RITUAL
| Tuesday, 11.27.2007, 09:57 PM |  

Klubi Te Uji i Ftohtë, buzë xhadesë nacionale, hapte dyert që në pesë të mëngjesit dhe, deri në të errur, në mbrëmje vonë, rrallë e tek mund të gjeje ndonjë tryezë të lirë. E kush nuk ndalon aty për një pushim të shkurtër, për të ngrënë a për të pirë diçka, për t'u freskuar a për të shijuar bukurinë e burimit, që rrjedh shtruar-shtruar prej malit! Përveç klientëve të përkohshëm, ai kishte edhe dy të përditshmit. Njëri vinte nga fshati Përpjetas, ndërsa tjetri nga Teposhtazi, poshtë xhadesë, buzë lumit, dhe takoheshin, thuajse, në po të njëjtën orë. Nëse tryezat janë të zëna, ata baresin ngeshëm si bashkëmoshatarët e tyre të harruar azileve të pleqve, në sheshin para klubit, nën rrapin e lashtë degëgjërë, duke këqyrur herë pas here nga klubi se mos lirohet ndonjë tryezë për ta. Njëri prej tyre ka dalluar diku, andej nga fundi i lokalit, afër dritareve që shohin nga rruga që një tryezë është liruar dhe nxiton për ta zënë para se të tjerët t’i thonë me përçmim ”Është e zënë, xhaxha!”. Ai është Ibrahimi dhe, para emrit ka një varg të gjatë ish-ësh, si ish-partizan, ish-kryetar lokaliteti, ish-drejtor i N Pyjore dhe disa ishë të tjerë, që i përfundojnë me ish-rojë e punishtes së rakisë. Fatziu, si të gjithë vdektarët e kësaj bote, e ka paguar shtrenjt idealizmin dhe ndershmërinë e rrallë, ka mbetur trokë fare. Pakkujt tani i bie ndërmend për të. Tjetri quhet Bilo. Ky zbret nga lart, nga Përpjetazi. Merr e jep e mos vër gjë, i kishin shkuar pesë-gjashtë dekadat e fundit. Asgjë s'ka marrë nga pronat që i takojnë. Edhe shpresat i janë venitur e varfëruar, si prozhmet e shkreta e të çveshura si lëvozhga e vezës, matanë klubit Te Uji i ftohtë. Kur ecën fushës së ullinjve, sipër xhadesë, e cila  thirret ende në emrin e fisit të tij, i duket se shkel mbi gjakun e tij të pikëzuar te ullinjtë e rrëzuar përtokë. Njerëzia qesh me të kur thotë "Të vete njëherë në Tiranë për të kërkuar pronat e mia, më shkon pensioni i gjashtë muajve! Të lënë gjë në fytyrë të tokës këta, të majtët e djathtë? Vetëm Përpjetazi im, me pesëdhjetë e ca shtëpi, ka nxjerrë katër deputetë syresh, konviktorë të përjetshëm, njëqind metra larg njëri-tjetrit i kanë portat e shtëpive të tyre!?"               Vetëm ato tre-katër ditë pasi dy të përditshmit marrin qyqepensionin mund t'i marrësh njëfarësoj për njerëz. Më prapa duhet të mendohesh ca gjatë, pasi nuk është më aq e lehtë. Në këto tre a bëhen katër ditë të rralla, pasi pinë kafenë e mëngjesit dhe, rrallë, shumë rrallë të shoqëruar me ndonjë gotë raki, nisin në vetminë e tyre pleqërore debatshakanë e gjatë "Do i paguaj unë!" "Jo, unë, se s'e turpëroj shtetin tim për pensionin që më jep!" Dhe, herë njëri e herë tjetri, fusin thellë dorën në xhepin e brendshëm të xhaketës, qeshin sa gajasen së qeshuri dhe bëjnë sikur nxjerrin lekët e kafesë, që janë, thuajse, sa një kusurbakshish për ndonjë klient tjetër, që dikur ka qenë argat te Biloja, apo vartës i Ibrahimit. Nganjëherë në zënkën e tyre ndërhyn për të qetësuar medemek gjakrat edhe kamerierja, e cila u lutet: "A më lini t'ua paguaj unë se po m'i thyeni ato gota e filxhana, që bëjnë më shtrenjtë se dy kafetë tuaja!".                                                                                      …Edhe ajo ditë e pasngrënies së pensionit kish qenë e pafat, e kotë, si një shishe coca-cola e zbrazët, e flakur shkujdesshëm poshtë në lumin e rrëmbyeshëm. Askush nga klientët që kishin hyrë e dalë, s'e kish njohur Ibrahimin, se Biloja zor se pret ta njohë më ndokush; për të s'bëhet më njeri fort merak, përveçse në fushatat elektorale kujtohen për të, të djathtët e majtë, ose të tijët, të cilët ia zënë derën dhe nuk i shkulen prej aty pa i marrë fjalën se do të votojë për ta, duke i premtuar se “kësaj radhe, mos kij merak, do ta zgjidhim çështjen e pronës”, siç ia duan edhe Ibrahimit të vetët, ose të majtët e djathtë, të cilëve ai fisnikërisht s’iu kërkon këso cikërrimash për shkëmbim të votës. S’jam marrë kurrë me kotecë pulash e më the e të thashë. Halli im i madh është Shqipëria, u thoshte të vetëve,dhe dukej sikur kishte zbritur nga monumenti i Luftëtarit të Lirisë për t’u kumtuar këtë amanet stërgjyshor. Kur rastis që ndonjë mirënjohës, i cili është rropatur të ndjekë në jetë shembullin e tij; në të rrallë ndonjë adhurues që ka dëgjuar për të a, më shpesh, ndonjë mëshirues e ka njohur Ibrahimin, nën atë zhguall të harrimit të vetvetes që ka vetveshur, domethënë ka njohur atë Ibrahim, në njërën prej kohëve të tij më të lavdishme, kur kish një nga ata ish-ët përpara, është pak të thuhet se dy të përditshmëve u kthehet në festë. Ua stolisin tryezën. Dikush do që t'i njihet ndera dhe vjen e takon, e përqafon fort, e pyet për shëndetin, për hallet e jetës dhe, ngase, si përherë, nuk dëgjon kurrëfarë ankimi nga goja e Ibrahimi, ndahet prej tij i lumtur se pati fat ta takonte edhe njëherë atë njeri të mirë; po më të shumtit, fisnikërisht çmallen me të veç duke e parë dhe duan të mbeten anonimë në mirësinë e bujarinë e tyre. Këto sjellje fisnikësh e kanë bërë Ibrahimin të ndjehet krenar e gjithmonë superior ndaj Bilos, pas atij “barazimi” që kishte ndodhur në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar. Dhe, i galduar mërmërit refrenin "Interesant, ende ka njerëz kjo botë jarane!" Tamam, fill pas mbarimit të kësaj kohe të shkurtër, ose shansi që s’ishte edhe aq i shpeshtë, po as dhe njëherë në hënëz, i përpjetazi dhe i teposhtazi, nisin e luajnë edhe një lojë tjetër pleqërore, e cila, sado u rropaten ta mbajnë si një sekret pleqsh,  tashmë ka marrë dhenë.
Presin sa presin dhe vendosin të thërrasin kamerieren.
-  Çfarë dëshironi?-i pyet ajo, më shumë për forcë zakoni.
-  Unë një hiç!-thotë Biloja i dëshpëruar.
-  Po ti?
-  E, po atë që porositi Biloja!-thotë Ibrahimi me një krenari të
strapacuar, duke e luajtur mjeshtërisht pjesën, gjoja se nuk dëgjon mirë nga veshët dhe se për këto punëra të rëndomta porosirash ai ka Bilon. Është sederli i madh dhe mezi e kapërdin kur kamerierja harron dhe i drejtohet me “ti”.
Pas njëzetepesë-tridhjetë minutash a, ndoshta, edhe më shumë kamerierja, disi më e lehtësuar nga ngarkesa e klientëve, që hyjnë si stuhi e duan të ikin si tufan,  kujtohet për dy pleqtë, që janë futur në një bisedë të pasosur e që hahen me njëri-tjetrin duke sjellë ndërmend të gjallë e të vdekur, që kanë njohur, i ka lidhur ose jo puna me to, të varrosur e të zhvarrosur viteve të fundit, iu sjellë më parë, nga një gotë me ujë të ftohtë burimi, i cili buron mbi njëqind metra mbi lokal dhe, teksa zbret teposhtë, të duket se ujëvara bardhoshe është si fundi i një mjekre gjigande në mes të atij blerimi harlisës. Të përditshmit fillimisht nisin të gjerbin ngeshëm ujin. Madje argëtohen duke tokur edhe gotat. "Hajde, me ujë bjeshke qelibar!", kujtojnë një urim të Kryezotit tonë të katër dekadave të fundit, të cilin Ibrahimi e ka pasur komandant e komisar, ndërsa Biloja hasëm, deri në ditën, kur Kryezoti shkoi te të shumtët. Ngaqë pyetja "A të duket se po pin raki?" është konsumuar mes njëri-tjetrit aq shumë ndër vite, si mbulesa e tryezës, e njollosur dhe e shkyer si të kishte shërbyer më parë si tabelë qitjeje në poligonin e qitjes, tashmë ajo nënkuptohet dhe s'e lodhin më veten në këso kotësirash.
Dy të përditshmit presin që kamerierja, t'iu shërbejë më parë klientëve të tjerë, të cilët hyjnë e dalin papushim dhe, të duket, se dy pleqtë e vuvosur në karriget plastike, nuk para bëhen fort merak për vonesën e saj. Biloja herë-herë u hedh fshehurazi ndonjë shikim braci këmbëve të bukura, gjoksit të kërcyer (eh, ia shtydhën grekërit më parë të shkretës, kish thënë një klient si ta kishte njohur ish-prostitutën e kthyer) e vitheve të kamerieres dhe, si njeriut që nuk i ndizet më ylli për këtë dynja, mjerueshëm vështrimi i tij nepsaxhi përplaset në sytë indiferentë e inatçorë të Ibrahimit. Por sidoqoftë gjithçka-dhe durimi i tyre-ka një kufi.
          - Ore s'na e solli porosinë kamerierja!-shpreh pakënaqësinë Ibrahimi, i cili i ka kapërcyer të tetëdhjetave dhe gjerb fundin e gotës së ujit të burimit.
          - Hë, pra,-ia bën Biloja, dhe ngase është saktësisht dy muaj më i vogël nga Ibrahimi, e din se i takon atij ta thërrasë kamerieren.
          Si një flutur ia mbërrin menjëherë kamerierja.
-         Ç'deshe zotërote?-sikur do të ndreqë diçka ajo.
-         Atë që porositi Biloja!-thotë Ibrahimi shpërfillshëm.
-         Po ti?
-         Atë që kërkoi Ibrahimi…



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •