THE DAY AFTER
| Tuesday, 12.11.2007, 05:53 PM |  

Ecnin ngadalë.
Në krye ishte Edi. Në trup kishte vetëm një kanotierë ushtarake, e cila dukej sikur ishte dhjetë vjeçare, ndërkohë që ishte blerë vetëm një javë më parë: në anën e djathtë dhe në shpatullën e majtë ishte e grisur. Edhe xhinset e zeza ishin të grisura: mbi të dy gjunjët dhe mbrapa, tek xhepi i djathtë. Sipër atij xhepi dilte doreza e çeliktë e TT-së. Ecte kokë ulur dhe këmbët i tërhiqte zvarrë, duke ngritur rërë e pluhur me majat e grisura të atleteve. Në dorën e majtë kishte një shami, krejtësisht të ngjyrosur me gjak.
Disa hapa më pas, Suela dhe Zani ecnin në krah të njëri-tjetrit. Suela kishte pantallona të shkurtra e një bluzë të shkurtër që i tregonte një njollë të kuqërremtë të përhapur mbi bark. Kurse Zani, ashtu si Edi, kishte vetëm një kanotiere e një palë xhinse, fundi i të cilave ishte i djegur.
Në fund vinte Deni. Kishte xhinse bojë qielli, të spërkatura me baltë të tharë tek vithet, ashtu si edhe pjesa e pasme e këmishës së kuqe, njëri skaj i së cilës i dilte prej xhinseve dhe tundej prej erës si një flamur.
Ishin të lodhur. Kishin gjithë ditën që ecnin. Ngadalë. Njëri mbas tjetrit. Të rënë dakord.
Edi u sulmua nga një kollë e fortë.
«Sa vjen e keqësohet», i tha Zani Suelës.
Suela tërhoqi hundët. «Edhe ne», ia ktheu.
«E di. Por ai është më keq se të gjithë ne.»
Suela tërhoqi hundët sërish. «Eh, po. Ai kishte edhe celular.»
Zani psherëtiu. «Eh, po. Kishte edhe celular», përsëriti mekanikisht.
Suela ktheu kokën mbrapa. Që kur kishin dalë buzë detit dhe ishin vënë në radhë indiane, e bënte shpesh atë gjë. Për t’u siguruar nëse Deni ishte ende në këmbë. Por edhe për të parë qytetin: tymin që ngrihen nga çdo anë e tij.
Deni ishte ende në këmbë. Nuk kollitej, akoma jo, por mëngën e këmishës e kishte kthyer në shami për hundët, kurse njolla e kuqërremtë i kishte mbushur pothuajse të gjithë fytyrën.
«As Deni nuk është më mirë se Edi.»
«E as ti», ia ktheu Zani, duke parë barkun e saj.
Suela nuk foli.
«Të djeg akoma?»
«Shumë. Ty?»
«Deri tani, nuk ndiej gjë. Por me siguri do fillojë.» E pasi heshti për disa hapa shtoi: «Uroj të mos më vijë përpara perëndimit.»
Suela tundi kokën në shenjë miratimi. Pastaj, me zërin që iu drodh, tha: «Akoma nuk arrij ta besoj.»
«Mjafton të kthesh kokën prapa.»
Suela uli kokën dhe nuk foli.
Përpara tyre, Edi filloi të kollitej sërish.
«Mendon se ka të tjerë si ne?» pyeti Suela midis lotëve.
«Nuk e di», ia ktheu Zani. «Por nëse po, jo dhe për shumë kohë. E shikon se çfarë po i ndodh Edit? E vetëm në dy orët e fundit.»
«Oh, zot i madh!» psherëtiu Suela. «Po përse? Përse?»
Zani i hodhi krahun në qafë. Pastaj i puthi tëmthin. Lëkura e saj përvëlonte. «Ke frikë?»
Mbas një çasti, Suela ia ktheu: «Jo. Por thjesht do të doja të dija përse.»
«Është e kotë. Tek e fundit nuk mund të na shpëtojë.»
«Përse pikërisht tani? Pse pikërisht në këtë mënyrë?… E të mendosh se flisnim për të shkuar në Hënë për pushime.»
Zanit i shpëtoi një buzëqeshje e cila zgjati sa hap e mbyll sytë. Hodhi pastaj sytë tek shoku i tyre përpara. Psherëtiu. «Oh, e dashur», tha. «Herët a vonë do të ndodhte, ti e di. Nuk ndodhi prej gripit, nuk ndodhi prej kompjuterëve, por ndodhi prej celularëve. Sa herë kishin thënë se këto çyçyvera të shkaktonin kancer. Shiko tani: akoma edhe më keq. E të jesh e sigurt se po të mos kishte ndodhur prej tyre, do të kishte ndodhur prej ndonjë gjëje tjetër… Në një mënyrë apo në tjetrën, herët apo vonë, fundi do të vinte.»
«Po të kishte ardhur më mirë vonë se sa herët», ia ktheu Suela, pastaj  fshiu lotët me kurrizin e dorës dhe shtoi: «Të dua shumë.»
Zani nuk foli. Hodhi sytë atje ku deti bashkohej me qiellin. Një grumbull resh të zeza fryhej atje. me siguri të lindura prej qyteteve në Itali. Sot, dielli do të perëndonte më herët se zakonisht. Sytë iu mbushën me lot.
«Të dua shumë», përsëriti Suela.
«Edhe unë», ia ktheu Zani. «Edhe unë. Por…»
«Por?»
«Por… por sikur ta bëjë Deni dhe jo unë?»
«Jo», ia ktheu shkurt Suela. «Dua të jesh ti.»
Përpara tyre, Edi ndali hapat. U kollit fort disa herë, fshiu pak gjak që i kulloi prej hundëve dhe pështyu në rërë. Pastaj u kthye nga të tjerët. I pa me sytë e ënjtur dhe u mundua të buzëqeshte. Pastaj u rrëzua.
Zani u shkëput prej Suelës dhe vrapoi drejt tij.
Suela dhe Deni e imituan.
«Kujdes!» i tha Zani Suelës, ndërsa vinte dorën poshtë qafës së Edit.
«Rezisto», foli Deni. «Rezisto edhe pak, or mik.»
Një fije e hollë gjaku rrodhi prej hundës së Edit.
Suela mbushi sytë me lot. Zani mbështeti kokën e Edit tek gjuri i vet. Deni mori shaminë e Edit, e shkundi prej rërës dhe i fshiu hundët.
«Më duket se nuk do ia arrij dot», foli Edi me zë të ulët.
«Edhe pak», tha Deni. «Edhe pak.»
Edi qëlloi kofshën e Suelës. «Shtyhu», i tha.
Suela u shty nga e djathta e saj dhe Edi hodhi sytë mbi det. «Duhet të paktën edhe një orë», tha pastaj.
«Por do t’ia dalësh», ia priti Zani. «Ke për të parë se do t’ia dalësh.»
Edi u anua nga e majta e tij dhe u kollit. Pështymë rozë iu var prej cepave të buzëve dhe Deni u shpejtua t’ia fshinte me shaminë që kishte në dorë.
«Do t’ia dalësh», përsëriti Zani me zë të ulët dhe sytë iu mbushën me lot.
Mbasi u qetësua disi, Edi çoi dorën mbas kurrizit. Kur e solli sërish përpara syve të të tjerëve, mbante në të TT-në.
Suela nuk e mbajti dot më të bllokuar zërin. U ngrit dhe u shkëput prej tyre.
Edi ngriti sytë dhe pa Zanin. «Të lutem!», i tha.
«Jo», ia priti Deni. «Përpara perëndimit, jo.»
«Nuk kam për t’ia dalë dot. Ju lutem çuna!»
Zani hodhi sytë nga Suela: me këmbët e futura në ujë dhe fytyrën mes duarve, qante pa droje. «Premtuam», iu kthye Edit. «Edhe këtë perëndim dielli. Të lutemi, rezisto edhe pak!»
Edi u duk se kuptoi, sepse tundi kokën lehtë, lëshoi revolverin mbi rërë dhe nuk foli më. Pastaj filloi të kollitej.
Deni ngriti revolverin, e rrotulloi një herë në duar dhe pastaj ia zgjati Zanit.
Zani e mati me sy për disa çaste të mira. «Mbaje ti», refuzoi pastaj. «Kur të vijë momenti do e marr unë.»
«Okej.»
«Ej, Zani», tha Edi, duke hapur sytë. «Je i sigurt se mund ta bësh?»
«Do ta bëj», iu përgjigj Zani.
«Edhe Suelën?»
Zani nuk foli. I përkëdheli flokët. Pa pastaj, një pikë të madhe gjaku të binte midis atyre flokëve. Ngriti sytë dhe ndeshi me vështrimin e Denit. Çoi dorën tek hunda. «Ej, Deni, mbaje pakëz», i foli shokut.
Deni plotësoi kërkesën e Zanit, ndërkohë që ai hoqi kanotierën dhe e përdori për të fshirë hundën.
«E të mendosh se ishim lajmëruar prej vitesh e vitesh», foli Edi, gjithnjë pa hapur sytë.
Zani ktheu kokën nga lindja. Shtëllungat e zeza të tymit qëndronin pezull mbi qytet, porsi duar të mëdha. Një e qeshur ironike i shpëtoi prej buzëve.
«Shiko atje», ftoi Denin. «A nuk duken si duart e vdekjes?»
Deni ktheu kokën nga lindja. Mbas disa sekondash u përgjigj: «Ato janë duart e vdekjes, or mik. Të krijuara prej evolucionit. Tamam si ajo reklama e Vodafonit: gjithçka përreth teje.»
«Por ne kemi zgjedhur të merremi prej duarsh të tjera, apo jo?» u dëgjua zëri i Suelës mbas tyre.
Shtrirë në rërë, me kokën midis duarve të Zanit, Edi qeshi. «Prej duarve të antikitetit», tha.
Deni rrotulloi revolverin në duar: «Po, prej duarve të antikitetit», konfirmoi pastaj.
«Por», vazhdoi Suela, «jo përpara edhe një të fundit perëndim dielli.»
Edi hapi sytë. «Ej, Deni. Të kanë mbetur më cigare?»
Deni futi dorën në xhepin e pasmë dhe nxori një Kent të shtypur.
«Por a nuk do ishte më mirë të mos pinim më ?» ia priti Suela.
«Po», tha Zani duke buzëqeshur. «Thonë se ndot ambientin.»
«Vërtet?» Ia ktheu Deni, duke u munduar të qëndronte serioz.
«Po vërtet», tha Edi. «Edhe unë e kam dëgjuar. Thonë se të shkaktojnë kancer. Të vdesin.»
«Atëherë kjo është e fundit që do pi», tha Deni dhe të katërt shpërthyen me të qeshura, ndërkohë që i fundit perëndim dielli afrohej gjithnjë e më pranë.



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •