Për t'u vetëflijuar me dinjitet
| Saturday, 12.29.2007, 12:49 AM |  

Alma Mile - Shekulli

Pak ditë më parë, Romeo Çollaku fitoi çmimin "Fan Noli" për përkthimin, me shqipërimin e antologjisë "Tregime autorësh grekë të shekullit XX", botuar nga Botimet "MAX".

Romeo Çollaku
Të shqipërosh një vepër, nuk qenkërka edhe aq e thjeshtë. Duhet të respektosh stilin e shkrimtarit, por në të njëjtën kohë duhet t'ia ofrosh publikut në një formë të tillë, që ky i fundit të mos e shquajë që është një përkthim. Të qënurit shkrimtar e ka ndihmuar shumë Romeo Çollakun të përvetësojë ato rregullat e pashkruara, më së shumti ndjesore të përkthimit. Vetëm pak ditë më parë, Çollaku fitoi çmimin "Fan Noli" për përkthimin në konkursin e përvitshëm të çmimeve letrare, të organizuar nga Ministria e Turizmit, Rinisë dhe Sporteve. Këtë çmim prestigjioz, Çollakut ia dhuroi krijimi dhe shqipërimi i antologjisë "Tregime autorësh grekë të shekullit XX", botuar nga Botimet "MAX".

Ç'mendoni për faktin që çmimi kombëtar i përkthimit mori emrin e Fan Nolit, që, duhet thënë, përbën një shkollë të përkthimit dhe që këtë çmim për herë të parë e morët ju?

Nga momenti që u vendos t'u jepeshin çmimeve emrat e lëvruesve më përfaqësues të çdo gjinie, mendoj se çmimi i përkthimit nuk mund të mbajë tjetër emër veç atij të Nolit. Ai është maja më e lartë e përkthimit shqip, këtë janë shumë të paktë ata që mund ta vendosin në dyshim.

Emrat e Nolit, Konicës, Lasgushit dhe të tjerëve përbëjnë, për mendimin tim, një stoli më tepër, megjithatë çmimet kombëtarë të letërsisë, pavarësisht nga emri që mban secili, janë vetiu të rëndësishëm. Natyrisht, ndihem edhe më i kënaqur ngaqë çmimi mban emrin e Nolit, si dhe ngaqë libri i përkthyer prej meje u vlerësua nga një juri shumë prestigjioze. Dhe, duke qenë se nuk m'u bë e mbarë të ndodhesha në ceremoni, lejomëni, meqë më jepet këtu rasti, të falënderoj për vlerësimin Ministrinë e Kulturës dhe jurinë.

Ç'mund të na thoni për librin me të cilin fituat dhe çmimin, sa e vështirë ishte të sillnit bashkëkohorët grekë në shqip?

Libri "Tregime autorësh grekë të shekullit XX" (botimet MAX) është antologji dhe, si i tillë, do të kërkonte punë të dyfishtë: nga njëra anë përzgjedhja dhe nga ana tjetër përkthimi. Por mund të them se përzgjedhja u krye vetiu. Kisha vite që lexoja letërsi greke dhe erdhi një çast që vendosa të bëja një libër me tregimet që më kishin lënë më tepër mbresë nga gjithë ç'kisha lexuar. Pra, nuk u mbështeta në asnjërën nga antologjitë e kësaj gjinie që qarkullojnë në Greqi, nuk u mbështeta as nëpër librat përkatës me studime. Megjithatë, rezultati ishte interesant. Në libër u përfshinë disa nga tregimtarët më të mirë grekë, tregimtarë të një niveli shumë të lartë që pothuajse nuk njiheshin fare në Shqipëri, edhe pse tregimi grek ka një traditë të admirueshme. Ndërsa, për sa i përket përkthimit, disa nga shkrimtarët më vështirësuan më shumë, disa më pak, gjë që ndodh me të gjitha antologjitë kolektive. Por, ajo që e josh më tepër përkthyesin është pikërisht vështirësia e tekstit. Ndërkohë, në realizimin e këtij libri, kanë, padyshim, meritë edhe botimet MAX për punën e kujdesshme dhe redaktori Sejdin Cekani për ndërhyrjet e matura e të sakta.

Çfarë e bën një përkthim të mirë?

Që një përkthim të cilësohet i mirë, besoj se duhet të plotësojë, të paktën, dy kushte: të respektojë, me sa të mundet, stilin e shkrimtarit dhe të mos ngjasojë si përkthim, por si tekst origjinal. Nuk di të them se cila nga këto dy pika është më e rëndësishme.

Si ndikon të qenurit shkrimtar në procesin e përkthimit?

Patjetër që më ndihmon. Nuk ndiej ndonjë pengesë, pasi procesi i shkrimit dhe ai i përkthimit nuk ndryshojnë shumë nga njëri-tjetri. Edhe shkrimtari edhe përkthyesi bëjnë të njëjtën gjë; merren me gjuhën, me tingullin. Thjesht, shkrimtari shpreh nëpërmjet lojës gjuhësore mendime apo ndjenja të vetat, kurse përkthyesi mendimet dhe ndjenjat e dikujt tjetër. Por kam përshtypjen se, duke përjashtuar ndoshta hapat e parë, një njeri të letrave drejt krijimit nuk e shtyjnë edhe aq mendimet apo ndjenjat, sesa pikërisht kjo lojë gjuhësore që thamë.

Duke qenë se morët çmimin "Fan Noli", mendoni se është koha për një ripërkthim të veprave që ka sjellë në shqip Fan Noli, p.sh. Shekspiri, apo është një fushë ku nuk mund të hyhet pa guxim?

Mbase kësaj pyetjeje mund t'i jepte një përgjigje më të saktë dikush që i ka lexuar në origjinal veprat e përkthyera nga Noli, i ka ballafaquar pastaj me shqipërimet e tij dhe ka gjykuar për domosdoshmërinë ose jo të një përkthimi tjetër. Por, megjithëse përkthimet e Nolit vazhdojnë të lexohen edhe sot me ëndje, nuk do të ishte keq, për mendimin tim, të kishim në shqip edhe variante të tjerë të "Makbethit", fjala vjen, apo "Hamletit". Kjo, për disa arsye: në radhë të parë, ngaqë gjuha evoluon. Pastaj, veçanërisht për veprat kyçe të traditës, si këto që ka përkthyer Noli, do të ishte mirë të mos kishim vetëm një shqipërim.

Cili është mendimi juaj për nivelin e përkthimit në Shqipëri?

Dihet që ne kemi një traditë të mirë përkthimesh. Edhe gjatë periudhës së diktaturës ishin disa njerëz që punonin me merak e përkushtim në fushën e shqipërimeve. Një pjesë e mirë e këtyre, megjithëse kishin aftësi të rralla në përdorimin e gjuhës, nuk ishin shkrimtarë dhe gjithë energjitë e tyre shpirtërore i investonin në përkthim. Por asokohe, po të lëmë mënjanë ujërat propagandistikë, shumë pak gjëra përktheheshin në shqip, kryesisht vepra që i përkisnin të ashtuquajturës letërsi klasike. Kurse, që nga vitet '90 e më vonë, lindi nevoja që brenda një kohe relativisht të shkurtër të vinin edhe në gjuhën tonë një sërë shkrimtarësh, të cilët, për arsyet që dihen, nuk ishin botuar më parë. Edhe sot ka përkthyes shumë të mirë, por këta janë të paktë në raport me "kërkesat e tregut". Tashmë është në dorën e botuesve të kujdesen për nivelin e shqipërimeve. Dhe e vërteta është që një pjesë e këtyre kanë bërë të kundërtën. Të gjithëve na kanë rënë në duar libra nga më të rëndësishmit e letërsisë botërore, të cilët në përkthimet shqip janë të palexueshëm, nuk shtyhen. Dhe e keqja është se "tregu" shqiptar është e vështirë të pranojë përkthim të dytë të një libri. Në qoftë se një libër i mirë botohet një herë në një përkthim të dobët, një botues tjetër do të ngurrojë ta hedhë prapë në qarkullim, në një përkthim cilësor, siç do t'i kishte hije.

Çfarë duhet të ketë parasysh një përkthyes gjatë procesit të përkthimit?

Duhet të ketë gjithmonë parasysh se përcjell në gjuhën e tij mendimet, manierat, imazhet dhe përjetimet e një tjetri. Dhe anasjelltas, duhet të ketë parasysh që mendimet, manierat, imazhet dhe përjetimet e një tjetri ka marrë përsipër t'i përcjellë në gjuhën e tij. Por duhet të jetë i ndërgjegjshëm për masën e lirisë që i takon. Përderisa ka vendosur të vetëflijohet, duhet të vetëflijohet me dinjitet.

Dhe e fundit, çfarë po shkruani apo përktheni?

Shpresoj të botoj së shpejti një libër me tregime të miat. Janë rreth dhjetë tregime që i kam shkruar gjatë këtyre pesëmbëdhjetë vjetëve.



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •