Gjokë Beci “zbraz” kujtimet e një jete
| Thursday, 12.27.2007, 12:41 AM |  

Nga Pano Hallko

Të paktën për një natë poeti Gjokë Beci i bashkoi miqtë. Për më shumë se dy orë në Teatrin e Operas mbizëtëroi një atmosferë miqësore. Të gjithë kishn ardhur për ta nderuar. Atë mbrëmje veç sa u përshëndetëm me Gjokën e madh e shtrënguam duart. Por në shtrëngimin e duarve i “rrëmbyem” edhe premtimin që të na kushtonte kohën e vëmendjen për një bisedë kokë më kokë me të. Kur e morëm në telefon se ku mund ta takonim, ai natyrshëm u përgjigj: -Në Repartin e Kardiologjisë në Spitalin Ushtarak, dhoma 2!... Me gjakftohtësinë dhe mendjekthjelltësinë që e karakterizon, na priti në këmbë, tek dera e dhomës. Ulu ti Gjokë- i thoshte Lefter Çipa, i bashkështruari e shoku i dhomës në atë spital. “Ulu se i rregulloj unë këta, mos u lodh ti”. E vërteta është që ne ishim të ngarkuar ende me emocionet e mbrëmjes që përjetuam në Teatrin e Operas, por situata e spitalit dhe diagnoza e përbashkët e poetëve që vuanin nga zemra, sikur na ulën “me këmbë në tokë”.

Si u krijua, si u ngjiz personaliteti i Gjokë Becit që ne njohim sot?
 
Është pyetje e vështirë për t’ju përgjigjur sepse kërkon shumë kohë për ta shtjelluar, një jetë të tërë. Persoanliteti nuk lind e formohet brenda një dite apo një viti. Është vetë jeta, me të tatëpjetat e të përpjetat e saj. Është ajo që gatuan një personalitet. Por në asnjë mënyrë nuk mund të them se njeriu na qenka një top llastiku me të cilin jeta paska të drejtë të bëjë si të dojë. Unë për vete kam qenë tepër i ri kur më kanë munduar pyetjet: Kush jam? Pse jam? Si nuk duhet të jem?. Të ndjerët dhe të paharruarit prindërit e mi ishin pa shkollë, por jo të paditur. Shkëndijën dhe dëshirën e parë për të lexuar, recituar e mësuar përmendësh poezi, patjetër e kam prej vëllait tim të madh Pjetrit. Vërtet që “Lahutën e Malcisë” e kam prekur me dorë kur isha 35 vjeç, por e them me sinqeritet se e dija “fund e majë” përmendësh qysh në moshën 6 vjeç. Kjo sepse e lexonte me zë të lartë vëllai atje, rreth vatrës e unë e mësoja varg pas vargu e pjesë pas pjese. Pastaj me kalimin e kohës, si nëpër gurët kilometrikë, kam kaluar nga Fishta tek Dante, nga Naimi tek Pushkini, nga Lasgushi te Bërnsi e Esenini, nga Omar Kajami, tek... gjithkush që më mësonte të merresha me veten. Duhet të merresh me veten, të pyesësh veten, domethënë të jesh i preokupuar për atë çka je, e zgjidhjen ta gjesh në shkollim e arsim, në lexim. Pastaj lëndën ta jep vetë jeta, vetë njerëzit, sado të parëndësishëm të të duken ata. Këtë kam bërë me veten time. Kam qenë kërkues dhe i rreptë për të mos kërkuar plagjiatura nga burime, shpirtin e të cilave nuk e njihja e për pasojë nuk mund ta riinterpretoj thekshëm. Kësisoj, edhe nëse do t`ju dukem disi kryemushkë në të vetën, në shtrydhjen e nektarit të luleve të tokës sime me katër palë duar, kjo s’ka pse të merret për primitivitet që përlan ç’i rrok dora nga Izraeli në Argjentinë, e me të në duar të rendë të promovojë me ngut videoklipin e ri të “suksesit”. Kam ngulur këmbë të jem vetja ime. Ashtu siç kam dashur që fjala që them të jetë prodhim i trurit, arsyetimit dhe emocionit që rrekem të transmetoj për të ndihmuar në krijime këngësh, të jetë “thikë më thikë” me hipokrizinë dhe me shtirjen. E ndjej se kur këmbëngulja teprohet, gjen hapësirë moraliteti, që ndoshta s`kam mundur t`i shpëtoj e t`i shmangem për momentin. E them këtë edhe në shenjë ndjese për ndonjë rast, por më shumë për mirëkuptim. Ndërkohë kur u ngula përkundër një gjendjeje jo fort të volitshme shëndetësore, s`di pse më sillej ndërmend ngultaz Xhordano Bruno. As i flisja, as më fliste. Me lejen e tij perifrazova kuptimin e lapidarit të tij të lashtë. Ai tha Toka, unë thashë Kënga! Fakti është që kënga ashtu si Toka rrotullohet. Por ndërsa Tokën ne njerëzit nuk mund ta rrotullojmë, këngën mundemi. Ashtu sikundër askush nuk mund të thotë e rrotullova unë tokën, asnjëri prej nesh të këngës nuk ka të drejtë të thotë: deri tek unë dhe ndaluni.

Profesor, janë të shumta krijimet tuaja që kanë lënë vulën e tyre ndër vite në folkun dhe poezinë shqiptare. Siç janë të shumta edhe ato që publiku artdashës i ka shijuar të hedhura në pentagram prej kompozitorëve tanë të mëdhenj. Ç‘mund të kujtoni sot për lexuesin kur krijuat këngën “Rrjedh në këngë e ligjërime”?
 
Ishte atmosferë përgatitore për festivalin vjetor në RTVSH. Bëja pjesë në një ekip selektues dhe redaktues, vetëm në sensin e rritjes së cilësisë artistike, sepse të tjerat ishin në tapi të hierarkisë partiake. Kompozitori i shquar sidomos në partiturat e rënda, i paharruari Feim Ibrahimi kishte vënë gurin e një prove për shkëlqim të ri. Natyrisht të bënin nder të madh kur të besonin të shkruaje tekst për to. Feimi e kishte shumë për zemër këtë muzikë, por ajo që mbahet mend dhe dua ta kujtoj është një “bllokim” i papritur dhe “çbllokimi” im në këtë rast. Mbase për shkak të emocionit të paprovuar më parë. Këngën e re do ta këndonin korifejtë e melosit shqiptar, të mirënjohurit Vaçe Zela dhe Gaqo Çako. Strofat i rrinin mirë krijimit. Hezitimi u bë aq flagrant për refrenin sa i thashë kompozitorit të gjente krijues tjetër se do ta ndërprisja bashkëpunimin. Përgjigja e tij ishte: “ta provojmë edhe njëherë në pianon e shtëpisë”. Pranova. Ë’të shihje! Më befasoi prania e Vaçes, Gaqos, Feimit dhe bashkëshortes së tij Verës. Nuk flitej fare për muzikë, më ngjau thjesht një gosti. Diku vonë Feimi u ngrit dhe vuri duart në pianoforte. Atmosfera po bëhej e rëndë për mua. Në këto çaste marr një legji dhe mbështes një fletë të bardhë. I lutem Vaçes që m’u ndodh pranë: A mund të më bësh një nder, Vaçe?
-Po si jo mor Gjokë? Vijën melodike të refrenit me la/la/la, të lutem? Mbase duke lexuar “turpërimin” tim për këtë shprehi që na ishte krijuar nga puna me kompozitorë amatorë, ajo përvijoi saktë e ngadalë la/la/la-të që më nevojiteshin. Vargjet kishin mbaruar dhe i them Vaçes: -Si është metrika? Ajo e pa, brofi në këmbë dhe thirri: - Feim, doli refreni! Unë shtanga. ...Po ku ka si ti, moj Shqipëria ime, o fisnikja përmbi gur... Ky është edhe falenderimi im për këta gjurmëlënës të artë në këngën shqiptare. Pa harruar orkestruesin e mrekullueshëm, pedagogun e respektuar, të ndjerin Gjon Simoni, kujtimit të të cilit i përulem me nderim pa cak.

Kujtime duhet të ruani edhe për këngën “Një zambak i bardhë në gur”, apo jo?

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve përgatitej për pjesëmarrjen në Koncertet e Majit. Në qytetin tim verior u shfaqën dy miq që meritonin shumë respekt dhe përkushtim: artisti i madh Besim Zekthi dhe kolegu i tij, piktori Ksenofon Dilo. Përse mund të ishte fjala, përveçse për bashkëpunim letrar.
Synoheshin dy tekste, njëri për të ilustruar një valle dhe tjetri me një temë ngjyrëlënëse. Kërkesa e parë nuk kishte shkak për hezitim, ndërsa e dyta nuk mund të merrej në këmbë e në dorë. Thuajse kështu ngjau. U mbylla në studio, vura makinën e shkrimit përballë dritares që shihte nga bjeshkët dhe me muzikën e valles në kufje, ajo që kërkohej ishte gati. Po më tej? Duke vështruar jo pa nostalgji bjeshkët përballë më erdhi në ndihmë fëmijëria. Atje lart në kreshtë më kishte shtangur një masiv shkëmbor krejt i kuq. Si një gjurmë e stërmadhe së cilës me një adhurim konfuz, vetëdija ime i mbeti skllave për krejt kohën. Mekanizmat krijuese u vunë më lëvizje dhe u krijua ajo që i ra në dorë Feim Ibrahimit dhe i shkoi për zemër Vaçes. Disa kohë më pas takova këngën e plotë. Më kishin ftuar për vallen e kënduar. Në koridorin e gjatë të katit të tretë të Teatrit të Operas, dëgjoj një zë:-Ju jeni Gjoka? – Gjokë më thonë.- Gjoka i Mirditës? – Nga Mirdita jam.-Që keni shkruar zambakun?...-Ishte diçka e tillë në festivalin folklorik, thashë pa u kujtuar për gjë tjetër. Zëri përballë ngulmoi: -Zambakun e bardhë e ka kompozuar Ibrahimi- dhe më tërhoqi fort për krahu:- eja, se kjo është pianistja, eja ta dëgjosh. Ishte Vaçja vetë, dhe ishte mrekullia vetë.

Nga një lexim i shpejtë i Antologjisë suaj del se shqetësimi i juaj kryesor është një dhe i vetëm, shqiptarët duhet të ç‘kurorëzohen me urrejtjen. Së pari, a “kanë vënë vërtet kurorë” shqiptarët me urrejtjen dhe nëse po, si mund të ndahen prej saj?
 
Do të dëshiroja si ju, që të mos ishte ashtu. Por në fakt është e vërtetë. Pa asnjë argument të përligjur i jemi qepur verbërisht e gjerësisht asaj (urrejtjes), sa të vjen të besosh se jemi kurorëzuar me të. Asnjë komb nuk ia pa hajrin mënisë, sherrit dhe urrejtjes. Të gjithë kanë ecur përpara me dashuri e mirëkuptim, me marrëveshje, apo me konsensus, siç u pëlqen të llomotisin faktorët politkbërës në Shqipëri. Më ndiqni në arsyetim dhe do të më besoni. Unë jam i gjatë dhe dal në rrugë. Ti gjithashtu i gjatë dhe del në rrugë. Në rrugë dalim si ne edhe ai njeriu i shkurtër. Pa kurrfarë shkaku, ne fillojmë ta qesëndisim vetëm pse ai është i shkurtër. Nis e gravidohet urrejtja që na turpëron sepse ne jemi një popull që kur kemi kaluar urat, të shkurtrit i kemi dhënë dorën për ta ngjitur bashkë me ne në bregun tjetër.
Unë jam i varfër, ti je i varfër, ai është i pasur. Bëhemi bashkë dhe sipas parimit anadollak: “Më mirë të cofë lopa ime, sesa të pjellë lopa e tjetrit”, urrejmë kot së koti atë pse ka arritur të bëhet i pasur e nuk është si ne. Unë rroj pa larë. Ti rron pa larë. Ai jo vetëm lahet rregullisht, por vë edhe parfum dhe ne fillojmë ta urrejmë pse nuk është si ne. Unë vjedh, ti vjedh, ai jeton me djersën e ballit. Ne fillojmë ta urrejmë. Unë nuk lexoj libra, ti nuk lexon libra. Ai ka arritur të meritojë dy doktorata dhe ne si cmirtarë të kripur fillojmë ta urrejmë vetëm pse ai di?!? Hajde logjikë hajde! Epo kjo duhet të quhet “kënga e harabelit”. Ai muhabeti i mollës dhe ideve nuk ka gajle pse s’njihet në katundin tonë të urrejtsave. Të bëjmë dhe pak udhë nëpër këtë katundin tonë pa drita, pa shkollë, pa libra, pa lodra fëmijësh dhe me pak të vërteta burrash. Pa asnjë këngë të traditës dhe me shumë këngë allacigançe. Mua nuk më votojnë. Ty nuk të votojnë. Atë e votojnë dhe ne fillojmë ta urrejmë pse fitoi. Nuk lemë shkurre pa i vënë nëpër këmbë vetëm që ta rrëzojmë dhe sapo ja arrijmë kësaj, e shpallim veten të ndershmit e katundit. Herëdokur do të kuptojmë se edhe nga këto rrugë zë fill brumi i urrejtjes për të cilin ulim zërin kur përmendet por që, pastaj na shpon veshët, sepse ky brumë bëhet gur dhe ky gur bëhet ortek që merr me vete gjithçfarë i del përpara, për ta parë veten një ditë edhe në vitin 1997. Kësaj çështjeje i kam kushtuar shumë vargje e poezi të tëra. Sidomos vitet e fundit. Edhe për çështjen e hakmarrjes, të cilën na e tregokan si çështje kanuni e nderi. Madje vetëm temë veriore. Nuk është as kanunore, e as vetëm e malësisë. Ndaj diku, them: “Kanë ra n`gjak e janë ngujue/ Janë lodhë qyqet me i pajtue” N`ara të bukës ka mbi ferra/ Ka mbet lumi lumi me nji valë/ Ka mbet votra me nji djalë. Me një fjalë, përshkruaj atë se çfarë ndodh në një “rënie në gjak”. E gjithë jeta paralizohet, asnjë fëmijë nuk shkollohet, vdekja vjen rrotull kullave si një korb i zi me drapërin e tmerrshëm të kositjes së jetëve. Prandaj edhe them e bëj apel: “Kush asht burrë e në zot beson/ Gjakun fal e gjak s`kërkon/ Koha sot s`asht me derdhë gjak/ Ndihmo zot të bajmë konak”. Dhe përfundoj duke vikatur: …”Se në vrafshim veten për çdo fjalë/ Vetëm vdekja mbetet gjallë!” Unë kam dy lloj prindërish: realë e virtualë. Prindërit e mi virtualë janë Skënderbeu dhe Nënë Tereza. Pra shembujt s’na mungojnë, se ata ishin shembull edhe për Europën në të cilën ne përpiqemi të hyjmë ekonomikisht. Ndërkohë të gjithë e dimë dhe e pranojmë se jemi nga katundi i Nënë Terezës që lutet pa pra : “Në këtë’ tokë me diell mbi krye/ Vijmë me u dashtë e jo me u urrye”.
Gjersa dielli s’na ka braktisur, le të nxitojmë të kryejmë aktin më të madh, më qytetar e më të domosdoshëm; çkurorëzimin me urrejtjen!...



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •