Ju lutem, paraqituni në morg
| Wednesday, 01.03.2007, 02:39 PM |  

S – SI SEKRETI

Në diskotekë më duket sikur jam vërtet Marko Polo. Pranë meje është ulur një kineze. “Shiko... – përpiqem unë të shpjegohem. – Unë nuk jam...” Por kinezja vetëm qesh. “Ha-ha...” “Unë nuk jam Marko Polo.” “Ha-ha.” “Unë jam Marko P. I papunë, se zgjedhjet mbaruan. Tani më duhet të gjej një punë tjetër.” “Unë jam Ma.” “Mao Ce Dun?” “Jo. Ma Jung Li.” Dhe qesh kot. “Je putanë?”, e pyes unë. Kinezja vazhdon të qeshë përsëri kot. “Kupton? – , i them unë. – Sepse kjo botë, që ta dish ti, është e mbushur me kurva dhe bij kurvash, nuk di në ka mbetur ndonjë i ndershëm andej nga anët tuaja, se këtej është blozë”, më pëlqen të vazhdoj të flas kështu. Kthehem nga banaku dhe marr një gotë, të cilën e pi gati me fund. Kërkoj një tjetër. Kur kthej kokën, kinezja ka ikur dhe aty është ulur një bionde platin. Eci përmes njerëzve për të shkuar të kërcej, por tamam kur ndiej fare pranë trupat përdredhës të tyre më shkrep në kokë një ide. Hipi në një vend të lartë dhe bërtas:
“Qetësi! Ju lutem qetësi!”
Pas pak bëhet një heshtje e thellë.
“A ka këtu ndonjë virgjëreshë që dëshiron të bëjë dashuri me mua?”
Heshtja bëhet më e thellë. Duket sikur pas pak do të plasë sherri. Njëri nga djemtë e diskotekës vjen drejt meje, në mënyrë të dukshme kërcënues. “Nuk ka!”, them unë dhe nis të ndiej frikën e sherrit. Në mes të turmës dëgjohet një zë vajze. “Jam unë.”
Të gjitha vështrimet shkojnë drejt saj. Është një tip gërdalle, e zhgryer, e zhgarravitur me të gjitha bojërat dhe nuk ka aspak pamjen e një virgjëreshe. “Me tërë mend je virgjëreshë?”, pyes me zë të lartë. “Po”, përgjigjet ajo, e vendosur e serioze. “A do të bëjmë bashkë një shëtitje?” “Pse jo, më dukesh djalë simpatik.” “Po ti nuk më dukesh aspak virgjëreshë”, them unë me një zë të dëshpëruar.
Njerëzit fillojnë të qeshin në alegri, duke parë se gjithçka kaloi lehtë, pa sherr.
“E vëmë me bast që jam njëqind përqind virgjëreshë?”, këmbëngul me zë të lartë ajo. “Ke bërë kirurgji speciale?” “Jo. Është e thjeshtë. Kam lindur kështu.” “Po të jesh e virgjër, unë do të të jap 30 euro.” “Dakord.” Ajo nxjerr nga çanta letërnjoftimin. “Shikoje vetë datën e lindjes, – më thotë. – Dhe pastaj, mos thuaj se nuk jam e shenjës së virgjëreshës.” Unë paguaj 30 eurot, ndërsa diskoteka shpërthen në alegri e në kërcim.
Eci mes gëzimit të tyre, me 30 euro më pak në xhep, të humbur kot për një virgjëreshë horoskopi, pra, jo të vërtetë siç e pata unë në mendje, si shumë gjëra të tjera të rreme të kësaj bote. Por unë, që kur përmenda fjalën virgjëreshë, e dija që nuk do ta gjeja në këtë botë. Kjo botë është e pistë dhe në një mënyrë a tjetër ka bërë pis edhe njerëzit.
Këto mendoj, ndërsa shkoj në shtëpi, ngjis shkallët, fus çelësin në bravë e shtyj derën si zakonisht. Dera nuk hapet lehtë. Nën të është futur një zarf. Marr zarfin në duar, e hap dhe gjej në të një tufë kartëmonedhash nga 50 euro secila. Mendoj se mos m’i ka lënë testament tezja para se të vdiste. Brenda në zarf është dhe një letër e shkruar. Nis ta lexoj duke mbyllur derën e duke hyrë në dhomë. Letra vjen nga Lori.
Lori. E kujtoj këtë re të bardhë, ku një herë jam mbajtur për të mos u gremisur poshtë në tokën e pistë.
“I dashur Marko. Ndoshta ti nuk e mban mend që një ditë ne kemi qenë bashkë të dy në shtëpinë tënde. Ishim dy pjesë të së njëjtës prangë, të kujtohet?” “Po. Më kujtohet mirë.” “Kur letra ime do të mbërrijë në shtëpinë tënde, unë do të jem duke shkuar e lumtur drejt vdekjes. Ti e di që unë kam jetuar shumë gjëra, një jetë normale vështirë t’i mbajë dhe jam e lodhur. Po shkoj të prehem atje, e lodhur nga liria dhe dashuria, e cfilitur.”
I hutuar, hedh sytë rreth e qark. Dal te dritarja. Jashtë duken dritat e qytetit, dëgjohet dhe sirena e një anijeje. Rruga është e shkretë dhe ndoshta në cep të saj është duke ecur Lori, me shumë lule të bardha në duar.
“Jeta ime nuk ka qenë e bukur, por ka pasur shumë dashuri. Është më e ndershme të jetosh një jetë të tillë, sesa një jetë hipokrite, plot urrejtje. Kam qenë e mirë me fatkeqët, kështu kam qenë e mirë edhe me veten time, se edhe unë një fatkeqe e lumtur kam qenë. Kam lënë trupin të digjej, por kam shpëtuar shpirtin. Unë të kam folur për vdekjen time, ajo ka ndodhur dhjetëra herë. Kam zgjedhur një skenë nga një film që më pëlqen shumë: vdekjen e Ofelisë. Me të vetmin ndryshim, se këtu nuk ka lumë e më duhet të shkoj te spiranca e vjetër, atje ku deti është i thellë e i kaltër. Unë jam e bindur që ti je djalë i mirë dhe i ndershëm me karakterin e një kavalieri, ndaj po të besoj vdekjen time. Nesër, kufoma ime...”
“Kufoma? Si ka mundësi?” Tamam tani unë ndiej se çfarë gjëme ka ngjarë. Këlthas: “Oh, jo.”
“Nesër kufoma ime do të dalë mbi valë. Në këto raste, kur i gjejnë kufomat, i çojnë në morg për të bërë autopsinë. Në qoftë se kufoma e ndonjë të panjohuri mbetet gjatë pa u tërhequr prej familjarëve, mjekët e dërgojnë në auditorët e fakultetit të mjeksisë, për të demonstruar para studentëve pjesët e trupit. Unë nuk dua të mbetem përjetësisht lakuriq para njerëzve. Dua të varrosem. Të lutem, paraqitu në morg të marrësh kufomën time dhe të më bësh funeralin. Besoj se paratë që po të lë, janë të mjaftueshme. Nuk dua asnjeri tjetër në funeral veç teje. Të dua. Lori.”

T – SI TRONDITJA

Mbetem për një çast më këmbë i hutuar, pastaj më kap paniku. Më duket sikur edhe një sekondë vonesë do të jetë fatale dhe zbres nëpër shkallë duke i kapërcyer tri e nga katër. Nëpër rrugë vrapoj drejt spirancës së vjetër edhe bërtas: “Lori!” Por rruga është e shkretë e askush nuk më përgjigjet; gjej vetëm disa lule të bardha mbi det, që i trazojnë dallgët, por ato janë larg.
Bërtas edhe një herë emrin e saj. Filloj të vrapoj përgjatë bregut. Pastaj, i mbetur në errësirë, në errësirën ku mbeten të bashkuar në një ngjyrë të vetme qielli e deti, pra, në ngjyrën e natës, humb çdo shpresë. Ulem i lodhur mbi urë, i lodhur pa masë. Më vjen të besoj se e gjitha kjo që ka ndodhur, është një shaka, një lojë, një lojë e thjeshtë për t’u argëtuar në këtë jetë, që është kaq shumë e mërzitshme.
“Lori!”, pëshëpris dhe në mendje më vjen një këngë e vjetër:

“And now end is this
and so. I face the final curtain
Regretts. I had a few
But that again, a few to mention...”

“Erdhi fundi /perdja ra /sa pak,
sa pak kam për të kujtuar”, - i bëj unë një trajtim të lirë rep melodisë së vjetër, nga e cila në fund më ngel trishtimi.
“Ka vdekur.”

U – SI ULËRIMA

Korridori i bardhë i morgut nuk ka asnjë gjurmë vdekjeje. Por brenda dhomave janë plot kufoma. I shoh nga portat e hapura kur kaloj, shoqëruar nga mjeku.
“Të gjithë të vetëvrarë janë?”, pyes. “Jo, - më përgjigjet mjeku. - Vetëm kjo vajzë ka vrarë veten. Të tjerët kanë pasur vdekje natyrale ose aksidentale. Ishte vajzë e bukur. E dashura jote?” “Po. Për një herë të vetme.” “Për një herë?!”, nuk kupton ai. Unë nuk i jap përgjigje dhe e lë të mendohet vetë. “Në të vërtetë, numri i vetëvrasjeve për dashuri është ulur ndjeshëm, - vazhdon ai, ndërsa ecim. - Kjo është shenjë e keqe, që tregon se dashuria jetohet zbehtë. Unë i admiroj njerëzit që vrasin veten për dashuri.” “Nuk është tamam kështu”, irritohem unë kur ai flet për vdekjen, si të jetë një gjë e lehtë, që të bën të argëtohesh. Dua t’i ulërij, por nuk e bëj dot. Zëri më ka ikur.”Tri ditë më parë, - vazhdon ai, - një djalë vrau veten se i ishte ndaluar të hynte në stadiume, ku gjithmonë kishte bërë rrëmujë. Nuk më pëlqen ky brez. Jam i sigurt se edhe kjo vajzë e ka vrarë veten për një arsye banale. Ti, për shembull, ke harruar t’i shkosh për ditëlindje...” “Hesht!”, i flas unë në mënyrë kërcënonjëse, sepse ai nuk po do ta kuptojë se bëhej fjalë për një që ikën e nuk vjen më.
Bëjmë edhe disa hapa në heshtje dhe hyjmë më në fund në dhomën e Lorit. Lori është e bukur dhe e bardhë, nga vdekja. Marr në duar dorën e saj të akullt dhe e mbaj butë në duart e mia.
“Kjo është vajza që kërkoni?”, më pyet mjeku. “Po.” “Si quhet?” “Lori.” Mjeku kërkon të shkruajë në një skedë. “Mbiemri?” “Nuk e di”, i përgjigjem unë. “Si nuk e di?!” Atëherë unë i tregoj letrën, për të mos i dhënë shumë shpjegime. Mjeku lexon në heshtje. Më pas ngre kokën e më sheh drejt e në sy. “Është e vërtetë?” “Sigurisht”, përgjigjem unë. “Nuk është false?” “Ç’nevojë kam për ta bërë një gjë të tillë.” “E çuditshme.” “Ishte dëshira e saj që t’ia bëja unë funeralin.” “Po më vjen të qaj për këtë rast, - thotë mjeku. E thotë sinqerisht. - Mbas kaq kohësh, një vdekje më bën të qaj. Kam harruar të qaj për vdekjet. Por sidoqoftë, jam i detyruar të njoftoj në polici për të gjitha.” “Bëj si të duash”, i them unë, pa ditur se ç’ngatërresa do të më vinin prej këtij lajmërimi.
Përkëdhel edhe një herë dorën e Lorit. “Po ta besoj këtë vajzë, - më thotë pastaj mjeku dhe mua më duket sikur dëgjoj zërin e priftit në kishë ditën e dasmës. – Por, për çdo rast, më lër një numër telefoni dhe adresën e saktë. Dua edhe letërnjoftimin. Jam i detyruar të regjistroj e të denoncoj në polici.”
Pranoj, sigurisht. Marr në duar trupin e Lorit. Është e rëndë kjo re e bardhë e vdekur.

V – SI VARRIMI

Kam blerë shumë lule, mbi të gjitha të bardha. Kam porositur edhe një statujë engjëlli të veshur, e nënvizoj, të veshur, për t’i bërë shoqëri Lorit mbi varr. Gjithçka prej mermeri të bardhë. Kam paguar shpenzimet e funeralit. Pastaj, me paratë e mia blej një lule të kuqe. Në funeral të Lorit nuk është askush. Vetëm unë dhe varrmihësit që hapin gropën.
Është një ditë me diell. Qielli është i kaltër dhe pa asnjë gjurmë reje. Është i thellë dhe i pamasë. Toka është e zezë. Brenda kësaj toke, një katror akoma më i zi dhe i lagësht. Aty futet Lori, dhe unë mbi të hodha lulen e kuqe, të blerë për ndarje.
Pastaj vijnë policët.



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •