Bilal Xhaferri
| Saturday, 03.03.2007, 11:14 AM |  

Bilal Xhaferri
Jeta e Bilalit ishte një jetë e rënduar me halle dhe brenga, ishte një jetë me luftëra, përpjekje dhe humbje. Ishte një jetë me dimra, me shkrepje rrufeje. Ishte një jetë që jetës nuk ia njohu gëzimet...
Bilal Hoxha (Xhaferri) ishte një meteor, ishte një yll që u këput shpejt nga toka mëmë që përjetësia në gjirin e saj e mbështolli.
Bilali ka lindur më 1936 në fshatin Ninat të krahinës së Konispolit. Nëna e la të mitur. Një vëlla e tri motra. Në fillim të vitit 1945 babai i tij, Xhaferr Ferik Hoxha (Mustaqja) u arrestua dhe u ekzekutua pa gjyq. Fëmijët mbetën jetimë. Ata i rriti gjyshi plak disi i qorruar. Në moshën 12-vjeçare Bilali largohet nga fshati i lindjes dhe shkon në Sarandë ku punon si korier. Këto ishin përpjekjet e një fëmije për të mbijetuar. Më vonë kryen një shkolle për teknik-gjeometër. Ende të vogël, Bilalin e gjen Tiranës, Durrësit, Krujës, Laçit, Malsëive të Shkodrës. profesioni dhe tërë këto endje e bënë të njihej me njerëz të shumtë dhe mjedise të ndryshme. Gjatë këtyre viteve u burrërua. Shpirti i poetit, shkrimtarit të ardhshëm mbushej me përvojë jete, mbushej me mall për motrat, mbushej me peisazhet e mahnitshme që do të derdheshin në të tëra krijimet e tij. Dhe, që të përjetësonte babain e tij të ekzekutuar padrejtësisht, në krijimet e veta për mbiemër vuri emrin e të atit.
Bilal Xhaferri kishte një arsim të kufizuar, por ai ishte një talent i jashtëzakonshëm. Nisi të botojë tregime që në vitin 1962 dhe gjer në vitin 1968. Ai u mirëprit nga të gjitha organet letrare të atyre viteve. Bilali ishte një Tip i heshtur, disi i distancuar nga kënaqësia qä u jep jeta të rinjve. Mund të shtoj se kur shkruante romin „Krasta Kraus“ në një dhomë hoteli në Tiranë, kam parë pak më tej tavolinës së punës, në një pjatë: një riskë bukë, pak djathë dhe ndonjë fik. Kështu e shtynte urinë. Në vitin 1966 u botua vëllimi me tregime „njerëz të rinj – tokë e lashtë“. Në 1967 u botua, por nuk doli në qarkullim vëllimi poetik „Lirishta e kuqe“. Në vitet 67-68 përfundoi pjesën e parë të romanit „Krasta Kraus“. Ka tregime dhe vjersha të pabotuara, reportazhe dhe skica. Jeta e këtij talenti kaloi nëpër Shqipëri me një shkëlqim verbues dhe me një shpejtësi drite, por prapë mendoj se për një jetëshkrim mund të mblidhen momente, ngjarje, kujtime, fakte; mund të duhet të dëshmojnë me ndershmëri tërë dashamirësit e hershëm të Bilalit. Kështu mund të kontribuojnë edhe në plotësimet e trashëgimisë së tij letrare. Duke qenë larg strehës, ngrohtësisë familjare, nga rruga në rrugë, nga kantieri në kantier, Bilalit, këtij endacaku shekspirian, iu imponua parregullsia. Dheu që ia brumosi krijimtarinë e tij, vetë ia përpiu...
Në këtë biografi të shkurtër të Bilalit nuk mund të rri pa theksuar finalen, atë rastin fatal që ndikoi aq shumë në jetën e tij.
Në vitin 1968 në sallën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë, bëhej diskutimi i romanit „Dasma“ i shkrimtarit të mirënjohur Ismail Kadare. Mbas shumë lavdërimeve ngrihet Bilali dhe me argumente bindëse dhe të sinqerta e kritikon romanin. Ky veprim nuk ka të bëjë me paramendime, por u ushqye nga dobësitë e shumta të vetë romanit, dhe nuk ka të bëjë aspak me atë ngjyrë që shkrimtari i madh Isamil Kadare i ka dhënë në librin „Ftesë në studio“. Zoti Kadare ka folur me hamendje, ashtu si oficerët e sigurimit të atyre viteve, që atë rast u mundua ta ndërlikonin dhe ta quanin si gjoja veprim të një grupi të oragnizuar kundër veprës më novatore, më revolucionare të shkruar gjer atëherë. Jeta e romanit „Dasma“ dihet...Zoti Kadare mjafton të kujtojë buzëqeshjen tërë ngrohtësi që i dha Bilalit kur u ngrit për të folur. „Ja, - ka menduar në ato çaste të vështira Kadareja, - po ngrihet për të më mbrojtur ky talent i ri, ky njeri i heshtur që nuk e kemi dëgjuar një herë të flasë. Besoj se do të ma kënaqë sedrën...“ Por nuk ndodhi ashtu, Kadareja u zhgënjye...
Bilali shpesh ma ka përmendur me dhimbje të papriturën që i bëri Ismailit. Kishte ndjenja të holla Bilali. Ishte i mbushur me virtyte e kurrsesi nuk mund të ngrihej kundër së vërtetës, qoftë edhe për hir të dobësisë që kishte për madhështinë e Kadaresë. Jeta njeh raste të shumta që njerëz të mëdhenj i kannë mohuar të thënat e tyre kur janë zhvleftësuar nga realiteti. Një rast i tillë do ta lartësonte së tepërmi edhe zotin Kadare. Në fund të fundit, e vërteta është në anën e Bilalit.
Nuk dua të zgjatem me qëndrimin e organeve të sigurimit e me trajtimin që iu bë Bilalit mbas atij diskutimi. Seç pillte komunizmi në të tilla raste tashmë dihet nga të gjithë...
...Bilalin e internuan nga Durrësi dhe e çuan në sektorin Kulle të fermës së Sukthit, ku punoi si punëtor.
Për motive të përafërta, unë me tërë fisin tim „Mane“, afro 56 vetë u internuam dhe u dëbum, një pjesë në Kryevidh dhe tjetra në Hamallë. Atëhere ishim 5-6 km larg njëri-tjetrit, por prapë takoheshim çdo ditë, shkruanim, këmbenim mendime. Krijuam dhe një vëllim të përbashkët me vjersha „Një siluetë në errësirë“. Shpesh ndodhte të kuptonim se survejoheshim e ndiqeshim nga persona të veçantë. Dhe ndoshta zoti na ka ndihmuar që s’u burgosëm. Mjerë ne shqiptarët ç’fat të zi kemi pasur!
Idenë e arratisjes së Bilalit në fillim u munduam ta realizonim nga porti i Durrësit, por shpejt pamë se ky veprim ishte i pamatur dhe me pasoja. Bilali shkoi në fshatin e lindjes, u njoh me vendin, përgatiti terrenin dhe mbas 3-4 muajsh, së bashku me kunatin, më 30 gusht 1969 u arratis nga Shqipëria. Ai u largua me mendimin që të kthehej një ditë. I vdekur do bëhem, emrin do ndërroj, operacione plastike do bëj e një ditë do të kthehem“! Kështu më kishte thënë. Dhe besonte tek vetvetja.
Pak dimë për jetën e Bilait larg Shqipërisë. E sigurt është se ka krijuar në SHBA, në Çikago, një revistë me titullin „Krahu i Shqiponjës“ që ka një theks të spikatur antikomunist. Shumë gjëra të tjera janë të mjegullta, enigmë: vetëm brenda një reviste është mbyllur krijimtaria letare e Bilalir?! Ç’është bërë me romanin „Krasta Kraus“? Dimë se pjesën e parë e mori me vete nga shëtpia ime. Pjesën e dytë si skicime e kishte përfunduar. Këtu të ketë ndaluar? Thueht se mbas operacionit të një tumori në vitin 1986 të ketë vdekur. Thuhet se dora komuniste e ka goditur deri atje. Deri kur do të thuhet?! Deri kur?! Le të shpresojmë në ndriçimin e kësaj engime...
Iniciativa e ndërmarrjes botuese me emrin „Bilal Xhaferri“, me drejtues zotin Shefki Hysa i ka vënë vetes si detyrë që të nxjerrë para lexuesve jetën e plotë dhe krijimtarinë brilante të Bilalit. Mendoj se, së pari, i përket e drejta pikërisht këtij enti botues për ta publikuar veprën e pavdekshme të të shquarit Bilal Xhaferri.

ENIGMA – BILAL XHAFERRI

Namik Mane

Parathënie per librin „Dashuri e pergjakur“ (romancë) me autor Bilal Xhaferri, botim i vitit 1992.)



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •