Besim Bokshi
| Saturday, 02.03.2007, 12:41 PM |  

Lindi në Gjakovë më 12.XI.1930. Gjashtë klasë të mësimit fillor i kreu në Tiranë, ndërsa dy të tjerat - në Gjakovë. Maturoi në Gjimnazin e Prishtinës. Ndoqi studimet në Katedrën e Albanologjisë në Beograd dhe, me ndërprerje, i përfundoi më 1959. Vijoi studimet pasuniversitare në Drejtimin e gjuhësisë në Beograd. Tema e tezës së doktoratës iu dha në bazë të punimit “Zhvillimi i strukturës së temave emërore të shqipes” (Gjurmime albanologjike, 1, 1971). Mbrojti tezën e doktoratës me temë “Rruga e formimit të fleksionit të sotëm nominal të shqipes” në Fakultetin Filozofik të Prishtinës më 1977.Ka ligjëruar lëndën e gjuhës shqipe në Gjimnazin e Gjakovës dhe në vitet 1961-63 ka ushtruar edhe detyrën e drejtorit të kësaj shkolle. Ka qenë profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Gjakovës në vitet 1967-73 për Morfologji të gjuhës së sotme shqipe e për Hyrje në gjuhësi dhe në katër vjetët e parë e ka drejtuar punën e kësaj shkolle. Brenda kësaj kohe për tetë muaj ka punuar në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Nga viti 1974 është zgjedhur ligjërues i Morfologjisë historike në Degën e Gjuhës e të Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës dhe, pas doktorimit, është zgjedhur profesor inordinar e pastaj edhe ordinar deri kur u përjashtua nga Fakulteti më 1991 bashkë me mësimdhënës të tjerë shqiptarë nga dekanati i dhunshëm. Në vitet 1992-2001 ka ligjëruar lëndën Hyrje në studimin krahasues të gjuhëve indoevropiane në Shkallën e tretë të studimeve - Drejtimi i gjuhësisë në Fakultetin Filologjik të Prishtinës.Ka qenë anëtar i komisionit për konkluzione të Konsultës Gjuhësore të Prishtinës më 1968 dhe delegat në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në Tiranë më 1973. Ka marrë pjesë në Kongresin e Studimeve të Evropës Juglindore në Ankara më 1978 me kumtesën për prapavendosjen e nyjës në gjuhët ballkanike. Në Universitetin e Jenës ka mbajtur ligjëratën për origjinën e mbaresave rasore të shqipes. Para ligjëruesve të Katedrës së Gjuhës e të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filologjik të Tiranës dhe bashkëpunëtorëve shkencorë të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë ka mbajtur ligjëratën për zhvillimin e sistemit emëror të shqipes (1979).Ka qenë deputet në Dhomën për Arsim në Kuvendin Federativ më 1967-69. Në zgjedhjet e organizuara nga subjektet tona politike më 1992 është zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës. Në vitet 1993-96 ka qenë kryetar i Partisë Socialdemokrate të Kosovës.Për veprën “Rruga e formimit të fleksionit të sotëm nominal të shqipes” ka marrë Shpërblimin e Dhjetorit të Kuvendit të Kosovës më 1980.Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës është zgjedhur më 1991, ndërsa nga viti 1996 është anëtar i rregullt i kësaj akademie. Më 2002 u zgjodh nënkryetar i Akademisë.



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •