Ekskluzive - Kujtim Mateli: Një poet i denjë për antologjinë e poezisë shqipe
| Sunday, 12.09.2007, 12:36 AM |  

 (Mesazhe të poezisë "Pranë Dodonës'' të poetit Ylli Hoxhaj)

Nga Kujtim Mateli

Kujtim Mateli
Vëllimin poetik " Baladë pa mite'' të poetit Ylli Hoxhaj e kishte kërkuar prej kohësh sofra e poezisë shqiptare.Në qendër të poezisë së tij është njeriu i mbas viteve 90-të. Raportet e reja në shoqëri nuk sollën vetëm mendime të reja,por edhe ndjenja dhe emocione që nuk ishin provuar më parë. Poeti niset gjer në Norvegji (ku jo vetëm me këmbë, por as imagjinata nuk i kishte shkelur ato vende) për të gjetur dy djemtë e tij që mbaheshin peng nga dy vasha të bardha si bora nordike.
Cikli ''Janinë, ç`më panë sytë'' nuk trajton vetëm historinë legjendë të Ali Pashës,por është zhytur thellë në histori. Syri poetit ka depërtuar aq thellë saqë duket se ka shtruar një trase edhe për poetë e shkrimtarë të tjerë, një trase për studjuesit që pritet ta trajtojnë më gjerë këtë temë. Ai ka shkuar atje ku kanë jetuar të parët tanë, që koha u ka hedhur shumë mjegull përsipër. Mrekullohet dhe rrënqethet njëkohësisht me Urën e Artës,atje në kufi të Molosisë. Ky cikël, që përbëhet nga tetë poezi, të ngjan me tetë monumente të derdhura në bronz që do të mbeten gjallë në kujtesën e cilitdo që do të lexojë këtë libër. Dhe ata që nuk do të mund ta lexojnë jam i sigurt se dicka ka per t`u munguar. Ky cikël duket sikur kërkon të matet me madhështinë e romanit të Sabri Godos "Ali Pashë Tepelena'' dhe me poezinë perlë të poetit çam Bilal Xhaferri. Mbasi i ke lexuar të lind dëshira t`i rilexosh. Kërkon të dish diçka më shumë për të parët e tu. Të duket sikur i kishe harruar dhe për një çast ndihesh me faj për atë që ka ndodhur. Po vërtet mbasi lexon këto poezi e kupton se ka një harresë dhe ajo ndjenjë faji që ndjen është reale. Vërtet pse flasim kaq pak për të parët tanë? A i lejohet një brezi të tërë të flasë kaq pak për të shkuarën e tij? Por ky vellim duket sikur na shfajëson disi. Ajo kohë e largët pellazgjike trokiti më në fund poetikisht në çdo vatër shqiptare.Hapësira kohore disa mijëvjeçare të duket e përmbledhur në një jetë njeriu. Fëmijëria jonë na duket sikur ka qenë pellazgjike. E shkuara e largët,e djeshmja dhe e sotmja janë bërë njësh.
" Pranë Dodonës” e titullon poeti njërën nga poezitë e tij.Sapo e dëgjon këtë emër mendja të shkon në thellësi të mijëvjeçarëve.Zanafillën e ka në atë mijëvjeçar kur pellazgët ishin zot në tokë dhe në qiell në këtë hapësirë të quajtur Ballkan. Sa mijëvjeçarë ka ndodhur kjo para lindjes së Krishtit?
Dy? Tre? Katër? Apo pesë? Ç`rëndësi ka koha për poetin. Në këto troje ballkanike Dodona ishte tempull dhe qendër kulti e rëndësishme edhe jashtë hapësirës pellazgjike. Atje në Dodonë,njeriu ngriti institucionin e parë duke hedhur themelet e një qytetërimi që ishte sa tokësor aq edhe qiellor.
Më parë se gjërat të lëviznin në tokë, ato ishin paracaktuar nga Ai,Krijuesi i gjithësisë, dhe njerëzit mundoheshin të kapnin rrjedhën e lëvizjes hyjnore, që të bënin sa më pak gabime në tokë. Ky komunikim midis qiellit dhe tokës atje në Dodonë ka qenë aq i shpeshtë dhe i plotë saqë në fiset që e rrethonin, po dhe më gjerë, e shihnin atë si vendi ku jetonin perënditë.Dhe aq i fuqishëm ka qenë ky komunikim,saqë është e vështirë të gjesh në historinë e njerëzimit një tjetër popull që t`i jetë përkushtuar Zotit me një thellësi të tillë të shpirtit. Kjo ndodhte, sepse pellazgët ishin popull hyjnor. Të tillë i kanë konsideruar dhe Rilindasit tanë. Ata kanë patur për ta një njohje më të plotë se ç`kemi ne sot. Rilindasit kanë qenë më të kompletuar se ç`jemi ne sot.Besimi i tyre buronte natyrshëm. Ata janë kolosët e mendimit shqiptar. Ata besohen dhe sot për ato që kanë thënë
se i folën popullit me gjuhën e Zotit. Qenë profetët e Dodonës në kohët moderne.
Poeti ndihet krenar për këtë komunikim të të parëve tanë me Zotin.Ja, aty pranë Dodonës,që është e lashtë gati sa vetë historia njerëzore,poeti i drejtohet Çamërisë, kësaj krahine pellazgjike: "Çamëri:/Kaq mjegull të kanë hedhur përsipër /e nuk mund të shoh mirë: /Të kam përballë e copa-copa të gjej:/Një copë këtu e një tjetër andej.'' Sigurisht që poeti nuk e gjeti Çamërinë ashtu siç e priste.Nuk ia ndiente zemra ta gjente ashtu. Ndoshta zemra e tij ka dëgjuar klithmat e çamëve që largoheshin nga vatrat e tyre.Ajo klithmë patjetër që e ka tronditur dhe hutuar deri në kufijtë që
mban qenia njerëzore.Ç`do t`i thoshte fqinjit të vet me orgjinë çame që ka një jetë njeriu që nuk e sheh vatrën e shtëpisë së tij? Ç`do të shkruante në ditar mbasi të kthehej nga ai udhëtim?Ndjehet i pafuqishëm dhe i drejtohet kësaj krahine të lashtë sa vetë njerëzimi. Në vargje jepet me realizëm Çamëria e sotme:"Të kam përballë dhe copa-copa të gjej:/Një copë këtu e një tjetër andej.'' Ku është Çamëria?- klidh zemra e poetit. Ku janë fshatrat çame? Po qytetet çame ku? Vërtet duke u dëbuar i morën të gjitha me vete? Po a mbartej historia pellazgjike? Ajo është e plotë dhe e skalitur aty pranë brigjeve të kaltërta joniane. Është e gdhendur në krahun e shqiponjës që s`iu largua Çamërisë. Është e gdhendur në baladën e Urës së Artës që poeti e mban si tapi që askush nuk ia merr dot. Poeti kërkon ta shohë të gjithën nga afër,ta prekë si një e tërë,t`i thoshte
asaj fjalë zemre. Po s`qe e thënë... Dhe më tej vazhdon:"Ç`u bë dielli yt 100 e ca vjet?!.../Në sa copëza u thërmua që çamët e morën me vete?'' Po përveç mjegullës që ka rënë mbi supet e Çamërisë,as dielli më nuk ndriçonte.Të ndriçonte dielli që të shihej e vërteta. E vërteta që u thërmua në copëza në këto 100 e ca vjet. Dhe çamët, duke u përzënë, nuk harruan ta merrnin me vete. Ata dhe vetë u larguan si një copëz diell. Si një copëz dielli dhe një copëz qiell çamërie.Ata ikën
dhe atyre të paktë që mbetën u lanë një amanet : trojet dhe varret. Ndaj dhe poeti nuk e gjeti dot atë të plotë. E gjeti në copa këtej dhe andej Poeti vendos të tregoj qëllimin e vizitës së tij:" Kam ardhur të të shoh, /E t`i falem edhe një herë Dodonës për ty./ Plagë e pambyllur që rrjedh/nga zemra dhe nga sytë.'' Tregohet qartë se problemi i Çamërisë është një problem i përhershëm i autorit.Nuk mund të ndihesh i qetë me një Çamëri që çamët po i rrallohen,ata që u përzunë nuk kanë të drejtë të kthehen në vatrat e tyre. Atëhere? Është gjetur një element tepër i rëndësishëm.
Zakoni i të falurit që tregon lidhjet shpirtërore të njeriut me Zotin. Vendi që është zgjedhur? Dodona. Poeti vjen tek kryeqendra e të parëve të tij. Aty në kryeqendrën e Mesdheut. Vetë Homeri 2800 vjet me parë, tek vepra e tij madhore "Iliada'',na thotë: "O Zot,mbret i Dodones pellazgjike,që banon n`ato vise të largëta e sundon mbi Dodonën dimër-keqe.'' Pra, edhe vetë
Zoti, para se të ishte i të gjithëve,ishte në radhë të parë i pellazgëve. Këtu shihet qartë se me çfarë admirimi shiheshin të parët tanë në pellgun e Mesdheut.
Po ka dhe një element tjetër që poetit i jepet e drejta ta kryej ai këtë lutje për Çamërinë.Ai rrjedh nga fisi i molosëve dhe Dodona ka qenë brenda territorit të këtij fisi.Poeti është krenar për këtë orgjinë hyjnore të fisit të tij. Ai vetë është falur si një dodonas ndoshta qysh fëmijë. Besimin pellazgët e kishin tek Zoti.Lisi ishte pema në të cilin kryhej ky rit. Lisat e mëdhenj dhe madhështorë i konsideronin si vende të shenjta.Të paktën brezi i 50-vjeçarëve të sotëm i mban mend mirë prindërit e tyre se si faleshin pranë këtyre lisave hyjnorë. Ata shiheshin me admirim, dhe, kur ndonjë degë e thatë rrëzohej,nuk digjej në zjarr.Dhe çdo fshat kishte të paktën disa vende të tilla të shenjta.Të parët tanë e kishin hyjnizuar çdo pëllëmbë të tokës së tyre. Kështu dodoni Ylli Hoxhaj niset për në Dodonë.Do ta bëjë atje atë ritin e lashtë të faljes,atje në kryeqendrën e molosëve.Do të falet atje për atë brengën e tij më të madhe. Për atë plagën e tij të pambyllur me emrin Çamëri. Dhe vazhdon: "Çamëri,/siç mban midhja margaritarin brenda zemrës,/Orakullin e Dodonës ende/brenda zemrës tënde/e mban edhe ti.'' Do që të dijë se ç`thotë Orakulli i famshëm i Dodonës.A ka parashikuar ai ndonjë profeci të re? Po Orakulli ndoshta nuk e ka thënë profecinë e re, Dimë atë të vjetrën.Atë që u tha një mijë vjet para Homerit. Atë që u tha në fundin e një stine vjeshte. Një vjeshte të vonë ku njerëzit nga të gjitha anët u mblodhën pranë lisit të Dodonës. Fryu era dhe i rrezoi gjethet. Si shumë gjethe u rrëzuan atë ditë. Bashkë me gjethet e verdha edhe gjethe që ruanin ende gjurmët e një blerimi të vonshëm. Lisi po zhvishej para kohe. Njerëzit ngritën kokën dhe vështruan lisin madhështor. Ai dukej ende i florinjtë.Kurora e tij e lartë, që dukej sikur prekte qiellin, bënte lidhjen midis Orakullit dhe Zotit.Dhe profecia erdhi e rëndë për fisin e pellazgëve: Shumë kohë më vonë do të frynin erërat e së keqes. Ndoshta katër mijëvjecarë më vonë, është dodoni Ylli Hoxhaj që shkon në Dodonë dhe falet për Çamërinë.Falet se ndoshta zemra ia thotë që fati i saj do të ndryshojë. Edhe çamët Orakullit të Dodonës i falen.I falen ashtu si të parët e tyre katër mijë vjet më parë. Si margaritarë e mbajnë në zemër..Dhe presin që Orakulli të flasë përsëri. Ndoshta jemi në fundin e profecisë së vjetër. Ndoshta jemi në fundin e erërave të së keqes. Ndoshta së afërmi janë duke fryrë erërat e së mirës. Erërat e së mirës? Mundet. Atëhere do të
jetë fundi i plagës Çamëri. Me këtë besim shkon e falet dodoni Ylli Hoxhaj. Atje kërkon të dijë më
shumë.Do që të dijë se ç`thotë Orakulli i famshëm. A e ka Ai gati profecinë e re? A jemi në fundin e profecisë së tij të vjetër? Po nuk ka ku të marrë përgjigje. Çamërinë e gjeti me mjegull përsipër. Dhe çamët e ikur diellin e kishin marrë në copëza me vete. Dhe çamët e mbetur po ashtu në copëza i gjeti andej e këndej. Lutet atje në Dodonë. Dhe pret të marrë një përgjigje. Po siç duket nuk mundi. Vështroi kupën qiellore dhe pa diellin që kishte ngecur diku në perëndim. Ishte tamam koha kur Orakulli bënte të ditur profecitë e tija. Dhe priti. Asnjë përgjigje.Më në fund pyet i zhytur në trishtim: "Ç`thotë Orakulli i famshëm?.../ Nuk parashikon më profeci?!'' Poetin e ka tronditur historia.Sa flijime i ka bërë Çamëria vatrës së saj? Me dhjetra? Me qindra? Me mijëra? Po sa atëhere që ky numër nuk mbaroka? Sa është numri që ajo ka bërë për vatrën e saj? Poeti zhytet përsëri në histori dhe pergjigjet vetë: "Flijimet që i ke bërë ti vatrës tënde/i kapërxejnë flijimet e Perëndisë.'' Po pse u dashka vallë të flijohen kaq shumë njerëz?! Pse u dashkan bërë kaq flijime hyjnore?! Kush mund t`i përgjigjet kësaj pyetje?! U nis për të bërë një lutje si dodon dhe të
merrte një përgjigje si dikur të parët e tij. Po përgjigjia po vonon. I tronditur nga ajo që po i ndodhte pyet përsëri pa e besuar se diçka e keqe mund t`i ketë ndodhur Orakullit : "Ç`bën ai Orakull,pse hesht!!.../Mos edhe ai vetë /është bërë fli e lakmisë!!''
Poeti e shikon lakminë si burimin e së keqes. Ajo ia ka sjellë tragjedite njerëzimit. Ndaj për ta mundur atë flijohen jetë njerëzish. Lakmia dhe flijimi kanë shoqëruar historinë njerëzore.Po lakmia e sotme ka dalë nga guaska e individit. Ajo është futur tashmë në zyra. Ajo bredh nga zyra në
zyrë,bredh në ato që quhen institucione shtetërore. Është futur në ato institucione që quhen qeveri,parlament,presidencë. Këtu ligësia merr formë përfundimtare.Këtu ligjërohet. Keni dëgjuar për ndonjë ligj të tillë? Sa flijime njerëzore duhen për ta mposhtur atë? Flijimet njerëzore dihen, por
poeti është i tronditur se pre e kësaj lakmie duhet të ketë rënë vetë Orakulli. Orakulli i famshëm i Dodonës.Kjo nuk është shenjë e mirë.As për të sotmen,as për të ardhmen. Kush mund ta parathotë të ardhmen hyjnore të një fisi hyjnor? Dyshim i një momenti. Poeti e di mirë që Orakulli nuk mund të bëhet fli. Ai është aty në Dodonë si katërmijë vjet më parë. Poeti ka shkuar të falet për Çamërinë dhe pret të marrë një përgjigje. Vargu i tij ka brenda lutjen,këmbënguljen,ndjenjën e krenarisë se është pasardhës i një fisi hyjnor, ashtu si dhe ngutjen për të ditur të ardhmen.Të ardhmen që i shfaqet me mjegull dhe me dritë. Kush do të fitojë: mjegulla apo drita? Duket sikur e ka humbur durimin. Ka 100 e ca vjet që po bëhet kjo lutje. Veç prapë e mban drejtpeshimin dhe i drejtohet me fjalë perëndie: "Fol,Orakull i Dodones! /Çamëria,/dëshmitar më hyjnor s`mund të ketë." Në ato çaste të ndritura të shpirtit të njeriut që janë çastet e komunkimit të njeriut me Zotin ku dhe brenga më e thellë fillon e lehtësohet,poetit i vjen në mendje Tomorri. Madhështor si vetë qiejt që mban përsipër,mbushur me zëra njerëzish ,sidomos në ditët e gushtit. Një krah i kaltër ylberi e çoi për disa çaste në vendlindjen e tij.Atje ku dielli është diell dhe Zoti është Zot. Atje ku gjithçka i përkulet frymës hyjnore.Atje, ku në pragun e pranverës, përkulen lisat madhështorë dhe marrin fuqi për t`u ngritur më lart. Përkulet bari që ende s`e ka kapërxyer pëllëmbën e dorës dhe në një vezullim margaritari ngjitet lart.Përulen njerezit dhe ujët u bëhet shëndet. Atje në vendlindjen e tij përulen gjer në adhurim dhe mërgojnë erërat e lakmisë. Atje i përulen Baba Tomorrit aq larg sa syri mezi dallon majën e Malit të Shenjtë. Sado larg, Ai ua dëgjon zërin. I çon çdo vatre mbarësi. Fëmijët lindin të shëndetshëm. Kullotat mbulohen nga bari e nga gjethi.Shumohen kopetë e bagëtive. Çdo familje zgjedh dashin më të mirë dhe ia bën kurban Malit të Shenjtë. Dhe vargu i tij tingëllon si këmbanë: “Froni i lartë i Baba Tomorrit rron e flet./E bija e tij Dodona,ka shekuj që hesht…/Kush arrin të mbyllë gojët e Orakujve,/genin hyjnor s`mund ta ketë”

Në këto katër vargje kemi katër dukuri që përplasen me njëra- tjetrën duke na dhënë një pamje realiste të kohës në të cilën jetojmë. Froni i lartë i Baba Tomorrit që rron e flet është në kontrast të thellë me atë që ka ndodhur në Dodonë e cila ka shekuj që hesht. Në njërën anë kemi ata që kërkojnë t`u mbyllin gojën Orakujve,kurse në anën tjetër njerëz që përulen me nderim. Ky kontrast ndodh se ka njerëz që nuk e kanë genin hyjnor. Dhe nuk mund ta kenë, nëse lakmia ua ka prishur shpirtin.Dhe nuk mund ta kenë, nëse e keqja ua ka marrosur mendjen. Jetojmë në kohën kur e keqja po afrohet drejt fundit të vet dhe e mira po shkon të ulet në fronin e saj. Më në fund lind tek poeti një ndjenje shprese dhe besimi se gjithçka do të ndryshojë.Por ky ndryshim nuk mund të vijë pa folur. Ky ndryshim nuk mund te vijë duke heshtur.Ky ndryshim do të vijë kur të flasin të gjithë. Dhe poezia mbyllet me dy vargje brilante: '‘Fol Dodonë! /Të ikë mjegulla e dielli të ngrohë pjesën e vet.''



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  •  
  •