Mes një lodre bimë ujë
| Tuesday, 11.06.2007, 12:06 AM |  

Rri kundroj qiellin si zhytet i trazuar tej në det,
Si më ndjell në vorbuj trillesh, më kërkon e më thërret.
Të le tokën ku kam shpresën, kam një gaz e një mendim,
Të le zemërzën e vajzës tek më fton në hir pa çmim.

Si të ik pas horizontesh të ndjek qiellin ku largohet;
Të bashkohem me hyjnorët, të jetoj çka nuk jetohet?
Por a mundem larg prej mikezës së moshës që më fton;
Që më ndjell mes ledhash fine, më trazon e më tundon?

Ja!…Si erë nazetare më vjen rreth e qarkun mbyll,
Më verbon me hije hiresh, xixëllon e ndrit si yll.
Më lidh duart me fill zjarri që e merr prej qiellit vetë,
Dhe si frymë e shënjtëruar më rrëmben në tjetër jetë.

Më vjen pranë e më flak vellon më tërheq në llahtari,
Sjell aromën që zgjon lulet dhe u jep aq bukuri.
Me një dorë ledhatare pik filizat e lodron,
Puth një fletë të hyjnuar, ngjyrat qiellit ja ndryshon.

Dhe si hyn në valle nimfash këmbëzbathur mbi lëndinë,
Majë gishtash prek petalet, u ndez vatrën, mbjell magjinë.
Godet kindin e fustanit më zbulon pulpën zambake,
Në eter të përvëluar përhap ëndrra fluturake.

Më tërheq nëpër thesare kuptimplote, mëkatare;
Ndër tundime herezie të një flake lodërtare.
Përhap frymën që hap gonxhen edhe zemrën i shpërthen,
Drejt në kupëzën e lules çdo kristal nektari gjen.

Rëndon barin gishtagjelbër i fal lakuriqësinë.
Përmes këmbëzës së zbathur tek hedh valle mbi lëndinë;
Tek freskon zjarrin e gjirit me një lule të vesuar,
Tek harrohet mëkatare mbi lëndinën me bar shtruar.

Herë afrohet hapashpejtë, më jep belin e këputur,
Herë vrik hidhet përpjetë, fluturake si një flutur;
Dridhet…thyhet…pastaj tretet…qafën poshtë e këput,
Tendos duart…sulmon qiellin…afshe trillesh atje lut.

Midis hiresh zbukuruar më jep syrin që të shoh
Si shkëlqen një flak’ e egër fërgëlluar nëpër to;
Si ndriçon drita demone në të thellët e pamatë,
Porsi fill prej vetëtime kur shkëputet nëpër natë.

E rrëmbej, e marr ndër duar, i çjerr vellozën flurore,
I gjej zemrën midis lulesh, mes petalesh ëngjëllore.
Befas stepet,…epet,…jepet,…pranon drithmën që e mban,
Tendos hark kurmin e nxehtë si një lule që ofshan.

Vrap më ikën, vrap vjen prapë si një flakë hovrrëmbyer.
Më rrëmben shpirtin e ngratë drejt në zjarr e mban mbërthyer.
E shtërngon ndër ato duar i merr thelbin e mundon,
Dhe prej zemërzës së lules thith polenin që buron.

E burgoz në burg petalesh… drit’ e flakë të kulluar,
Midis valëzash divine… një tërmet  i llahtaruar.
Eshtë burg…apo ekstazë pala-e frymës së përflakur;
Zemr’ e lules së kërkuar, mishi-i zemrës së përgjakur?

…Lëshoj krahët, mblidhem, krrusem si një bimëzë që vuan,
Porsi shelgu në breg lumi kur pas ujit etjen shuan.
Që…si  rryma e rrëmbyer e përdredh, e rreh, e ngrith;
Një përlotje eliksiri që nga thelb’ i degës thith.

Ai prapë afron krahët do të pijë…buzën të falë.
Kërkon vrullin ta përplasë, ta tronditë nëpër valë.
Nëpër grahmat, ngërçet, dredhjet e një etjeje pa fund.
Të një lodre bimë-ujë qe e shtrydh dhe e përkund.

E di mirë bimë egër, dot pa ujin nuk jeton.
Pa vërshimin e tërbuar q’e përplas dhe e mundon;
S’do të mundte të  lëkundej përkëdhelur nëpër erë,
Nuk do varte kokën…bukur pas një cipëze të vlerë.

Nuk do t’ zgjaste buzën…etur tek një faqe e trazuar,
Pas një shpirti ethedjegur, në një thirrje të kërkuar;
Të një loje aq hyjnore q’as e ngop, as e përfund,
Mes burimesh ëngjëllore i shton etjen…si kurrkund.

…Drejtoj kryet, përgjoj frymët si këndojnë nënë zë,
Gjer atje ku qiell e det…shkrihen, treten, bëhen një.
Në një simfoni sirenash plot tërbim e plot pasion,
Ndjej nën’ zë dhe zemrën time tok me ‘to se si këndon.

Nuk e di as e mësova…valle ishte, a vullkan;
Ishte afsh, apo valangë që dot shpirti nuk e mban;
Që rrëmben ç’ka gjen përpara midis ledhash e mbështjell,
Dhe  mes valës së dalldisë…e zhurit e djeg si diell.

Dhe përhumbem mes visaresh mendje prishur e trazuar,
E mbështet ballin e rëndë në një llërë të kërkuar.
Shuaj zemrën që përgjumet dhe tik-takun numuron.
Dhe pranoj hirin qielluar që buron, buron, buron.

NY 2006



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •