http://letersia.zemrashqiptare.net/
LETERSIA SHQIPTARE

Martin Camaj, poeti i lumit
| Saturday, 02.23.2008, 03:34 PM |

Nga Behar Gjoka

Martin Camaj
Në trashëgiminë poetike të M. Camajt bën pjesë edhe poezia “Shi mbi lumë”, një poezi antologjike, që përvijon artin magjik dhe mjshtërinë e poetit. Kjo poezi shënon njërin prej kulmeve të autorit, njëherit edhe një kurorë të mrekullueshme kushtuar natyrës, ku si rrallëkund shpëlosen ndjesitë më të holla poetike. Poezia “Shi mbi lumë” mbart shenjat e artit të Camajt, të ngjizur si metaforikë e vendlindjes dhe e natyrës, derdhur me një sharm poetik të habitshëm. Aty, në materien e vargjeve, përmblidhen në një të vetme bukuria e natyrës së ashpër shqiptare, në një çast pikant, të zgjedhur bukurisht nga shkrimtari, teksa ashpërsia e maleve përkulet përpara shiut, çka shkakton mrekullimin e heroit përpara kësaj përthyerje bukuroshe, si dhe në sintoni të plotë me këtë shprazje shkokëlohet simfonia magjike e natyrës së larme. Kodet estetike të shenjuara si metaforikë, si realitet i prekshëm dhe krejt i çatrafillosur, të ngrira si një përfytyrim përthekues i papërsëritshëm, mbeten ta skicuara në shkëlqimin e vetë...”Shi mbi lum”
Vargjet e poezisë “Shiu Mbi Lum” për artin e sendërgjuar pa kursim, shprehësinë poetike, mirazhet e shumta që të kapërthejnë, e sidomos për spektrin e imazheve të shumëngjyrta, i vënë natyrshëm Camajt breroren e poetit të lumit në letrat shqipe, gjithkohore dhe gjithhapësionre. Shumëkush përpara tij dhe njëkohshëm me të ka aspiruar t’i këndojë lumit, madje me cikle të plota dhe libra poetikë të veçantë, duke e shëndërruar kështu lumin në njërin prej toposeve më të dashura të poetikës së poezisë shqipe, por askush gjer më tani, në një poezi të vetme, antologjike dhe me tharm letrar jo vetëm nga lloji, por kryesisht nga niveli realizues shprehës-emicional, nuk i ka mbërritur ta shpalos bukurinë e lumit kaq mrekullisht sa Camaj. Lumi i tij, pra lumi i poetit të magjishëm me emrin Martin Camaj, me bukurinë e përftuar, farfurinë e pranishme si reliev, melodinë tronditëse që e përcjell, teknikën shkrimore muzikale, vetiu dhe natyrshëm shpërndërrohet në një lum mitik. Format rrezatuese të lumit si shenjë dhe frymë janë të larmishme dhe të pafundme. Kryen e vendit e zë lumi nën pushtetin e shiut. Ky çast i frymëzimit poetik e mbështjellë lumin me një veshtull të habitshëm përrallor, të derdhur dhe larë në mirazhet e pikërrave të shiut. Prej shiut, i urti lum, tashmë fryhet dhe rrëmben gjithçka, e sall: “në qiellin e vrantë lëviz nji kalë”, siç ligjëron poeti, pra gjithsesi shkretimi nuk e ka fshirë botën anekandes, duke ta rrëmbushur shpirtin me drithërima dhe pezulli. Ngjashmëria e mjedisit përqark me lumin, në zgripin e tmerrit, veçmas tek thirrma e poetit “Ujë a ba gjethi”, që e përplotëson pamjen e shkatërrimit bukurosh që e ka pru shiu. Qetima, përplot zhurmë dhe ankth, ka pushtuar vatrat dhe qeniet njerëzore. Këto forma ekzistenciale të natyrës, të jetës, ravizojnë shiun dhe lumin si dy simbole jetëdhënëse, ndërmjet tyre dhe botës rretherrotull. Magjia e lumit të Camajt, e lumit të trazuar dhe paqedashës, e lumit të artë dhe përplot acar, e lumit që nuk resht kurrë së ecuri, në frymën e poezisë së natyrës, të përngjan me magjiken e poezisë së liqerit, realizuar me art dhe madhështi nga poeti thinosh L. Poradeci, në vargjet e poezisë monumentale “Poradeci”. Poezia e natyrës, si perëndim i vagëlluar mu në sipërfaqen e rrafshët të liqenit, endur gjer në përsosje prej poetit të natyrës dhe dashurisë, apo si gurgullimë heshtake e pikave të shiut mbi lumin e dallgëzuar, e derdhur mjeshtërisht nga Camaj.

Pikëpërkimet Letrare

Në rastin e dy poezive, pra të “Poradeci” dhe “Shi mbi Lum”, përveç shtratit të përbashkët të lëvrimit të temës së natyrës, vihen re dhe preken edhe disa pikëpërkime të veçanta letrare:
A-Kënga e ujit, si bukuri përrallore, e ku rrezatimet e përskuqura të perëndimit diellor, në përqasjen e teksteve dhe të frymës së përgjithshme të dy poezive, përzihen natyrshëm me zhurmërimat verbuese të rrebeshit të shiut.
B-Kënga e ujit të ëmbël, të liqerit dhe lumit, lëngut jetëdhënës pa të cilin jeta do të sosej menjëherë, madje do të kthehej në zhur.
C-Kënga e vallëzimit të piklave të ujit, të rrezëllimve diellore dhe të rrebeshit të shiut,ku pipëlima e natës kontraston me zhurmërimën e shiut të rrëmbyer.
Pralelet ndërmjet dy poetëve, e sidomos përqasja e poetikave të tyre, mundësohet nga fryma e përafërt, skicimi gjer në gdhendje i linjave të natyrës, përzgjedhja e çasteve të spikatura, prania e melodisë tingullore, që përcjellin vargjet e dy poezive. Këto dy poezi sa ç’janë të ngjashme si frymë dhe shprehësi aq janë të largëta si teknikë shkrimore dhe shprehësi:
-Poezia “Poradeci” e Lasgushit është shkruar me vargje të thyera, ndërsa poezia “Shiu mbi lum” e Camajt realizohet me strofa katërshe.
-Poezia “Poradeci” matarohet me anë të vargut me gjashtëmbëdhjetë rrokje, ose me tetërrokëshin e dyzuar, pra varg i prejardhur nga vatra e tetërrokëshit,kurse në poezinë “Shiu mbi lum” poeti operon me vargun dhjetërrokësh.
-Poezia “Poradeci” ka në qendër perëndimin e diellit, nga ana tjetër poezia “Shiu mbi Lum”, vendos në epiqendër të universit poetik çastin e rrebeshit të shiut.
Përafëritë e prekshme ndërmjet dy poetëve në frymën e përgjithshme apo në gdhendjen e fytyrës së natyrës së lagështitur, si dhe ndryshueshmëria shkrimore mes dy poezive, ravizon artin e scilit poet, madje të kohëve të ndryshme, si një magji e veçantë, e papërsëritshme në formatin shprehës dhe emocional.

Simfonia e Papërsëritshme e Gjumit

Atmosfera që krijojnë vargjet e poezisë “Shiu mbi Lum”, me tërësinë e vetë, por edhe oazet poetikë të pranishëm, sendërtojnë një simfoni të çuditshme, që si kryetingull ka piklat e shiut, edhe si pikërrima të buta, edhe si rrebesh i frikshëm. Melodia e simfonisë së kombinuar ndërmjet pauzave dhe zhurmërimës, pra duke u përftuar prej rrokullimës së shiut shkakton, si pa e kuptuar, në trup e shpirt një shkrehje, një përgjumje kapitëse. Pra, në kuptimin real poezia sendërton simfoninë e gjumit të thellë. Kjo simfoni rrjedh krejt natyrshëm, mandej duke përçua tek qenia paqëtimin harmonik, pavarësisht uljengritjeve të tonalitetit.
A-Në vargun: “e pikat e shiut po bijnë mbi lum”, fare qartësisht shprehet një unuvers formal, i aktit të rënies së shiut, si tregues konkret i aktit të natyrës, por edhe i mrekullimit që i bie të provojë njeriu përballë kësaj pamje të rrebeshit të pikave.
B-Në këtë vështrim vargu: “shpirti s’don dhimba e trupi lyp gjum”, fiton peshë specifike dhe gravitacionale, organizuese dhe shprehëse, ritmike dhe tingullore. Kombinimi i dy vargjeve, si rimë e alternuar, në strofën e parë plazmon parapërgatitjen e simfonisë së gjumit. Kurse, realisht dhe estetikisht, në strofën e dytë nga gërshetimi i tyre shpërfaqet kulmi i simfonisë,si tonifikim i ritmit të pikave të shiut me përgjumjen kapitëse. Në të tretën strofë të kësaj poezie zbulohet kapitja e plotë e njeriut dhe gjithçkaje përqark prej gjumit, ku fare bukur alternimi i rimuar përforcon përgjumjen. Një aspekt tjetër melodik, i pranishëm në të trija strofat,madje si element formësues artistik, është edhe rima e alternuar ndërmjet vargut të parë dhe atij të tretë, e cila edhe ndryshon në të treja strofat. Përftimi i simfonisë së gjumit,kuptohet fare mirë, si përfytyrim melodik, mundësohet vetëm nga leximi shqiptimor i çdo tingulli, i çdo theksi ritmik, patjetër edhe i pauzave ndërmjet vargjeve. Leximi shqiptimor i shoqëruar me tonalitet shprehës e nxjerr në pah shenjimin tingullor, i cili anon më së shumti nga simfonia, posaçërisht simfonia e gjumit, derdhur magjishëm në vargjet e poezisë “Shiu mbi Lum”.

Shkallëzimi Zbritës

Mjeti themelor i sendërgjimit të poezisë “Shiu mbi Lum” është shkallëzimi. Tre strofat e poezisë strukturojnë një shkallëzim zbritës.
A- Poeti teksa shprehet:
“Mjegulla nga bjeshka ulet ngadalë”, jep kulmin e shkallëzimit, i cili përputhet natyrshëm edhe me shkakun e shiut, që mrekullisht parapërgatit rrebeshin e mëpastajmë.
B- Strofa e dytë:
“Ujë a ba gjethi e teshat e blegës”, e sidomos ky varg paraqet kozmogoninë e shiut, i cili ka pushtuar gjithçka. Këtu kemi edhe zbritjen në realitetin e prekshëm, tashmë të kapluar prej furtunës së shiut, e që ka depërtuar deri në palcën e gjasendeve.
C- E treta strofë e poezisë,në krye shpaloset:
“Në votër flaka po del krandeve”, duke zbuluar pamjen nga brenda shtëpisë. Kjo është veçse pasojë e shiut të rrëmbyer. Shiu paskej qenë kaq i tmerrshëm sa i ka ndry ndër vatra njerëzinë. Përjashta, nën thundrnë e shiut dhe të vrundujve të dallgëve të lumit, sundon shkretimi. Sundon shkretimi i natyrës në vjeshtë, shkretimi dhe mardhja nga të ftohtit. Derdhur në formë artistike, pra si shkallëzim zbritës, që zë fill në qiell tek strofulla e mjegullës, aty ku fle dhe zgjohet trembshëm hambari i shiut, duke zbritur në tokë dhe mandej duke portretuar në mënyrë të shpejtë mjedisin, e pas pak bri zjarrit, duke shijuar melodinë ritmike të pikave të shiut, poezia “Shiu mbi Lum” vjen me gjetje poetike dhe mjeshtri përthyerjesh letrare.

Prania e Heroit Lirik

Vargjet e kësaj poezie skicojnë fare bukur portretin e heroit liriik të integruar në tërësinë e tekstit. Është një hero lirik krejt i tejdukshëm. Prania e tij spikatet në penelatat e shpjeta me të cilat vizaton lumin, e sodomos nën perden e shiut. Përfytyrimet kapërthuren ndërmjetshëm. Nga njëra anë natyra me bukurinë e ashpër, të larë në vezullimin e litarëve të shiut, si dhe zbulimi i një fytyre të re të gjithçkaje, të gjetheve, të lumit dhe vatyrës. Në anën tjetër heroi lirik, që të avitet si një piktor mjeshtër dhe gdhend linjat e rrebeshit. Heroi lirik shfaqet edhe si prani e pasojës. Për shkak të shiut jo vetëm ndërron pamja e relievit, por vetiu shpërndërrohet edhe qenia njerëzore. Nën trokun e pikërrave të shiut trupi dhe shpirti lëkundet në përgjumje. Në përgjumjen ledhatare të simfonisë së shiut, e natyrshëm përkundesh në krahët e gjumit paqesjellës. Pikat e shiut shpalosin edhe petalet e shpirtit njerëzor. Një pamje e veçantë e heroit lirik na zbulohet në fundin e poezisë, ku përfytyrimi i brendësisë së shtëpisë, shoqërohet edhe me vetmimin e tij. Heroi lirik, tashmë i ngurosur pranë zjarrit, bie në detin e prehjes. Një prehje kaq shumë e dëshiruar, se është paqëtimi i vendlindjes. Kjo, vendlindja e dashur, vizatohet mu në cakun e mospranimit të saj, teksa qielli lëshoi rrebeshin e shiut. Prania e heroit lirik në vargjet e poezisë kushtuar natyrës jepet si gjithprani.

Ritmika e Harmonisë Poetike
 
Poezia “Shiu mbi Lum” dëshmon dhe shenjon një harmoni poetike të natyrës klasike:
-Harmoni brenda të njëjtës strofë, krijuar nga rima e alternuar midis vargut të parë dhe të tretë, të cilët rimojnë në fjalët “Kadalë” e “kalë”, si dhe ndërmjet vargut të dytë dhe të katërtë, ku rimojnë fjalët “lum” dhe “gjum”.
-Harmoni joharmonike në mes strofave, sepse ruhet rima e alternuar ndërmjet vargut të dytë dhe të katërtit, por ndryshon rima mu në mes të vargut të parë dhe atij të tretë, që kanë si fjalë të rimuara, “blegës” dhe “degës”.
-Përsëritjë e harmonisë joharmonike edhe në strofën e fundit, ku si fjalë bazë të formuar rimën e alternuar, midis vargut të parë dhe vargut të tretë, janë fjalët “krandeve” dhe “zaneve”
-Harmonia e kryqëzuar midis strofave, ku dy vargjet ndqërrohen si llojeshmëri, e dy vargje mbeten të njëjtë, me të njëjtat fjalë, madje me të njëjtën radhitje në secilën strofë. Nëse vargu “e pikat e shiut po bien mbi lum” zbulon në mënyrë të përsëritur, por edhe të shkallëzuar pamjen e natyrës, që vjen pas numër rrokjesh të caktuara, çka sendërton ritmikën e pikave të shiut. Nga ana tjetër përsëritja e vargut “shpirti s’don dhimba e trupi lyp gjum”, sjell pranë portretin e heroit lirik, teksa lyp qetësi dhe gjumin përtëritës.

Përpushje Stilistike

Vargjet e poezisë “Shiu mbi Lum”, përveç harmonisë ritmike dhe tonalitetit muzikal, dëshmojnë praninë e mjeteve stilistike unik:
-Metaforika e vendlindjes, me të gjitha shenjat e domosdoshme, si mal dhe lumë, ku i pari shenjon forcën dhe qëndrueshmërinë, ndërsa lumi shenjtëron levizjen e pandërprerë.
-Metaforika e lumit, si një pasqyrë, ku mund të kundrohet natyra me bukurinë e ashpër, e bashkë me të vendlindja e dashur.
-Metaforika e shpirtit, që rretheqarkon me rrezëllima fundin e secilës nga strofat e poezisë. Sidoqë të jetë shprti buron ngjyrime dritash të arta.
-Metaforika e shiut, që troket mbi lum, e trokëllima jehon anekand, jehon në shpirtin e poetit, e madnej jehonëlebetima shpërhapet anë e përreth gjithë botës.
-Metaforika e mjegullës, pikërisht në strofën e parë të poezisë, zbukuron me tisin e hirtë malet dhe lumin duke i dhënë mjedisit një pamje përrallore.
-Metaforika e gjethit, i cili nga i palagshëm,sepse qëndron rastësisht në majë të pemës,tashmë është lagur e bërë qull.
-Metaforika e votrës, si epiqendër e universit të vendlindjes. Vatra, në mbamendjen shqiptqre, por edhe në vetëdijen e poetit shpërfaqet si mgrehina e përjetësisë.
Sfumatura metaforike, sidomos figurshmnëria e ngritur mbi këtë bazament të poetikës moderne, por edhe me mejte të tjmera stilistikore, ka mundësuar lartimin e poezisë së lumit gjer në përpushje stilistike. Në këtë poezi, metafora me thelbin e vetë, dhe veçanërisht me larminë e formave të shpërfaqura, shpërndërrohet në esencë thadruese të artit të Camajt.

Kontrasti i Klithmës Poetike
 
Materia e poezisë “Shiu mbi Lum” sendërton një klithmë poetike të papritur. Kjo klithmë lartohet duke patur si themel kontrastin ndërmjet dy gjendjesh:
A-Nga njëra anë shiu dhe lumi që i shpërndërrojnë vendet dhe transormojnë natyrën. Bota sikur përmbyset nga e para. Ashpërsia e rrebeshit të shiut mbytet në lum. Ky i fundit, tashmë fryhet dhe bymehet frikshëm. Kjo pamje skicon peizazhin e natyrës, me të gjithë elementët përbërës; me qiellin, ku retë zbrazin zemrën dhe pikat e shiut rrëzohen me litar; me tokën, ku edhe gjethet e pemëve lagen; me lumin që shuan natyrshëm zemërimin e shtrëngatës, por edhe me e qetuara, që mbyllin arkapiet. Peshë specifike në realizimin e tablosë së plotë të natyrës, sidomos fiton vargu:”e pikat e shiut po bijnë mbi lum”, madje që krijon edhe koloritin melodik, teksa tonifikon çdo strofë të poezisë.
B-Në anën tjetër ndjenjat dhe mendimet e heroit lirik. Poeti e adhuron vendlindjen, me të drejtë, natyrën e mrekullueshme, edhe nëse shpalos ashpërsinë, e adhuron qiellin, malin, shiun dhe lumin. Ngarkesën e subjektivitetit e bart vargu: “shpirti s’don dhimba e trupi lyp gjum”, i cili rretheqarkon fundin e secilë s strofë të kësaj poezie. Këtu kontrasti dyfishohet, sepse poeti papritur realizon edhe botën e unitetit personal, ku shpirti s’pranon dhimbjen, sepse ajo, dhimbja e prish dhe zhvoshk njeriun nga volerat.Pranë saj duhet prehja fizike, gjumi, si përtëritës i energjive njerëzore. Poezia “Shiu mbi Lum” formaton nivelin më të lartë poezishkrimor për adhurimin e natyrës, natyrës së vendlindjes, e prekshme kjo në shprehësinë e artikuluar dhe ritmikën poetike.