ASFALT
| Friday, 11.16.2007, 11:37 PM |  

U desh të kalonin diçka si pesë e më shumë minuta që njëri prej nesh të mund të tregonte se pavarësisht nga ajo që kishim përpara syve, ishim Njerëz dhe si rrjedhim, në gjendje të shqiptonim Fjalë. E them këtë, sepse që kur morëm veten prej goditjes dhe pamë jashtë e deri atë moment, dukej se e kishim harruar.
Ishte Sandersi ai që e bëri. «Qënkërka fantastike!» tha.
Në krah të tij, Rusi shtoi: «E vështirë të besohet, por edhe unë jam dakort me ty.»
Kurse unë dëshirova të dija diçka, ndaj dhe: «Ku të jemi vallë?» pyeta.
Kaloi një çast jo dhe aq i shkurtër përpara se Rusi të ulte sytë prej xhamit e të merrej me Lindën. Linda ishte kompjuteri qëndror dhe ishte i programuar në Moskë dhe Rusi ishte i vetmi që mund ta përdorte ashtu siç duhej. Sa për këtë të fundit emri i tij i vërtetë ishte Ivan Krishtov por si unë, ashtu edhe amerikani Greg Sanders e thërrisnim thjesht Rusi, duke u mbështetur tek Roki Balboa, një film i dy shekujve të mëparshëm.
«Ej, më duket se Linda nuk është mirë», tha Rusi.
«Jepi ndonjë Rayner», ia priti Sanders.
Rusi diç tha në gjuhën e vet dhe vazhdoi të merrej me trupin e Lindës: nëse në vitet e para të Ekspeditës pothuajse kacafytej me Gregun, tashmë, mbas 50 e kusur vjetëve, nuk e vinte më ujin në zjarr, siç thoshin dikur të parët tanë.
«Sidoqoftë, duhet të jemi diku andej nga Sterps-13.»
Rusi ngrit kokën nga unë. «Ashtu mendoj edhe unë.»
«Ishim në Rrugën e Derionit kur na qëlluan, apo jo?»
«Da. Dhe filluam të binim me një kënd 60° . Po të mbajmë parasysh këtë vektor, them se duhet të jemi diku në Sterps-13»
Pastaj Rusi zgurdulloi sytë.
«Nuk ka mundësi», u mundova ta qetësoja. «Me siguri jemi përtej. Sanders?»
«Oh, mos më pyet mua, El. E vetmja gjë që di unë se kjo është pa dyshim superstrada më mahnitëse që kam parë ndonjëherë… nëqoftëse mund të quhet e tillë.»
Dhe kishte të drejtë. Një pafundësi urash dhe harqesh, një infinit kryqëzimesh shtriheshin deri në fund të horizontit. Ishte pa dyshim mahnitëse, por në të njëjtën kohë kishte edhe diçka tjetër. Diçka që të vriste sytë, që të bënte të ngrysje vetullat e të krijoje ato rrudhat e vogla mbi hundë; diçka e cila nuk mund të shpjegohej aq kollaj, por diçka që ishte, ekzistonte, porsi qetësia që pllakos luginën në të cilën është fshehur leopardi në pritje të gjahut të tij. Sigurisht, mund edhe të ishte absurde të mendoje një gjë të atillë ende pa dalë prej anijes, ende pa shijuar atmosferën e atij planeti të panjohur, por nga ana tjetër, ne kishim mëse gjysëm ore që ishim përplasur në atë sipërfaqe (e me ç’shihej jashtë, me shumë mundësi kishim rënë pikërisht mbi ndonjë prej super-rrugëve) dhe ende asnjë shenjë e gjallë. Askush të vinte të kontrollonte, asgjë të pushtonte pamjen tonë vizive. Të ishte planet i shkretë?… i pabanuar? Po atëhere përse gjithë ajo infrastrukturë rrugësh? Për të mos menduar pastaj se ekzistonte edhe një mundësi që të ishim në sistemin Sterps-13…
«Unë do dal jashtë», lajmëroi Greg Sanders.
Rusi i bllokoi rrugën. «Çfarë dreqin thua ore? Duhet të rregullojmë Lindën, nuk mund të dalësh.»
«Në të vërtetë do dal», ia ktheu Sanders. «Me Lindën merru vetë. Është apo s’është dashnorja jote?»
«Rusi ka të drejtë, Sanders. Pastaj nuk mund të dalësh pa marrë vesh se me çfarë atmosfere kemi të bëjmë.»
«Është e mirë, El, mjafton të shikosh qiellin. Është si në SkajPet, ndoshta edhe më e mirë. Sa për Lindën kot humbasim kohë. Kemi dhënë alarmin. S’do kalojë shumë dhe do vijnë të na marrin. Deri atëhere përse të mos pushojmë pak?»
«Po sikur alarmi të mos ketë mbërritur gjer në bazë?»
Greg Sanders ngiti duart në ajër. «Asnjë nuk do ta ndjejë mungesën tënde në Mëmë Rusinë, të jesh i sigurtë», tha dhe pastaj doli jashtë.
Unë dhe Rusi mbajtëm vesh, nuk dëgjuam asnjë të bërtitur, kështu që filluam të merreshim me Lindën.

Nuk ishim në Sterps-13. Në atë sistem, janë vetëm tre planete dhe në secilin prej tyre dita zgjat vetëm një orë në hemisferën e Veriut dhe një e gjysëm në atë të Jugut dhe perëndimi i diellit shoqërohet me shi, kurse nata me një temperaturë që sipas studimeve tona arrinte gjer në –200° që do të thoshte se për ne do të kishte qënë e pamundur ta kalonim gjallë, aq më tepër që nata në ato planete zgjaste sa tre 24orësha tokësorë. Ne, duke iu referuar orëve që kishim në puls, kishim disa orë që ishim aty dhe vazhdonte të ishte ditë. Ky ishte një lehtësim mjaft i madh për ne, duke qënë se nuk mund të lëviznim dot. Gjatë mbasdites Linda tregoi përfundimisht se nuk kishte më asgjë që mund të bëhej për të dhe pa Lindën nuk kishte as ngrohje, as mundësi izolimi, as mundësi ushqimi, asgjë. E vetmja gjë që na mbetej ishin shiringat me kripëra minerale. 63 copë gjithsej, nga tre në ditë për secilin: vetëm shtatë ditë jetë dhe këtu bëhet fjalë për ditë tokësore, ndërkohë që nuk e kishim aspak idenë se si ishin kombinuar dita dhe nata në atë planet.
Rusi nuk doli fare jashtë. Pasi u bind për humbjen përfundimtare të Lindës dhe – siç thashë – u nda prej saj në mënyrën e tij, u ul në gypin e tij dhe ashtu qëndroi deri të nesërmen në mëngjez.
Kurse unë dola të shikoja vetëm një herë. Tek dera e anijes. Qëndrova aty vetëm pak minuta dhe ajo ndjenja që më kishte përshkuar orë më parë teksa i vështroja ato rrugë nga përtej xhamit, ato momente, u bë akoma edhe më i fortë. Në rradhë të parë duhet thënë se kisha pasur të drejtë kur kisha marrë me mend se mund të kishim rënë mbi një rrugë: në të vërtetë m’u në mes të një rruge, ku një pjesë e mirë e kokës së anijes ishte ngulur në asfalt. Dera kishte mbetur disa metra në ajër dhe duhej të hidheshe për të arritur në tokë… në asfalt, për të qënë më të saktë.
Por unë as që e bëra një gjë të tillë. E zeza e thellë e asfaltit ishte gjithçka tjetër vetëm jo mikpritëse. Dhe vijat e bardha që zgjateshin në anë të secilit krah u ngjasonin më tepër dy gjarpërinjve të stërmëdhenj gati të të rrotulloheshin rreth këmbve porsa ti t’i vije ato mbi asfalt, ndëkohë që vija që normalisht duhej të ishte në mes nuk ishte. Jo, ato pak minuta që kalova tek dera e anijes mendova të qëndroja aty ku isha. Të ulesha në vendin tim e të merresha me diçka, çfarëdo lloj diçkaje që të mund të më bënte të harroja se ishim qëlluar nga një anije e panjohur dhe kishim rënë në një planet që nuk e dinim se ku ishte, në të cilin kishte vetëm rrugë, rrugë të asfaltuara nga njëri skaj në tjetrin dhe asgjë tjetër. Amerikanin nuk e pashë. Me siguri kishte dalë në anën tjetër të anijes, por pak më interesonte ato çaste. Çfarë më interesonte ato çaste ishte që mesazhi i lëshuar në momentin e goditjes të kishte arritur në Bazë me shpresën që atje pastaj të na kenë vrojtuar mirë deri në çastin e përplasjes.
Kështu që hyra brenda dhe u ula në vendin tim. Ishte ende shpejt për të shkuar në krevatin e qeltë dhe për herë të parë ndieva nevojën të merrja diçka, por duka parë rrethanat që na parashtroheshin, vendosa të duroja edhe pak.
Greg Sanders qëndroi jashtë deri në kohën kur filloi perëndimi. Kur erdhi brenda, dukej i lodhur dhe qepallat e syve i kishte pothuajse të mbyllur. «Është me të vërtetë madhështore, El», ishte e vetmja gjë që më dhe pastaj hyri në krevatin e tij të qeltë.
As sytë nuk i hodhi kapsulës dhe pistoletës që i kisha lënë në tavolinën e tij.

Të nesërmen erdhi ndryshimi i parë.
Në mëngjez, u zgjova shumë herët. Nga një zhurmë. Në momentin e parë që hapa sytë pashë krevatin e qeltë të Rusit dhe atë të mbledhur kruspull brenda tij. Pak më tutje, në tavolinën e tij ishte pistoleta e verdhë dhe mbështjellësja e një kapsule. U ktheva nga ana tjetër: këndi i Sandersit më ofronte të njëjtën pamje. Pastaj e dëgjova përsëri. Ishte diçka si një gërryerje, si një fërkim, si një zvarritje e njëkohësisht ishte si një melodi, një melodi e cila vinte nga shumë larg dhe nga… shumë anë. Por nuk ishte edhe aq e pastër. Jo, ishte diçka si… si e përzier. Ishte sikur të dëgjoje të njëjtën muzikë nga disa radio të ndryshme njëkohësisht, por që çdonjëra prej të cilëve transmetonte pjesë të ndryshmë të saj.
U ngrita prej krevatit dhe në të njëjtin moment që këmbët e mia prekën dyshemenë e ftohtë të anijes, zhurma pushoi. Do të doja të kisha marrë ndonjë prej armëve në dhomën e Zezë, por pa Lindën as që bëhej fjalë të kishe akses, e kjo, jo vetëm për atë dhomë. Jashtë, horizonti kishte marrë ngjyrën e purpurt të agimit të atij planeti të panjohur. Iu afrova dritares dhe pashë jashtë.
Asfalt, asfalt dhe vetëm asfalt.
Për një çast m’u duk se rrugët ishin shtuar në krahasim me ditën e mëparëshme, por pastaj e kuptova se bëhej fjalë vetëm për një fryt të tensionit tim. Çfarë ishte ajo dreq zhurme që dëgjova? Mendova të zgjoja të tjerët, por ndryshova mendje. Për herë të parë që pasi kishim lënë Orionin, mendova për Kapitenin dhe për vdekjen e tij. Kush e di?… po të mos i ishim bindur urdhërit të tij e të ishim kthyer për ta marrë, ndoshta nuk do të ishim këtu tani, ose po të ishim, ai, me siguri që do të kishte ditur si t’i dilte zot situatës.
E cilës situatë?
Zhurma nuk u dëgjua më. Qëndrova aty në dritare për gati pesë minuta dhe përveç frymëmarrjes sime nuk dëgjova asgjë tjetër, kështu që u ktheva në krevatin tim.
Kur u zgjova sërish, diku andej nga mesdita, isha i uritur dhe për më tepër kisha etje. Në tavolinat e bashkëudhëtarëve të mi, mbështjellëset e kapsulave ishin bërë dy dhe unë nuk kisha aspak ndër mend të qëndroja mbrapa tyre.
Mbasi lashë që mineralet të fillonin efektin e tyre vendosa të dilja jashtë. Kësaj here nuk doja të kufizohesha duke parë prej lart.
«Oh, shyqyr që u ngrite», ia pritu Rusi, porsa dëgjoi kërcitjen e çizmeve të mia në mbi asfalt.
«Ku është Sanders?»
«Sanders? Oh, Sanders… beh, me trup aty e ke, në mes të rrugës.»
Vura buzën në gaz.
«Oh, oh, unë gjithmonë kam pasë menduar se ai vjen pak si i trashë, por tani e kuptoj se paskërkam gabuar. Ai është i lajthitur. Komplet. Kokë e këmbë.»
Rusi më kapi prej krahu dhe më udhëhoqi anës anijes. Pastaj më tregoi me gisht dhe unë pushova së buzëqeshuri.
Greg Sanders qëndronte shtrirë mbi asfaltin e zi. Ishte i tëri lakuriq, rrobat i kishte hequr dhe i kishte hedhur disa metra larg kokës së tij.
«Përse nuk më ngrite më parë?» pyeta Rusin.
«Për të bërë çfarë? Dëgjo El, unë të këshilloj të mos i afrohesh se është bërë i tërbuar fare. Mua për pak sa nuk më kafshoi kur tentova ta lëvizja që aty.»
E pashë Rusin me ngulm në kërkim të ndonjë shenje që të më tregonte se ose po gënjente, ose po e ekzagjëronte, por e vetmja gjë pashë ishte shqetësim e, ndoshta, edhe pak frikë.
«Ej, Sanders.»
Greg Sanders ngriti kokën dhe e ktheu nga unë, duke vënë njërën dorë mbi sy. «Heeej El, shyqyr që u zgjove. Ma mba pak larg atë pallën e rusit.»
«Çfarë je duke bërë Sanders?»
«Oh El, eja ta shohësh. Eja ta shohësh se sa fantastike është.» Dhe mori përsëri pozicionin e mëparshëm.
Iu afrova disa hapa. «Për çfarë e ke fjalën, or mik?»
Sandresi qeshi me të madhe. Kur mbaroi, qëlloi asfaltin me të dyja duart dhe tha: «Ky, El, ky. Hajde këtu me mua dhe dëgjoje se sa i mrekullueshëm është. Do shohësh se do të të pëlqejë.»
«Të thashë? Të thashë që ka lajthitur fare.»
Greg Sanders ngriti sërish kokën prej asfaltit dhe më shkeli syrin. «Të tha El, të tha që kam lajthitur fare.» Pastaj qeshi me sa kishte fuqi në kokë.
«Përse nuk ngrihesh tani, Sanders, e të vish brenda?»
«Jo El, dua të rri këtu. Deri sa të vijnë të na marrin, dua të rri këtu, të kënaqem sa më shumë të jetë e mundur këtu.»
Ky ishte, pa dyshim një absurditet, por nga ana tjetër s’kishte pse të më interesonte ajo që bënte Sandersi? Le të rrinte sa të donte. Ishte ende herët, por kur të kalonte edhe pak kohë, dielli do të bëhej më i nxehtë dhe do të shihnim pastaj unë e Rusi se sa trim do të ishte ai të rrinte ashtu.
«Çfarë ke ndër mend të bësh?» Më pyeti Rusi kur pa që unë i ktheva kurrizin Sandersit.
«Të shkoj brenda», ia ktheva shkurt.
Më kishte filluar një dhimje koke. Nuk e kisha identifikuar menjëherë, por me të hyrë në anije e ndieva. Ndihesha pak i nxehtë, ndoshta prej asaj që Sanders ishte duke bërë, ndoshta sepse sado që mundohesha ta mbaja të fshehtë, isha shumë i shqetësuar rreth faktit të ndihmës që prisnim të na vinte, por më vonë, do të zbuloja se ndoshta arsye e vërtetë ishte gjetkë. Gjithsesi, piva një Rayner dhe në pak minuta dhimbja kaloi.
Disa orë më vonë Rusi hyri brenda. E kishte zakon të rregullonte krevatin e tij në drekë dhe kurrë në mëngjez kur porsa ngrhej. Ndërsa paloste mbulesat, shante Sandersin. Vazhdonte të ishte i nxehur keq me të. Edhe kur kishte qënë jashtë, më shumë se një herë e kisha dëgjuar të adresonte fjalë jo miqësore ndaj tij. Sandersit nuk ia kisha dëgjuar zërin, ndoshta sepse ishte nga ana tjetër e derës dhe zëri i tij nuk arrinte gjer aty lart, a ndoshta thjesht sepse nuk ia kishte kthyer.
«Ai ka për të vdekur, në qoftë se vazhdon kështu», tha Rusi, ndërsa përgatiste kapsulën e tij të tretë. «Nuk e di se ç’e ka gjetur me atë asfaltin, por di se ai po ia merr shpirtin.»
E pashë Rusin me dyshim dhe në çast një zë brenda vetes më tha se ai kishte plotësisht të drejtë. Pastaj më erdhi në mendje zhurma që kisha dëgjuar atë mëngjez.
«Ej, Rus, kë dëgjuar gjë sot në mëngjez?»
«Do të thuash përveç atij idiotit që u ngrit dhe shkoi të masturbohej poshtë në asfalt? Jo.» Rusi karikoi pistoletën e tij.
«Çfarë? Çfarë bëri Sandersi?»
«Pse nuk e dëgjove ti?» Rusi mëshoi tytën e pistoletës në kah dhe tërhoqi këmbëzën: ptuf! Dhe për Rusin, një ditë më pak ushqime. «Është zgjuar që në pikë të mëngjezit, ka vrapuar si i marrë dhe ka zbritur poshtë.»
Por unë nuk besoja se Greg Sandres të mbante mend se si masturbohej një njeri.
Ndryshe mendonte Rusi. Ai e kishte dëgjuar të lëvizte dhe të bërtiste njëkohësisht.
«Yeah! Oh, yeah… oh yeah!… Ta shpifte fare. Po të mos kishte ndaluar në momentin që u ngrita unë, sinqerisht do ta kisha dëmtuar. Pastaj shkoi e u shtri në mes të rrugës.»
No comment.
Më vonë, në orët e mbasdites dola sërish jashtë bashkë e Rusin. Sandersi vazhdonte të ishte shtrirë lakuriq në mes të asfaltit, vetëm se tani kishte shkuar e ishte shtrirë në një rrugë tjetër. E thirrëm disa herë të ngrihej e të vinte brenda, por kësaj here nuk na ktheu as edhe një fjalë të vetme. Rusi e shau dhe deklaroi se s’kishte ndër mend të merej më me të, kurse unë as e shava e as bëra një deklaratë të atillë.
Vonë në dakë, Sandersi erdhi brenda. Nuk e kishte marrë mundimin të vishej. Lëkura i ishte skuqur porsi prush por dukej se ai as që e vinte re. Eci i qetë, as edhe një rënkim të vetëm, madje dukes sikur nuk merte frymë fare. Konsumoi me shpejtësi tre kapsula dhe pastaj ra në shtratin e tij.

Dita e tretë ishte po aq monotone sa dhe e para. Sandersi zuri vendin e tij në një prej rrugëve të shtruara me asfalt të zi, kurse Rusi rrinte pranë anijes dhe herë pas here grindej me të. Sandersi nuk
ia kthente. Atëhere Rusi më bërtiste mua dhe më thoshte se Sanders ka vdekur, ose shumë shpejt do të vdesë.
Unë dola vetëm dy herë jashtë dhe që të dyja herët hyra brenda me dhimbja koke. Atëhere e kuptova se atë dhimbje koke ma sillte asfalti, pamja e tij e zymtë, shtrirja aq e gjatë, aq e pafundme e tij, porsi gjuhë vdekjesh gati të të mbështillnin e të të dërgonin drejt e në gojën e Ferrit… në qoftë se Ferri do të egzistonte. Vendosa të mos dilja më jashtë. E shumta mund të hidhja ndonjë sy të shpejtë nga dritarja, por jo të dilja jashtë. Do të prisja aty derisa të na vinte ndihma… sepse ndihma do të vinte, unë isha i bindur… isha i bindur se kisha shumë shpresa. Sido të ndodhte, unë do të rrija aty në kutinë time prej qelqi e nuk do të dilja më të shikoja asfaltin e zi. Por të nesërmen Rusi nuk do e kalonte natën në anije dhe unë do detyrohesha të ndryshoja vendim.

Kripërat minerale që injektoja rregullisht çdo gjashtë orë nuk ishin gjithsesi njëlloj me pjatën e frutave të pjekura me mikrovalë, apo me ujin e diamantit. Organizmi kishte nevojë të hante; tashmë e kishte kuptar se çfarë po merrte përmes krahut ishte vetëm një mënyrë mbijetese dhe nuk ankohej, por as të lejonte t’i kërkoje më shumë nga ç’duhej ama.
Ditën e pestë ndihesha i këputur sikur të kisha bërë punë krahu gjithë natën. Mu deshën disa sekonda të mira për tu kthyer nga njëra anë në tjetrën dhe në çdo lëvizje të vogël, gjymtyrët protestonin.
Dhoma ishte pushtuar nga një heshtje abolute. Jo se herët e tjera gumëzhinte, apo bëhej aheng, por gjithsesi prezenca e të tjerëve i jepte një farë ngjyre… nuk e di, ndoshta ajo lëvizja  lehtë e kraharorit tek ngihej e ulej që bënte mbulesat plastike të fëshfërisnin porsi gjethet e pemëve nga flladi mëngjezor… gjë që atë mëngjez mungonte. Mendova se mos kishin dalë herët, Sandersi për t’u shtrirë në asfaltin e zi dhe Rusi për t’u grricur ca me të: aq sa të ishte e nevojshme për të shtyrë ditën e për të mbajtur mendjen larg ndihmës e cila gjëkundi se dukej. Por nëse mbulesat tek krevati i Sandersit ishin bërë shuk në fund të tij, ato të Rusit ishin të rregulluara mirë e bukur. Nuk kishte dyshim për mua që Rusi nuk ishte kthyer në anije atë natë, por shumë në dyshim ishte arsyeja përse.
Më përtesë të madhe (mos harroni që kisha vendosur të mos dilja më jashtë anijes) u ngrita, vesha tutën time dhe dola jashtë.
Sa për Sandersin, nuk isha gabuar aspak: ai qëndronte shtrirë në mes të asfaltit, gjithnjë lakuriq. Rrobat që ai i mbante hedhur disa metra larg kokës nuk ishin më dhe mendova se mos i kishte lënë brenda. Por pastaj pashë Rusin dhe s’mendova më për atë gjë.
Rusi qëndronte rreth pesëdhjetë metra përpara Sandersit: shtrirë mbi asfalt.
Papritur një gur i madh ra në stomak dhe në të nëjtin moment, thashë se koka m’u ça në dysh. Rusi kishte ardhur në atë mision vetëm sepse ishte i vetmi në gjendje të manovronte me Lindën dhe më vonë kishte dalë një gjeni jo vetëm në atë gjë. Për më tepër, doli të ishte i vetmi në gjendje të ruante gjakftohtësinë dhe arsyen në çfarëdo lloj situate, mjafton t’ju kujtoj këtu se çfarë bëri gjatë sulmit të Treksianëve.
Asfalti! Nuk kishte se çfarë të ishte tjetër përveç se asfaltit. Më erdhi për të vjellë, por në ato kushte që isha nuk mund t’ia lejoja stomakut të humbte lëngje, kështu që nxitova të numëroja mbrapsht derisa ajo ndjenjë kaloi.
«Ej, Sanders», thirra me aq sa kisha fuqi.
Sandersi nuk m’u përgjigj, madje nuk lëvizi as edhe një qerpik të vetëm.
Eca ngadalë drejt tij. Nën këmbët e mia, asfalti i zi ishte i butë porsi rëra buzë detit e me siguri, shkaktar ishte dielli. Po Sandersi që ishte lakuriq… që kishte ditë që rrinte lakuriq mbi atë asfalt? Në kushtet e aasj lloj nxehtësie njëri do të ishte djegur e do të ishte bërë shkrumb. Por çuditërisht, Greg Sanders jo.
«Sanders?»
Tashmë qëndroja vetëm dy hapa larg tij dhe për herë të parë vura re se sa ishte dobësuar. Arrija t’i numëroja kockat një e nga një dhe arrija të shikoja edhe damarët porsi gjarpërinj uji. Nuk ishin blu, ashtu siç i kisha parë në trupërat e atyre që nxirrnim prej luftërave, por ishin të zinj… të zinj porsi asfalti dhe trupi m’u përshkua nga një valë mornicash të ftohta nga ai mendim.
«Sanders?» Këmbngula edhe pse e dija se nuk do të më kthente përgjigje dhe kur e vërtetova këtë gjë, iu drejtova Rusit.
Atij nuk arrita t’i flisja. Porsa më ndjeu se po afrohesha, u ngrit në bythë dhe vuri gishtin përpara buzëve. «Shëët, El. Mos bëj zhurmë.»
Iu afrova.
Rusi u ul në gjunjë dhe më tërhoqi prej krahu. «El, eja. Dëgjo. Dëgjon?»
«Ku ke fjetur sot, Rus?»
«Shiko El, shiko. Shikon gjë?»
«Rus…»
«Lëviz, El. Lëviz, e di? Gjithçka lëviz. Dëgjo.» Dhe Rusi uli kokën në asfal dhe vuri veshin mbi asfalt. Pastaj, mbas disa sekondash e ngriti përsëri. «Lëviz», tha. « Eja vër veshin.»
Sytë e Rusit ishin zmadhuar. Mund të tingëllojë e çuditëshme por ja që nuk arrij të gjej dot një fjalë tjetër. Ishin zmadhuar: një pjesë e tyre kishte dalë përpara porsi aytë e atyre kukullave prej lecke me të cilat luanin fëmijët shekuj më parë. E bardha e tyre nuk ishte më e bardhë, por e kuqe porsi gjaku dhe në mes të tyre lundronin dy iride të zinj porsi… (asfalti)… nata.
«Lëviz», përsëriti sërish Rusi dhe më ftoi të ulesha pranë tij. Por as që më shkonte mendja të bëja një gjë të atillë. Ndërkohë, e paevitueshmja dhimje e kokës filloi të përparonte përmes kafkës sime dhe shpejtësia e saj – duhet të them – i atribuohej edhe pamjes së Rusit.
«Eja brenda, Rus.»
Rusi më pa sikur sapo t’i kisha thënë se e gjithë familja e tij ishte djegur në një turrë drush. Sytë i dolën akoma edhe më shumë jashtë zgavrave të tyre.
«Rus?»
«Po vjen», bërtiti atëhere Rusi. «Po vjen, El, po vjen… El…» Pastaj filloi të qeshte.
Hodha sytë nga Sandersi: ai dukej i vdekur.
Nuk dija ç’të bëja më. Rusi filloi të qëllonte asfaltin në fillim me duar, pastaj me grushta. «Po vjen, po vjen… El, po vjen…» Bërtiste.
Pistoleta. E vetmja gjë që më erdhi në mendje ishte pistoleta e ushqimit. Çdo herë që e përdor, dhjetë – pesëmbëdhjetë minutat e para fuqitë e tua reduktohen deri në 60%. Ishte e vetmja mënyrë që kisha për të tentuar të sillja Rusin brenda anijes. Kisha frikë t’i afrohesha ndryshe. U ktheva dhe fillova të vrapoja drejt anijes duke menduar me keqardhje faktin që Linda nuk ishte më aktive: me të do të kisha një mundësi tjetër 100% të sigurtë.
Nuk arrita të bëja as edhe dhjetë hapa, kur nga pas kurrizit tim, Rusi thirri i dëshpëruar.
«Jooo, El, jo. Të lutem, El… mos më lër… El…»
Ndalova menjëherë. Përpara se të ktheja kokën, një pjesë e imja e dinte se çfarë ishte duke ndodhur, dhe më kot pjesa tjetër u mundua t’i thoshte se s’kishte mundësi, se ishte e pamundur. Por kur u ktheva, pashë se imagjinata ime vetëm sa e kisha fshikur atë që po ndodhte në realitet. Rusi ishte ulur në gjunjë, fytyrën e drejtuar nga unë, duart – që të dyja – mbi kokë. Bërtiste. Tani në gjuhën e nënës së vet. Në fillim, e vetmja gjë që arrita të kuptoja ishin dy gërmat që formonin emrin tim, të cilat përsëriteshin pothuasje mbas çdo fjale. Por pastaj pashë mbas kurrizit të Rusit dhe në të njëjtin moment harrova edhe domethënien e atyre gërmave.
Lëviz… po vjen… Po vjen, po vjen… El, PO VJEN!…
Oh për ata Diej që na mbajnë të gjallë, që lëvizte!… vinte! Një dallgë e madhe… e stërmadhe, e cila arrinte gjer atje sa të errësonte diellin, porsi një përbindësh i madh i cili mund të dalë vetëm nga mendja e ndonjë shkrimtari horrori; vetëm se nuk bëhej fjalë as për ndonjë rrëfim e as për ndonjë film: bëhej fjalë për një përbindësh real, të zi porsi nata, të shpejtë porsi era. Zhurma, të cilën e kisha dëgjuar mëngjesin e ditës së dytë e paraprinte: ishte sikur një ortek zhavorri rrokullisej përposhtë malit.
«El… oiçka-voiçka-robska-djevlla-doiçka…» Pastaj prapë nga e para: dy herë gjithsej. Një çast më vonë, dallga prej asfalti u gjend mbi të, një vrimë e madhe u hap në mes të saj skajet e së cilës mbetën të lidhura me njëra – tjetrën me anë të disa fijeve katrami të shkrirë, u derdh mbi Rusin, duke i mbushur me asfalt gojën, sytë, hundën, veshët, pastaj duke e mbuluar të tërin dhe duke e marrë me vehte në terrin e zi.
Isha kthyer në statujë. Në qoftë se asfalti do të më ishte vërsulur edhe mua, mëse e sigurtë që nuk do të kisha lëvizur as edhe një muskul të vetëm: më dukej sikur këmbët i kisha të ngulura në beton, ose më keq akoma, më dukej sikur asfalti m’i kishte përpirë gjer në rrëzë. Por asfalti nuk u kthye nga unë. Me të marrë Rusin me vete… nën vete, u qetësua dhe disa sekonda më vonë u kthye në gjendjen e mëparëshme, aq sa po të mos kisha parë me sytë e mi, do e kisha më të kollajtë për të besuar se Toka ishte sërishmi e banueshme, sesa atë.
Më erdhi në mendje…
«Sanders?… Sanders!»
Greg Sanders nuk kishte lëvizur as edhe një milimetër nga pozicioni i mëparshëm. Kësaj here besova se kishte vdekur me të vërtetë. Kërkova t’i afrohesha. Pata frikë. Kërkova të vrapoja për në anije, të strukesha diku në ndonjë prej cepave të saj, poshtë ndonjë prej tavolinave, brenda në krevatin tim. Kisha frikë. Kisha frikë të bëja edhe lëvizjen më të vogël. Po një gjë duhet ta bësh, i thashë vetes dhe natyrisht, sepse nuk mund të qëndroja ashtu si një rrëngallë e braktisur.
U ktheva dhe me kujdes shkëputa këmbën e djathtë prej asfaltit. Prisja, nga momenti në moment, që gishta prej asfaltit të ngriheshin e të më mbërthente prej kyçit të këmbës. Por këmba e djathtë preku sërish asfaltin dhe e majta u ngrit në ajër dhe asgjë e tillë nuk ndodhi.
Një hap… dy… ja edhe… tre…
Kisha harruar të merrja frymë dhe kur, sapo do kompletoja hapin e katërt, dëgjova zhurmën pas kurrizit, gati sa s’më ra të fikët prej asfiksimit. Në të njëjtin çast, një dorë e madhe mbiu përpara diellit dhe hija e saj ra mbi kokën time dhe u zgjat porsi një gjarpër përpara meje. Hapa gojën dhe një afsh i ngrohtë më mbushi mushkëritë. Pa e bërë të gjatë ulërita dhe ia dhashë vrapit. U kacavirra tek dera, hyra në anije dhe vazhdova të vrapoja me katër këmbë. U përplasa me kutinë e madhe të sigurimit në të majtë të derës, por s’kisha kohë të mendoja për dhimbjen e as për gjakun që filloi të rridhte prej parakrahut. Zhurma sa vinte  e bëhej edhe më e madhe, më intense, më…
…e njohur?
U struka mbas kutisë së qelqë që luante rolin e krevatit tim dhe mëshova mbi kraharor, duke u munduar që frymëmarrja të arrinte standartin e saj normal. Zhurma tani kishte arritur kulmin dhe ishte… e njohur, shumë e njohur… vetëm se tmerri nuk më kishte pushtuar vetëm muskujt e trupit por edhe ato të mendjes. Vazhoja ende të prisja që gjithçka të përpihej nga errësira e që një dorë e madhe të mbinte nga asgjëja e të më mbërthente prej fyti, të më merrte me vete për t’i bërë shoqëri Rusit.
Por zhurma pushoi.
Një zhurmë tjetër u dëgjua. Ishte një tingull, një tingull metalik, i shkurtër, sa hap e mbyll sytë zgjati, por ishte aq i ëmbël për veshët e mi, i mrekullueshëm, i gjallë.
U ngrita prej vendit dhe vrapova nëpër dhomë duke bërtitur si një fëmijë që porsa i kanë sjellë lojën e tij të preferuar. U përplasa përsëri me kutinë e sigurimit dhe përsëri nuk më interesoi as dhimbja e as fakti se mund të kisha çarë edhe parakrahun tjetër.
«Heeeeej!… Këtu, këtu… heeeeej!»

“RES – T 2072”, skuadra më e njohur e shpëtimit e të gjithë universeve më transportroi në bordin e tyre, më mbyllën në një prej dhomave të tyre klasike të veshura me xhama të bardhë dhe me dysheme të shtruar me kristale të blerta. Nuk thashë as edhe një fjalë. Ky ishte rregulli i parë që të mësonin përpara çdo misioni kur vinte ora e leksionit mbi Skuadrën e Shpëtimit. As edhe një fjalë derisa të mos pyetesh, ndryshe misioni i shpëtimit rrezikon të anullohet dhe ti të kthehesh sërish në pikën Zero deri të vijë skuadra e dytë. Ishte rregulla më e pakuptimtë që kisha dëgjuar ndonjëherë dhe ashtu si edhe gjithë bashkëmisionarët e mi kërkuam shpjegime në lidhje me të dhe i vetmi shpjegim ishte po aq absurd: kur Njerëzit komunikojnë gojarisht me njëri – tjetrin shkëmbejne një sasi të konsiderueshme pështyme. Skuadrat e shpëtimit, që të gjitha, përbëhen nga robotë të sofistikuar në maksimum, por e vetmja gjë e dëmshe për ta është pështyma e Homo-sapiensit. Unë vetë, atë orë leksioni kisha hedhur batutën në lidhje me një shami përpara gojës në momentin që të flitej, si ajo që kisha pasë mbajtur dikur një këngëtar i famshëm Popi në planetin Tokë një shekull më parë dhe ajo batutë më kishte kushtuar vendin e Komandantit të operacionit. Sepse, që ta dija mirë unë nuk bëhej fjalë për pështymën që mund të binte direkt mbi Robotët e shpëtimit, por për kondesimin e tyre. Mah!
Anija u ngrit prej atij asfali të mallkuar dhe unë pyeta veten nëse “RES – T 2072” kishte marrë me vete edhe Sandersin. Trupat e vdekur nuk merreshin asnjëherë me vete, por as nuk braktiseshin. Ata digjeshin dhe hiri i tyre futej në një kuti të artë që t’i dorëzohej pastaj Komandës së Lartë, e cila, mbasi kryente analizat dhe verifikimet e duhura vendoste nëse ato do të eleminoheshin përfundimisht apo do t’i dorëzoheshin familjes e në përgjithësi praktikohej solucioni i parë. Për Sandersin, gjithsesi, mendoja se do t’i kalonte familjes. Në qoftë se do ta kishin marrë, kuptohet.
Isha ende duke pyetur veten në lidhje me të kur një prej mureve të dhomës lëvizi.
Në çastin e parë u tremba, ashtu siç isha, i zhytur në meditim edhe për faktin se lëvizja e tij ishte e lehtë, mezi e përceptueshme dhe në sekondën e parë truri im e krahasoi me zhurmën që kisha dëgjuar mëngjezin e parë mbi asfalt. Por çasti i parë kaloi, muri u ngrit lart dhe vendin e tij e zuri një ekran gjigand. Në qendër të tij ishte një kokë e cila përbëhej nga vija jeshile. Lundronte në ekran sa majtas e djathtas sikur të ishte zhytur në një vaskë me ujë. Kur foli, zëri i saj ishte i ftohtë dhe pa asnjë lloj toni të veçantë. Zë metalik.
«Koloneli Elius Denkort», tha. «Ju lutem më dëgjoi me kujdes dhe mos flisni. Unë jam Hert’h, komandanti i Operaconit numër 2213647352. do t’ju lutesha të më tregonit gjithçka që ju ka ndodhur ditët e fudnit duke filluar që nga sulmi që pësuar në Orion. Ju lutem edhe njëherë mos flisni dhe mos e hiqni maskën prej goje. Për të komunikuar, afrohuni tek ekrani dhe përdorni tastierën e bardhë. Faleminderit.»
Poshtë ekranit u zgjat një tavolinë e bardhë. U ngrita prej krevatit dhe iu afrova.
«Kur të dëshironi Kolonel Denkort», më ftoi përsëri koka jeshile.
Për një moment kërkova një karrige, por pastaj u kujtova se robotët nuk i përdornin. Zgjata duart mbi tasteirë. Hezitova. Duhej t’ia filloja që nga momenti i sulmit. Por ishte njëgjë që doja të dija më parë. Shkruajta:
KU ËSHTË SANDERS? ARRITËT TA SHPËTONIT?
Ngrita kokën dhe pashë se koka virtuale ishte zhdukur nga ekrani. Në majë të tij, me karakret të vogël ngjyrë jeshile qenë shkruar dy pyetjet e mia. Mbas një çasti të shkurtër, pikërisht atëhere kur mendova se nuk do të merrja përgjigje, karaktere të pjerrëta me ngjyrë të kuqe filluan të shfaqeshin në ekran.
KOLONELI GREG SANDERS NUK ARRITI TË SHPËTONTE. R-23AQ22 U MUNDUA TA NGRINTE PREJ ASFALTIT POR NUK IA ARRITI DOT.
Ishte e pamundur. Po tallej me mua? Shkrova:
PO AI ISHTE GJALLË. SI ARRITËT TA BRAKTISNIT?
ISHTE E PAMUNDUR TË BËHEJ. KOLONELI GREG SANDERS ISHTE I NGJITUR MBAS ASFALTIT.
U mundova të imagjinoja. Roboti që mundohej të ngrinte Sandersin dhe rripa lëkureje që i mbeteshin nëpër duart e çelikta. Ose, roboti që e ngrinte dhe lëkura e kurrizit bashkë me vithet e Sandersit që ngeleshin të ngjituar mbas asfaltit. Një dorë e akullt rrëshqiti gishtat mbi lëkurën time. Ngrita sytë në monitor dhe gati sa nuk lëshova një të bërtitur. Në të qe shkruar
POR MIUNDËM TË SHPËTONIM KOLONELIN IVAN KRISHTOV.
Ishte e pamundur. Unë e kisha parë të gllabërohej nga një gojë asfalti. Unë…
«Kolonel Denkort.» Në ekran ishte shfaqur përsëri koka jeshile. «Ju lutem shkruani raportin tuaj. Pastaj mund të takoheni me kolegun tuaj.»
Unë nuk e di nëse dua të takohem me kolegun tim, gati sa nuk thashë, por nuk fola. Nuk kisha aspak fuqi të flisja. Mekanikisht fillova të shkruaja raportin tim. Tregova gjithçka mbi misionin tonë, mbi sulmin e papritur që na kishin bërë, mbi vdekjen e komandantit Lehon dhe në fund edhe mbi ditët e pritjes në planetin e asfaltë. Hezitova për një çast mbi atë që i kishte ndodhur Rusit. Në fillim nuk doja të tregoja, aq më tepër tani që dija se ai ishte aty, ndoshta në dhomën ngjitur me timen, duke shkruar edhe ai raportin e tij. Kur mbarova, shkova e u shtriva në krevat.
As që e kam idenë se sa fjeta. Di që mendjen e kisha të zbrazur. Nga çfarëdo lloj shqetësimi. Nga një moment në tjetrin prisja diçka. Diçka që do të vinte e do të merrte. Çfarë? Edhe sot e kësaj dite, ndonjëherë, mundohem të gënjej veten se nuk bëhej fjalë për vdekjen.

Mbas një kohe të papërcaktuar, u zgjova nga alarmi. Një dritë e verdhë ndizej dhe fikej mbi kokën time. Ndërkohë që pozicionohesha në buzë të krevatit, muri i la sërish vendin ekranit.
«Bëhu gati, kolonel Elius Denkort. Mbërrite në shtëpi», më njoftoi Hert’h.
Pyeta mbi Rusin. Hert’h më njoftoi me keqardhje prej roboti se koloneli Ivan Krishtov kishte vdekur gjatë rrugës.
Nuk di të them nëse u hidhërova. Sigurisht që nuk u kënaqa, por një ndjenjë lehtësimi… atë po që e dëgjova të më vraponte nëpër trup.
Në Bazë m’u desh të tregoja gjithçka nga e para. Hodha në Memorje raportin tim, e dorëzova dhe u largova. As kësaj here nuk tregova gjë në lidhje me çfarë i kishte ndodhur Rusit. Të nesërmen kërkova të merrja pjesë në djegien e trupit të Rusit. Isha shoku i tij dhe e kisha këtë të drejtë.
Çfarë nuk do të jepja të hiqja dorë nga ajo e drejtë!
Kur i thashë shefit tim, ai më buzëqeshi. «E pse jo?» më tha dhe më dha mikroçipin që më pas ia tregova djemve në Kremator.
«Por duhet edhe të na ndihmosh që ta ngemë», më tha një prej tyre.
«Patjetër», ia ktheva dhe pa e zgjatur iu afrova kasës së çeliktë. U sistemova andej nga duhej të ishte koka, gjë që shënohej nga një rreth i madh brenda të cilit ishin shkruar inicialet e tij: I.K. Një prej djemve erdhi në të djathtën time. Dy të tjerët shkuan në fund të kasës: tek këmbët.
«Gati?» tha ai që ishte në krahun tim.
Tëgjithë bëmë shenjë me kokë.
«Një, dy… tre…»
E ngritëm.
Dhe për pak sa nuk na rrëshqiti prej duarve. Të gjithë sgurdulluam sytë: njëri më shumë se tjetri. Unë më shumë se të gjithë.
Kasa ishte më e lehtë se një gjethe peme.
E ulëm sërish.
«Si është e mundur?» pyeti një prej djemve. Dhe m’u drejtua mua. Mua, sepse unë kisha qënë prezent në transportimin e tij. Vetëm se unë nuk kisha as edhe më të voglën ide.
«Nuk më pëlqen fare kjo gjë», tha ai në të djathtën time dhe nxori një tufë çelësash prej xhepit. Trafikoi për një moment me to derisa zgjodhi një çelës të gjatë në formë cilindri. U ul pastaj nga e djathta e kasës dhe e hapi.
Brenda nuk kishte asgjë.
Ky ishte impresioni i parë.
Një prej djemve u largua të thërriste rreshterin. Dy të tjerët bënë disa hapa larg dhe filluan të hidhnin hipoteza të ndryshme. Unë u afrova edhe më. Zgjata kokën dhe pashë më me kujdes. Në cep të kasës, atje në fund ku normalisht duhej të qëndronin këmbët e Rusit ishte një njollë. Mezi e dukshme, për shkak të dritës e cila vetëm sa e fshikte atë pjesë të kasës. Por dukej. Në mendjen time lindi një ide, e cila filloi të rritej me shpejtësi. Arriti të pushtonte gjithë trurin tim në vetëm tre sekonda dhe në përfundim të atij proçesi, mornica të ftohta më përshkuan trupin kokë e këmbë. U drodha dhe gati sa nuk bërtita prej habisë kur pashë se dora ime ishte zgjatur drejt njollës së zezë dhe gishtat e mi gati sa nuk ciknin sipërfaqen e lëmuar të saj.
Tërhoqa dorën me shpejtësi. Më dridhej. Një prej djemve ishte duke thënë se me siguri që dikush duhej të kishte ngatërruar kasë, se s’kishte se si të ishte ndryshe. Unë hodha sytë poshtë kasës së çeliktë, andej nga duhej të kishin qënë këmbët e Ruist dhe mëngjezi më erdhi në fyt. Djali tjetër tha se edhe ai ishte i të njëjtit mendijm me tjetrin. Unë pashë cepin më të afërt të dhomës dhe m’u desh të vija dorën përpara gojës për të zmbrapsur ushqimin. Ndërhyri djaloshi i tretë i cili njoftoi se rreshteri ishte duke ardhur në vendngjarje. Unë nuk durova dot më. Lashë paradhomën e krematorit dhe vrapova në banjë.

Asnjë nuk foli më në lidhje me çfarë ndodhi në paradhomën e krematorit.
De jure, në bazë të analizave dhe verifikimeve të kryera nga Komanda e Lartë e Hapësirës, koloneli Ivan Krishtov figuroi i infektuar nga një virus i paidentifikueshëm marrë në misionin e fundit të tij. Si rrjedhim, trupi i tij fillimisht u dogj dhe pastaj iu nënshtrua eliminimit përfundimtar. Familja e tij u shpërblye sipas Legjislacionit Ndërkombëtar të Hapësirës.
De facto, iu them se trupi i Rusit vazhdon të kërkohet edhe sot e kësaj dite. Asnjë nuk është në dijeni të asaj që ndodhi një ditë të largët në një planet të largët, ndaj dhe nuk e dinë se me gjetjen e asfatit që bëri dje Skuadra e Këkimit Beta-Al329-H, praktikisht, e kanë getur.



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •