektive, e cila është tepër e ngjeshur me përjetime, ëndrra dhe pritshmëri. Qoftë edhe pse secili ka Dodonën e vet, muzën e tij. Lum Drini nuk mund të shkruante kurrë Romanin për të. Por arsyeja kryesore besojmë se është një tjetër. Vjetësria e Drinit dhe e Dodonës është vjetërsia e atij lumi që mbartin dhe në të cilën përfshihen Lumët, Ujdhesat, Ujvarat, Bardh Krojet, buzë të cilëve qëndrojnë po ato Bregdrinë. Mes gjithë këtij vërshimi të rikrijimit të racave dhe fateve plotëshisht të ngjashme, dhe mbase në dukje paradoksalisht, të ndryshme në thelbin e cdonjërit, nevojitet gjëja më e bukur që mund të njohë shpirti njerëzor, me shpresën dëshpërimisht ngulmuese, por po kaq edhe të ankthshme për të iur sikur kurrë të mos kishte bërë hije mbi tokë. Thellë brenda vetes qoftë edhe një herë të vetme njeriu e shquan këtë, ndërsa Lumi e përjetoi sa mundej tek Ddona. Më shumë se Dodona dhe përjetimet e lishuar me të besoj se ajo cka është unike qëndron te vetëdija e Lum Drinit për Dodonën, tek kërkimi dhe himnizimi biblik i saj. Asnjë nga temat e mëdha që arkivonte Lumi nuk mundte kurrë të ishte zemra e një libri. Por edh ajo që ai ëndërronte për romanin e tij nuk ishte një temë e vogël. Njeriu e aq më shumë shkrimtari është mjaft më tepër se sa shuma e periudhave dhe përjetimeve të jetës së tij. Dodona nuk doli si e buklura mbi një botë vetmie, heshtjeje, boshllëku, mungese shijeje dhe vixzioni ku s’gjenden kurrë as kripë e as mjaltë sado që e tillë ishte vërtetë gjithçka. Ajo ishte përthyerja më e thellë e brendshme e Lum Drinit sepse ekzistonte që në fillim tek ai si një muzë-idhull dashurie dhe dhimbjeje.
Pa Dodonën jeta e këtij djali do të ishte një lëvizje e privuar nga cdo kuptim, një grumbull ngjarjesh të çoroditura pa asnjë lloj lidhje. Kur e humbet atë, ai përjeton patologjinë e opërgjithshme të racës së tij në qytetërimin modern: Frikën.
Ajo ka hyrë edhe në ëndrrat e tij, ka shqetësuar gjumin e tij duke shënuar pikën më tragjike të përkeqësimit: Makthet e gjumit i shohim me sy hapur dhe e kundërta, ankthet e zgjimit na ndejekin edhe në gjumë, sikur të ishte njësuar e ndërgjegjshmja me të pandërgjegjshmen dhe të vdekurit me të gjallët.“Madje kisha përshtypjen se edhe në ëndërr kisha bërtitur: kam frikë, kam frikë” Kur zgjohem pyes veten se përse kam frikë. E thjeshtë, nga gjithcka. Në të vërtetë kjo i ndërlikon të gjitha gjërat. Gjithcka rreth meje duket pa kuptim.”  (Kur gjërat të duken pa kuptim më së shumti të tmerrojnë dy koncepte, Koha dhe Vdekja. Pikërisht këtyre Lum Drini synonte t’u bënte atentat me romanin e tij që astu si cdo gjë nuk u plotësua kurrë. Pothuajse ironike!)
Mungesa e Qëllimit e largon kuptimin e gjërave, ky sjell ankth, ankthi ushqen frikën dhe një mëshirë të dhimbshme për veten, derisa më në fund fillon të kuptosh se më tragjike se vdekja që Lum Drini e njohu që në fillim, është kjo jetë, pa një Dodonë, qoftë edhe pa Dodonën. Frika e Lum Drinit është shumë më e keqe se cdo tjetër sepse ai nuk ka frikë nga vdekja, por nga ajo jetë që më sipër e cilësuam mbijetesë (të hiqesh zvarrë nëpër ditë, edhe një ditë edhe një ditë tjetër).
Në këtë kuptim Lumi dashur pa dashur duke e dashur dhe pritur, duke njohur Dodonën që para se të shfaqej dhe ca më tepër madje, duke e veshur në atë mënyrën e tij me përjetësi, qëndroi në hapësirën e metakronisë. Megjtihatë në fund ai mbërriti në skajin e përkundërt të saj, të cilën po parapëlqejmë ta qujamë origjinë sepse është origjina e kuptimit. Të dyja ato sikur ndodh pothuajse gjithmonë në ekstremet, bashkohen kësaj radhe në nevojën për të zbuluar një qëllim, i cili do të qartësojë kuptimin e jetës dhe do ti shmangemi kështu nevojës mjerane të thjesht të mbijetuarit. Sigurisht që për këtë duhet të nisemi jo nga vetja e jo nga i ngjashmi. E meqenëse nuk mund të hysh kurrë dy herë në të njëjtin lumë, ndoshta për Lum Drinin të gjithë këtë do ta rrëfenin sërish në vetën e dytë shtatë ditëtë e tij të krijimit, në ditën kur do t’i duhet të pushojë. 



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •