Petraq Risto
| Thursday, 12.13.2007, 08:37 PM |  

Poezia  posmoderne e Petraq Ristos e një niveli evropian

Petraq Risto
Petraq Risto ka lindur në Durrës më 9 qershor 1952, ka kryer Universitetin e Tiranës në degën e Gazetarisë si dhe një vit  pasuniversitar për kritik teatri në Institutin e Lartë të Arteve. Ka punuar si gazetar dhe libretist. Tani që prej 17 vjetësh është drejtor i Shtëpisë Botuese “Globus R.” në kryeqytet.

Petraq Risto është një nga poetët më në zë të poezisë bashkëkohore shqiptare, autor i disa librave të suksesshëm, veçanërisht i vëllimit pretencioz “Lojë shahu në shekullin XXI”, botim i vitit 2004,  që u prit shumë mirë mga kritika jonë letrare. Para pak kohësh, ai botoi vëllimin “Engjëlli me virus H5N1”dhe tani vëllimin e ri “Hallelulja”.

Është autor i shumë vëllimeve poetike, romaneve, tregimeve, librave e dramave për fëmijë etj.
Ndër librat kryesorë veçojmë:
Romanet: “Avioni i Parajsës “Baterflaj”, “Bukuroshja fantazmë dhe unë zoti Prek Vdek”;
vëllimet me tregime: “Vdekja e palaços”, “Ndalohet vrasja e ujqërve”
vëllimet poetikë : “Mollë zhvirgjëruar nga rrufetë”, “Lojë shahu në shekullin XXI”, “Engjëlli me virus H5N1”, “Hallelulja” etj.

Është ndër autorët më origjinalë në këto njëzetë vjetët e fundit. Ka marrë disa herë çmime letrare.
Pjesë nga veprat e tij janë botuar në anglisht, spanjisht, italisht etj. Së shpejti në Meksikë pritet të botohet një përmbledhje poetike e Ristos në gjuhët spanjisht dhe shqip.

Petraq Risto: sfidë jo e zakonshme poetike në hapësirën tonë krijuese

- Poezia e tij në dy vëllimet e fundit “Lojë shahu në shekullin XXI”
dhe “Engjëlli me virus H5N1”-

1.

Më 2006 poeti Petraq Risto botoi librin e tij “Engjëlli me virus H5N1”. Ky libër i veçantë është shtysa semantike e këtij artikulimi shkrimor. Libri poetik në fjalë nuk mund të kuptohet pa botimin më 2004 i librit po poetik “Lojë shahu në shekullin XXI”. Këto janë libra diaskurë, kanë një binjakëri të pashtershme dhe befasuese. Petraq Risto me këta libra ka çliruar nga vetja një sfidë jo të zakonshme poetike në hapësirën krijuese mbarëshqiptare...Vitalizmi krijues, një enigmë, një mister i ndritur dhe tejet i ndërlikuar i shumëfishoi forcat dhe vetëdijen poetike të Petraq Ristos. Libri i dytë, pra binjaku  i dytë, dëshmoi për një fuqi të re, për një ecje përpara, në kristalizimin e një stili vetjak, tashmë krejt të dallueshëm dhe origjinal, që i takon atij dhe vetëm atij.

2.

Petraq Risto është një talent i vërtetë dhe e pasuron poezinë shqipe jo me retorikë, por me substancë të re.
I spikatur që në vitet 70 të shekullit të kaluar, kinse u fsheh nën heshtjen e punës dhe të dinjitetit, për të shpërthyer afirmimin e tij në vitin 2000. Po kjo nuk ka aspak një kuptimshmëri thjesht kronologjike. Bëhet fjalë për provën titanike të poezisë: për cilësinë e saj.
Poetë të njohur në hierarkinë e realizmit socialist, mbas vitit 1991 nuk i rezistuan provës së historisë, vorbullës së ndryshimeve dhe sidomos përballjes me cilësinë e modernitetit të poezisë së vërtetë. Po hierarkitë e vjetra, për habi, ende mbijetojnë trishtueshëm, kur është e domosdoshme për të caktuar meritueshëm hierarki të reja dhe të vërteta.
Në këtë kontekst krijimtaria e P.Ristos është tipologjikisht ndryshuese dhe pjesë e avanguardës së vërtetë. Risto është poet luftarak dhe pllenues i modernitetit të poezisë shqipe si pakkush.

3.
 
Petraq Risto ka një vizionarizëm të një grishjeje të re, këlthitëse; ai i ka farkëtuar fitoret e tij me përpjekje dhe tendosje të admirueshme. Petraq Risto guxon dhe shpërthen, ravizon me lëvizje kozmike, me tema të ekzistencialitetit tronditës dhe të dyzuar të epokës globale.
Poezia e afishuar shqipe shpesh vuan nga provincializmi si dhe nga krahinarizmi, fetishizon teknikat tradicionale të prozodisë klasike, nuk e ka genin aksiliterues dhe revolucionarizues të zhvillimit. Risto kërkon diçka të re, një tematikë universale, në bioritmin e vargjeve, në aktualizimin e metaforave të çuditshme, në kriticizmin shoqëror dhe në atë letrar. Është sfidues deri në fund. Ai është poet i metaforizimit si proces i pandërprerë; kapërcen kufijtë jo thjeshtë konvencionalë, e botëzon Shqipërinë, motivet e botës i shqiptarizon.
Të dy librat e tij poetikë duken si të papritur, por në të vërtetë nuk është ashtu: ata janë të parapëgatitur, të ftillëzuar. Ai ka arritur shumë dhe gati në vetmi si çdo krijues origjinal. Suksesi i tij është sukses i poezisë shqipe të ditëve tona, projektuar në ardhmëri.

4.

Natyrisht kritika ka filluar të interesohet për krijimtarinë e tij, kjo gjë të mbush me besim se vlerësimet klanore në poezi me kalimin e kohës nuk do të rezistojnë dot. Nryshimet poetike i paraprijnë dhe ndryshimeve ontologjike.
Petraq Risto i sfidon tërë ata që kanë mbyllur sytë dhe veshët, ai i sfidon tërë ata që kinse nuk lexojnë dhe kinse janë papët e vlerësimeve ekleziastike, profesionistë të mjerë të hierarkive të mitizuara, që nuk i hyjnë në punë askujt.

Dr. Moikom Zeqo

Të tjerë për poezinë e Petraq Ristos      

Ka poetë të talentuar zhurmues për çdo fjalë të vërtetë e poetike që ligjërojnë, por ka edhe poetë të vërtetë që krijojnë pa hedhur tollumbace e fishekzjarre, që ligjërojnë me filozofinë e thjeshtë të kallirit plot. Petraq Risto i ka kushtuar një jetë të tërë letërsisë, në prozë e në poezi, gjithnjë në kërkim. Dhe tani me “Lojë shahu në shekullin XXI” dëshmon se krijimtaria e tij, sidomos poetike, veçohet si një arritje me peshë, gjurmëlënëse, e përfshirë në atë rrugë, në të cilën nuk mbeten shumë emra që u afrohen majave.

Prof. Alfred Uçi

Në rastin e përmbledhjes "Lojë shahu në shekullin XXI", nuk kemi të bëjmë me formulime rregullash teorike, me ndonjë manifest poetik, por me një poetikë moderne të mishëruar në përbërës konceptualë dhe tekstorë …Libri më i ri i Petraq Ristos "Lojë shahu në shekullin XXI" dëshmon se ky autor nuk vuan nga "moskureshtja e zymtë" bodleriane, përkundrazi ai përpiqet të ketë një informacion sa më të pasur që nuk kufizohet vetëm në qytetin ku rron, madje as me Shqipërinë. Një nga burimet kryesore të këtij informacioni janë udhëtimet e gjata e të largëta, të cilat dihet se sa shumë i vlerësonin modernistët. Jean - Marc Debenedetti shkruan: "Shumica e poetëve të Modernitetit ishin udhëtarë të mëdhenj; udhëtimet e tyre, ata i përjetonin si poema, duke luajtur si xhongler me horizontet dhe me epokat".

Dr. Anton Papleka

Për brendinë e poezisë do të thoja se figurat letrare të poetit Petraq Risto janë të veçanta, karakteristikë e tyre janë thellësia dhe befasia. Ato të shfaqen shpesh aty ku nuk e pret dhe shprehin përfytyrime të gjera, me hapësirë dhe të thella në përmbajtje. Herëpashere ato të trembin, të hutojnë, të shpërqëndrojnë dhe të krijojnë një gjendje përhumbjeje, duke e arritur kështu misionin e tyre të ndikimit… Idenë e bukurisë poetike poeti Petraq Risto e ka të kultivuar dhe ai e mbart dhe e përçon atë me mjeshtëri në hapësirën dhe lëndën e lirisë së vet të fituar vetvetishëm, si cilësi e kohës, duke u përpjekur të jetë njeri i saj.

Sokrat Paskali

Si në poezinë më të mirë shqipe, përmbledhja “Lojë shahu e shekullin XXI” të rrit përmasat e mendimit ngaqë të vinë me bukuri të veçanta përfytyrimesh ku ideja dhe figura kanë harmoninë e planetit me orbitën ku ecën. Ndjek mendimin e vargjeve dhe nuk e ndjen se ku ndërhyn figura, e cila i jep vitalitet dhe bukuri mendimit si dritë hëne brenda valëve. Në këtë vëllim autori shfaqet kalorës virtuoz që di të zotërojë “harbimin” e kalit të bukur siç është metafora në poezi.Kjo është e domosdoshme veçanërisht për një krijues i cili jetën me ngjarjet e trazuara i vëzhgon si qytetar, i gjykon si filozof dhe i shpreh si poet. Të tria këto përmasa i gjen te libri, si të lexoje Uitmanin, Eluarin apo Migjenin.

Agim Shehu

“Lojë shahu në shekullin XXI”, në vetvete një metaforë e goditur, është me pretendime tematike, me shtrirje hapsinore, me fokus të drejtuar thellë në histori, në botën e brendshme shpirtërore të njerëzve, në politikë, në jetën sociale, në Tiranë e në mbarë globin. Nga detajet e holla, nga vëzhgimet poetike me një natyrë metaforike, autori di të kalojë në sintezë poetike, me lojën e fjalës, me ndienjë e çiltërsi poetike, me metafora të fuqishme, me lojën e anës semantike të fjalëkuptimshmërisë, me kontrastin e fuqishëm... Për thellësinë e ndienjave, fluiditetin e të shprehurit, të duket se ka diçka “kozmike” edhe në poezitë e ngrohta lirike të dashurisë, të marrëdhënieve të përditshme, ku një detaj i thjeshtë bën të brufullojnë zogj mendimi që marrin start për hapësira të mëdha.

Vaid Hyzoti

Duket sikur, që në kryeherë, dikush nga lart vazhdon të luajë shah me hirin tonë. Dhe pastaj emri Petraq Risto, po ashtu gri. Kalimthi më kujtohet një nga poezitë e librit ku luhet alegorikisht me kuptimin trivial të emrit të gjyshit, atit dhe birit. Do të thotë se poetëve mund të ndodhë t’u besohen mesazhet e mëdha të ringjalljes? Ku i dihet. Jo rastësisht fjala poezi (poems) në kopertinë ka diçka nga ndriçimi i së artës. Ngjan si një stoli e vjetër, gjetur nën shkrumbin e paskohës sonë, kushedi se nga kush.

Natasha Lushaj

Gjithçka tjetër është loja e moçme në të cilën fatitë na kanë katapultuar për t’iu bindur besnikërisht një providence ende të panjohur prej nesh; dhe kjo lojë e cila në këtë vepër jepet me anë të asaj të shahut, është dhe metafora e madhe e dashur për poetin Petraq Risto: një shah i pashmangshëm; që arrin të konturojë; jetik – e kemi aty, duke na pritur ftohtë në skaj, ditën dhe natën, i panginjur; që e vërejmë të përvidhet prej buzëve të njoma virgjine e atyre të çapëlyera; që e shohim në “kaçurrelin” polimikroskopik të ADN-së e në pozicionet e yjësive, apo dhe superprodhimet kinematografike të imagjinatës sonë; gruaja na jep shah në një çast, papritur, po aq befas sa edhe ne dikujt që pak më parë na shtriu dorën ngrohtësisht; herë një letër, herë një e-mail... Shah, shah.

Lavdimir Marku
 
Vëllimi poetik “Lojë shahu në Shekullin XXI", dymbëdhjetë ciklet e librit me poezi “Engjëlli me virus H5N1", (me të cilin numri i lojtarëve, lojërave dhe kumteve shtohet bashkë me magjinë poetike) si dhe vëllimi me poezi “Hallelulja" (kurora e këtij Trekëndëshi Bermude) përbëjnë, sikurse është vlerësuar nga kritika, një “përtëritje estetike",  që e zhvendos poetin shumë kuadrate përpara në skakierën e poezisë bashkëkohore.

Granit Zela


“Qiellin steril e përbuz rrufeja”

Një e-mail nga Parisi për librin poetik “Engjëlli me virus H5N1”

I dashur Petraq,
 
Mbrëmë mbarova librin tënd « Engjëlli me virus H5N1 » dhe ndjeva një dëshirë që të ulesha dhe të shkruaja poezi. Këtë lloj frymëzimi ta japin poetët e vërtetë, edhe kur nuk je poet, kur nuk jeton përditë me të, apo ke shkruar veçse ca poezi, me një fjalë kur je një pasionues i poezisë dhe jo lëvrues i saj.
Lexoja poezitë dhe më rishfaqeshe ti në ditët e universitetit, me hapat e nxituar në bulevardin e madh, ti që jetoje çdo ditë me poezinë. E pra, poezia kishte bërë goxha rrugë, kishte hapur rrugë të mëdha, të ëmbla dhe dehëse. Të përshëndes për këtë dhe gëzohem për këtë, sepse kështu ndodh kur poezia bëhet dhe pronë e të tjerëve... Sepse është bukur të thuash: « Dikush hedh kovat në pus ë dhe çuditërisht ë i mbushen me dritëë…”…se është dehëse të thuash: « me shegët që paturpësisht shkopsisin jelekët ë të shfaqin inxhitë e tepërtë…se është sublime të thuash: « Mos ma prekni rrasën e varrit ë të vjetër  sa një gur mulliri ;ë bluan grurin poetik të njerëzimit ë…sepse Witman-i që atëhere, kur ti mbaje në kokën e shtratit « Fije bari », kishte mbjellur një farë që vonë do të thoshte: « Witmani fton në banket gjithe poetët ë të varfërit, të verbërit, dhe mbretërit ë, …dhe ti ishe një nga të varfërit e pasur…
Ti që lumturoheshe me Lorkën e poezisë së vrarë për t’i thënë  30 vjet më vonë: « Ti ndjek gjurmët ë e pulëbardhave në ranishte…ë harron e ngjitesh në qiell »,…sepse tek ty, ishte dhe është: « dhe zjarri, dhe tymi » i ekstazës ajrore të dashurisë,…ashtu siç me të drejtë do të thoje « ftoi i gjirit drithërohej në degë ë nën degë drithërohesha unë »….
Kështu, duke lexuar poezitë e tua, m’u duk vetja djaloshar. Ngjisja dhe zbrisja shkallë poetike bashkë me flladin, bashkë me erën, ashtu si në poezitë e tua « Mali », « Dialog erotik » (veçanërisht strofa fundit), « Derdh parfum të bardhë », « Do ta blej një majë mali », « Hallelulja », « Koridori i pasqyrave 10 - Nëna », « Kënga 1- Dashuria », « Lojë me karafila në det », « Vrasja e Eskilit », « Kënga e engjëllit » (tek “Engjëlli me virus H5N1”), etj.
Herë-herë, fjala me ngjyrën, poezia me pikturën, ngjizen aq shumë, sa që bëjnë një festë të madhe pranverore! Ç’festë!  Të lexosh një “sonatë” (“Dashuria”), dhe të përgjumesh, të flesh!..Atëhere ti vërtet beson kur poeti thotë: “Shikoj  malet nga lart – libra të verbërish ë lexohen vetëm nga të prekurit ë më shumë se të gjallët, peshojnë të vdekurit”.
Para pak kohësh u mora me poezinë e Jean Cocteau dhe diku, në një intervistë të tij,  ai i referohej “fatkeqëve” Rembo, Bodler dhe Verlen. Dhe thoshte se tek Bodler, “mjaftonte një varg-shkreptimë që ta merrte tërë poezinë për ta ngritur në qiell”. Ashtu ndodh dhe tek ti, na rrëmben dhe na çon në qiell. Atëhere unë dua t’i them Cocteau-së së vdekur me vargjet e tua në buzë : “merr një rreze e bëje litar ë në ferrin njerëzor të zbresim”…Dhe atëhere Moxart do dëgjojmë, siç shkruan ti: « Një Moxart surealist shkruan rekuiem pëllumbash duke qeshur ë mes pëllumbash vdes »…ashtu si në një imazh « Amadeus » ku « qiellin steril ë e përbuz rrufeja »…
 
Luan Rama


Parathënia e autorit për vëllimin e ri “ Engjëlli me virus H5N1”

Një Engjëll me virus H5N1 po vërtitet nëpër botë: dikush thotë ka zbritur nga Parajsa e infektuar, dikush është ngjitur nga Ferri i rebeluar, por ne - purgatorasit, si të zënë në faj, zgjedhim e zgjedhojmë nën zgjedhë foljen VUAJ.
Një Engjëll i lodhur, jo me pamjen klasike të ngjashme me qershitë mbi tortat-  piktura të Rilindjes Evropiane, por me flatra të përzhitura nga hiri i nxehtë i luftrave, me fytyrë të drobitur somnabulike dhe krela: fole vetëtimash, mund të jetë shenjë, mund të jetë pëllumbi i tretë (jo i Luftës së Tretë) i Noes së Ri, mund të jetë një mesazh zhgënjimi, apo dhe një kavie fluturake, i gatshëm të blatohet, apo të kurohet në një sallë reaminacioni, ose edhe të balsamoset si kujtim për Njerëzimin që nxiton drejt mplakjes.

Përkulur mbi një Engjëll
                           pastroj morrat e tij: H5N1.
                                                            
Fatkeqësisht, edhe  në këtë kohë, mbase si në të gjitha kohërat e historisë njerëzore, Engjëlli është me virus, kurse Djalli me imunitet. Gjithashtu, klithma është e njëjtë, shtërngimi i grushteve - i njëjtë, është i njëjtë dhe shkëlqimi i syve pas zhgënjimit të madh, madje, mundet që dhe inkuizicioni i të gjitha llojeve, si instrument, por edhe si institucion, të  mos ketë pësuar evoluim të qenësishëm.
Raca njerëzore, duke pasur një jetë të shkurtër biologjike, madje një jetë tepër të shkurtër aktive, (të shkëputur nga prangat e arta të familjes dhe të përpjekjeve për mbijetesën), ende nuk ka arritur të japë zgjidhje thelbësore për përsosjen e sistemeve (!) shoqërore, brenda një brezi e natyrisht brenda këtij grushti qytetesh e katundesh, që e kemi quajtur Tok (në shqip: të jemi sëbashku). Planeti ende jeton me duart në xhepat e njeri – tjetrit. Luftrat ende shërbejnë si zgjidhje, madje thonë se Zoti, me një ligj të posaçëm, ka ngritur Parajsën e Luftës. Ende nuk e dimë nga na vjen ky Engjëll i infektuar e i përzhitur, nga Zoti, nga planetet e tjerë, apo dhe nga qiejt e shpirtrave tanë të leckosur.(!?)
Në këtë shekull e mijëvjeçar të ri, filozofia e paradoksit ka arritur në kulmet e saj; tani luftrat ndiqen nëpër ekranet mediatike si spektakle, qeniet njerëzore me intelekte të përafërta, kuptojnë, me thjeshtësinë e retinave, se agresiviteti, pabesia, dhuna, përçarja, manipulimi, marrin pjesë qetësisht në rrotullimin e Tok-ës (në shqip: të jemi sëbashku ) duke harruar se Toka rrotullohet rreth Diellit me filozofinë e gaforres (gafa + horrorre). Institucioni i zhgënjimit mbizotëron, Frika si një inkuizitor i madh, nxjerr ligje të reja, absurdi ul kokën nga pesha e fajit dhe e turpit.
E, në këto kushte, Engjëlli i përzhitur vërtitet nëpër botë fare hapur, si fillesa e një mallkimi, apo si mallkim i një fundi. Nuk shoh lotë në sytë e këtij Engjëlli, i cili tashmë nuk ka fytyrën e një fëmije, përkundrazi, ka një fytyrë me logjikën e personazheve të Kafkës (në shqip Kafka i thonë një koke pa mish, pa flokë, pa sy për të parë e, natyrisht, pa buzë për të protestuar).Kur Engjëlli të shfaqet në ëndërr me kafkë sipër flatrave, do të thotë se Liria është në rrezik.

             Uitman,
 Liria është një mut: e shkelim çdo mëngjes
                                            dhe bie erë gjithë ditën
natën mbulojmë kokat me jorganë dhe qajmë për Lirinë.

                                             “Lojë shahu me Uitmanin”

Ky vëllim i ri poetik, del gati dy vjet pas librit “Lojë shahu në shekullin XXI”, i cili u prit mjaft mirë nga kritika jonë e kualifikuar, nga miqtë e mi poetë, si dhe nga lexuesit e zgjedhur të poezisë, të cilët, sidoqoftë, në të gjitha rrethanat, vazhdimisht  kanë luajtur rolin e një stimuluesi serioz. Disa nga titujt e cikleve të atij vëllimi, ( tashmë me poezi të reja), u përfshinë edhe te libri “Engjëlli me virus H5N1”, pra, ky Engjëll, hera-herës prek me krahët e tij edhe motivet e mëparshme, ose, më saktë, bëhet figurë shahistike mbi skakierën e madhe të globit (Tok-ësor) (në shqip: të jemi sëbashku, pra Tok).
Mbase ka filluar një lojë e re, le ta themi shahistike, tashmë me engjëj dhe djaj.

Petraq Risto

Parathënie me “Hallelulja” ose poeti është plagë”
(Parathënie e autorit për librin e ri “Hallelulja”)

Fjala e re Hallelulja është thjesht një bashkim i dy fjalëve të njohura shqipe, njëra e vrazhdë:  halle dhe tjetra e brishtë: lule. Bashkimi i vrazhdësisë me brishtësinë është një domosdoshmëri shqiptare, aq më tepër kur ky bashkim përafron me thirrjen kristiane Aleluja! Vendi im që, siç them në poemën “Engjëlli me virus H5N1”,  “ka formën e vrimës së çelësit,/ ku gjithkush me çelësa kopilë në xhep / hyn e del sipas qejfit”, ndodhet në një udhëkryq “ku veç kryqit s’ka mbetur asnjë udhë”... Hallelulja!
 Poeti, duke mos patur imunitet diplomatik, ka detyrën e atij qytetari të thjeshtë që e vë dhembjen në buzë si një plagë nga kafshimi i mbiqendresës...Pra, poeti është plagë... Poeti dhemb.  Poeti kullon gjak. Poeti këlthet...Poeti kupton që sistemet shoqërore, duke qenë naivitet i rracës së tij dhe, mbase, vetëm fenomen tokësor, bëjnë pjesë në gënjeshtrën e manipuluar mijëra vjeçare; por duke qenë një lule mbi prehërin e plehut të gënjeshtrës, poeti shpallet si zhgënjim vetëm me fytyrë nga qielli, sepse, instiktivisht, ai kupton se vetëm qielli mund t’i japë imunitet të përjetshëm (këtu jo thjesht në kuptimin e zotit, por në kuptimin e qytetërimeve në galaktikat pa sisteme). Hallelulja!
 Poetit i lejohet të luajë, madje t’i përdorë metaforat si armë, por jo si një artileri që godet papushim në një shkretërirë, ku nuk ka asnjë të plagosur nga dhembja dhe dashuria. Loja e poetit parashikon që floriri në të ardhmen do të shërbejë vetëm për protezat e dhëmbëve, se paraja do të jetë thjeshtë një kuriozitet si pullat postare për filatelistët, se luftërat do të jenë e kaluara primitive e gjakësore e të parëve të pagdhendur, që në disa mijëra vjeçarë luftonin se donin të vidhnin tokë e plaçkë, apo naftë e gaz, dhe si shkak për këto luftra kanë përdorur ose femrat, ose diktatorët...dhe gjithnjë ia kanë arritur qëllimit të dytë, që natyrisht ka qenë dhe i vërteti. Hallelulja!
I bindur nga urdhërat e rastësive, duke qenë mbret i çastit, por edhe okult i të ardhmes, poeti shpesh arrin të kap thelbin, qoftë edhe kur ky vërtitet në ajër si shenjë, si klimë revolte, si zhgënjim apo frikë kolektive. I ndodhur mes pulseve të dy sistemeve, poeti kupton të vërtetat lakuriqe, kupton se pulsi i tij ka rrahje tjetër, përpiqet të bashkojë me naivitet ritmet e dy sistemeve, apo të krijojë një sistem të tretë apo të katërt, ta krijojë vetëm në mënyrë paqësore, pa luftë, pa gjak të kuq, por vetëm me gjakun blu, apo të blertë, apo të bardhë të metaforave. Duke qenë kështu një mbret utopik, poeti do shkruaj:

            Ti Njerëzim i barabartë si vrimat në një fyell: i barabartë
 gishtërinjtë që luajnë muzikën nuk janë të barabartë.
 Dhe njerëzimi qesh, qesh me veten si palaçoja
 me planetin Tokë - hundë prej llastiku 
 kur thërret me gisht drejt mbretit: armiku, armiku!

 Polarizimi i pasurive, eksplorimi i poleve, shkrirja e akujve polarë, sikur parathonë apokalips të ri. Hallelulja!
 Për poetin shpejtësia e dritës është e tejkaluar nga shpejtësia e mendimit, por fatkeqsisht sot mendimi intelektual shqiptar është pa humus dhe pemët - pa klorofil, drita është pa vlerë, veçanërisht në një vend ku mungon edhe drita si vlerë ndriçimi.Fatkeqësisht mendimi letrar shqiptar është i mjerë, secili merr një tambure në qafë dhe i bie vetëm për vete, (ç’provinc-hale-izëm!), apo edhe kur e dëgjojnë pakëz të tjerë, ose mbyllin veshët, ose qeshin, ngaqë s’kanë guxim të qajnë.
 Hierarkia, Hijerakia, Hijearkia, Hijearkët (hije në arkë) Hijerkarët.
   Mashtrimi dhe gënjeshtra janë ngritur në sistem, mjerimi i poezisë nuk arrin të kthehet në plagë, ndaj askush nga të plagosurit s’ rënkon.
         “Ulisi qau kur dëgjoi  rapsodin të këndonte për Kalin e drunjtë...”
 Hallelulja!
          “Lotët janë të barabartë, dashuria ime, por avullojnë shumë shpejt
                                                                           si gjithë të barabartët...”
 Hallelulja!
 I kapur rob nga poezia, i burgosur në një dhomë të fshehtë me frëngji vargjesh, përpiqem të vras veten çdo ditë nga pak, duke joshur me naivitet dritën e një ylli të vdekur, me shpresën se duke arritur deri tek unë, drita e atij ylli do të kthehet në një planet pa halle, ose thjeshtë në një lule.
 Hallelulja!
 Ne purgatorasit kemi një zakon të mirë, i mbajmë pranë dhe hallet dhe lulet, hamë atë salmon menjëherë pasi i kemi kënduar zakonit të tij marramendës: kthehet nga oqeani të lind vezët në një lumë të zakonshëm majë malit dhe të vdesë në vendlindje, “Jam rryma e ndezur nga shpirtra salmoni”; ne purgatorasit që na deh “një sup i njomë në kabare”, jemi prindër apo pinjoj të atyre që vrasin magjinë me emrin Grua..., jemi ata që falim, por edhe ata që vjedhim, jemi ata që dikur revolucionet i quanim shkallë zhvillimi e që tani shkallët, gjithnjë anonime, kërkojmë ti transformojmë në shtigje mali; jemi ata që, në fund të fundit, kemi forcën torturuese që hallin ta kthejmë në lule dhe lulen në hall.
 Hallelulja!



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •