MËNGJES
| Friday, 11.16.2007, 11:35 PM |  

E para gjë që pa, ishte ora: 8.45.
Mëngjes.
U rrotullua në krevat dhe një rreze drite i puthi ballin.
Oh, ç’mëngjes i bukur!
Pastaj dëgjoi parfumin e mëngjesit të hynte përmes derës gjysmë të hapur. Fërkoi sytë. Shtyu mbulesën.
Vetëm atëherë dëgjoi qetësinë.
Po fëmijët ku ishin? Të kishin ngrënë mëngjes e të kishin dalë?
Kontrolloi orën.
Jo, ishte e pamundur.
Atëherë vazhdonin të flinin.
Akoma edhe më pak e mundur. Të flinin kaq gjatë ditën e parë të pushimeve të tyre verore?
Po si shpjegohej atëherë gjithë ajo qetësi nëpër shtëpi?
As qeni nuk dëgjohej.
Endri mendoi se ishte momenti për ta zbuluar, kështu që u ngrit.

*

«Mirëmëngjes, shpirti!»
Eva ishte ulur në tavolinë me gazetën në dorë.
«Mirëmëngjes!» Endri pa rreth e rrotull. Pastaj: «Ku kanë shkuar fëmijët?» pyeti.
«Jashtë», u përgjigj Eva. «Janë duke përgatitur gjërat.»
«Cilat gjëra?»
Eva la gazetën. «E di? Marko i ka ftuar të shkojnë me të për peshk, sot. Janë në qiellin e shtatë, mezi po presin që t’i çosh.
Endri u ul në tavolinë dhe mbushi filxhanin e tij me kafe të nxehtë. «E çfarë u thotë se do t’i çoj?»
«Epo tani, janë me pushime, apo jo? Pastaj…» (Eva iu afrua dhe i vuri njërën dorë rreth qafës) «…mos më thuaj se të vjen keq, apo e kam gabim?»
«Mmm, kjo do të thotë se do të mbetemi pak vetëm, ëh?»
«Mmm…»
«Ika.»
Por në të vërtetë, Endri shkoi vetëm mbasi hëngri mëngjes e lexoi pak futboll. Marko banonte në anën tjetër të liqenit dhe në më pak se njëzet minuta, ai, ishte atje. U ndal vetëm pak, sa për të përshëndetur kunatin e tij dhe mbasi u këshilloi fëmijëve të silleshin mirë, u kthye tek gruaja.
E cila, natyrisht, e priste në dhomën e gjumit.
Dy orë më vonë, telefoni tringëlloi.
Dhe bota u shemb.
Thanë se kishte qënë një aksident. Që – me sa dukej – fëmija kishte zënë një peshk shumë të madh dhe i ishte afruar ujit më shumë seç duhej. Pastaj kishte rënë.
Por Endrit nuk i besohej.
Askujt nuk i besohej.
Eva vazhdonte të bërtiste e të shkulte flokët, por nuk i besohej.
E as Markos, meqë ra fjala.
Derisa zhytësit sollën në sipërfaqe trupin e Edit.
Kunati i tij u kthye mënjanë dhe volli.
Evës i ra të fikët.
Endri mbylli sytë dhe bërtiti.
Pastaj i hapi dhe u gjend në krevat.
Në krevatin e tij.
Në krevatin e tij të madh e të bukur.
E të ftohtë.
Eva ishte ngritur. Prej derës gjysmë të hapur të dhomës hynte aroma e mëngjesit të përgatitur prej saj.
Endri priti. Me frymën pezull priti të dëgjonte hapa në afrim. Por e vetmja gjë që arriti të dëgjonte ishte volumi i radios.
Atëherë filloi të qeshte.
Të qeshte me zë të ulët.
Makthi kishte mbaruar. E nuk kishte bërtitur.
Apo nuk do të kishte qenë për të qeshur.
Kështu që u ngrit, shkoi në banjë dhe pastaj në kuzhinë.
Vetëm atëherë vuri re qetësinë e ekzagjeruar.
«Mirëmëngjes, shpirt», e përshëndeti Eva përtej gazetës.
«Ku janë fëmijët?… flenë?»
«Posi ore, po tallesh? Pikërisht sot që është dita e parë e pushimeve?! Jo, janë jashtë bashkë me Xhesin. E di? Është që prej gjysmë ore që duan të të zgjojnë.»
«Ashtu?» Endri mbushi filxhanin me kafe. «E ç’ne kështu?»
Eva la gazetën dhe iu afrua. «E di çfarë shpirt?… sot ka një surprizë të bukur», i tha pastaj duke i përkëdhelur flokët. «Sot do të jemi vetëm për pak kohë.»
Papritur, zemra e Endrit shtoi të rrahurat. Kërkoi të thoshte diçka, por gjuha iu ngjit mbas qiellzës.
«E di?», vazhdoi Eva. «Marko telefonoi dhe tha nëse fëmijët kanë dëshirë të shkojnë me të të peshkojnë. Pikërisht ditën e parë të pushimeve, e imagjinon dot? Janë shumë të lumtur e mezi po presin që ti t’i… ej, Endri, çfarë ke mo?
(Çfarë kishte?)
«Endri, shpirt. Po dridhesh si…»
«Jo», ia priti Endri, duke rrëzuar kafenë e tij.
«Por, i dashur…»
«Jo, thashë. Pikë. Nuk do t’i çoj asgjëkund.»
«Por…»
«Nuk do venë.»
Endri tani bërtiste dhe Eva dukej disi e trembur. Por ai kishte pasur vizionin e tij dhe nuk kishte ndër mend të çonte fëmijët të peshkonin për të bërë që një prej tyre të vdiste. Mendoi t’i tregonte gjithçka gruas së tij, por ishte i sigurt se ajo nuk do të kuptonte, kështu që u kap mbas prerogativës së tij për të vendosur më të mirën për fëmijët e tij dhe mbylli aty diskutimin.
Natyrisht fëmijët protestuan, përndryshe çfarë fëmijësh do të ishin? Por në fund u dorëzuan dhe dolën në kopsht, duke u mjaftuar së luajturi me Xhesin.

*

E kështu, me tragjedinë e evituar, Endri, mund t’u kthehej qetësisht punëve të tij. Prej disa kohësh kishte pasur ndër mend të sistemonte pak kantinën ku ishin grumbulluar jo pak mbeturina.
E ishte pikërisht në momentin që ai do të merrte shkallët për në kantinë, frenat e një makine çanë ajrin porsi ulërima e një kafshe të egër që hidhej në sulm e menjëherë mbas saj, diçka që përplaset me diçka e pastaj zhurma e dërrasës teksa copëtohet në qindra cifla të vogla.
Ulërima.
Dy.
Njëra e ndryshme prej tjetrës.
Që të dyja dalë prej gojësh të vogla.
E një qen nisi të lehte.
Pastaj, një ulërimë brenda shtëpisë.
Eva.
Endri u lëshua mbas gjurmës së gruas.
Jashtë, ishte fundi i botës.
Përsëri.
(Si në ëndërr.)
Një makinë. Një makinë blu. Ndoshta një Ford. Motori akoma ndezur. Një kokë e  mbështetur në mes të timonit. Flokë të zinj.
Të zinj, porsi vdekja.
Pak më tutje, Xhesi lehte me të madhe. Pranë qenit: Edi. Duart e mbledhura grusht përpara gjoksit. Sytë e zmadhuar prej tmerrit. Goja i hapej e pastaj i mbyllej si një peshk në akuarium. Shikonte përpara tij.
Makinën.
Trupin e vogël të Denisit.
Eva gërthiti: diçka që duhej të ishte emri i djalit të shtrirë përdhè.
Endri, thjesht humbi ndjenjat.
Dhe u zgjua.
Në krevatin e tij.
Në krevatin e tij të bukur e të madh.
Në një moment të parë kujtoi se mos ishte ende duke fjetur dhe vazhdonte të ëndërronte. Pa nga e majta e tij, orën: 8.45. Dera e dhomës ishte e mbyllur.
Mbajti vesh.
Zërat e fëmijëve ishin plotësisht të deshifrueshëm: Denisi që donte brioshin e tij me krem dhe Edi që i kishte ngrënë të gjithë ata më krem; pastaj Eva që mundohej t’i heshtte sepse babushi flinte dhe Xhesi që lehte mbas çdo fjale të Evës, si për të treguar se cilën anë mbante.
Eh, po. Ishte zgjuar.
Nuk kishte më as të voglin dyshim.

*

«Ja, shikoni?… e zgjuat.» U tha Eva fëmijëve, porsa Endri kaloi pragun e derës.
«Mirëmëngjes të gjithëve.»
«O ba, o ba, tani që mbaroi shkolla, do të ma blesh biçikletën? Ma ke premtuar.»
«E pabesueshme», ia bëri Edi, ndërsa Endri zinte vendin e tij në tavolinë. «Nuk ka mundësi që edhe ta ndërrosh ndonjëherë përshëndetjen e mëngjesit?» Pastaj u kthye nga Endri. «Mirëmëngjes, babush. Hë, si fjete? Mos të zgjuam gjë? Nëse po, mua personalisht më vjen shumë keq.»
Oh, po. Ishte zgjuar me të vërtetë. Endri pa Evën që pranë lavamanit qeshte me fjalët e Edit.
«Hë, Edi, nxirre.» Tha Endri. «Çfarë do sot?»
Pa u menduar gjatë, Edi i tha: «A mund të shkoj në kinema sot pasdite me Kleidin? Të lutem, të lutem…»
«Të thashë njëherë që jo», e ndërpreu Eva. Pastaj iu kthye Endrit. «Me Kleidin, për të parë ato shpifësirat e horrorit. Vetëm 13 vjeç, këta!»
«Por, sot do japin ‘Kapësin e ëndrrave’ të Stephen King», u qa Edi. «Të lutem, o ba!.»
«Mirë, mirë, mund të shkosh», tha Endri.
«Urraaa…»
«Por, Endri. Si…»
«E lëre të shkojë. Në se i pëlqejnë ata lloj filmash, nuk ke se çfarë t’i bësh.»
«Por është akoma një fëmijë…»
«Eja këtu», tha Endri qetësisht. «Dhe meqë jemi tek horrori. Sot kam parë një makth, që ç’të të them. Me të vërtetë shumë i frikshëm.»
«Uuh, me të vërtetë?»
«Do na e tregosh?»
«Je mirë, shpirt?»
«Sigurisht që jam mirë. Dëgjoni: ëndërrova… ëndërrova sikur ëndërroja një ëndërr të keqe. Pastaj u zgjova, por në realitet vazhdoja të ëndërroja, keni parasysh?»
«Ehm, unë jo», tha Denisi.
«Më duket se babushi është akoma duke fjetur», shtoi Edi.
Eva u mat të thoshte diçka, por zilja e telefonit e ndaloi.
Shkoi të përgjigjej.
«Alo? Oh, po…ëhë, po, këtu... zgjuar janë, zgjuar, si asnjëherë tjetër…si?… ëhë… po, ja tani sa u zgjua edhe ai. Hë, fol… ëhë… vërtet?!… me të vërtetë e ke?….po, po… ja dale një sekondë sa t’ua them. Ej, fëmijë. Daja Marko ju pyet nëse keni dëshirë të shkoni për peshk me të… natyrisht në qoftë se babai juaj është dakord e nuk…»
Por babi i tyre kishte filluar të ulërinte.
E të ulërinte përsëri.
Pastaj, pa rreth e rrotull dhe priti të zgjohej.
Vetëm se ajo nuk ishte më një ëndërr.



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:
  • TY  (11.16.2007)



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •