KAFENEJA BALLKANIKE (Dramë)
| Sunday, 01.13.2008, 02:17 AM |  

Begzad BALIU

 

KAFENEJA BALLKANIKE

ose

(Udhëzime për Teatrin Evropian)

 

(Dramë)

 

 

Botim i parë,

Prishtinë, 1996

 

Vetat:

Të gjithë Princat e Shteteve Ballkanike

Shtatë ambasadorë të Shteteve të Bashkuara të Evropës dhe të Amerikës

Regjisori

Kryetari i Komisioni

Nënkryetari

Publiku evro-ballkanik

Shërbëtorja

Zëra: 1, 2, 3,… x.

Etj,… etj.

 

(E shkruar në Festivalin «Ditët e Teatrit Evropian 199’»)

 

 

Parahyrje në skenë

 

BALLKANIKE

 

Rroftë!

Poshtë!

 

Poshtë!!

Rroftë!!

 

Rroftë-Poshtë!!!

 

 

AKTI I PARË

 

 

Përgatitja e skenës

 

Udhëzime për një pamje të mundshme

 

Natyrë ballkanke. Teatër ballkanik. Skenë ose pamje ballkanike. Muzikë ballkanike,… rrjedhimisht edhe ndjenja ballkanike.

Edhe ndjenja!?

Domethënë edhe përjetim edhe bindje ballkanike! Ah…!

Një mal i madh. Një guri i madh në mes dhe në fund shpella e frikshme që nuk dihet nëse është shpellë apo gojë e hapur ujku, gati për të përbirë publikun. Aty është edhe kulshedra, prej gojës së të cilës shpesh duhet të dale tymë e flakë.

Duhet të dëgjohet edhe lëvizja e dragojve kreshnik, prej të cilëve në mos rrapëllima që lëvizë tërë skenën, (po le ta lëvizë edhe publikun, pse jo), duhet të dëgjohet edhe një fragment kënge. Së paku kështu thotë kënga ose ose thonë legjendat.

Rreth e rrotull dhe Brenda, në vende të zbrazta, janë vendosur gurë që kanë një rend dhe një disiplinë qëndrimi. Si zakonisht nuk dihet nëse janë gurë apo njerëz (që qëndrojnë drejt- thotë legjenda), krushq të ngrirë, rrashta kafshësh,…

Drunjët janë tepër të vjetër dhe në zgavrat e tyre pushojnë gjarpërinjë. Diku më lartë nxjerr kokën huti dhe zogjtë mishngrënës. Pastaj, shikoni, hapni sytë, mos shihni diçka më shumë, më mire, më çartë, vërtetë më tmerrshëm! …Nëse keni zemër të shihni më shumë.

Është vështirë!

Është e pamundëshme!

·         Ah! Ura! Vërtetë një cep i urës në të majtë dhe një ushtimë lumi. Është Ura e Fshejtë?

·         Është Uji i Bardhë i Drinit të Bardhë! I qumshtit të nënës sonë?!

·         Jo! Jo! Është Ura  e Xhehnemit! Është uji i zi!

·         Po në Ballkan nuk ka legjenda në të cilat tregohet se si nën urë kalon uji i zi.

·         Veç se ka burme, vërtetë kroje, pusa, që u thonë legjenda për ujtë e zi.

·         Nuk e besoj.

·         Në mos pastë ndërruar koha dhe hapësira.

·         As kohës dhe hapësirës nuk i besohet gjithmonë.

·         Në Ballkan as koha as hapësira nuk ndryshojnë lehtë dhe nuk ndryshojnë shpesh.

·         Megjithëse edhe ndryshimet më të vogla përcillen me dridhje, tronditje ose rrënime të mëdha, duke përfshirë këtu edhe ngjyrën e ujit ose ndarjen e tij…

·         Kështu, shekuj të tërë nuk ka lëvizur gjë prej gjëje,…

·         E  megjithatë gjithë kjo lemeri…

 

INTERMEXO

Ose, Një Komision i Festivalit e viziton skenën e Teatrit Ballkanik

 

·         Krra-krra…  krra-krra…!

·         Një krismë pushke: Tak!

·         Një zë: Oh!

·         Alternativa: Krrokamë dhe rëni e një  shpendkeqi, bashkë me ushtimen e drurit. Po le të bie edhe druri ore!

·         Një zë tjetër: E vrau more hej…!

·         Përsëri një krismë pushke: Tak!

·         Po kjo krismë e tretë?!

·         Dëshmi e saktë se e vrau.

·         Pse krrokama e një shpendi mund të sjellë fatkeqësi njerëzore?

·         Ç’lidhje ka një shpend me njerëzit?

·         Këtu gjithçka është e lidhur me fatin e njeriut: edhe shpendët, edhe guri, edhe burimi, dhe veçanërisht ngjyra e tij, edhe yjet, hëna, netët, ditët, javët, muajt, vitet, stinët…

·         Edhe pordhat!…

·         Mos u tall, nuk ke të drejtë të tallesh. Këtu megjithate ka një rregull prej të cilës ndoshta do të mësonim edhe ne…

·         Shpesh e kemi paguar shtrenjtë moskuptimin e tyre…

·         Megjithatë një kollë e tyre ka shumë rendësi…

·         Mbase po, është një përgjegje, një reagim,… ashtu më duket…

·         Një zë, ndërmjet vajit dhe këngës, i përcjellur me një instrument shumë të vjetër i përafërt me lahutën.

·         Është vaj aq prekës, ë?

·         Jo. Është një këngë për të vdekurin!

·         Si, si?! Këngë për të vdekurin! Ndoshta pse është një këngë vajtuese apo një vaj këndues, nuk e di si do të duhej të ishte më drejtë kjo sintagëmë, më mire është t’a pyesim specialistin për etnologji,… por çka deshta të them,… ah po, kënga vajtuese apo vaji këndues. Po. Deshta të them se ndoshta duke pasur dy elemente të përnjëherëshme dhe të gërshetuara mes veti këtu edhe kënga edhe vaji kanë kaq shumë elemente emocionale por nuk kanë kujë të trishtueshme si në Evropë dhe,...

·         Lene studimin ju lutem, nuk mjaftojnë dy elementet për studimin e një fenomeni a dukurie, më thuaj është ky vaj, vërtetë kjo këngë për të vdekurin apo,…

·         Po, po! Pikërisht për të vdekurin! Këtu kurrë nuk vajtohet! Këtu zakonisht këndohet për të vdekurin!

·         Si ndodh kështu!?

·         Në Teatrin Ballkanik është turp dhe fatkeqësi të vdesësh në shtrat.

·         Pa një akt trimëror këtu nuk vdes njeri. Ndryshe do të mbeten pa këngë dhe kënga nuk këndohet pa krismë pushke…

·         Po për gra, ka këngë?

·         Ka këngë edhe për gra, por ka më shumë luftëra për gratë, të mbështjellura me mjegullen e trimërisë dhe të vdekjes…

·         Prandaj, kur vriten, atyre u këndohet trimëria, në vend se të vajtohet humbja e tyre,… E megjithatë këngët janë kaq emocionale dhe dallohen prej himneve!

·         Ashtu disi…

·         O zot, o zot,…

 

 

NJË NGA DIALOGËT E PARË

 

Vetat:

A

B

C

D

 

A: Ç’është kjo? Ky  Teatër duhet të pranohet në Teatrin Evropian?!

B: Po, po. Pikërisht ky.

C: Di ti gjë për ballkanasit?

B: Unë di këngën ballkanase: “Ballkanasit shkojnë në luftë!”

C: Ndërsa unë kam dëgjuar këngën e re: “Ballkanasit shkojnë në Evropë”.

A: E pse shkojnë ballkanasit në Evropë?

D: Sigurisht për të luftuar!

C: Jo, jo. Nuk shkojnë për të luftuar po për të treguar se na e kanë sjellur kulturën, na e kanë ruajtur zotin, se ata janë vetë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë…

D: Dhe na kanë çliruar… hahahaha…

C: ….Hahahah…  Pikërisht për këtë, … kjo ishte e para… hahaha…

D: E Pse, Ne në Evropë, çka paskemi bërë? Kemi ruajtur qiellin? Hahaha …dhe kemi zbuluar Amerikën!

A: Ç’rëndësi ka Teatri Ballkanik për Teatrin Evropian?

B: Që t’i shpëtojmë ata dhe vetveten nga përmbytja…

A:B:C:D: Obobo, po hyjmë në luftë për të shpëtuar nga lufta!

 

 

PROVA E PARË

Ose ballkanasit dalin në Teatrin Evropian

 

Vetat

Të gjithë princat e Shteteve Ballkanike

Publiku evro-ballkanik

 

Skena tradicionale e Teatrit Ballkanik

P.sh. Skena mund të jetë e zbrazët dhe në mes të saj një fron mbretëror, ose mund të mos jetë një fron, po një ulëse mbreti apo kolltuk i Kryetarit të Partisë dhe para tij një palë çizme të rënda, ose…  Në fund të fundit mund të jetë një kombinim i zakonshëm që shpreh një atmosferë ballkanike.

 

Zëra në hyrje të skenës që s’është e thënë të kenë këtë radhë:

…Unë dua të dal i pari,…

…Jam  më i vjetri, duhet të më nderoni…

…Jo, jo, jo! Jam unë,…

…Jam më i riu, duhet ta kuptoni mosdurimin tim,…

…Jo ti, po unë sepse…

…Jam më i pashmi dhe më ka hije skena…

…Kurrësesi! Unë jam…

…Teatri është i imi, kur unë luaja në Teatër ju jetonit në vezë të qyqes…

…Unë,…

…Jam më trimi,…

…Asesi, unë…

…Jam më i forti, dhe…!

…Pikë!

…,

,…

Dialogjet mund të përsëriten disa herë në kombinim edhe me tekste të ndryshme polemikash.

Ku i dihet Teatrit Ballkanik? Ç’ështja është që diçka të fillojë,… ose, ose…

Teatri Ballkanik jeton…! Domethënë drama vazhdon!

 

PAS AKTIT TË PARË

 

Vetat

Shërbëtorja

 

Hyn me fshesë në dorë.

Shiko, shiko! Ç’janë gjithë këto sende të përmbysura. Po mua më thanë se drama nuk është luajtur fare. Madje mendoja të shkoj apo të mos shkoj për ta pastruar skenën.

“Nuk ka shkelë kush në dërrasa, nuk ka pasur publik në sallë, domethënë nuk janë ngrënë fara”, më thonin!

Jo, për atë se nuk janë ngrënë fara, ose nuk ka pasur publik nuk më tha askush, por pasi më thanë se nuk ka pasur shfaqje, kjo nënkuptohej vetvetiu.

Shih, shih…!

I kap ca lecka, fletë, rrobe të vjetra. Fillon të lexij një letër.

 

Këngë! Uh, uh, uh,…! Obobo, po e gjatë që qenka! Jo. Unë nuk kam nerva për ta lexuar këtë…

E hedh në tokë.

E kjo?

E kap një lahutë të thyer.

Kjo, sigurisht është pjesë e ndonjë lahute të thyer me të cilën kanë dashur ta përcjellin këngën. Sigurisht kanë pasur vetëm një lahutë, prandaj e kanë thyer duke e tërhequr: Jo kjo është e imja, jo me këtë qe treqindvjet, jo more tremijë vjet, tridhjetë… po çka janë treqindvjet për ballkanin, ku e kisha fjalën (ndalet), … e kemi përcjellur këngën brez pas brezi dhe… Dhe sigurisht këngën nuk e kanë përfunduar. Në Ballkan askush nuk e përfundon këngën dhe jetën! Të gjithë e kanë nga një epilog të çuditshëm. E si mos të jetë i tillë, kur fundi i këngëve dhe vdekjeve është gjithnjë i parakohshëm. E kjo?!…

E kap një rrobe të leckosur dhe të përgjakshme.

Obobo! Paska pasur edhe mosmarrëveshtje të përgjakshme në mes tyre. Jo more, ndoshta ndonjëri prej tyre ka pasur me marrë hakun dhe, sigurisht e ka marrë me vete shenjën e saj. Shih ti njëherë! Këmishën e hakmarrjes e kanë sjellur edhe në Teatër. Epo kështu është kur në skenë del Teatri Ballkanik. Uh, uh, uh,..

Ngre edhe ca lecka.

Si iu vie erë gjaku,… Më duket se këtyre u thonë mite.

I shikon njëren me kujdes, me përbuzje dhe me ironi.

Janë të trishtueshme. E me çka lavdërohen ballkanasit? Me mite! Me çka krenohen ballkanasit? Me hakmarrje! Këngë! Gjak! Vaj! Tradhëti! Kuaj Troje! O zot! Secili pretendon të quhet krijuesi i djepit të parë ballkanik. Madje edhe i djepit Evropian. Si nuk u mundën njëherë nga tragjedia e tyre,… Veç e veç dhe bashkarisht. Si nuk u mjaftuan grekët me krimin mbi Trojen, sllavët me përmbysjen mbi jugun, turqit me kreshtat mbi Ballkanin…?!

Obobo…, ç’po flas dhe unë?! Si duket edhe mua do të më bie sëmundja ballkanike,…

Dëgjohet zhurmë jashtë.

Ndoshta përsëri po vijnë për shfaqje. E unë, ç’po bëj kështu?!

Shpejton ta pastroj aty-këtu dhe del nga skena.

 

(Fundi i aktit të parë)

 

 

AKTI I DYTË

 

Vetat:

Princat ballkanikë

Regjisori

Publiku evro-ballkanik

 

Është skena (e) pas aktit të parë. Princat e Ballkanit janë brenda. I pari ngutet të flasë regjisori, i cili njofton publikun se dalja e Teatrit Ballkanik në këtë Teatër, historikisht modern, është bërë, mendermethënë për bythë të gjilpërës…

 

·         Megjithatë, mundi im,…

·         Djersa ime,…

·         Gjaku im,…

·         Kjo është tradhëti,…

·         Përsëri ka përzierje,…

·         Përzierje e kujt?,…

·         Kësaj nuk i thonë përzierje por larje, apo “Laj mut me shurrë!”

·         Kështu është kur na e lunë bishtin Evropa kurvë,…

·         Çka!?…

·         Përsëri Evropa!?,…

·         Jo more, Amerika,…

·         As Evropa, As Amerika, por Evro-Amerika,…

·         Jo more po, kështu është kur karabythet Teatri Ballkanik,…

·         Si?!…

·         Ua, ua, ua!,…

·         Ai, ai, ai!,…

·         o o!…

 

OSE: ALTERNATIVA TJETËR PËR TË NJËJTËN SKENË

 

E njëjta skenë.

Luajnë të njëjtit lojtarë.

 

Regjisori

Dëgjoni ju! Ose ndërrojeni kapelën ose mendjen!

·         Shiko, shiko! Kapelën time e paska tjetër kush, e unë…!

·         Po këto këpucë që i keni mbathur ju, gjyshi im i mbathte në antikë,…

·         Po! Këto janë të gjyshit tëndë e të stërgjyshit tim…

·         Mbaji! Edhe gjakun tim e ke…

·         Ashtu! Edhe vëllezër jemi,…

·         Asesi! Protestoj! Mendimet tuaja janë shoviniste,…

·         zot, kush po e këndon legjendën e shtëpisë sime të djegur, e unë me shekuj e duroj dhembejn e saj …

·         …,

Nga publiku vinë thirrje në të gjitha anët. Bëhet me dorë, pështyhet, fyhet, ngriten harta, gazeta, libra, aty këtu edhe ndonjë armë. Inçizohet, fishkëllohet, qeshet me forcë, me ironi, me cinizëm, …me zor!

 

Protestë e një anëtari nga komisioni vlerësues

“Zotrinjë! Unë nuk e kuptoj nëse teatri po ndodh në skenë apo në publik?! Ajo që po ndodh në skenë është krejtësisht komike, ndërsa ajo që po ndodh jashtë saj, dhe veçanërisht në publikun evro-ballkanik (o zot, lezoje edhe njëherë: evro-ballkanik, domethënë Evropë e ballkanizuar në vend se të ishte Ballkan i evropeizuar, o zot!), është tmerrësisht tragji-komike! Diçka po ndodh por është aq e pakuptueshme.

Lus komisionin vlerësues që të vej rregull në skenë.

Për të mirën e tyre!

Me mëshirën e zotit!

Amen!

Regjisori

Ndërhynë

Një moment ju lutem! Durim! Le të bien perdet deri sa të merremi vesh, së paku me publikun.

 

NDËRMJETSKENË

 

Vetat

Shërbëtorja

 

Hyn duke u shalakatur dhe e disponuar deri në fund. Në skenë është rrëmujë.

 

Hë azganët e mi! Kështu, kështu duhet! Bukuroshët!? Çfar mukuroshash more?! Unë nuk i qes qyrrat në ju! Trimat, trimat! Azganët! Trima dhe azgan njëkohësisht! Ahaha… Ah, po. Ja qëllova. Krëshnikët e mijë. Kështu ju kam dashur. Të ma bëni teatrin rrëmujë. Epo ky është zanati juaj, që nga zënia e kësaj bote e këndej. Kështu ju dua. Kur teatrin ma bëni lame thiu. Vetëm me ju sallën e kam plotë. Ndal të shikoj, a keni ngrënë fara mjaft?!

Shikon publikun.

Po, po! Ohoho! Edhe farat më janë shitur. Tamam puna. Kështu ju dua,…

Ec duke shkelmuar sendet e shpërndara nëpër skenë, kryesisht kapela, thika, rrypa, armë, këpucë,…

Uh, uh,… Sorra ashtin mos ma dërgoftë në Ballkan! Pastaj thonë “Edhe ne duam të hyjmë në Evropë”! Çfar Evrope duan këta ore! Mos duan që edhe Evropën ta bëjnë Ballkan? Assesi! Megjithëse Evropa di t’ua zhdredh si duhet.

Ah, jo po këta duan të hyjnë në Evropë dhe në Amerikë njëkohësisht, dhe mund të mashtrohet kjo e dyta, e ruana zot…

Kap disa letra.

Shih, shih! Ç’janë këto fotografi?! Jo, qenkan vizatime?!  …Harta! Mapa! Skica! Harta!

Përsëri harta…! Ballkani cope e grimë! Ua, ua. Uhuh… gjithë këta kufinjë që janë vizatuar. Po ata thane se donin ti fshijnë nga faqja e dheut. Kështu është kur njerëzit e një shtëpie nuk e durojnë dot njëri-tjetrin. Tërë jetën e kanë kaluar në kulla e kështjella. A keni dëgjuar se si vazhdimisht u rrëzohen urat: Ura e Fshenjtë, Ura mbi Drinë, Ura e Artës,… Si dreqin, nuk iu rrëzohen kështjellat po urat! Kështu e kanë këta. Gjithçka së prapthi,…

Dëgjohet cingërrima e telefonit.

Urdhëro!

Po!

Unë jam!

Jo shefi, po njëri nga shefat e teatrit.

Po, po!

Madje edhe njëri nga mbikqyrësit e rregullave të Teatrit.

Mundemi!…

Pse jo, mund të bashkëpunojmë.

Si jo! Ti e di se në Evropë gjithnjë janë gjetur miq që janë shitur (vërtetë që kanë shitur me para të të tjerëve) prandaj pse të mos gjenden edhe sot.

Audienca?

Sigurisht, sigurisht që do të mbahet.

Do të mbahet, dhe sigurisht konkurenca për të hyrë në Teatrin Evropian do të jetë e madhe.

A do të marrin pjesë shqiptarët?

Po, po! Sigurisht që do të marrin. Kjo tani është e pakontestueshme. Ju e dini se për këtë është vendosur në Teatrin Amerikan dhe para këtij vendimi është përulur edhe Teatri Evropian,…

Pse, mos doni ju që shqiptarët pastaj të marrin pjesë në Teatrin Amerikan krahas Teatrit Evropian?…

Ata që janë!

A janë hamallxhinjë, leshpërdredhur, hallvaxhinjë,… Çkado që të jenë. Si të tillë, do të marrin pjesë në shfaqje. Më në fund në këtë aspekt unë nuk kam asgjë në dorë që t’i pengoj, prandaj,…

Po mire! Sjelli ti disa nga Beogradi.

…,Aha! Nuk po mund të gjesh më. Epo mirë. Mashtroj ata të Tiranës.

Si? Të dolën nga dora?!…

Jo ore! Si thau ashtu! Si është e mundur që ata të Prishtinës, ta kenë hequr nga dora Trupen e Tiranës?! Kjo është e pamundur! Gjej n’rrot t’samës. Po deshe të fitosh kundër njerëzve me bishta, kundër sharraxhinjëve, shif-ship-shqiptarëve, apo si po i ti,…

Do të përpiqem që të ndihmoj,…

Pse, jo! Vetëm edhe ti mundohu,…

Mirë, mirë.

Rregullon edhe disa gjëra dhe del me ngut.

 

PAS AKTIT TË DYTË DHE PARA AKTIT TË TRETË

 

Vetat:

Të gjithë lojtarët dhe aktorët e mundshëm, përveç shërbëtores.

Skena është e aktit të parë por tani është kthyer në një ambient të kohës sonë.Të gjithë presin defilimin festiv të Teatrove Ballkanike, veç e veç.

Regjisori

Hyn në skenë

Zoti kryetar i jurisë! Hyrja është pothuajse e pamundur. Shenja për identifikim nuk kanë! Madje i kanë humbur edhe kapelat, që zakonisht i mbajnë si shenja identifikimi. Apo thënë edhe më drejt, ata ia kanë vjedhur njëri –tjetrit kapelat dhe…! Vërtetë disa i kanë, por njëri prej Trupave, domosdo mbetet pa kapelë. Tash u janë përzier kapelat, dhe secili ngatrrohet me tjetrin: Jo kjo është e imja, jo kjo është e gjyshit tim, jo ajo tjetra është e stërgjyshit,… U janë përzier këngët, legjendat, kashelashët,… Djalli e di këtë punë! Zoti asesi!

 

Kryetari i Komisionit

Ju duhet të bëni ç’është e mundur, që ata të dalin. Audienca është e domosdoshme. Askush nuk mund të hyj në Teatrin Evropian pa u provuar këtu nga komisioni i ngritur për këtë qëllim. Ka kaluar koha kur në Evropë vinin nën gunën ruse, angleze, franceze, gjermane, italiane,... Le ta futojnë ardhmërinë njëherë edhe ata, me djersë dhe me mend!

 

Një zë nga publiku

Le të mësohen të fitojnë me mend, atë që e kanë humbur me gjak…

Kryetari

Bëni si të doni. Kryesorja, kjo duhet të bëhet dhe…

 

Pauzë e mbushur me këngë, thirrje, fishkëllima, të qeshura, krisma, bërje fotografishë,…

 

Kryetari

I pari le të hyjë delegacioni grek,…

Zonja dhe zotërinjë të nderuar, këtij delegacioni i prinë Homeri,…

Zëra nga publiku:

·         Po vijnë ata që e pollën Homerin,…

·         Po vijnë ata që e mundën Trojën,…

·         Po vine ata që e bënë krimin mbi Trojen, ja Kali,…

·         Kushe vuri Homerin në krye,…

·         Turp, ai na i zbuloi të palarat, nuk ishte Helen, barbar ishte,…

·         Ndoshta më barbar se ç’janë tani,…

·         Po vijnë ata që e bënë demokracinë,…

·         Po vine ata që e bënë djepin e kulturës evropiane,…

 

Zhvillimin e ngjarjes e përcjell muzika greke.

 

Kryetari

Le të kaloj delegacioni grek!

Delegacioni kalon mbi urë dhe del në anën tjetër të skenës.

Kryetari

Në radhë është delegacioni i shqiptarëve. Delegacionit i prinë…

Nënkryetari

Hyn me nguti nga jashtë

Stop! Ndalo! Stop! Më falni! Ne ende nuk e paskemi marrë anëtarësinë. Unë nuk e di, cilit delegacion t’i hap derën. O bobo, këta janë të çuditshëm!

Shfleton dokumentet në grumbull dhe ia ofron kryetarit të komisionit.

Ja! Kanë paraqitur me dhjetra delegacione,…

Zëra nga publiku:

Nuk është e vërtetë,…

Nuk është e vërtetë,…

Ata kanë paraqitur vetëm një delegacion,…

Kruetari

Besoj se së paku këtë here kanë mbledhur mend,…

Nënkryetari

Jo, ore jo! Ja ku i kemi të dhënat, Ja shikoni vet ju: Një delegacion nga Tirana, tjetri nga Prishtina, një nga Shkupi tjetri nga Ulqini, një nga Beogradi tjetri nga Parisi,  një tjetër nga Gjermania, …një tjetër nga Zvicra, pastaj një nga Amerika, Australia,… Papapapa, aiiii,… shiko, shiko! Delegacioni i bajraktarëve, i kryebajraktarëve, bishtbajraktarëve,… hihiiii, hahahaaaaa,…! Një delegacion i fiseve, një i krahinave, delegacioni tjetër i toskëve, i gegëve, kosovarëve, çamëve, hahahaaa, hahahaaaa,… Delegacioni i katolikëve, muslimanëve, ortodoksëve, hihiiii, hahahaaaa,… delegacioni i dervishëve, evangjelistëve,…! Aman aman o zot! Delegacioni i Mirditës, i Drenicës, i Malit Mokër, i Kodrë s’Trimave, i Prroni t’Madh,…

Lexon dhe lëvizë duke u gajasur, qeshur me ironi.

Zëra nga publiku

·         Të përcjellur nga zhurma, fishkëllima,…

·         Le të hyjë delegacioni serb,…

·         Shqiptarët nuk janë as për Teatrin Ballkanik,…

·         Le të hyjnë në kuadër të delgacionit grek,…

·         Jo ore në kuadër të delgacionit të romëve,…

·         ,…

Regjisori

Hyn me nguti

Zoti kryetar i komisionit. Delegacioni shqiptar ka kohë që po pret te dera. Pse nuk e ftoni që të hyjë mbrenda?

Kryetari

Unë nuk po kuptoj asgjë. Si duket, asesi të mirremi vesh me ta. Këtu kam dokumentet e dhjetra delegacioneve që i kanë paraqitur.

Shfleton dokumentet.

Cilin ta ftoj? Ndoshta do të ishte mirë që edhe për një kohë t’i mënjanojmë nga Teatri Evropian? Si duket ata ende nuk e kanë formuar Teatrin Nacional,…

Regjisori

Jo zotëri! E keni gabim. Ato delegacione janë e kaluara historike. Këta formular t’i kanë hedhur të tjerët. Ju jeni të hutuar. Komisioni Evropian ka përgatitur formlar të vaçantë, mu për shkak se gjithmonë është gjetur dikush që ka tentuar t’i ngatërroj ato.

Kryetari

Si nuk beson? Unë këtu kam formularët e të gjitha teatrove, prandaj edhe të Teatrit Nacional të Shqiptarëve,…

Nënkryetari

Po këtu janë dhjetra delegacione e jo një,…

Zëra nga publiku

·         Jo! Jo!

·         Ashtu! Ashtu!

·         Le të ftohet delegacioni që po pret,…

·         Le të ftohet delegacioni i shqiptarëve të Beogradit,…

·         Le të vijë delegacioni i Madagaskarit,…

·         Le të thotë Evropa se cilin delegacion do,…

·         Jo Evropa po Amerika,…

·         As Evropa, as Amerika po Ballkani,…

·         As Evropa, as Ballkani. Shqiptarët kanë bijtë e vet dhe e dine cili delegacion i përfaqëson,…

·         Pikërisht këtë nuk e dine,…

·         Një delegacion veç është nisur drejt Veriut, drejt nënës Rusi,…

·         Le të shkojnë në rrotë të samës me gjithë nënën Serbi, thirreni delegacinin që po pret,…!

·         Hahaaaa, hihihiii,…

Regjisori

Zoti kryetar! Nuk mund të bëhet fjalë për delegacione të mëdha shqiptarësh, po për një delegacion, dhe ai është duke pritur. Formularin për delegacionin shqiptarë e kam me vete, prandaj mund t’a krahasojmë me formularin e vërtetë.

E hap dosjen e tij dhe fillojnë t’i krahasojnë ata.

Ja ku qenka.

Nënkryetari

Ngurron. Shikon anash. Mendohet. I lexon emrat duke lëvizur buzët. Duket mjaft i trishtuar dhe tenton të flas por nuk ia arrinë, veç se të belbëzoj diçka nëpër dhëmbë.

Kryetari

Radhën e ka delegacioni i shqiptarëve. Delegacionit i prinë Teuta, Shën Jeronimi, Skendërbeu, Pjetër Budi, Naim Frashëri, Gjergj Fishta, Nëna Terezë,…

Zëra nga publiku

Në fillim heshtje e ngrirë, pastaj zëra shushuritës.

·         Ç’është kjo?!

·         Kush janë këta?!

·         Ku janë sharraxhinjtë?!

·         Ku janë fundamentalistët?!

·         Këtu po mungon vetëm Papa?!

·         Jo more, po është vet kryepapa?!

·         A është e mundur?!

Komoisioni vlerësues

Le të hapet ura! Trupa shqiptare mund të kaloj urën.

Trupa shqiptare i shpejton hapat dhe në hyrje të urës grumbullohen që të gjithë që të kalojnë përnjëherë. Pastaj ndalet. Fillojnë që të bisedojnë. Nuk dëgjohet se ç’bisedojnë por nga gjestet kuptohet se fjala është për atë që do ta kaloj i pari, i dyti,… Teuta, hypë në një guri dhe sikur do të hidhet në ujë; Shën Jeronimi ka hapur Biblen dhe bekon. Sa ju drejtohet atyre sa ures; Skendërbeu lëvizë sa andej, sa këndej dhe shpesh kur fletë qon doren te shpata; Pjetër Budi shikon nëse ka ndonjë anije rreth lumit; Naim Frashëri e Gjergj Fishta kanë zënë vendet dhe shkruajnë në librat e tyre; Nëna Tereze sa kërcen te një grup që është me Teuten sa me të tjerët,…

Nga komisioni vlerësues

Njoftohet trupa e Teatrit Shqiptar se duhet ta lëshoj skenën dhe duhet të kaloj në anën tjetër. Paraqitja e saj konsiderohet e kryer,…

Nuk e ka mbaruar fjalën komisioni kur, anëtarët e delegacionit shqiptarë bëjnë me gjest se andej do të takohen të gjithë në një vend të caktuar dhe ashtu sikur janë të gjithë kokë më kokë për një çast shpërndahen dhe në forma të ndryshme, por pa hypur asnjëri nëpër urë kalojnë lumin dhe dalin në anën tjetër të ures e përshëndeten me publikun,…

Atmosferë e gjallë në publik, e qeshur, duartrokitje, reagime, kundërreagime,…

Zëra nga publiku

·         Ata nuk e kaluan uren, nuk e meritojnë pjesmarrjen në Teatrin Evropian,…

·         Kryesorja ata janë në anën tjetër të ures,…

·         Të mjerët, ata ende nuk i besojnë urës,…

·         Kanë përvojë të hidhur dhe nuk i besojnë më as Evropës,…

·         Eh, sa here i ka gënjyer historia,…

·         Prandaj askush më nuk mund t’i kthej më në anën tjetër, ata veç tani kanë mbaruar punën, kush ka kohë të merret me historinë, le të vazhdojmë me teatrot tjera,…

·         Kryesorja në anën tjetër të urës ata janë bashkë,…

Kryetari i komisionit

Radhën e ka delegacioni i Teatrit të Serbëve. Këtij delegacioni i prinë i përvuajturi i kësaj bote Ati S., dhe me mëshirën e zotit e përcjellin pokështu një delegacion proftërinjësh, duke e lutur zotin, që lejen e Teatrit Evropian ta marr, edhe ai që ka kaluar kaq shumë kalvare, dhe që për mijëra vite nuk ka ditur të shkeli qoftë edhe vetëm një bubrrec,… Veç duke bartur mëkatet e të tjerëve,…

Publiku lutet njëzëri. Reciton dhe këndon meshë. Një pjesë e publikut është afruar dhe ulur në gjunjë në të dy anët, ndërsa pjesa tjetër sikur është e hutuar dhe ngrinë në vend. Delegacioni serb hyn ngadalë. Duke bërë kryq, duke bërë lutje, duke mbajtur qirinjë në dorë, duke lëvizur temjanët,… i pari është urithi nën çarshaf, ndërsa prapa janë priftërinjtë. Para se të mbërrijnë në mes, urithit nga çarçafi i del kapela greke.

Greku

Një lojtar i teatrit grek kcen dhe e kap kapelën.

Ja kapela greke që e patëm humbur në fillim! Jo! Vërtetë na e vjedhën.

E ven në kokë.

Ja, kjo është tamam kapela ime.

Fillon të dalldiset e të sillet rreth e rrotull.

Më në fund e gjeta.

Njëri nga priftërit në delegacion

I lutet me zë të ultë

Zotëri, e keni gabim. Kjo është kapela jonë,… Jemi vëllezër ortodoks dhe shenjat i kemi të përafërta. Bile të njëjta. Miku i mire gjendet në ditë të vështira. Mos doni që përsëri të na qoni në kalvar.

Greku

Merrne, por vetëm për këtë audiencë. Heren tjetër kur të dalim në Teatër ju përsëri do të mbeteni pa kapelë.

Publiku heshtë dhe qëndron gjakftohtë. Urithi vazhdon të lëvizë ngadalë. Në mes të skenës nga çarçafi del plisi shqiptarë.

Një shqiptarë

Kcen nga publiku dhe e kap kapelën duke thirrur.

Shikoni! Shkoni! Plisi i delegacionit tonë! Ky e paska vjedhur plisin tim. Akuzoj! Akuzo! Akuzoj! Delegacioni serb e ka penguar daljen tonë në Teatrin Evropian. Ata na e kanë minuar uren. Ne e kemi ditur këtë. Akuzoj! Le të dihet kush po krijon ngatrresa ballkanike. Po t’i kishim kapelat do të kishim dalur të gjithë përnjëherë, të barabartë. Do të kalonim publikisht nëpër urë,…

Një tjetër anëtarë delgacioni

Hyn me shpejtësi dhe entuziazmë. Mund të jetë bullgar, rumun etj.,

Mos e gjetët edhe kapelën time…?!

Ngrin në vend. Shikon pa ashtu atmosferën e ngrirë  në publik. Rrudhë krahët, sikur don të arsyetohet për ndërhyrjen e pakontrolluar.

Ndoshta këta ma kanë vjedhur edhe kapelën time?!

Njëri nga priftërinjtë

Me zë të ulët kërcnues e me maje automatiku ose shpate të nxjerrë jashtë pelerinës:

Mos akuzo se të shkon koka!

Ai që hyri nga jashtë

Zoti gjeneral, unë vetëm, vetëm,…

I mbetet fjala në fyt.

Zëra nga publiku

Gjenerali në rroba prifti?!!! Si është e mundur???

Si është e mundur?!

Gjeneralët nuk kanë vend në Teatrin Evropian!

Publiku ngritet në këmbë dhe në hyrje të urës ia zë rrugën urithit.

Të hiqen maskat!

Të hiqen maskat!…

Dy veta nga publiku afrohen dhe ia heqin çarçafin Urithit. Dy përcjellës(priftërinjtë), heqin pelerinat dhe me shpata (automatikë) i rrëzojnë për tokë ata që përpiqen ta zhveshin Urithin.

Priftërinjtë tashmë duken gjeneral të veshur e të ngjeshur me armë deri në dhëmbë. Dy polic evropian vrapojnë dhe i nxjerrin ushtarakët jashtë. Urithi ashtu lakuriq bëhet kruspull (katullaq) si gjarpë. Pështillet me  duar e me këmbë Në sy, në duar dhe në gojë, i duken mire shenjat e gjakut. Ai heshtë, por i kthyer kah publiku, vazhdimisht buzëqesh me cinizëm,…

Zëra nga publiku

E gjetëm hajnin!…

U zbulua dhelpra!

E gjetëm skilen!

Populli ka thenë: “Ujku mban zilen me vete,…!”

Hyn edhe delegacioni bullgar, turk dhe delegacioni rumun.

Kryetari i komisionit

Ngadal! Ngadal! Stop! Nuk ju kam thirrur juve. Ende nuk kemi mbaruar me këta!

Lojtarë të delegacioneve

Pse të presim,…

Tash që i gjetëm të gjitha kapelat ne mund të dalim të gjithë përnjëherë,…

 Aq më tepër që tani u zbulua hajni,...

 Tani nuk do të frigohemi se na është minuar ura,…

Tani do të kujdesemi që urën ta ndërtojmë vet,...

Tashmë mund të kujdesemi që të mos na përsëritet historia,.

Regjisori

Jo, jo! Audicioni do të fillojë përsëri prej fillimit. Asgjë nuk ka filluar. Asgjë nuk ka marrë fund.

Nga publiku thirrje në të gjitha anët. Bëhet me dorë, pështyhet, fyhet. Ngriten harta, gazeta, libra, aty-këtu edhe ndonjë armë Madje thika, heshta, maja automatiku,… Incizohet, fishkëllohet, qeshet me force, me cinizëm,… Hidhen bomba. Tym, kollitje,…

Regjisori

Ndërhyn

Një moment ju lutem! Është bërë një gabim teknik. Teatri Serb në vend se të shfaqë dramën “Ballkanasit shkojnë në Evropë”, kanë paraqitur dramën “Serbët shkojnë në luftë”. Durim ju lutem! Le të bien perdet deri sa të merremi vesh,… Së paku me publikun!

Dalin.

 

(Fundi i aktit të dytë)

 

AKTI I TRETË

 

Vetat

Regjisori

Shtatë Ambasadorë të Evropës

Salla është boshe, domethënë publiku nuk është i pranishëm, por hapësira teatrore është plot sy, vesh e dridhje. Frika dhe ankthi janë gjithkund të pranishme. Përmes të dhënave të tërthorta, merret vesh se së shpejti do të paraqitet Plani Përfundimtar i Fizionomisë së Teatrit Ballkanik në Evropë (vërtetë të Teatrit Evropian), dhe ju mund t’a merrni me mend se ç’formula të papritura mund të jap Evropa në momente të këtilla vendimtare që zakonisht janë të përcjella me kthesa të forta.

Në skenë nuk ka lojtarë. Në mes të skenës është një tryezë e rrumbullakët. Nga salla, në skenë, me komoditet dalin shtatë ambasadorë të shtatë shteteve evro-amerikane. Janë të moshuar. Ata mbajnë nga një grumbull letrash në duar.

Ambasadori A

Zoti regjisor, për çfar drame është fjala?

Regjisori

Fjala është për dramën e Teatrit Ballkanik.

Ambasadori B

Cila është e veçanta e Teatrit Ballkanik?

Regjisori

Teatri Ballkanik historikisht është aktual, domethënë aktualitetin e ruan në vazhdimsi,…

Ambasadori B

A mund të jeni më preciz?

Regjisori

Kemi të bëjmë ose me komedinë, ose me tragjedinë, ose edhe me një gërshetim të vrazhdë të tyre.

Ambasadori C

Papapa! Ç’universalitet! Nga mitologjia deri në ardhmëri!

Ambasadori E

Duhet ndërhyrë te e çara, domethënë te e ndërmjema,…

Regjisori

Teatri Ballkanik fillon me elemente të komedisë dhe shkon në drejtim të tragjedisë.

Ambasadori C

Sikur të mund t’a bënim të kundërtën.

Regjisori

As e kundërta nuk sjell rrjedha që nuk do ta dëmtonin Teatrin Evropian.

Ambasadori E

Ta përjashtojmë njërin nga lojtarët.

Ambasadori D

T’i përjashtojmë në fillim të gjithë e pastaj t’i pranojmë të gjithë së bashku.

Ambasadori A

Le të bëhet ashtu! Le të dalin njëkohësisht një nga një dhe të gjithë së bashku dhe le të thonë se i përkasin rrymës së Teatrit Evropian.

Ambasadori F

Le të bisedohet me të gjithë një nga një e pastaj le të dalin e të thonë edhe ata me radhë.

Regjisori

Ashtu qoftë!

Ngritet dhe shkon për të biseduar.

 

(Fundi i aktit të tretë)

 

EPILOG

 

Vetat

Regjisori

Ambasadorët

Publiku

Dikur do të vinë edhe Princat

 

E njëjta pamje e skenës së tretë

Po të ishte kjo një dramë e tipit më klasik, në skenë nuk do të ruheshim në mirë elemente të tilla tradicionale. Së shpejti do të filloj paraqitja përfundimtare. Shikuesit janë të ngrirë. Pritja është tepër e ftohtë dhe e gjatë. Epilogu nuk dihet. Të gjitha marrëveshjet, dy e më shumë palëshe, janë bërë në mënyrë të fshehtë. Gjithçka e hapur ka qenë formale. Shikuesit po kthehen në sallë. Pritet që së shpejti të dalin edhe Princat. O zot, këta nuk janë Princa por Lojtarë në skenë, në qoftëse nuk jam në ëndërr! Ja, po dalin një nga një dhe të gjithë së bashku. Janë të heshtur si vet publiku. E pamundur! Ju nuk mund ta merrni me mend ankthin tim, e ndoshta edhe të publikut, që ka lexuar qoftë edhe vetëm një këngë për princat e ballkanit. Të gjithë janë lakuriq. Renditen dhe përkulen para shikuesve. Në fillim publiku është i pagojë, në realitet i pamend, pastaj i shqetësuar dhe për një qast, sikur të jetë zgjuar nga një gjumë i thellë mijëvjeçar, duartroket gjatë. Ambasadorët ngrejnë gotat,…

Flitet për një koferencë për shtyp. Natyrisht kjo është pjesë e rregullave elementare të Teatrit, por besos se këtu përfundoi gjithçka.

Kështu çoftë!

Amen!

(Bie perdja)

 

Prishtinë, 1991-Napoli,1993

 

Shënim: Begzad Baliu është shkrimtar dhe studiues nga Kosova. Është doktor i filologjise. Ligjerues ne Universitetin e Prishtines.



(Votes: 1)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •