Kater here "jo"
| Saturday, 02.03.2007, 02:35 PM |  

Fati i Florës kishte qenë i rrëmujshëm, pa gravitet, si të gjitha ikjet; ajo kujtonte se
nuk i ishte dridhur syri të përballej e vetme me arratinë, në fillim në oborrin e ambasadës italiane, atë ditë shtatori kur njerëzit kapërcenin muret, portat, ngarkuar me pak plaçka sa për disa ditë, ndërsa planet i kishin për të ikur përgjithnjë. I kujtohej oborri i ambasadës me barin e shkelur, i mbushur me mizëri njerëzish, gagarelë, arapçinj, familjarë e shumë fëmijë, emrat e të cilëve i ulërinin prindërit nga pas murit gjysmë të shembur, duke i thirrur të ktheheshin në shtëpi.
Dy netë kishte fjetur jashtë, pranë një familjeje me dy fëmijë të mitur, njërin prej tyre e kishte mbajtur fort në gji që të mos e zinte vesa, ndërsa një polic i kushtonte kujdesje dhe i sillte fshehurazi Coca-Cola për të pirë. Pastaj ishte marrë vendimi për t’i lënë të iknin, nën vëzhgimin e ndërkombëtarëve i ngarkuan në autobusë dhe natën i çuan karvan në portin e Durrësit, i bënë të kalonin mes gardheve me policë një nga një, si në një pasarelë, derisa hynë në traget që të gjithë.
Ajo qëndroi në kuvertë, duke parë dritat e zbehta të Durrësit që treteshin dalëngadalë, u tret edhe feneri në kodër pas tymit të zi të oxhakut, kishte një ndjenjë ngazëllimi, megjithëse deti natën ishte i frikshëm dhe gjithçka dukej si një humbëtirë, kur dikush i qe afruar: “Bukuroshe, thuaj që jemi të fejuar, të na pranojnë të dyve në Itali, se ti e ke të sigurt që nuk të kthen njeri”, i tha një djalë i ri nga një fshat i Lezhës, por ajo nuk ia zgjati, madje i tha fort: “Hesht, dhe m’u hiq nga sytë. Nuk dua t’ia shoh më bojën asgjëje që ka emrin Shqipëri.”
Fjalët e saj qenë të prera dhe tjetri nuk ishte dukur më, më pas ajo e kishte bërë të gjithë udhëtimin kokulur, me kokën mbështetur në gjunjë, pa lëvizur, derisa pas tetë orësh dikush briti: “Arritëm!”
Në fillim në Brindisi i futën në karantinë, i vunë të lahen e të dizinfektohen dhe u dhanë rroba të tjera për të veshur; ajo nuk kishte pranuar, rrobat e saj i kishte të pastra dhe as që e kishte menduar ta flakte krenarinë. Oficerëve u foli në gjuhën e tyre dhe njëri e përgëzoi për shqiptimin e mirë, dy ditë më pas e ftoi për pica.
Quhej Marcelo, si Mastrojani, që Flora e adhuronte, por ato çaste i qe kujtuar fjala e urtë se “prej njëfarë Ilie që kam njohur, mora inat dhe shën Ilian”, dhe ajo nuk donte ta merrte inat Mastrojanin prej këtij Marcelos që ishte një kokërrumbullak, me flokët rica-rica e faqet si petull, me lëkurën e zeshkët si të ishte magjyp; as që mund t’i thoshte “po”, kur ai i tha të fejoheshin bashkë, siç ia kishte sjellë ndër mendje nëna e tij, kur ai i kishte folur për të me simpati. Atij iu duk i çuditshëm refuzimi, mendonte që po i bënte nder duke i ofruar fat e siguri; por ajo i tha shkurt, punë që s’bëhet, nuk merren dot vendimet kaq me ngut; ndërsa, sa për pica, ishte fare normale të takoheshin e të shkonin së bashku, po të donte, edhe çdo ditë. Marcelo nuk e ftoi më për pica, por kjo kishte fare pak rëndësi.
Në kamp ishte rrëmujë e madhe dhe ajo mezi priste të ikte. Ikjen e parë për në Romë e bëri për të kërkuar strehim politik në kuesturë; atje e pyetën gjërë e gjatë për babain dhe për herë të parë atje ishte ndier ngushtë, ngaqë nuk dinte t’u thoshte hollësira. U tha vetëm se nuk e kishte parë asnjëherë, nuk ia njihte as fytyrën, ajo kishte lindur pas djegies së tij në gropën me gëlqere, dhe kaq ishte gjithçka që dinte. Oficerët e rreptë të zyrës së refugjatëve nuk e besuan, kjo u duk qartë në vështrimet që këmbyen midis tyre dhe e atëherë edhe vetë Flora sikur vuri pikëpyetje për ekzistencën e të atit që nuk e njihte.
U kujtua se, sa herë fliste me të ëmën për babain, bisedat qenë të shkurtra, pa hollësi, por gjithçka përfundonte në një këmbëngulje se ai ishte njeri që kërkonte lirinë dhe se ajo, si vajza e tij, i ngjante e “duhej t’i ngjante” shumë në këtë cilësi. Flora e mbante mend, kur ishte dymbëdhjetë vjeçe, një herë në një ditë vere, kur bënte shumë vapë dhe kishte hapur dyer e dritare të lëvizte pak ajër, ndërsa qëndronte shtrirë në shtratin e së ëmës, i kishte thënë asaj t’i recitonte ndonjë vjershë të Martin Jasës, por Dizi i tha se vjershat të gjitha ia kishin djegur bashkë me trupin dhe ajo nuk i dinte përmendsh.
Atëherë ajo e pyeti:
“Si ishte ai?”
“I pashëm”, kishte thënë e ëma dhe ajo kishte ndier se rrëshqiti loti i parë në faqe; ishte një qarje e mistershme që Flora nuk ia kishte gjetur asnjëherë kuptimin.
“I shkurtër, a, i gjatë, a?”
“Mesatar. Me flokë të zinj e lëkurë të bardhë.”
“Po sytë?”
“Ngjyrë gri, si ngjyra e shiut.”
“Çfarë vishte?”
“Vishte një... triko blu, golf e xhaketë të errët.”
“Si fliste?”
“Si gjithë të tjerët. Por kur recitonte, i bënte të gjithë të rrëqetheshin, ndaj të ligjtë e kishin frikë.”
Me të gjitha këto Flora i kshte vizatuar më pas, kur ishte vetëm dhe ia kishte treguar nënës: “Kështu ishte?”
“Kështu”, kishte thënë e ëma dhe e kishte përqafuar fort; Flora e kishte kuptuar që ajo qante, madje kishte ndier edhe lotin e saj të nxehtë në rrokullisje.
Ishte ë vështirë t’ua shpjegoje tërë këtë histori oficerëve të zyrës së emigracionit, të cilët nuk janë tjetër veçse burokratë, që kanë dëgjuar aq shumë histori të vërteta e të pavërteta, saqë nuk besojnë asnjërën dhe nuk e dinë se, pas çdo fjale, është një zemërdridhje. Gjatë endjes së saj fillestare, Flora ishte ndeshur me shumë zyrtarë të tillë dhe e kuptoi se për ta jeta e tjetrit nuk është veçse përgjigje ligjore dhe e thatë e disa pyetjeve të shënuara në një formular, të bërë jo aq për të ndihmuar lirinë, sesa për ta kufizuar atë.
Në Brindisi qëndroi tri javë, por koha ishte e mjaftueshme për të kuptuar se nuk ishte ky vendi i saj; në njohjet që pati, arriti të mësonte se shumë prej njerëzve vuanin nga një injorancë e frikshme, bashkëshoqëruar me kapardisjen tipike të inferiorëve e xhelin e shumtë mbi flokë nuk ua duronte, qenë tepër llafazanë dhe mamatë apo gratë i kishin frikë në mënyrë të neveritshme.
Për tri javë pati katër propozime.
I pari kishte qenë ai i Marcelos, që ndodhi në ditën e tretë në Brindisi; më pas Xhuzepe, një avokat dyzet e tre vjeçar, i martuar me një shtëpiake, i tha se mund të kalonin bashkë një jetë të mrekullueshme, do të jetonin në shtëpinë e tij të dytë, edhe pse ai do të rrezikonte të gjitha pasojat e një jete dyfishe. Propozimin ia kishte bërë një mbrëmje në shëtitoren buzë detit, kur po shkonin të darkonin në një restorant-anije, dhe ajo e kishte ndier veten të fyer që ai e shihte si një gomë rezervë në udhëtim. E kishte përshkuar e heshtur gjithë rrugën, deri në restorant, në të vërtetë kishte dashur t’ia vishte një shpullë turinjve, por e kishte përmbajtur veten; edhe në restorant kishte qëndruar gjatë e heshtur, aq sa tjetri i kishte thënë “më fal, gruan e kam frikë, prandaj nuk gjeta dot një rrugëzgjidhje, ndërsa ty të dua, ta dish.”
“Çfarë kuptimi ka emri Xhuzepe?”, kishte pyetur Flora, duke bërë sikur nuk e dinte.
“Xhuzepe është burri i Marias, nënës së Jezusit.”
“Të Jezusit, atij që lindi me frymën e shenjtë?”
“Po”, i ishte përgjigjur me naivitet viktima.
“Aha, e kuptova, Xhuzepe qenka burri i parë në botë, të cilit i kanë vënë brirët”, kishtë thënë ajo dhe ai kishte mbetur i hutuar, me pirunin e mbushur plot spageti në duar.
“Pra, unë...”
“Dhe ndoshta Maria, bashkëshortja e tij, është gruaja e parë që ka patur një jetë dyfishe...”
“Të thashë”, kishte përsëritur ai. “Më fal. Unë nuk desha të të fyej, por hakmarrja jote qenka e tmerrshme, deri në bestemie.”
Propozimi i tretë kishte qenë fare i parëndësiahëm. Mario, një nëpunës i Komunës që merrej me zyrën sociale i kishte thënë shkurt e prerë se kishte mbetur i ve prej katër vjetësh e se askush nuk e bindte dot për t’u martuar sërish; ai i njihte mirë huqet e grave të vendit të tij dhe kishte frikë nga AIDS; nga kjo frikë nuk kishte shkuar prej kohësh me asnjë grua. “Në vendin tuaj, që ka qenë i mbyllur, sëmundjet ende nuk kanë mbërritur; sa nuk është vonë, unë ju propozoj të martohemi bashkë.” Dhe përgjigja kishte ardhur menjëherë: “E pse jo. Dhe të marrim pastaj një flamur pastërtie”, gati kishte ulëritur Flora dhe tjetri nuk e kishte kuptuar fare, sepse ai nuk e dinte ceremoninë e dhënies së këtij çmimi nga këshilli i lagjes për atë që mbante më pastër rrugën para shtëpisë.
I katërti propozim ishte kot, fare kot, dhe kishte për sfond ikjen, kishte ndodhur në një agjenci udhëtimesh, kur po priste biletën për t’u larguar një herë e mirë nga Brindisi dhe Italia, stacionin tjetër e kishte në Austri, ku shpresonte të gjente ndonjë prej farefisnisë nga ana e gjyshit me anë të një adrese të vjetër të shkruar me laps kopjativ. Agjenti i kishte dorëzuar biletën dhe e kishte pyetur se kur do të kthehej, “asnjëherë”, i kishte thënë ajo, “kurrë më në këtë vend të mërzitshëm”.
“Të mërzitshëm?!” “Po”, kishte këmbëngulur ajo, “me burra të mërzitshëm që, sapo ndahen nga gratë e tyre, nuk bëjnë tjetër vetëm hapin sytë rreth e qark, dhe sapo u vijnë gratë pranë, bëhen pula e përgjërohen para tyre; çfarë burrash janë ata që kanë frikë të shpallin dëshirën e tyre dhe kanë frikë nga gratë që nuk i duan?” “Ke të drejtë, - i kishte thënë ai. - Dhe unë nuk bëj përjashtim. Sapo do të thoja se mund të qëndronim bashkë në këtë natë para ikjes.” “Nuk di se sa është inflacioni i dashurisë në vendin tuaj, - kishte thënë ajo, - por një gjë e di në mënyrë të sigurt: jeni në krizë, dhe kriza e dashurisë zgjidhet me prostituta.” Ajo gati ia kishte rrëmbyer biletën nga dora dhe e kishte ndier të fortë dëshirën të ikte, përsëri të ikte.
Në Austri u vërtit fare pak, në gjurmë të kushërinjve që ishin thjesht një copë letër e shkruar me laps kopjativ; fshati i gjyshit të saj ishte mjaft i largët, dy herë ndërroi trenin dhe një copë rrugë e bëri me një autobus, që udhëtonte dy herë në ditë.
Fshati ndodhej në mes të maleve dhe kishte shumë pak orë diell; përshtypja e parë që iu krijua, ishte se ai qe braktisur, takoi vetëm pak pleq dhe në adresën e shkruar me laps kopjativ, që ajo e kishte shkruar e rishkruar në çdo fletore për të mos e humbur, gjeti vetëm një stan dhensh të braktisur.
Askush nuk dinte të thoshte gjë për gjyshin e saj që, me sa dukej, kishte ikur për të mos ia parë më bojën kësaj humbëtire.



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •