Vajza krijuese
| Wednesday, 11.07.2007, 11:35 PM |  

(Tregim)

Ajo erdhi në  qytetin e madh e të zhurmshëm metropolitan, në  qytetin
vezullonjës nga miliona drita, në qytetin që nuk fle kurrë, ku nata e  magjishme në
atë qytet gjigand ngjan me një qiell të pafund yjesh  xixëllonjës.
Ishte trupimët, me sy të zinj të vegjël të futur brenda që  ngjanin si dy
shpella të vogla, me nofulla të dala, flokët e zinj të mbledhura  prapa, i
krijonin një bisht të vogël. Fytyra e saj ngyrë limoni shëndetligë, e  tregonin atë
vajzë të kishte kaluar ndonjë sëmundje të rëndë në jetë. Këtë e  pranonte edhe
vetë vajza, kur numëronte lloje të ndryshme sëmundjesh që kishte  kaluar në
vitet e fundit. Të saponjohurit, duke parë shëndetin e lig të vajzës  dhe duke
dëgjuar vuajtjet e saja në jetë e afruan në shoqërinë e tyre që jeta e  kishte
goditur pa mëshirë dhe padrejtësisht.
E porsaardhura pak njihej nga  bashkatdhetarët e saj të shumtë në qytetin
gjigand, banore e përhershme e të  cilit dëshironte të ishte edhe ajo, megjithëse
dëshira e saj e zjarrtë ishte të  njihej dhe të njihte shumë bashkatdhetarë...
Askush nuk e dinte si kishte  ardhur ajo në atë qytet të madh metropolitan;
legale apo klandestine. Disa zëra  njerëzish thoshin se ajo kishte ardhur në
atë qytet me të dashurin e saj të  zemrës, të cilin, pasi kishin ndenjur të dy
një javë në hotel duke thurrur  ëndrat e tyre për një jetë të re në një botë të
panjohur më parë, vajza e  mrekulluar nga magjia e atij qyteti vezullonjës, e
kishte braktisur të dashurin  e saj. Arësyet nuk diheshin.
Tri valixhet dhe një çantë dore ishin pasuria e  saj personale të sjella nga
vendlindja. Mbante edhe një çantë të vogël, e cila  mbeti mister për një kohë
të gjatë.
E parrahur me jetën e re të një vendi të  madh, vajza mendonte se jeta në
botën e lirë do t'i hapte shumë rrugë në jetë.  Nuk kishte gabuar dhe menjëherë
hyri në kërkim të rrugëve të reja për të gjetur  gjithshka. Asaj nuk i
interesonin ato gjithshkatë, ajo kërkonte vetëm dëshirën  dhe ëndrën e saj të vjetër
që vetëm ajo e dinte dhe, për t'a realizuar atë ëndër  të vjetër që i trokiste
në ndërgjegjen e saj, vajza shpesh herë përdorte ato që  mbante brenda në
çantën e vogël dhe të mistershme. Mendonte se ato ishin çelësi  i çdo suksesi.
Ata pak bashkatdhetarë që e njohën në fillim, me veprimet që  bënte iu dukej
pak misterioze ajo vajzë. Mënyra e të folurit dhe e të shprehurit  të
mendimeve të saja të linin të dyshoje, megjithatë bashkatdhetarët fajin ua  vishnin
sëmundjes që kishte kaluar ajo vajzë e vuajtur në  jetë.
- Unë jam e gjithanshme, pranoj të bëj çdo gjë  në jetë...- fliste shpesh
vajza e porsardhur, - por, talenti dhe profesioni im i  preferuar mbetet
krijimtaria letrare.
Me dëshirën e saj për të qenë përherë e  dashuruar dhe e pandarë me
krijimtarinë letrare, e sapoardhura kërkonte në atë  qytet gjigand të botës së lirë të
kapte në mënyrë të rrufeshme majën e saj të  suksesit dhe për t'ia arritur
kësaj, ajo kërkonte çelësin kryesor, që për të  ishin njerëzit e mediave, gazetat
e komunitetit që botoheshin në atë qytet  gjigand.
"Nuk duhet humbur kohë, suksesi duhet të jetë i menjëhershëm" -  mendoi vajza
dhe u nis në rrugën e kërkimit të qellimit dhe dëshirës së  saj.
Në çantën e saj të dorës të mbushur me libra të vegjël, përmbledhje me  disa
nga krijimet e saja, e porsaardhura mendonte që, përveç librave që do t'u 
dhuronte gazetarëve për t'i vendosur  si reklamë në faqet e gazetave të 
komunitetit nga do të përhapej dhe jehona e saj, pse jo, të shfrytëzonte edhe  moshën
e saj.
"E kush nuk do ta dëshironte ta joshte dhe shijonte trupin e  një vajze 30
vjeçare beqare dhe, mrekullia do jetë përherë në favorin tim, sikur  njerëzit e
mediave të jenë në moshë madhore"
Fillimi për vajzën ishte i mbarë  dhe fati i mirë kaloi në anën e saj.
Një ditë takon në rrugë një  bashkatdhetarin e saj, të panjohur më parë.
Ishte vërtet rastësi takimi i  tyre i papritur, apo dikush e kishte
rekomanduar vajzën për t'u takuar me  bashkatdhetarin? Këtë e dinte vetëm ajo.
- Më  falni... zoti bashkatdhetar... gazetar... Më lejoni t'ju prezantohem.
Më  quajnë... Jam krijuese...
Burri, bashkatdhetari i panjohur me mirësjellje  ndaloi hapin dhe iu përgjigj
zgjatjes së dorës së  saj.
- Kam kënaqësinë... të njihem me një  gazetar...
- Më lini t'ju spjegohem. Unë nuk jam  gazetar; profesioni im nuk ka lidhje
fare me gazetarinë, por më pëlqen dhe kam  talent të shkruaj.
Vajza e dehur nga suksesi që e kishte takuar atë që po  kërkonte dhe që
kishte kohë që po e mundonte nuk e kishte mendjen çfarë po  fliste ai, prandaj dhe
nuk i dëgjoi fjalët e tija.
-  Kam nderin... oh, më falni, ndjehem tepër e emocionuar, e gëzuar,
megjithëse ne,  krijuesit, nuk duhet t'i pranojmë emocionet, ato janë pjesë e jetës
sonë tani...  Kam kënaqësinë e madhe të njihem me një ndër gazetarët më të mirë
të  komunitetit...
Vazhdoi të fliste pa e lënë të saponjohurin t'i përgjigjej,  hapi çantën e
saj dhe nxorri një libër të vogël. - Ky është  botimi im i  fundit. Kam
kënaqësinë t'ua dhuroj juve i nderuar gazetar.
Burri, nga ajo e  papritur e çuditëshme e morri librin, i hodhi një shikim
kapakut të librit,  lexoi titullin dhe emrin e autores. Shfletoi shkujdesshëm
fletët e librit pa i  kushtuar rëndësi se çfarë mund të ishte shkruar brenda dhe
pa e parë atë në sy e  pyet: - I lexoni shkrimet e mija që botohen nganjëherë
në gazetën e komunitetit?  Besoj se do t'ju ketë pëlqyer shkrimi im i ditëve
të fundit, kam marrë urime për  atë shkrim.
Ajo, me një buzëqeshje të shtirur, lëvizi pak gjoksin para, duke  i dhënë një
lëvizje të lehtë trupit, me një shikim lozonjar vajzëror i tha: -  Gazetari
ynë i nderuar, duhet të dini vetëm një gjë; jeni i shumë i njohur në 
komunitetin tonë, shkrimet tuaja janë ndër më të  pëlqyerat...
- Më fal, - e ndërpreu burri. Ndjeu  neveri nga ato fjalë të tepërta që po
dëgjonte nga një vajzë e saponjohur. -  Nxitoj, më duhet të iki - dhe i zgjati
dorën për ta takuar.
Vajza u befasua  dhe u ndje e ligësht. Edhe pse nuk e mendonte një përgjigje
të tillë nga burri,  vazhdoi me të njëjtën buzëqeshje të shtirur dhe lëvizje
të lehtë të trupit - Oh,  ju të më falni mua i nderuar gazetar; nuk dua t'ju
pengoj në punën tuaj fisnike  që bëni në shërbim të komunitetit. Ndjehem shumë e
lumtur që j'u takova dhe j'u  njoha... - I zgjati edhe ajo dorën për ta
takuar, duke e parë ëmbëlsisht në  sy.
Burri ktheu trupin dhe eci disa hapa. Nga pas dëgjoi një zë: - Zoti  gazetar,
zoti gazetar! - Ktheu kokën. Vajza e saponjohur ishte shumë pranë tij.  -
Zoti gazetar, më falni... harrova t'ua nënshkruaj librin.
Burri, që e  mbante në dorë librin ia dha. Ai po shihte se si ajo, me
kënaqësi dhe me duart  që po i dridheshin shfletoi kapakun e librit dhe filloi të
shkruajë në fletën e  bardhë të tij: "...gazetarit tonë të nderuar, të mirënjohur
dhe shumë të  suksesshëm të komunitetit tonë..."
Ia dha përsëri librin dhe pa pritur që  tjetri ta falenderonte me të njëjtën
kënaqësi i tha: - Ju lutem, mund ta kem  edhe unë numrin tuaj të telefonit?
Burri nuk foli, futi dorën në xhepin e  brendshëm të xhaketës. - Në këtë
kartën e biznesit tim janë të shënuar numrat e  telefonit, i shtëpisë dhe mobile.
Vajza sa nuk fluturonte nga gëzimi. I dha  një përshëndetje falenderimi me
mirësjellje që i la burrit të kuptojë se miqësia  midis tyre do të vazhdonte
edhe në ditët në vazhdim.
" Pak të çuditëshme janë nganjëherë veprimet e disa njerëzve që merren me 
krijimtari letrare..." - mendoi ai. "Nganjëherë, ndjenja e të vetëkënaqurit të 
bën të humbësh kontrollin ndaj logjikës së të komunikuarit..." - Atij iu duk
se  në këto mendime përfshiu edhe veten e tij, meqenëse merrej me shkrime...
 
                                           
Pas njohjes me "gazetarin" gjendja  e gëzuar shpirtërore e vajzës  ndikoi
edhe në pamjen e saj të jashtëme të ndryshonte. Kënaqej shumë kur  qendronte para
pasqyrës dhe shihte veten e saj në anën tjetër të pasqyrës; I  dukej vetja më
e shëndetshme. Edhe pa përdorur pudrën dhe kremin, fytyra i dukej  se po i
ndryshonte gjyrë. Ngjyra e limontë e fytyrës i kishte ikur...
 
Kishin kaluar disa ditë që ishte njohur me "gazetarin"; ndjehej e  trishtuar.
I dukej se ai e kishte harruar atë. Ai nuk i kishte dërguar asnjë  zile
telefoni edhe pse ajo ia kishte shkruar numrin e telefonit të saj në fund  të
nënshkrimit në libër. Heshtjes së tij ajo nuk mund t'i përgjigjej me të  njëjtën
heshtje. Filloi t'i dërgonte zile telefoni të shpeshta, duke e joshur me  fjalët
e saja të ëmbla femërore. Nuk kaloi shumë kohë dhe midis tyre u krijua  një
shoqëri, "një miqësi e përhershme", do ta quante ajo, e cila ra shumë në sy 
edhe tek të njohurit e tjerë. Bashkëshortja e burrit nuk e pëlqeu atë shoqëri me
 atë vajzë krijuese. Të drejtën për të dyshuar për bashkëshortin e saj e
kishte  edhe ajo, kur shihte nganjëherë veprimet lozonjare të vajzës, (i kishte
shkuar  disa herë në shtëpi si kolegë) pavarësisht se ata të dy burrë e grua
kishin  shumë vite martesë dhe kishin rritur dhe edukuar tre fëmijë të lumtur, 
megjithëse vajza me zgjuarësinë e saj dinte të sillej kujdeshëm edhe me 
bashkëshorten e tij. Megjithatë dyshimet vinin dhe vallëzonin në mendjen e saj  edhe
pse nuk i shkonte mendja se bashkëshorti i saj mund ta tradhëtonte, por 
mosha 30-të vjeçare e vajzës sikur ia fshikte atë mendim.
 
     Në kafenenë, pronar i së cilës ishte një  bashkatdhetar, disa klientë me
gazetën e komunitetit në duar, bënë që vajza dhe  "gazetari" të ishin qendra
e bisedës.
Në faqen kryesore të gazetës ishte  botuar një shkrim për vajzën krijuese,
shoqëruar edhe me foton e saj, shkruar  nga "gazetari". Gojëkeqët filluan e të
flisnin...
Vajza nuk ua vinte veshin  atyre çfarë mund të flisnin; asaj i interesonte
qellimi i saj.
Si fillim, si  me katapultë, ajo kishte kapur majën e suksesit që e mendonte,
por ai sukses nuk  duhet të ndërpritej, majat e sukseseve duhet të jenë të
njëpasnjëshme. E dehur  nga ai gëzim i papritur dhe shumë i vlerësuar për
vajzën, dalja e fotos së saj  në gazetë dhe një shkrim dedikuar asaj, e bënë atë të
pakontrollueshme në  veprimet e saja me njerëzit, veçanërisht me njerëzit e
letrave.
 
Për çudinë dhe habinë e të gjithë atyre që i njihnin, miqësia e tyre nuk 
vazhdoi gjatë, pësoi një çarrje të fortë, deri në ndarje të  përhershme.
"Gazetari" e kishte kuptuar me kohë, kur ajo, shpesh herë në  komunikimin me
të përdorte ato çfarë ishin brenda asaj çante të vogël të  mistershme. Ato
veprime të saja atij nuk i pëlqenin, madje për karakterin e tij  të pastër mund
të ishin edhe shkaku i një prishje të miqësisë, por ndarja e  vërtetë e tyre
kishte ardhur nga vetë vajza krijuese. Ajo ishte ndjerë e  zhgënjyer me veten
për qellimin e saj. I kishte përdorur kot ato "materialet e  mistershme" të
nxjerra nga çanta e saj e profesionit ndaj atij njeriu që nuk  paska lidhje me
gazetarinë...
"Nuk punoj në gazetë"  - i kishte thënë ai. - Unë shkruaj për komunitetin në
ndihmë të komunitetit  vullnetarisht. Këtë ta kam thënë që në ditën e parë të
njohjes..." 
Vajza kishte shprehur habi dhe zhgënjim, donte të largohej sa më parë  nga ai
njeri, që nuk punonte gazetar në gazetë. Miqësia e tyre u thye njëherë e 
përgjithmonë.
 
Si gjithmonë me çantën e saj të vogël e të mistershme, vajza u nis përsëri 
në udhën e saj kërkimore për të gjetur miq të përhershëm për ta ndihmuar në 
ngritjen e emrit të saj si krijuese. Një ditë u gjend në redaksinë e gazetës së 
komunitetit. Donte të takonte në fillim kryeredaktorin e gazetës; po edhe një
 gazetar i thjeshtë, mjafton të ishte gazetar, punonjës në atë gazetë. Ajo
nuk e  njihte kryeredaktorin. Ai ishte një burrë i gjatë, thatim me flokë të
verdha dhe  pak të rëna. Sytë i kishte pak të dala nga foleja e tyre. Pozicioni i
tij në  punë i kishte dhënë të "drejtën" të ishte serioz dhe autoritar në
detytrën e tij  ndaj kolegëve të tjerë gazetarë. Tregonte një kulturë
profesionale të vjetëruar  e të trashëguar nga atdheu i tij. Për t'i dhënë edhe më tepër
autoritet personit  të vet, shpesh herë mundohej të ishte "korrekt" në detyrën
e tij. Nxehej shpesh  dhe pa shkak me kolegët e tij. Mundohej të gjente
ndonjë shkak të vogël në punë  për t'u folur ashpër dhe me ton të lartë. Ngjyra e
fytyrës i skuqej edhe më  tepër, duke i marrë ngjyrë të trëndafiltë dhe sytë e
tij ngjyrë hiri i merrnin  një zbardhje të theksuar. Prandaj dhe kolegët e tij
të punës mes tyre me njëri  tjetrin e thërrisnin "sy macja"
Paraqitja e tij e jashtëme dhe tryeza e tij e  punës ku ishte vendosur në
anën e djathtë, pas derës hyrëse të sallës së madhe  të redaksisë, vajzës nuk i
dha mundësinë të mendojë se ai do ishte  kryeredaktori. Në sallë ndodheshin
edhe gjashtë punonjës të tjerë të ulur në  tryezat e tyre të  punës. Në tryezën
përballë, rrinte ulur një burrë i  pashëm rreth të 45-ave me flokë e sy të zinj.
Me buzëqeshjen e saj të shtirur  dhe me një mirësjellje për ta pasur zili,
vajza eci drejt tij. "Sigurisht, ky  duhet të jetë kryeredaktori" - mendoi.
Kur kishte hyrë brenda e kishte parë  burrin bjond në anën e djathtë që
rrinte i përqendruar pranë kompjuterit dhe ajo  i kishte hedhur një shikim
shpërfillës, kur ai e kishte pyetur:
U përshëndet  me burrin e pashëm dhe menjëherë filloi të flasë, duke përdorur
materialet e  marra nga ajo çanta misterioze. Mbeti e zhgënjyer, madje u
hidhërua shumë, kur  mësoi se bashkbiseduesi nuk ishte kryeredaktori ai që
dëshironte ajo të  takonte.
Ishte mjeshtre në ndërimin e shprehjes së fytyrës, në ndërimin e 
buzëqeshjeve dhe shprehjeve të fytyrës së saj. Kishte filluar t'i përdorte edhe  më
shpesh, kur dikush i kishte thënë: "Të shkojnë shumë  shakatë..."
Kryeredaktori vazhdonte të lëvizte gishtat e tij në tastierën e  kompjuterit
dhe të shikonte në ekran atë çfarë po shkruante, ndërsa ajo  qendronte në
këmbë, përballë tij.
- Zoti  Kryeredaktor; të më falni për ndërhyrjen dhe shqetësimin në punën
tuaj; edhe  vetë nuk e dëshiroj një gjë të tillë të pengoj njerëzit në punën e
tyre, veç kam  nderin dhe mirësinë, t'ju dhuroj tre nga librat e mi të botuar,
madje ky, është  botimi im i fundit.
Kryeredaktori i hodhi një shikim të shpejtë vjedhurazi  dhe, pa folur vazhdoi
të shkruajë. "E çfarë mund të lexoj unë në ata libra... të  vegjël" - mendoi.
Ato fjalë që i mendoi, pa dashur i shkruajti edhe në  materialin e gazetës në
kompjuter.
Kryeredaktoi u nervozua shumë, madje donte  t'i fliste me ton të ashpër dhe
të lartë, siç e kishte zakon, por u përmbajt.  Nuk e zgjati shumë; për ta hequr
qafe i tha: - leri aty dhe, më falni, por kam  shumë punë tani...
- Ju kuptoj i nderuar zoti  kryeredaktor dhe për këtë j'u kërkojë ndjesë, veç
të lutem... kur të kesh kohë  të lirë mund t'i lexosh dhe besoj se do t'ju
pëlqejnë çfarë është shkruar  brenda.
Kryeredaktori përsëri i hodhi një shikim të shpejtë njërit prej  kapakut të
librave dhe diçka iu kujtua: - Nuk ka shumë kohë që gazeta jonë ka  shkruar për
ju dhe...
- E di zoti kryeredaktor dhe  për atë çfarë keni bërë j'u jam tepër
mirënjohëse dhe j'u falenderoj shumë  gazetën tonë të komunitetit dhe ju personalisht
si kryeredaktor i  saj.
- Faleminderit - iu përgjigj ai me zë të ulët  pa e parë në sy, duke vazhduar
të shkruajë. Ajo e kuptoi mosdëshirën e tij për  bisedë në ato çaste.
U largua nga ai dhe shkoi edhe në tryezat e tjera për  t'i dhuruar gazetarëve
të tjerë libra të saj.
 
Në ditët në vazhdim, për habinë e të gjithëve, u mësua se, midis 
kryeredaktorit dhe vajzës 30-të vjeçare ishte krijuar një miqësi e ngushtë. Edhe  vetë
punonjësit e asaj gazete nuk e mësuan dot "Pse- në" e asaj miqësie aq të 
rrufeshme. Ata dinin vetëm këtë se, në çdo tre-katër numra të gazetës, 
kryeredaktori urdhëronte të botoheshin pjesë të shkëputura nga krijimet e  vajzës.
Edhe një pjesë njerëzish, lexues të gazetës, nuk po i pëlqente kjo që  po
ndodhte me gazetën e komunitetit. Interesimi për të lexuar gazetën po zbehej, 
gjë që ndikoi në rrënien e numrit të shitjeve të saja. Punonjësit e gazetës të 
shqetësuar shumë për këtë që po ndodhte me gazetën, duke parandjerë se 
falimentimi i saj mund t'ë rrezikonte edhe të ardhmen e tyre në punë, kërkuan që 
kjo praktikë të ndërpritej menjëherë. - Po vazhdoi kështu gazeta të mos shitet, 
do mbetemi pa punë... Po na merr më qafë symacja... - pëshpërisnin me njëri 
tjetrin punonjësit.
Kjo praktikë e kryeredaktorit vazhdoi më shumë se gjysëm  viti. Nga rrënia e
shitjes së gazetës, dy punonjës u shkurtuan nga puna. Botuesi  i gazetës u
alarmua për atë katastrofë që e priste gazetën e tij dhe që po  shkonte drejt
humnerës. Për gjendjen e rëndë të krijuar në gazetën e tij botuesi  fajësoi
kryeredaktorin dhe pa u thelluar shumë, e pushoi nga puna.
Lajmi i  largimit të kryeredaktorit nga gazeta u përhap rrufeshëm në mbarë
komunitetin.  Disa pëshpërisnin se, shpesh herë kryeredaktori, përveç punëve të 
tjera...,  merrte edhe para nën dorë nga krijuesit amatorë, vetëm për t'u 
botuar shkrimet e tyre në faqet e gazetës.
Largimi i kryeredaktorit nga  gazeta shqetësoi shumë edhe vajzën krijuese.
Duhej gjetur një situatë e re. Si  vajzë e zgjuar që ishte mendoi të veprojë si
gjithmonë në favorin e saj. Përherë  i vinin në ndihmë ato çfarë ishin brenda
asaj çante misterioze.
Largimi i  kryeredaktorit nga gazeta ndërpreu njëherë e përgjithmonë edhe
miqësinë e tij me  vajzën. Ish kryeredaktori këtë nuk e priste kurrë, për vetë
miqësinë që kishte  krijuar me atë vajzë. Ai i kishte dërguar disa herë zile
telefoni, ndërsa ajo  asnjëherë nuk i ishte përgjigjur. Kishte rastisur disa herë
që ata të dy të  shiheshin dhe të ndodheshin përballë njëri tjetrit në rrugë,
por ish  kryeredaktori tani për vajzën ishte një njeri krejt i panjohur,
madje i  neveritshëm...
 
Valixhet e vajzës të sjella me teshat personale nga atdheu i saj në atë 
qytet gjigand metropolitan u zbrazën, sapo ajo u sistemua në apartamentin për të 
banuar, ndërsa ajo, çanta e vogël e mistershme mbeti përherë e pazbrazur edhe 
pse vajza e përdorte shpesh në biseda dhe njohje të ndryshme në miq dhe 
shokë.
Ajo çantë misterioze ishte pjesë e pandarë e jetës së saj. Nuk mund të 
jetonte dot pa të. Aty brenda ndodhej shpirtushqyesi i saj për të komunikuar me 
njerëzit.
Përsëri vajza u nis në redaksinë e gazetës së komunitetit,  sigurisht, me
çantën e saj misterioze, të takonte gazetarët dhe të njihte  kryeredaktorin e ri.
Vallë, a do kishte atë sukses të madh me kryeredaktorin  e ri të gazetës si
me kryeredaktorin e parë? Këtë ajo nuk e dinte, vetëm  shpresonte, shpresonte
gjithmonë në arritjen e suksesit të saj, përderisa  përdorte ato çfarë
ndodheshin brenda çantës së saj të mistershme: gënjeshtrat,  mashtrimet, hipokrizitë,
ngritjen e lavdisë së emrit të saj si krijuese  letrare.



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •