TY
| Friday, 11.16.2007, 11:33 PM |  

Ty.
Do të të njoh që në momentin e parë që do të të shikoj në fotografi. Oh po, flokët e tua, ndoshta, nuk do të kenë ngjyrën e verdhë që unë gjithmonë kam imagjinuar, ndoshta do të jenë të shkurtër që të nxjerrin në pah vëthë të çmuar. Ndoshta nuk do të kesh veshur rroba sportive e, ndoshta, tipi yt nuk do të jetë ai që unë gjithmonë kam ëndërruar të njoh. Ndoshta.
Por gjithsesi, unë përsëri do të të njoh. Sepse sytë e tu janë të pangatërrueshëm, janë unikë dhe qiejt që ato pasqyrojnë, janë qiej të një bote tjetër, qiej të një bote të qetë, të thellë e të pashkelur ndonjëherë më parë: të një bote aliene. Ndoshta edhe vetë ti je aliene. E nëse jo, bukuria jote po. Të paktën këtë, ma lejo ta pohoj: nuk jam i vetmi që e mendoj kështu.
Prandaj dhe do të të njoh qysh herën e parë që do të të shikoj në fotografi. Sa me fat unë që ti do të bësh atë fotografi! …që do lejosh të ta bëjnë. Ndoshta edhe nuk do kesh mundësi ta ndalosh, a ndoshta do ta zotërosh këtë mundësi për pak kohë, gjithsesi, fati që do të kem, do të mbetet real. Mbas gjithë asaj kohe që do të të kërkoj. Mbas gjithë asaj kohe që do të endem mes njerëzve në kërkim të së vetmes të llojit tënd. Mbas gjithë atyre netëve kur kohën e gjumit do ta shpenzoj duke rrotulluar dhe përpunuar imazhin tënd në mëndjen time.
E di? Do të ta them këtë gjë, kur të të takoj. Po, do të ta thëm. Kur të të njoh në fotografi, kur të kuptoj se më në fund edhe shpirti im do të gjejë qetësi sepse tani ka gjetur atë që ishte duke kërkuar, do të vij dhe do të të takoj.
Natyrisht që do vij të të takoj. Aq më tepër që ti ke kohë që ke hyrë në jetën time. Në fillim si një legjendë, pastaj si një fantazëm dhe tani që do të shfaqesh edhe si reale… jo, nuk mundem t’ia lejoj vetes të të gjej dhe pastaj të të lejoj të më rrësqasësh sërish. Jo pa të thënë ato që dua të të them.
Prandaj dhe do të vij atje ku ti të jetosh….ose atje ku ti të punosh. Po, atje ku të punosh është më mirë. Do të blej një tufë me trëndafila të kuqe. Lule të freskëta, jo plastike. Çfarë budallai! Ndoshta nuk është aspak e nevojshme të theksoj këtë detaj, por ja që edhe tani jam i emocionuar. Thjesht duke menduar se si do të të afrohem dhe do të të prezantohem.
Oh, do e kem të vështirë të them fjalën e parë: asnjëherë nuk jam shquar për komunikim. Por do jenë trëndafilat që do të mbaj në dorën e majtë që do të thonë fjalën e parë. Ti do të buzëqeshësh, do të shikosh lulet dhe do të pyesësh se për kë janë.
E për kë duhet të jenë? Për të vetmen gjë që është në gjendje t’i sfidojë. Dhe pastaj do të t’i zgjas. Do të të them emrin. Do të të them se sa kohë kam që të kërkoj dhe se më në fund të gjeta. Oh, ti do të turbullohesh për një moment, sytë e tu do të transmetojnë një shkëndijë frikësimi, por unë nuk do e lejoj të zgjasë më shumë seç duhet. Do të të them se ti je ajo që unë kam kërkuar gjatë gjithë jetës sime, se ti je fati im më i madh. Dhe atëhere, vetëm atëhere ti do e kuptosh se për çfarë e kam fjalën dhe do të çlirohesh. Do të buzëqeshësh, ndoshta edhe do më kërkosh ndjesë, gjë që unë do ta prapësoj, sepse natyrisht, ti nuk ke përse kërkon ndjesë. Jo mua.
Pastaj do të vendosësh lulet mbi një tavolinë. Do të nxjerrësh prej çantës një paketë të shtypur. Unë do të nxjerr çakmakun dhe do të të ndez cigaren. Do të ndjek me vëmendje çdo lëvizje tënden, do të rrëshqas vështrimin tim mbi format e trupit tënd, pastaj do të përqëndrohem tek buzët e tua të kuqe teksa do nxjerrin jashtë tymin e cigares. E kur të ngre sytë tek sytë e tu, ata do më buzëqeshin dhe do më ftojnë në botën e tyre.
Do të të afrohem. Do të të marr dorën dhe do të ta fshik me një të puthur. Do të të kërkoj të vallëzosh me mua. Ti do të fikësh cigaren e porsandezur dhe do më udhëheqësh në pistë. Do më ngjitesh mbas trupit dhe unë do të ndiej butësinë aq të imagjinuar të gjoksit tënd, aromën aq të ëndërruar të flokëve të tu…
Më në fund, të gjithë ty.
Kur të mbarojë vallëzimi, ti do marrësh çantën tënde, do marrësh edhe lulet dhe do më udhëheqësh jashtë. Por jashtë, në ajërin e pastër të natës, vallëzimin do e udhëheq unë.
Do të të hedh dorën rreth belit. Do të të afroj buzët tek veshi dhe do të të pëshpëris lumturinë time që më në fund të gjeta. E ndërsa ti do të vesh buzën në gaz, unë do vazhdoj të të them se sa shumë të kam kërkuar. Se sa ditë e sa netë të jetës sime kam kaluar në kërkim të ekzistencës tënde. Do të të them se ku të kam kërkuar dhe se si të kam kërkuar. Do të të tregoj gjithçka që kam humbur e gjithçka që kam harruar: për ty. Për të të gjetur.
Dhe vetëm në fund, kur të kemi arritur tek makina jote, do të të them përse. E kur t’a them, ti nuk do të kesh më kohë. As për tu habitur. As për tu trembur. Plumbi do të të ketë shpuar zëmrën tejpërtej dhe retina e syve të tu do të ketë regjistruar imazhin e fytyrës sime të buzëqeshur.
Pak rëndësi ka: trupin tënd nuk do e gjejë dot askush dhe ai imazh do të flejë përgjithmonë. Bashkë me imazhet e tjera.
Të nesërmen, do shkoj të marr edhe pjesën tjetër të honorarit tënd dhe kam përshtypjen se për një farë kohe do të shkoj me pushime. Dhe, oh, jam i sigurtë se kësaj here do të bëj pushimet më të bukura të jetës sime. E, kush e di, ndoshta edhe do të të mendoj në ndonjë moment.
Ty.



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  •  
  •