Jetë në një kuti shkrepësesh
| Saturday, 02.02.2008, 11:21 PM |  

Në panairin e librit romanet e tij ndodheshin të nëntë. Në stendën e shtëpisë botuese, Fatos Kongoli qëndronte krah autorëve të huaj me emër në letërsinë botërore e, megjithatë, nuk i druhej askujt. Vizitorët e shumtë të panairit, pasi kishin bërë xhiron tradicionale duke i rënë kryq e tërthor ambienteve të Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, i ndalnin  këmbët  pikërisht aty ku ekspozoheshin librat e tij. Mund të të kapte veshi ndonjë koment “Ëndrra e Damokleut! E kam lexuar, është shumë i bukur”. Lexuesit pyesnin se kur do të ishte i pranishëm autori dhe sapo ora kishte kaluar gjashtë, ai ndodhej aty për të autografuar librat e ata largoheshin të kënaqur me një dedikim ku shkruhej “Përzemërsisht, Fatos Kongoli”.

Nga Suadela Balliu

Dramë në kutinë e shkrepëses

Fatos Kongoli
U shfaq sërish për lexuesit, me romanin më të ri “Jetë në një kuti shkrepësesh”. Për ata që di si t’i përkëdhelë, duke mos ia zhgënjyer kurrë shijet, duke ia intriguar përherë e më shumë kureshtjen e duke ia ndërlikuar më tepër misterin. Duke e tëhollur më shumë fillin që ndan realen nga deliri, ëndrrën nga e përditshmja, dramën nga erotizmi... E shkeli edhe njëherë premtimin se i pat mbyllur llogaritë me “burgjet e kujtesës”, ato që e mbajnë peng njeriun gjithmonë. “Njeriu nuk i shpëton dot së kaluarës. Realiteti i sotëm nuk mund të shpjegohet dot pa të kaluarën” - shprehet, ndërsa tregon motivet që e shtynë për të shkruar romanin më të ri. Iu rikthye së kaluarës me një paralelizëm gjenial. Asaj epoke ku qëndrojnë strukur të gjitha dramat shqiptare. Duke e parashtruar skizofreninë në rang kolektiv, e njëkohësisht duke e bërë dhimbjen e personazhit të ndjeshme nga të gjithë. Nuk mund të mos e shkruante një roman mbi ato hapësira që të zinin frymën, ndrydhnin dhe e deformonin realitetin në përmasat e një kutie shkrepëseje. Përshkrimet vijnë të gjalla, si në të gjithë romanet e tij, sepse vetë Fatos Kongoli i njeh mirë, i detyruar të jetojë në mjedise të tilla. “Unë i njoh mirë këto ambiente, sepse vetë kam jetuar në to. Mendoj se këto hapësira i projektonin qëllimisht aq të ngushta. Në të gjithë vendet komuniste lindore apartamentet ndërtoheshin në hapësira të vogla. Aty individi humbet, nuk ka më kërkesa, përveçse atyre më jetike dhe domosdo personaliteti ndrydhet”. Heroi i Kongolit është gjithmonë po ai, i universit të zakonshëm. Që nuk e shqetësojnë problemet madhore, ndërkombëtare. Shqetësohet për ekzistencën e tij, shoqërohet nga frika e së ardhmes, nga dhimbjet e së djeshmes, të cilat nuk fshihen dot. Personazhi Bledi Terziu, gazetar, i mbuluar me një luks të ardhur papritur, aksidentalisht kryen një krim. Tronditja e thellë psikike, gjendja herë-herë halucinante e bëjnë të kërkojë dëshpërueshëm ndihmë në të kaluarën, në kërkim të guaskës së tij të humbur, e cila gjendet në të njëjtin qytet, por në një apartament që ka mbetur larg në kohë. Ai kërkon kutinë e  tij të shkrepëses. Realiteti i ri nuk i vjen aspak për shtat personazhit dhe nuk ndjehet i kënaqur nga kjo gjendje. Ndihet krejtësisht jashtë loje. Si të gjithë personazhet e Kongolit, ai mbetet i parealizuar. I huaj në një shoqëri që nuk i përket, i huaj në një hapësirë që nuk është e tij. “Realiteti shqiptar i ngjan shumë realitetit të Kamysë, te vepra “I huaji”, rrëfen autori kur shpjegon përngjasimet që mund t’i krijohen lexuesit me veprën e shkrimtarit francez. Raporti i individit me pushtetin dhe masën është i egër. Pushteti e shtyp, ndërsa masa kërkon ta njëjtësojë me veten. Autorit nuk i intereson krimi në vetvete. Ai bëhet thjesht çelësi për zbërthimin e rrethanave që e çuan deri aty. Faqe pas faqeje personazhi bëhet simpatik për lexuesin, ndërsa imagjinata bombardohet me të vërteta të pamohueshme. Autori ka përdorur hiperbolën e titullit për ta hapur më pas në një rang më të gjerë. E gjithë Shqipëria ngjan me një kuti shkrepësesh. Ndërsa drama e kësaj shoqërie demokracie është kaosi, mbyllja edhe më tej në vetvete, moskomunikimi. Në planin shpirtëror, autorit nuk i rezulton asnjë ndryshim pozitiv, mund të jenë ndërtuar rrugë, apartamente luksoze, por komunikimi njerëzor nuk del jashtë kutisë së shkrepëses dhe shpirti njerëzor ka mbetur po aq mizor, veçse në metamorfoza të tjera. Autori e sjell dramën e përditshme, pa induktuar mesazh, pa përcjellë ndonjë ide të madhe filozofike. E zbraz veten nga gjithçka si “tabula rasa” dhe hedh në letër artin, përzier me eksperiencën. Dhe gjithçka vjen e gjallë, reale, sikur kjo histori ende po zhvillohet, sikur në ndonjë nga këta apartamente luksozë dikush është në krizë ekzistenciale, duke i bërtitur vetes se është i çmendur e duke i përplasur në fytyrë kësaj shoqërie që ai është i huaj.

Historia e re, e shkruar në tri data

Në romanin e fundit “Jetë në një kuti shkrepësesh”, ashtu si edhe në të gjithë krijimtarinë e tij, nuk mungojnë tri data të rëndësishme të historisë post-komuniste shqiptare. “Korrik 1990, Mars 1991dhe Mars 1997 janë tri pika referimi në romanet e mi, të cilat i shoh si gurë të hedhur në themelet e epokës së re. Ato janë tri pika historike, përcaktuese dhe momente të jashtëzakonshme. Në këto data janë ngjizur dramat familjare si pasojë e ikjeve masive”. Megjithëse personazhin këto data e lënë sërish të huaj, duke i kursyer ato që autori i quan iluzione të mëdha që, duke u venitur, ia lanë vendin zhgënjimeve po aq të mëdha. “Në këtë aspekt, personazhet kanë shumë nga unë në mënyrën e tyre të të sjellit. Edhe epoka e re solli zhgënjime, sepse i tillë është realiteti njerëzor: i shoqëruar me zhgënjime, iluzione të cilat mbeten të tilla edhe sot e kësaj dite, pas 17 vjetësh. Natyra njerëzore nuk ka edhe aq arsye për të qenë optimiste. Kështu është thelbi i natyrës njerëzore. Ana e errët del në sipërfaqe sapo i krijohen kushtet. Dhe kjo nuk është e vlefshme vetëm në Shqipëri, prandaj nga ky aspekt ky roman mund të bëhet më i gjerë në problematikën që trajton”. Kështu shprehet autori, duke shpjeguar njëherazi natyrën pesimiste që shoqëron romanet e tij. Njeriu mbetet i destinuar t’i nënshtrohet fatit, në të gjitha trajtat që shfaqet ai. Personazhi i Kongolit e ka mendjen gjetkë. Ai është i ndjeshëm ndaj bukurisë femërore, ndaj ndjenjave dhe dashurive të paçuara deri në fund, që nuk janë prej Romeo e Zhuljete, megjithëse kanë brenda tragjeditë e tyre. Përshkrimet janë njerëzore, të vdekshme që nga nevoja më ekzistenciale, ajo e aktit seksual, i shprehur në të gjitha format e tij.

Vetëm për lexuesin

Autori rrëfen se nuk bën filozofi. “Do të tregohesha mendjemadh dhe do e bezdisja lexuesin me teorema mbi jetën”.

Pasi e ka nxjerrë në botë krijesën letrare, ai pranon se nuk i përket më. Ajo bëhet e lexuesit, i cili është i lirë të marrë çfarë ka dëshirë nga libri, të gjejë vetveten, të njëjtësohet apo të distancohet nga personazhi, të nxjerrë ide dhe t’i mbajë fort. Për autorin pak rëndësi ka. E vetmja gjë që kujdeset është të mos e mërzisë lexuesin, të mos ia shuajë kureshtjen dhe misterin t’ia shpjerë deri në gërvishtje të trurit. Romanet e tij dëshmojnë se ia ka arritur më së miri. Sepse lexuesi e di ç’pret dhe nuk zhgënjehet. Nuk ka nevojë as të joshet nga ndonjë publicitet pompoz për t’i bindur shijet. Prandaj ai nuk ka frikë kur qëndron pranë autorëve të huaj dhe nuk ka arsye të ndihet inferior dhe nuk ndihet aspak as në arenën ndërkombëtare kur librat e tij kanë kohë që kanë hyrë. As lexuesi i huaj nuk ndihet i zhgënjyer prej tij. Në dhjetë vjet, botuesit e huaj kanë përkthyer 6 romane të tij. Në nëntë gjuhë të botës, mund të lexohet krijimtaria e veçantë, stili kongolian, e mund të analizohet letërsia shqiptare post-komuniste. Një tjetër arritje, që nderon jo vetëm Kongolin, por në të njëjtën kohë edhe letërsinë shqiptare është fakti se librat e tij,  kohët e fundit,  kanë nisur të përkthehen edhe në anglisht. Pak kohë më parë, Fatos Kongoli ndodhej në Angli për promovimin e librit “I humburi”, i përkthyer në gjuhën ku letërsia e huaj zë vetëm 2 përqind hapësirë botimesh. Edhe pse bota ishullore është e mjaftuar me botimet e Amerikës dhe Komunuelthit,  hap  një vend të rëndësishëm për autorë si Fatos Kongoli, i cili, edhe pse krijimtarinë e tij pati mundësinë ta shpalosë vetëm pas viteve ’90, hyri me të drejtë në elitën e penës shqiptare dhe po në atë elitë u përkthye në gjuhën angleze, duke bërë pjesë në atë dy përqindëshin e dëshiruar nga të gjithë shkrimtarët. Duke pasur fatin të jetë i dyti autor shqiptar që përkthehet në anglisht. Ndërsa me kohë shtypi francez e italian ka shprehur vlerësimet dhe kritikat më të mira për romanet e Kongolit. Dhe në Gjermani romani “Lëkura e qenit” ka pasur fatin të zgjidhet “libri i muajit” në qershor të vitit 2006. Jo vetëm kaq, por lexues spanjollë, të cilët ende nuk e kanë pasur fatin t’i kenë në dorë librat e Kongolit në gjuhën e tyre, shprehin opinionet më të mira, me fatin se librat e tij i kanë lexuar në frëngjisht, përkthyes i të cilëve është miku dhe bashkëpunëtori i tij më i mirë Edmond Tupe. Ai mund të quhet një nga shkrimtarët më të vlerësuar të kohëve të sotme. Ka marrë çmime të ndryshme që nga “Balkanika” i një rëndësie prej Nobeli në Ballkan, te prozatori më i mirë i vitit, çmim i dhënë nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e deri te çmimi “Penda e Artë”. Rrëfen se ka ndjerë të njëjtën kënaqësi në të gjitha vlerësimet, ashtu siç rrëfen që edhe i ka ardhur keq kur nuk është vlerësuar. Megjithatë, kurrë nuk ka pasur hatërmbetje nga ana e tij. Sepse pak rëndësi ka nëse vlerësohet me çmim ose jo nga kritika. Vlerësimin më të përzemërt e merr nga lexuesit, për të cilët përkushtohet plotësisht dhe merr shijen më të mirë të fitores.

Tupja, lexuesi i parë i librave të tij

Është shkëputur për pak ditë nga Tirana për të udhëtuar drejt Francës. Një ftesë që i vjen, kuptohet, për librat e tij. Të fundit “Jetë në një kuti shkrepësesh”, Tupja ka arritur ta përkthejë deri në gjysmë. E nëse punët ecin në rrjedhë normale, në fillim të 2009-ës do të gjendet në libraritë franceze. Prej kohësh, jo vetëm mik, por tashmë bashkëpunëtor dhe lexues të parë të krijimeve të tij ka Edmond Tupen. Është ai që ia përkthen librat dhe tregohet i paanshëm. Nuk mund t’i lejojë vetes as komente, as vlerësime. Tani puna është në dorë të tij. “Tupja është tepër strikt, kartezian dhe puritan në përdorimin e gjuhës”.  Kur libri ka mbaruar së përkthyeri, ai e lexon sërish. E njeh frëngjishten, ashtu siç dashuron dhe autorët francezë. Gjen rast të bëjë edhe ndonjë ndërhyrje, megjithatë i dorëzohet profesionalizmit të përkthyesit. I dashuruar pas frëngjishtes, nuk i shpëton dot ndonjë fraze në gjuhën elegante si “cuop de foudre” ashtu siç janë edhe dashuritë e personazheve të tij “me shikim të parë”, të vendosura nga fati, të paracaktuara nga zotat.

Ritualet e përjetshme

Duket se ca gjëra i ka të përcaktuara mirë. Ca rituale të vogla, nga të cilat duket se nuk do të heqë dorë kurrë. Nuk është sekret që i vetmi vend ku gjen prehjen dhe paqen e dëshiruar për një shkrimtar është “Friend’s Book House”. Nuk heq dorë as nga çaji i tij i famshëm i kamomilit, si për t’u qetësuar nga e gjithë rrëmuja që përfshin Tiranën, nga kaosi ku gjenden personazhet e tij. Dhe flet me zë të ulët për të respektuar atmosferën, për t’i bërë të gjitha nderimet botës së librit. Po ashtu nuk është sekret që preferon fletën e bardhë dhe lapsin për të shkruar, se sa t’i dorëzohet teknologjisë së re, që mundohet t’i qëndrojë sa më larg, e t’i mbesë përjetë besnik makinës së tij të shkrimit “Olivetti”. I kushton nderim dhe në faqet e librit, si një përshëndetje ndaj një mikeje të vjetër, që nuk do e tradhtojë kurrë, kur ai nis e daktilografon të gjitha fletët jo më të bardha, por të mbushura plot fjalë, dhimbje e histori. Ashtu nuk do heqë dorë as nga pesimizmi i tij. Nga ai që duket se i dënon edhe personazhet në sizifë të përjetshëm, të destinuar në rrokullimën e përditshme. Duke ngjitur gurë ekzistence dhe duke rënë sërish në humnerë. Duke iu dorëzuar fatit, të kujtdo që ia paracakton atë. Shpeshherë e pyesin nëse librat i ka një farë autobiografie. Sepse ngjarjet përshkruhen me sigurinë, qartësinë dhe gjallërinë e të përjetuarit detaj pas detaji, të ndjera çast pas çasti. Por autori shpjegon që ata janë fryt i imagjinatës po aq sa kanë brenda edhe përjetimet e tij. Sepse shkrimtari jep gjithmonë nga vetja. Personazhet e tij janë të trilluar, asnjë prej tyre nuk gjendet në të vërtetë, e megjithatë mund t’i hasësh përditë. Fatet e tyre mund t’i dëgjosh çdo ditë në lajme, fundin e tyre mund ta ndjesh pranë ashtu si të një fqinji, miku apo bashkëmoshatari. Personazhet kanë trill aq sa edhe dramën e përditshme ku janë të përfshirë të gjitha qeniet. Ashtu siç të gjithë janë në kërkim të vetes, në kërkim të dashurisë, në kërkim të asaj ndjenje të lashtë të aktit seksual.

Erosi si determinizëm i qenies njerëzore

Është renditur ndër autorët që nuk druhen të përshkruajnë dhe të përfshijnë brenda krijimtarisë erosin. Autori rrëfen se nuk e ka qëllim në vetvete. Nuk e sheh si çështje kryesore ku të mbahen romanet e tij. Nëse do të ndodhte kështu, nuk do të quhej më letërsi, mund të merrte emërtime të çfarëdoshme dhe trajtime të shumëllojshme, veçse nuk do ta quante më letërsi. Ai nuk mund t’i shmanget asaj që është instinkti më i fortë, atë që shërben që nga lindja e dashurisë deri te ruajtja dhe vazhdimësia e racës. Të gjitha qeniet përkufizohen nga determinizmi seksual dhe këtë nuk mund ta përjashtosh nga vepra. Të gjithë qeniet në ekzistencën e tyre kanë nevojë dhe mendojnë vazhdimisht rreth tij. Për ta parë si një formë çlirimi, një sublimim me hyjnoren. Prandaj në asnjë nga librat e tij nuk mungon një skenë erotike, që nuk ngjan aspak si e futur pykë, por rrjedh natyrshëm e nuk skandalizon askënd, sepse janë mendimet e gjithsecilit, janë dëshirat e gjithkujt dhe eksperiencat personale. Nuk duket pa vend edhe kur përshkruhet një skenë masturbimi nga dëshira për t’u vetëkënaqur, nuk duket e tepërt një fantazi erotike që sjell çlirim, as ndonjë përshkrim të seksit jashtë asaj që njerëzit rëndom e quajnë normal. Sepse është jeta e gjithkujt, e heronjve të përditshëm, e zakonshmja. Vetëm nëse do të trajtoheshin “çështje madhore”, nuk dihej ku do ta kishte vendin erotika, ndjenja, tradhtia, ndarja, dashuritë e para që të ndjekin në epoka si hije faji, ndëshkimi e vetë-ndëshkimi, Hadi, demonët, fatet e shkruara dhe të vulosura që mbyllen atje lart... në portën e Shën Pjetrit. Ka zgjedhur ndoshta mënyrën më të vështirë për të jetuar. E vështirë të mbijetohet ekonomikisht me letërsi. Por për atë që mbante brenda prej vitesh e ka bërë zgjedhjen e tij dhe as pendohet e as qahet. Nuk e ka imagjinuar veten të shkruajë përpara viteve ’90. Librin e dytë pas romanit “Ne të tre” mundi ta çonte deri në dy kapituj dhe e grisi më pas, sepse gjithçka e çonte në trajtimin e sotëm që u bën ai veprave. Nuk do të kishte guxuar të shprehte ato që do të përbënin skandal për një shoqëri të “tredhurish”. Nuk ishte aq trim sa të rrezikonte deri në pikën më të fundit, ku koka vihej në diskutim dhe ai nuk ishte i kallëpit për të përkthyer “Ferrin” e Dantes. Priti derisa mund të kishte të gjithë lirinë për t’u shprehur dhe e bëri, duke i sjellë edhe njëherë në mendjen e të gjithë lexuesve ferrin e jetuar në një epokë ku e gjithë Shqipëria ishte “një kuti shkrepësesh”.

Fatos Kongoli

Fatos Kongoli ka lindur në vitin 1944 në Elbasan. Është prozator, redaktor dhe matematikan shqiptar. Ka studiuar për matematikë, pjesërisht në Pekin, pjesërisht në Tiranë, ku është diplomuar në vitin 1967. Ka punuar për një kohë të gjatë si gazetar letrar dhe redaktor në Shtëpinë Botuese "Naim Frashëri". Është autor i një vargu librash. Librat e tij janë botuar në Francë, Itali, Zvicër, Greqi, Gjermani, Poloni, Sllovaki, Bullgari e Serbi, me jehonë në disa nga gazetat dhe revistat më të mëdha evropiane, si: “Le Monde”, “Le Figaro”, “La Stampa”, “Le Temps”, “Le Soir”, “L'Express”, “Magazine Littéraire”, “Der Tagesspiegel”, etj. Është tri herë fitues i çmimit vjetor për librin më të mirë në prozë, dhënë nga Ministria e Kulturës (1995, 2000, 2002), si dhe i çmimit “Velia” (2000). Është fitues i çmimit ndërkombëtar “Balkanika”-2002. Është fitues, gjithashtu, i çmimit më të lartë letrar në Shqipëri “Penda e Artë” (2004). Shoqata e Botuesve Shqiptarë e ka vlerësuar me çmimin “Shkrimtari i vitit” për 2006-ën, ndërsa romani “Lëkura e qenit”, përkthyer në gjermanisht, u shpall libri i muajit qershor 2006, në Gjermani. Krijimtaria: “Ne të tre”(1985), “Karuseli” (1990), “I humburi” (1992), “Kufoma” (1994), “Dragoi i fildishtë” (1999), “Ëndrra e Damokleut” (2001), “Lëkura e qenit” (2003), “Te porta e Shën Pjetrit” (2005) “Jetë në një kuti shkrepësesh”, roman, 2007.


ONE

(Votes: 4 . Average: 4/5)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  •