I apasionuar me shqipen
| Friday, 11.23.2007, 08:49 PM |  

Albanologu i njohur kanadez Robert Elsie shprehet se kultura dhe letërsia shqiptare është gjithmonë e fundit në njohjen e saj në botë, ndërsa për shkrimtarët kosovarë thotë se asnjë prej tyre nuk njihet jashtë.

Nga Alfred Beka
alfred.beka@gazetaexpress.com

Robert Elsie
Prishtinë, 22 nëntor - Studiuesit e huaj në të kaluarën kanë qenë të vetmit që e kanë bërë të njohur letërsinë dhe kulturën shqiptare në botë. Edhe në ditët e sotme gjërat nuk kanë ndryshuar shumë. Prapë të huajt vazhdojnë ta përkthejnë, ta studiojnë dhe ta paraqesin letërsinë dhe kulturën tonë para lexuesve të vendeve të ndryshme të botës. Njëri prej atyre që prej shumë vitesh merret me gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare është edhe kanadezi Robert Elsie. Ai në gjuhën angleze ka përkthyer një mori veprash të shkrimtarëve shqiptarë, përfshirë këtu edhe epin “Lahuta e Malcis” të Gjergj Fishtës, ka shkruar, midis tjerash, librin “Historia e letërsisë shqiptare”, ka botuar një libër me fotografi të rralla me tematikë shqiptare dhe i pëlqen shumë muzika shqiptare. Në intervistën për Express, Elsie shprehet se historia e letërsisë duhet të rishkruhet që nga fillimi, ndërkaq internetin e vlerëson si një vend ku mund të prezantohet letërsia shqipe dhe ku secili mund të lexojë çfarë t’i dojë qejfi.

Express: Çka ju ka shtyrë të merreni me studimin e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare?

Robert Elsie: Po pikërisht fakti se ka pasur shumë pak albanologë dhe se shqiptarët njiheshin shumë pak në botë. Unë pash një boshllëk të madh në perëndim ku asnjëri nuk dinte për shqiptarët, për kulturën shqiptare dhe puna ime është se përpiqem të përmbush këtë boshllëk me sa më shumë informacione për shqiptarët dhe për kulturën shqiptare.

Express: Ku qëndrojnë studimet albanologjike sot?

Robert Elsie: Vështirë të them në përgjithësi. Ka studiues që vazhdojnë në lëmin e shqipes, por këta janë pak, kushtet janë të vështira, ka një mungesë financimi për institucionet e albanologjisë. Shkencëtari nuk është njeriu më i pasur në botën shqiptare. Kuptohet, ai ka vështirësi të vazhdojë me punën e tij. Ka shumë pak të huaj që merren me kulturën shqiptare, kështu që nuk them se lulëzojnë, por vazhdojnë si gjithmonë.

Express: Sa punojnë Ministria e Kulturës dhe institucionet tjera kulturore për ta bërë të njohur letërsinë dhe kulturën shqiptare në botë?

Robert Elsie: Unë besoj që një ministri apo një institucion mund të bëjë vetëm të hapë themelet dhe sa bëhet e njohur kultura shqiptare apo letërsia shqiptare në botë është një çështje që nuk varet shumë prej ministrisë, por mund të ndikojë pak për të hapë themele.

Express: Sa qëndron mbrapa letërsia shqipe në krahasim me simotrat e saj në Ballkan dhe në Europë?

Robert Elsie: Gjithmonë qëndron prapa. Kultura shqiptare është gjithmonë e fundit në njohjen e saj në botë.

Express: Ju keni përkthyer shumë shkrimtarë shqiptarë në gjuhën angleze. Sa është e njohur letërsia shqipe në botë?

Robert Elsie: Edhe për këtë e kam vështirë të them sepse unë botoj një libër pastaj nuk jam në dijeni se sa shitet ky libër. Besoj se interesi në botën angleze është i pakët. Kam dëgjuar kohët e fundit se në Gjermani 17 përqind të librave janë përkthime, në Francë 27 përqind e librave janë përkthime, në Slloveni 40 përqind të librave janë përkthime, kurse në botën angleze 2 përqind të librave janë përkthime. Nga shifrat shihet fare qartë se bota angleze nuk është shumë e hapur ndaj letërsive dhe kulturave të tjera. Është e vështirë të botosh një libër në tregun anglez. Është shumë e vështirë. Kohën e fundit kam arritur të botoj një roman të letërsisë shqiptare në anglisht. Bëhet fjalë për romanin e Fatos Kongolit që doli para një muaji në Britani të Madhe me mbështetjen e organizatës Pen të Anglisë, për fat, dhe sapo erdha nga Anglia ku libri u promovua në Oxford dhe në Londër.

Express: Po letërsia që krijohet në Kosovës sa mendoni se njihet në botë?

Robert Elsie:Akoma më pak do të thosha, sepse ka më pak përkthime. Them që mbasi poezia e
Kosovës njihet pak, por në përgjithësi shumë pak, për fat të keq. Nuk ka asnjë autor kosovar që njihet në botë, për shembull. Në fakt ka vetëm një autor shqiptar që njihet botërisht, e ai është Ismail Kadare, kurse gjithë të tjerët njihen shumë pak.

Express: Ju keni përkthyer veprën e Gjergj Fishtës “Lahuta e Malcis”në gjuhën angleze.Sa ka qenë i vështirë përkthimi i saj në anglisht?

Robert Elsie:Kam pasur shumë vështirësi. Është një vepër shumë e vështirë për përkthim, për arsye të ndryshme, se pari të dialektit të Fishtës, gjuha epike e poezisë së tij, shprehjet me disa kuptime dhe vështirësitë e mia personale për ta kuptuar në fillim veprën. Pra ka zgjatur shumë deri sa kam arritur ta përkthej dhe në fund përkthimi doli shumë i mirë dhe ende jam shumë krenar për atë përkthim.

Express: Si është pritur nga lexuesit anglishtfolës?

Robert Elsie: Prapë nuk mund të them sepse libri futet në shesh dhe pas kësaj nuk jam në dijeni për shitjen, sa ka pasur jehonë. Siç e dini, bota angleze është shumë, shumë e madhe dhe është vështirë të kuptohet jehona e një botimi.

Express: Ju keni shkruar librin “Historia e letërsisë shqiptare”, i cili është teksti më i kompletuar në këtë fushë. Kohëve të fundit janë paraqitur ide rreth rishkrimit të historisë por edhe rreth rishkrimit të historisë së letërsisë. Cili është mendimi juaj rreth kësaj çështjeje?

Robert Elsie: Besoj që ka shumë për t’u bërë. Libri im është një nismë apo ndihmesë në atë drejtim, por besoj që ka shumë për të bërë, sepse deri tani është përdorë një histori e letërsisë që u krijua në kohën e Partisë së Punës në Shqipëri me gjithë deformimet, me gjithë politizimet e skajshme që ka pasur dhe megjithëse mësuesit sot e dinë që nuk është e vërtetë që duhet të përdorin këtë libër, por ai vazhdon të përdoret. Është e qartë që duhet të rifillojmë nga zero në çështjen e historisë së letërsisë.

Express: Para disa kohësh ka qenë shumë aktual debati apo polemikat midis Kadaresë dhe Qosjes rreth identitetit të shqiptarëve apo ndryshe identitetit europian të shqiptarëve.Cili është mendimi juaj rreth polemikës dhe rreth identitetit të shqiptarëve?

Robert Elsie: Kam dëgjuar për polemikën ku ka pasur disa pohime ekstreme. Identiteti nuk është diçka që mund të përkufizohet me një fjali. Identiteti është me shumë shtresa. Shqiptarët e dinë kush janë, por çdonjëri e ka identitetin e vet. Shqiptarët si çdonjëri në botë nuk kanë vetëm identitetin kombëtar, ata kanë identitet si njerëz. Po të pyesni një njeri në Perëndim për identitetin e tij ai do t’u thotë unë jam mjek, tjetri do t’u thotë unë jam vajzë, tjetri do t’u thotë unë jam katolik, d.m.th. ka identitete të shumëllojshme, mbase nuk përmendin fare identitetin e tyre etnik apo kombëtar. Kështu që gjithë këto shtresa grumbullohen dhe krijojnë një identitet që për çdo njeri është pak ndryshe. Nuk besoj se ka një identitet shqiptar. Të pyesësh çdo shqiptar ai do t’u thotë ndryshe dhe shyqyr që ka një shumëllojshmëri.

Express: Çka jeni duke punuar aktualisht?

Robert Elsie: Aktualisht unë po bëj gati një ribotim të librit të Eduard Lear. Ai ishte udhëtar, piktor dhe poet anglez mjaft i njohur i shekullit XIX, i cili ka udhëtuar në Shqipëri, nga Manastiri deri në veri të Shqipërisë, në Shkodër e pastaj në jug deri në Prevezë dhe ka një udhëpërshkrim shumë të bukur që e kam ndërmend ta botoj në anglisht. Libri do të pajiset me pikturat e tij shumë të bukura dhe do të dalë besoj para fundit të këtij viti. Do të jetë një libër shumë i bukur. Pastaj kam edhe disa botime të tjera që duhet t’i realizoj në vitin e ardhshëm. Merrem gjithashtu edhe me fotografinë shqiptare. Sapo kam botuar një album fotografik këtu në Prishtinë. Dje mora kopjen e parë dhe me pëlqeu shumë.

Express: Ju e keni edhe websajtin tuaj ku mjaft mirë është prezantuar letërsia dhe kultura shqiptare. Mirëpo, institucionet në Kosovë, apo edhe vet shkrimtarët nuk janë të prezantuar sa duhet në internet. Disa e konsiderojnë si pengesë për leximin dhe shitjen e librave. Sa është i rëndësishëm interneti për prezantimin e letërsisë?

Robert Elsie: Besoj që interneti është me shumë rëndësi. Ata që e mohojnë internetin jetojnë në shekullin e kaluar, bile do të thosha që një botim në internet ka më shumë jehonë se një libër, sepse kush e gjënë këtë libër, kush e lexon këtë libër, duhet të blesh librin, të paguash para për librin, që pak njerëz e bëjnë këtë, kurse çdo njeri mund të hapë internetin kur ka dëshirë dhe mund të lexojë qoftë një libër, qoftë një tregim, qoftë një ese kulturore, politike, çdo gjë është në internet dhe çdo njeri në botë mund ta lexohet. Dmth. lexuesi potencial është aty ku nuk mund të jetë në librari dhe e di nga websajtet e mia. Unë kam një websajt me botimet e mia, kam një tjetër për letërsinë shqiptare, kam një tjetër për historinë shqiptare ku botoj edhe tekste të historisë shqiptare të shekujve të ndryshëm dhe kam edhe një websajt me fotografi shqiptare ku kam vendosur shumë fotografi të vjetra të kulturës shqiptare dhe do të vendos edhe të tjera, kam ndërmend gjithashtu të filloj edhe një websajt për gjuhën shqipe dhe një tjetër për muzikën shqiptare. Dmth. mundësitë janë të pafundme në internet dhe e mira për këtë është se çdo njeri në botë që ka një kompjuter mund të lexojë veprat shumë më shumë seç mund të lexojë një libër. Kështu që ata që e konsiderojnë internetin si pengesë e kanë krejtësisht gabim.

Express: E përmendet muzikën shqiptare. Sa ju pëlqen ajo?

Robert Elsie:Unë si shumë albanolog kam hyrë në lëmin e albanologjisë mbase nëpërmjet muzikës. Kur kemi qenë në Ballkan për herë të parë kemi dëgjuar muzikën shqiptare dhe mua me ka pëlqyer shumë dhe ende sot me pëlqen shumë shumëllojshmëria e muzikës shqiptare, muzika e Kosovës, muzika e Shqipërisë së Veriut, Shqipërisë së Jugut, në çdo krahinë është ndryshe dhe me duket është një ndër pasuritë e rralla të kulturës shqiptare.



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •