Vendosja e TVSH ndalon emigrimin e kapitaleve...
| Sunday, 01.20.2008, 05:34 PM |  

Vendosja e TVSH ndalon emigrimin e kapitaleve, por të gjenden masa të reja proteksioni për librin
  
Gjatë një interviste për gazetën “55”, Ndriçim Kulla, kryetar i shoqatës së botuesve “Aleanca për Librin” vlerëson vendosjen e barazisë në tregun e shtypshkrimit shqip, duke i dhënë fund erozionit të kapitaleve drejt tregjeve të huaja, por apelon për konsulencë të re, në mënyrë që të identifikohen masa të reja proteksionizmi për librin shqip

Pse ka shkaktuar kaq reagim aprovimi i ligjit te fundit mbi vendosjen e TVSH mbi librin qe vjen nga jashtë?

Në radhë të parë duhet sqaruar se ky taksim nuk ka të bëjë me librin që qarkullon brenda Shqipërisë, por me librat që vijnë nga jashtë territorit shqiptar. Në radhë të dytë, pikërisht për arsyet specifike se jashtë territorit tonë gjenden burime të mëdha prodhimi dhe konsumimi të librit shqip, duke përfshirë këtu jo vetëm Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e Zi, por edhe diasporën, ky ligj qenësisht shfaqet problematik për subjektin që kërkon t’i ushtrohet. Ndërsa përsa i përket mënyrës se si u projektua dhe formulua ky ligj, mund të kemi rezerva të mëdha që kanë të bëjnë me mosdiskutimin e tij më parë në një debat të hapur me grupet e interesit. Vazhdohet me po te njëjtën metodologji të debateve pas aprovimit të ligjeve si ndodhi me aprovimin e ligjit te sposorizimeve, duke ndjekur përvojën e hidhur të mosfunksionimit të ligjeve të tillë themelorë si ligji për librin, apo deri dhe të problematikave censuruese që ka hapur ligji mbi të drejtat e autorit. Nuk do të dëshiroja kurrsesi po të njëjtin fund për këtë ligj që në premisë dhe ide ka mjaft shqetësim të ndershëm dhe intelektual.

Cili është ky shqetësim që ngërthen një ligj i tillë?

Për mendimin tim shqetësimi kryesor i ligjvënësit duket mëse i përligjur nga pikëpamja ekonomike dhe kombëtare. Pse? Është mëse e prekshme kriza e rëndë që ka pllakosur gjatë këtyre dy viteve të fundit mbi një sektor edhe pse të vogël, por mjaft kompetitiv, të ekonomisë shqiptare, atë të shtypshkrimit. Dhe nuk është habi që kjo lidhet drejtpërdrejtë me kohën e heqjes së kësaj takes, nga qeveria e mëparshme. Përkundrazi, përderisa ky sektor tashmë gjendet i disavantazhuar në lidhje me prodhimin e librave jashtë territorit shqiptar, pasi ato që në hyrje të doganave tona kanë një epërsi takes prej 20% në lidhje me prodhimin vendas. Kjo nuk është aspak e drejtë jo vetëm si logjikë ekonomike por edhe si politikë mbrojtëse që ndiqet ndaj prodhimit kombëtar, si p.sh. për sektorë të tjerë, siç është ai i birrës. Me plot të drejtë, mbrohet prodhimi vendas, madje dhe me masa proteksioniste në disa raste, ndërkohë që për të qenë të hapur dhe egalitarë, ne nuk po kërkojmë masa proteksioniste, por pikërisht që shtypshkronjat tona dhe ato të huaja të jenë në kushte të barabarta nga pikëpamja e taksave. Pastaj të jetë tregu ai që të veprojë në mbijetesën ose jo të tyre. E besoj se ky është përtej një shqetësimi ekonomik, edhe një shqetësim për ekonominë kombëtare.

A ka sjellë vështirësi dhe rreziqe situata e derisotme?

Padyshim. E rreziku më i madh është ai i migrimit të kapitalit shqiptar në duar të sipërmarrjes së huaj, në një kohë që duhet të ndodhte e kundërta. Kemi qenë dëshmitarë këto dy vite që mijëra e mijëra libra shkollorë, me vlera prej miliona e miliona euro, që i paguan MASH dhe buxheti i shtetit shqiptar, nuk i janë kthyer përsëri ekonomisë dhe shtetit shqiptar, nëpërmjet taksave, pasi kanë përfunduar të shtypen në Bullgari, Maqedoni, Greqi, Itali, a kushedi se ku. Mos vallë pse tregu shqiptar nuk ka pasur kapacitete ta absorbojë këtë punë? Absolutisht jo përderisa ka vite të tëra që e ka bërë këtë punë. Madje dhe pretendimi se ai nuk i ka kapacitetet për ta përballuar këtë punë, nuk qëndron, sepse ne e dimë shumë mire qe ai i zotëron, por edhe nëse jo, do t’i zoteroje shume shpejt, dhe kjo do te sjelle zhvillimin e vrullshëm te ketij sektori, pra pikërisht atë që synon gjithkush dhe qeveria, zhvillimin e prodhimit vendas. E kjo është shenjë e një përgjegjësie të thellë morale e nacionale, përtej se ekonomike. Po të mendojmë pak të kundërtën? Nëse do të vazhdojmë kështu, kriza do fillojë të gëlltisë shumë shtypshkronja, dhe shumë vende pune do mbyllen. Sektori do të rrudhet dhe pasoja do të jetë tregu i prodhimit të librit, i cili do të rrisë çmimet dhe formojë monopolet. A do ta dëshironim vallë një përfundim të tillë? Si botues i vjetër, e kam frike një te ardhme te tillë, prandaj paralajmëroj që të hidhet vështrimi edhe tek një problem i tillë.

Po atëherë cila është problematika e ligjit?

Është pikërisht veçoria e tij si një ligj që duhet parë qoftë nga një logjikë e ftohtë ekonomike, qoftë nga logjika kulturore, ajo e specifikës së librit në gjuhën shqipe. Territori i përhapjes dhe prodhimit të këtij libri është i ndarë në disa shtete, e për më tepër shtete si më i rëndësishmi, Kosova, që ende s’e kanë kristalizuar legjislacionin e vet, apo Maqedonia që ende e ka të brishtë, për shumë arsye politike. Megjithatë, kjo logjikë nuk duhet të ngatërrohet e thjeshtëzohet me shprehje të tilla si “taksë për librin nuk ka pasur as në kohën e Ali Pashë Tepelenës”, pasi nuk bëhet fjalë për taksë për librin, por për unifikim të taksave për librin, për vënien e të gjithë në kushte të barabarta në prodhimin e tij dhe për mbrojtjen e një sektori të rëndësishëm të sipërmarrjes shqiptare.

E cili mund të jetë propozimi juaj?

Të ruhet padyshim shqetësimi dhe parimi i shëndoshë dhe i drejtë ekonomik që qëndron në zemër të ligjit dhe të gjenden mënyrat e duhura teknike (nëpërmjet klauzolave p.sh.) të mbrojtjes se librit shqip, te librit ne gjuhe te huaj qe sillet ne Shqipëri nga agjenci te ndryshme shpërndarjeje, nëpërmjet specifikimit të subjekteve mbi të cilët duhet të veprojë ky ligj. Kjo besoj se do të zgjidhte një shqetësim dhe do të mbyllte një debat që nuk kishte pse të ngrihej, po të qe diskutuar e shoshitur që më parë.


Intervistoi Eralda Kenaj - 55

(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •