Një mijë sy në një ballë
| Monday, 02.25.2008, 07:35 PM |  

Jam i sigurt që nesër në autobusë, trena, në stolat e lulishtes, nuk do të shohim vetëm të rinj që puthen, por edhe të rinj që lexojnë libra. Letërsia u jep jetë kinemave, televizorëve, teatrove, nuk e lë që të vdesë as median e shkruar, as atë elekt

Si mendon shkrimtari Faslli Haliti, çfarë raporti ekziston mes përvojës jetësore të një krijuesi dhe veprës së tij letrare?

Mendoj se ekzistojnë raporte të ndërsjella. Ka raste që një krijues i ri, pa përvojë, të krijojë një vepër që të lë përshtypjen sikur ta ketë shkruar një shkrimtar apo poet me përvojë tëgjatë. Dhe e kundërta, vepra të shkruara nga shkrimtarë e poetë me përvojë dyzetë apo pesëdhjetë vjeçare dhe ngjajnë sikur i kanë shkruar disa krijues pa përvojë. Kjo ndodh për shkak të cilësisë së veprës e të talentit jo të njëjtë të autorëve. Kadareja nuk kishte përvojë në prozë, por me “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” krijoi një roman modern, që pushtoi botën. Në të njëjtën kohë pati dhe shkrimtarë me përvojë, madje që ishin të shquar për kohën, por ata nuk e krijuan një roman me cilësi, unitet dhe polivalencë të tillë artistike. Sepse, siç thotë Gorki për Tolstoin, mund të thuhet se Kadareja “ishte një mijë sy në një çift të vetëm”. Por dhe prozatorë të rinj nuk kanë shkruar romane si “Qyteti i fundit” i Petro Markos, “Lumi i vdekur” i Jakov Xoxes, “Njeriu me top” i Dritëro Agollit. Këtyre të rinjve nuk u mungonte vetëm përvoja, por edhe talenti i duhur. Tek të dytët përvoja dhe talenti ishin në sinkron, ecnin paralel.

A mund të kemi një vepër të mirë, kur mungon përvoja letrare e jetësore?

Pa dyshim që mund të ketë. Kur Bjelinski lexoi dorëshkrimin e romanit “Njerëz të varfër” të Dostojevskit, e pyeti autorin e ri se ku i kishte pare ai ato gjëra që kishte shkruar në roman. Po vetë, Bjelinski u përgjigj se askund s’i kishte parë, por ishte talenti i tij hyjnor që ia kishte thënë. Talenti, si shkalla më e lartë e dhuntive, qëndron para përvojës.
Por edhe përvoja jetësore ndikon dhe lehtëson në krijimin e veprës. Si mund shkruheshin vetëm me forcën e talentit, pa një përvojë jetësore, komedia “Pluti” e Euripidit, poema “Tao” e Konfucit, romani “Don Kishoti i Mançes” i Servantesit, “Lufta dhe paqja” i Tolstoit, tragjedia “Mbreti Lir” e Shekspirit, romanet: “Prilli i thyer” i Kadaresë, “Arka e djallit” i Agollit, “Ali Pasha” i Godos, “Çafka” e Vath Korreshit, “Florimont” i Moikom Zeqos etj. Ndërsa talenti është shkalla më e lartë e zhvillimit të dhuntive, kurse gjenia shkalla më e lartë e zhvillimit të talentit, përvoja jetësore është nëna e dijes. Shekspirit, Servantesit, Tolstoit, Migjenit, Kadaresë, s’do t’u kishte mjaftuar gjenia, pa eksperiencën e madhe, të pasur jetësore, për krijimin e kryeveprave të tyre. Edhe në këtë rast si talenti, si gjenia, si përvoja duhet të ecin paralelisht në rrugën e krijimit.

A ka faktorë bazë që të ndikojnë në ardhjen e një kryevepre ?

Si të them… Po bëj edhe unë një pyetje. A ka faktorë bazë në lindjen e një fëmije të talentuar, gjeni apo profet? Një grua shtatzënë dëshiron, së pari, ta lind fëmijën të gjallë. Ajo nuk mendon se do të lind një fëmijë gjeni apo profet. Gjeni a profet ai mund të bëhet gjatë jetës. Pra, e para është ardhja në jetë e fëmijës, pastaj aveniri. Kështu ndodh edhe me lindjen apo krijimin e veprës letrare.
Krijuesi, në frymëzim e sipër, dëshiron që ta krijojë një vepër, pa e ditur nëse do të ketë faktorë kyç që do të ndikojnë në krijimin e një vepre apo kryevepre. Është vepër apo kryevepër, këtë e përcaktojnë të tjerët dhe nëse nuk e quajnë ata të tillë, të tillë do ta quajë koha. Them se primar për krijimin e një kryevepre është talenti apo gjenia, pa mohuar edhe rolin e faktorëve. Faktor kyç, për krijimin e kryeveprës së Kadaresë, është talenti i tij hyjnor. Asnjë lloj faktori tjetër kyç nuk di unë.

Sa shqetësues është ulja e ritmeve të leximit në ditët e sotme dhe a ka rrezik për një «vdekje» të letërsisë ?

Letërsia është si blerimi i ullinjve, që nuk mungon në të katër stinët. Pra nuk «vdes» kurrë. Rrezik për një vdekje të letërsisë ka vetë nëse ajo nuk do të shkruhej, por jo kur nuk lexohet. Vdekja vjen nga mosprodhimi letrar dhe jo nga moskonsumimi i tij.
Keq është kur s’prodhohet bukë. Mund të mos e hanë një ditë, katër, pesë, për arsye të çmimit, të cilësisë apo për mungesë oreksi. Por njëherë do t’u vijë oreksi, madje do t’i marrë uria dhe furrat do të boshatisen. Kështu do të ndodh edhe me lexuesin, të cilit sot i mungon oreksi, por që me siguri nesër do t’i vijë dhe, i uritur, do t’i futet leximit të librave. Jam i sigurt që nesër në autobusë, trena, në stolat e lulishtes, nuk do të shohim vetëm të rinj që puthen, por edhe të rinj që lexojnë libra. Letërsia u jep jetë kinemave, televizorëve, teatrove, nuk e lë që të vdesë as median e shkruar, as atë elektronike. E si mund të “vdesë” vetë?!
Por kam një shqetësim. Disa librarë (ka mes tyre edhe matrapazë) nuk e pranojnë librin poetik në librarit e tyre, siç nuk lejoheshin dikur në Amerikë që qentë dhe zezakët të futeshin në kafenetë e të bardhëve. Këta po, lëta duket sikur kërkojnë vdekjen e poezisë.
Letërsia shqipe nuk vdiq në atë kohë, kur shtatëdhjetë për qind e popullsisë ishte analfabete e jo më sot që rinia ka pushtuar gjimnazet, universitetet, internetin. Vërtet, shumica e popullsisë ishte analfabete, por Naimin, Çajupin, Migjenin, Fishtën, Mjedën, Lasgushin, Koliqin Asdrenin e lexonin dhe shumë poezi i dinin përmendësh. Kur letërsia nuk vdiq atëherë, si mundet në ditët tona me shtëpi botuese e shtypshkronja të panumërta?! Po, leximi mbetet problem, por na bëjnë optimistë fëmijët që janë lexuesit më të shumtë e më të rregullt të librit. Pastaj, po ushtria e nxënësve të shkollave të mesme dhe studentët e universiteteve ç’bëjnë, a nuk punojnë ata me librin. Me librin punojnë. Tekstet janë të mbushura kryesisht me poezitë, tregimet dhe me fragmentet e prozës më të mire shqipe. Letërsia sa vjen e përthith më shumë lexues.

Po raportet e moralit me letraren si qëndrojnë?

Mendoj se bëhet pak ose aspak moral në krijimet më të mira në prozë e në poezi, sidomos në krijimtarinë e të rinjve, pa marrë parasysh aty-këtu disa reminishenca të socrealizmit. Letrarja sa vjen e bëhet më e pastër, e zhveshur nga moralizimet, fiton më shumë terren artistik. Në poezinë e Zeqos në të tria përmbledhjet (Miscellanea) voluminoze, të zë syri vetëm art dhe s’dëgjon qoftë edhe një zë të mekur moralizimi. Poezia e tij ka gjithçka të bukur e të mbarë të kësaj toke, në qiejt poetik të Zeqos lëvizin kometa kryq e tërthor metaforash. Duke qenë një Bill Gejt në figura dhe erudicion, Zeqo ka për secilin lexues jo një, por disa metafora.
Për mua, morali dhe letrarja, artistikja, qëndrojnë në përpjesëtim të çdrejtë. Morali i krijuesve jo gjithmonë përputhet me krijimin e tyre. Zakonisht vepra qëndron më lart. Pas viteve nëntëdhjetë doli në shesh imoraliteti i disa krijuesve, që restauruan menjëherë krijimet e tyre të bëra sipas parimeve socrealiste. Ka raste edhe në letërsinë e artin botëror të mospërputhjes së subjektit krijues me veprat e krijuara. Esenini e thotë vetë në një poezi të tij: «fryj ti erë e marrë, /tufa gjethesh pështy/, unë ofiqin poet e kam marrë,/ por në këngë rrugaç jam si ty». Por e di gjithë bota që Esenini nuk ishte rrugaç në poezi, por në jetë. Në një poezi tjetër, ai thotë se “Nga Moska ika se duhej ikur,/ kush dreqi me policë e rregullon, /këtu për një skandal të vogël pijaniku, arrest Sergej e në rajon”. Ka dhe plot raste të tjera me shkrimtarë, poetë, piktorë, muzikantë që s’kemi pse i përmendim këtu.

Ndërsa me filozofinë ç’lidhje ka letërsia ?

Letërsia lidhet me filozofinë, siç lidhet zemra me trurin. Filozofia është truri, racionalja, letërsia është zemra, ndjenja, shpirti. Kjo kuptohet më mirë, kur lexon poezitë, romanet, esetë e Kadaresë, ku letërsia dhe filozofia gjenden në sinkron, ku racionalja dhe emocionalja, ku konkretja dhe mistikja gërshetohen mjeshtërisht. A nuk është poezi filozofia e Niçes, a nuk është filozofi poezia e Migjenit, Kadaresë? Nuk mund të ketë poezi pa filozofi, siç nuk mund të ketë jetë pa diell, pa ajër.

A duhet që shkrimtari ta thotë krejt të vërtetën në veprën e tij autobiografike? E bëj këtë pyetje, sepse ka dalë si problem gjatë bisedave me shkrimtarë, një pjesë e të cilave janë botuar në shtojcën tonë.

Një kritik ka thënë se autori është në çdo rresht të veprës dhe në asnjë. Xhek Londoni, Gollsuorthi, Gorki, kanë thënë shumë të vërteta në veprat e tyre autobiografike, prandaj dhe janë përpirë nga lexuesit e gjithë botës, sepse ato u kanë dhënë atyre forcë e guxim. Unë nuk e di se gjer ku e kanë thënë ata të vërtetën, e kanë thënë krejt lakuriqe apo të mbuluar aty-këtu. Kam lexuar një autobiografi të Salvator Dalì. Ai gati i thotë të gjitha ato që ka bërë në jetë, në fëmijëri, adoleshencë, rini e në moshë të pjekur. Ç’ka bërë e thotë pa droje. Moravija ishte i mendimit se duhej thënë lakuriq ajo që bëhej në jetë. Kurse të tjerë nuk kanë pasur atë mendim. Pse bëhet autobiografia atëherë, i kundërshtonte Moravia. Rusoi e ka thënë atë që i ndodhi në adoleshencë, kur qëndronte i ulur në një stol lulishteje, i përhumbur në përsiatje dhe dikush e përdhunoi.
Mendoj se ka disa të vërteta që autori nuk i thotë ose nga turpi, ose pse ato nuk i vlejnë kujt. Kur një e vërtetë e turpshme - kryerja e një incesti, për shembull - ndodh dhe ti, duke e treguar e denoncon, kjo i revolton të tjerët kundër atij që e ka kryer dhe njerëzit sikur qetësohen. Kjo bën efekt pozitiv te lexuesi. Ndreq, zbut diçka. Ditari i Pushkinit ka shumë gjëra që nuk duheshin thënë, por ai i ka thënë, i ka treguar me shkrim dhe duket se i tregon me kënaqësi, pa u skuqur e pa u zverdhur. Por dihet se ai e mbylli jetën me duel.
Si përfundim, jam i mendimit që duhen thënë të gjitha ato të vërteta që ndreqin diçka, që duke i treguar, lexuesi kupton se ato duhen dënuar, se nuk duhen bërë e nuk duhen përsëritur në jetë.

Intervistoi Petrika GROSI


Albania

(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  •