Primo Shllaku: Te permbyset piramida e shkrimtareve te dikatures
| Saturday, 12.01.2007, 05:06 PM |  

Oliverta Lila

Martin Camajn e konsideron shembullin më flagrant të përjashtimit nga letërsia për të mbërritur në ditët e sotme. Primo Shllaku i ka premtuar një takim realist publikut. Ka pranuar të denoncojë një hierarki të shtirur letrare, të trashëguar veçanërisht nga sistemi i kaluar. Ndërsa sheh domosdoshmërinë e shembjes së platesë letrare të krijuar për meritat e shërbimit ndaj tij, ku nuk gjen alibi për asnjë nga shkrimtarët. Përmes librit “Një Uliks që s’u kthye kurrë në Itakë”, poeti Shllaku pret të marrë dhe një reagim që i ka munguar ndër vite. Në intervistën e mëposhtme ai tregon në detaje sprovën që ka ndërmarrë.

E takoni lexuesin shqiptar me një libër që pretendon të thotë ca të vërteta. Çfarë ju ngacmon?

Në këtë moment problemi më i rëndësishëm i letërsisë dhe kulturës shqiptare është problemi i rishikimit të hierarkive që padrejtësisht dikush i quan si alternative. Nuk ka letërsi alternative. Kuptimi i saj është një letërsi eksperimentale, e cila niset me qëllim e bukur të bëjë eksperimente dhe niset me ambicien kokulur e të përvuajtur edhe për të dështuar. Letërsia shqiptare nuk e njeh letërsinë alternative sepse ne nuk kemi bërë eksperimente me letërsinë, kemi bërë eksperimente me koshiencën e lexuesit. Shkrimtarët e realizmit socialit, pa asnjë përjashtim sipas mendimit tim, nuk kanë arritur të kapërcejnë këshillën e paraardhësit të tyre Migjeni, i cili thotë “unë s’dua të jem gozhdë në mendjen e njerëzve”. Të gjithë kanë qenë gozhdë, sepse kur një art nuk arrin të marrë stampën e humanizmit, ai automatikisht është një art epokalip. Është tjetër gjë nëse mes nesh ka njerëz që kanë shpenzuar energjinë e tyre rinore, forcën e tyre fizike e shpirtërore për një iluzion apo për një përdëllim e interes. Kjo i përket ndërgjegjes së tyre. Ata mund të rrëfehen dhe këtë herë mund të jenë më shumë interesantë sesa në atë kohë që pozonin.

Martin Camaj është një nga shembujt e përjashtimeve nga hierarkia?

Është tragjike të mendosh se në truallin e letërsisë shqiptare ka kaq tepër gërmadha dhe nuk ka vend për Martin Camajn. Ai është poet universal. Te ai gjejmë jo vetëm tendencat më bashkëkohore, por është edhe pionier i një seri situatash përmbysëse në mendësinë shqiptare. Nëse atë e perceptojmë si urë, këmba tjetër e saj pushon mbi kokën e Migjenit. Unë jam munduar ta shkoklis Camën dhe ta vë diku në sfondin e kohës së tij, brenda botës shqiptare. Nuk e kam parë si arbëresh, as si diasporë, por si njeri të përjashtuar prej gostisë së letrave shqipe. Një njeri që s’kishte vend ku të ulej dhe iku. Por kjo situatë po vazhdon edhe sot.

Mendoni se ka ardhur koha t’i kthehet borxhi?

Them se është akt drejtësie që duhet të bëhet prej të gjitha forcave që ofrohen si të afta për ta kryer këtë punë. Ka ardhur koha t’i themi që edhe ne nuk e duam. Ai ka vdekur me shumë inat, me një mllef të jashtëzakonshëm për vendin e tij. Ai arrin ta reduktojë atë dhe kjo është një protestë shumë e madhe. Camaj është një nga mjeshtrit e mëdhenj të thyerit e tabuve, e ka ridimensionuar problemin e atdheut ndaj shkrimtarit.

Debati për rishikimin e hierarkisë letrare ndizet e shuhet në intervale kohe. E patë këtë moment të përshtatshëm për librin tuaj?

Nuk e di a ishte momenti, por problemet janë aq të koklavitura sa publiku ynë ka nevojë të takohet fortë e shpesh me ne dhe jo në mënyrë konvencionale. Ajo që po e mban nën tutel mendimin tonë letrar teorik, praktik dhe interpretues të produktit që ka ardhur rishtas nën lupat dhe objektivat tonë, është mungesa e adoptimit të një mënyre universale për t’i parë gjërat. Vetëm kështu do të arrijë të tronditet hierarkia dhe do të ndodhë ajo që Mjeda paralajmëron: “U ulën malet dhe ngrihen kodrat”. Kjo është e nevojshme, ka ndodhur në tërë botën. Viktor Hygo është Shën Mateu i letërsisë franceze, megjithatë ai është plakur kaq tepër dhe është bërë demode sa mezi po mbajnë statujat e tij. Dikur ato vendoseshin në çdo cep.

Mund të ndodhë në një kohë të afërt në shoqërinë tonë?

Disa njerëz e kanë bërë durimin e vet armë. Unë nuk mendoj se bota shqiptare është kaq e korruptuar ose e vdekur në qelizën e vet për të mos i prishur qejfin disa eksponentëve që historikisht kanë gëzuar të drejtën e platesë. Pse duhet të presim vdekjen fizike të tyre? Problemi qëndron se sa një autor e fiton ose jo betejën e rileximit. Në qoftë se nuk ndryshohet këndi i ndriçimit, ne do të mbetemi skllevër. Fakti që vjet studentët shqiptarë në provimet e maturës ngelën të gjithë te problemi i Martin Camajt, është një këmbanë shumë e madhe. Ndodhemi përballë një fakti shumë dramatik, i cili ose duhet ta përjashtojë Camën, ose ta shpjegojnë mirë. Por duhet që studentët të kenë mundësi të zgjedhin dhe të justifikojnë nëse duan ta flakin ose jo. Të gjithë librat e botës i nënshtrohen kësaj logjike.

E shihni të vështirë realizimin e atyre që lindin në këtë periudhë?

Ata kanë një fatkeqësi shumë të madhe, sepse nuk mund të orientohen më në tradita. Ajo është shumë e kontaminuar. Historiografia, akademizmi dhe dija e re e transitit shqiptar nuk ka rishikuar hierarkitë për të futur brenda ata që s’kanë qenë për një arsye apo tjetrën, të gjitha jashtëletrare. Duhet të ndryshojmë raportet. E gjithë kjo që ka ndodhur është pjesë e një libri të ri që po shkruaj, “Dëshpërim kulturor”. Po mundohem të materializoj një frymë dëshpërimi e paaftësie për t’u realizuar si artist në Shqipëri. Harku nis nga autorët e vjetër, deri në momentin që flasim. Përjashtim bëjnë autorët e realizmit socialist, të cilët ishin mekanizma të një sistemi. Morën rëndësinë si të tillë. Kur një shkrimtar i madh i yni nuk ma bënte qejfin, mendoja se nuk e bënte sepse ishte shumë i ngjyrosur me ideologjinë dhe besoja se brenda tij duhet të kishte një realitet tjetër. Kur erdhi koha, nuk tregoi asgjë të tillë. Automatikisht kjo më krijoi bindjen se ata kishin pasur lidhje intime me regjimin. Ndoshta të karakterit të naivitetit dhe besueshmërisë, apo lidhje komprometuese nga ku nuk mund të dilnin dot më. Atyre u interesonte të ishte i përjetshëm ai sistem.

Aludoni se nuk janë shkëputur as ideologjikisht?

Asnjëri prej tyre. Nga më minorët deri te madhorët nuk na kanë dhënë një datë të saktë kur u zhgënjyen prej atij regjimi. E evitojnë këtë datë, kurse unë kam me qindra të tilla në jetën si krijues. Për mua ka qenë si një këmbë shkalle që më ka rrëzuar poshtë, ose më ka ngritur lart. Kjo datë që unë kërkoj prej tyre, është data kur ata janë zhveshur prej iluzionit. Iluzione ka pasur edhe Breht, por ai ka vdekur si një idealist naiv. Ata që mbijetuan në ’90-ën, ose nuk duan të flasin ose do na japin një datë e cila ka pasur vepra të asaj natyre që i komprometon me vet gojën e tyre. Për mua askush nuk ka alibi.

Kush mund ta rindërtojë hierarkinë?

Ka vend për një konkurs forcash pa getifikim dhe pa racizëm të asnjë lloji. Ende vazhdon të pengohen zhvillimet e reja dhe ridimensionimi i koncepteve që kanë hyrë. Duhet të dëgjojmë të gjithë zërat. Ai që ka kocka të rrijë në këmbë në këtë epokë, nën këtë fluks dritash dhe këtë erë që duhet të krijojmë në mjediset e pyllit të letërsisë shqiptare, le të qëndrojnë ose me tifozë, me dashamirës, por duhet të hyjnë të gjithë, ka vend për të gjithë.

Sa prisni të dëgjoheni?

Libri im është një zë i klithur. Kam preferuar t’i them gjërat troç dhe kjo shumëkënd do ta lërë komplet të pakënaqur. Madje besoj se do të vazhdojë përdorimi i heshtjes si arma e fundit. Bombardohet me heshtje çdo mendim i ri (jo alternativ, sepse ne jemi pjesë e kësaj kulture modeste e të vogël) dhe këtë e kam frikë. Askush s’ka çtë bëjë më tepër se sa të heshtë. Sepse janë të shumtë ata që e përdorin atë me një zotësi jashtëzakonisht të madhe. Unë kërkoj të ketë përpjekje që libri im të hidhet poshtë dhe kjo mund të ndodhë se ai është një libër interpretues. E di se libri do të bëjë fatin e vet dhe ai nuk duhet të jetë fati im. Ata që më heshtin, duan të vrasin dy zogj me një gurë.

E ke ndjerë apo vuajtur këtë heshtje?

Kam ndjerë një heshtje shumë dinake gjatë gjithë kohës. Do kisha preferuar që të më kishin gremisur diku në hendek me dashakeqësi. Nuk do ta kisha problem, mjaft të isha më i gjallë.

Poezia juaj ka qenë liri e shpirtit?

Poezia ime ka shumë dilema. Ndoshta ka qenë e vetmja strehë brenda së cilës unë jam mbrojtur, por dhe e vetmja minë mbi të cilën kam ndenjur. Ka qenë një zgjedhje aleatore. Kam qenë njeri me fat, sepse tani ajo është pjesa më e mirë e jetës sime, e vetmja pasuri që kam dhe nuk i kam parë shehrin që ja kanë parë shokët dhe kolegët e mi për shumë më pak se ajo që unë thosha në ato përçartjet e mia.



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •