Thani Naqo
| Wednesday, 02.27.2008, 10:49 PM |  

Shkrimtari Thani Naqo dhe toka mëmë

Shkruar nga Alfred Papuçiu

Atje larg në Florida të SHBA-së banon aktualisht shkrimtari Thani Naqo nga Ziçishti i Korçës. Është një njeri i thjeshtë, gazmor dhe tepër familjar,por shpesh gjen kohë të bisedojë me bashkëkombësit e tij, atje në studion e tij
të punës. Ka realizuar disa botime të suksesshme, romane, libra me poezi
dhe lirika, skenarë filmash, të cilat kanë pasur jehonë pozitive tek lexuesit
në Amerikë, por edhe gjetiu, në Shqipëri, Zvicër, Francë, Itali,Gjermani,
Greqi. Veprat e tij janë botuar edhe në Kinë e Rusi. Thani është duke përgatitur
një libër tjetër me lirika, "Sinfonitë e stinëve". Pasi kam  lexuar dorëshkrimin
që shkrimtari ma besoi, them me bindje se ka bërë një punë tepër të kujdesshme
dhe cilësore. Mbi të gjitha, ai është krejt i veçantë në artin e vjershërimit.
Individualiteti i tij, vizioni i tij për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen
e bashkëkombësve të tij, riprodhimi i ngjarjeve dhe situatave në mënyrë reale,
pa zbukurime të kota, afishimi i vlerave kombëtare, të bën për vete dhe të
lë në mendime.

Rilexoj këto ditë romanin e Thani Naqos me titull "Përgjumje iluzionesh"
që përmban mbresa nga ditët e para të viteve 90 të, kthimit të Shqipërisë
në një demokraci të brishtë, nga çastet e jetuara prej tij, të bashkatdhetarëve
që morën rrugën e mërgimit, dikush në Evropë dhe të tjerë në Amerikë, Kanada,Greqi,
Itali, Australi e gjetiu. "Përgjumje iluzionesh" jep përvojën jetësore dhe
është shkruar jo me fjalë të rrumbullakosura, por të thjeshta dhe të kapshme
për lexuesin intelektual apo të shtresave të tjera shoqërore. Romani përmban
shumë nota prekëse, shkruar me tepër logjikë, por dhe me nota humori. Kjo
të shtyn të kontaktosh me autorin sepse ai ka ditur të të bëjë për vete me
artin e hollë grotesk, në trajtimin e ideve filozofike. Grotesku dhe humori
i natyrshëm na bën të qeshim, por njëkohësisht edhe të trishtohemi me hidhësitë
e moralizimeve botërore.

Shkrimtari vazhdon të shkruajë një roman tjetër, si dhe do botojë së shpejti
në gjuhën angleze një novelë, përveç librit me lirika "Sinfonitë e stinëve".
Ai merr nga koha e lirë për të hedhur mendimet e tij që përmbajnë një filozofi
të veçantë të intelektualit shqiptar, të ardhur në Amerikë. Ai lexon shumë,
mban shënime, mediton dhe interesohet për literaturën shqiptare dhe atë botërore,
për ekonominë, historinë moderne dhe të antikitetit, biologjinë, astronominë
dhe është gjithmonë optimist, flet pa artifica dhe moralizime, me një saktësi
të çuditshme dhe pa dashur të të ndikojë me mendimet e tij. Fatkeqësisht
si ai ka pak në Florida, pasi shumica janë përfshirë në vorbullën e jetës
amerikane, duke punuar shpesh nga dy punë dhe shumë herë bëjnë pak orë gjumë.
Ata mendojnë për sigurimin e një jete më të mirë, sidomos për fëmijët e tyre,
por edhe për të ndihmuar të afërmit atje larg në Shqipëri. Edhe Thani mendon
për fëmijët dhe të afërmit e tij, për shokët dhe miqtë, për të cilët është
i papërtuar për t?u ardhur në ndihmë, për të diskutuar me ta për hallet e
jetës, për gëzimet dhe shqetësimet e tyre. Për atë dhe bashkëkombësit e tjerë,
problemet aktuale janë sidomos ato financiare, se, siç shprehet ai  "sipas
erërave që po fryjnë, do të kemi një periudhë të vështirë për të shpenzuar
për qejfe, mbasi ato kursime që i kemi sot, do t'i mbajmë në gatishmëri përsituata
të vështira familjare".

Së fundi, shkrimtari ka shkruar përsëri çdo mbrëmje në studion e tij të punës,
duke pasuruar më tej "Sinfonitë e stinëve" edhe me 5 lirika psikologjike,
me nuanca surealiste. Ai po i ripunon mjaft prej tyre, duke marrë edhe mendimin
e miqve të tij dhe po i pasuron me tematikë psikologjike-intime, gjithnjë
në aspektin liriko-surealist. Ai më shkruan me humor nga larg: "Nuk di pse
më tërheq kërraba në atë drejtim, mbase se askush nuk ka shkruar kësisoj,
si për shembull disa nga vjershat: ato të dimrit, ato të mantelhijeve të
botës, ato të demave qe mundeshin dhe demi im dilte fitues dhe pas katër
dekadash, ja mpreha brirët përsëri dhe e nxora në mundje me demat e botës.
Jam i bindur se do të fitojë!"

Edhe Thani Naqo punon shumë atje pranë oqeanit, por pasionin që e ka pasur
qysh në moshë të re nuk mund ta lerë. Shpesh diskuton edhe me miqtë e tij
amerikanë dhe të kombeve të tjera, u flet për historinë e Shqipërisë, për
ravat e jetës. Kohët e fundit, atje në Florida, ku janë vendosur një numër
i madh bashkëkombësish, u organizua një mbrëmje e bukur dhe prekëse letrare
për shkrimtarin Thani Naqo që megjithëse është tepër modest si njeri, ka
një botë të madhe shpirtërore dhe një penë të artë. Ai vlerësohet nga bashkatdhetarët
dhe gjen kohë, krahas punës së lodhshme të përditshme, të shkruajë, të meditojë
dhe të hedhë në letër mendimet e tij, të një njeriu të mirë, atdhetar që
mbart filozofinë e çiltër të shqiptarit dhe përtërin vlerat e mira shekullore
të tij. Vjen nga një familje me tradita patriotike dhe që e do Atdheun dhe
ruan kujtimet e të parëve, si dhe i ati, xha Miçua që gjen kohë edhe në Florida
të merret edhe me bletët, pasioni i tij i hershëm. Thani ka marrë prej tij
pasionin e tregimtarit, të aftë të qëmtojë historinë jo vetëm të trevave
ku ka lindur, por edhe të rajoneve të tjera ku e ka shpënë jeta. Për lirikat
e tij me titull ?Fate paralele?, botuar vitin e kaluar, poeti Koçi Petriti
ndër të tjera është shprehur: "Boshti i vjershave të këtij vëllimi ka të
bëjë me mbresa, përjetime e meditime mërgimtari. Devolli dhe Florida-ky është
binomi që mban në simbiozë përjetuese poetikën e këtij vëllimi".

Kurse shkrimtari dhe diplomati Teodor Laço shkruan: "Njeriu i kitarës, njeriu
i mollëve, i një proze të ngjizur me tokën e Devollit, Thani Naqo, nuk kishte
sesi të mos na vinte në duar edhe një tufëzë lirikash nga Devolli dhe Amerika.
Qoftë i suksesshëm në rrugën e nisur". "Oqeani i ndarjes, - shprehet poeti
Musa Vyshka, - nuk e frenon dot këngën e tij të vijë tek ne, nuk e zbut dhimbjen
për fatet tona paralele, nuk e harron që asgjë tjetër nuk e mban më këmbë
shpirtin poetik përveç dashurisë së madhe për këtë tokë, për gjithë vëllezërit
e motrat, për çdo pëllëmbë të arave e ugareve ku mbollëm së pari poezinë".

Jam tepër entuziast, se në romanin dhe në novelën tjetër që ky autor ka nëpër
duar, ai do të na japë do të ngrihet lart ashtu siç rritet një pemë e shëndetshme
me konusin e padëmtuar. Thani Naqo të tërheq me bisedat e tij që rrahin problemet
e ditës, të shoqërisë shqiptare, amerikane, por edhe të diasporës. Gjithashtu,
ai është tepër i aftë dhe di t'i bjerë kitarës, pianos, duke krijuar një
atmosferë të gëzuar me bashkëbiseduesit. Çdo mbrëmje pas pune gjen kohë të
hedhë në letër mendimet e tij, vargjet apo kapitujt e romaneve të tij, duke
marrë edhe mendimin e miqve të tij të mirë dhe që e duan librin. Nuk qe e
lehtë të takohesha me autorin Thani Naqo, mbasi qe tepër i zënë me punë,
siç m'u shpreh ai, "për të mbijetuar në këto kohë moderne". Megjithatë gjetëm
mundësinë për të kaluar disa orë së bashku, duke pirë kafen e servirur nga
bashkëshortja e tij, Meri, të cilën ai e respekton së tepërmi. Qysh në fillim
të bisedës krijova bindjen se talenti krijues kur shkrihet me aftësinë e
analizës ekonomike i hap rrugën propabilitetit, cilësi që udhëheq këtë
shkrimtar në krijimet e tij.

Kur e pyes, si është rrethi yt shoqëror, ai më përgjigjet: "Miqtë e mi të
vjetër i kam shumë larg, në Atdhe dhe vende të tjera dhe mungesën e tyre
nuk e ngrenë kandarët e Ballkanit. Ata kanë ndikuar jashtëzakonisht në formimin
tim si krijues. Nuk mund te harroj kontaktet që kam pasur me shumë shokë
e miq, sidomos bisedat që kam pasur me Dritëro Agollin, Teodor Laçon, Viktor
Gjikën, Agim Isakun, Myfit Balanin, Perikli Panon e shumë të tjerë, me horizont
dhe humorin mbërthyer në majë të gjuhës. Megjithëse në dhé të huaj, shkrimtari
do të gjejë dikë me të cilin të komunikojë. Në emigrim njerëzit janë tejet
të ngarkuar me punë dhe halle, por intelektualët e vërtetë do të sakrifikojnë
atë pak kohë për të rrahur një diskutim. Përreth meje janë emra të tillë
si Eli Kipe, Sokol Progri, Luan Kola, Jorgo Xengo dhe disa të tjerë të cilët
kanë ndikuar pozitivisht me mendimet e tyre për botimet e mia. Por kjo nuk
do të ishte e mjaftueshme sikur unë të mos kisha pasur edhe qetësinë familjare,
mbasi ne krijuesit shpesh herë jemi tekanjozë dhe bëhemi të bezdisshëm. Krijuesi,në
moshën time, tek vetvetja gjen gjykimin më të mire dhe njëkohësisht më të
ashpër. Por që të arrish deri këtu duhet shumë punë dhe të krijosh bindjen
se edhe të tjerët do të pranojnë gjykimin tënd. Mijëra e mijëra të mençur
lanë atdheun dhe sot i gjen të shpërndarë nëpër kontinente, ngarkuar me hallet
dhe streset e botës moderne. Harruan cilët kanë qenë. Magjia për te mbijetuar
i ka lidhur shumicën e tyre me vargonjtë e zakonshme të jetës të punëtorit
apo të biznesit. Kjo ka shurdhuar mjaft koka të mençura. Kam mbi një dekadë
qe jetoj në botën e lirë të mendimit, nga e cila merr kurajën të shprehesh
ashtu siç e ndjen. Mbrapa shpinës nuk i ke më ata reçenzentët apo kritikët
e bezdisshëm, të cilët, pa dashje, përshpejtuan shembjen e diktaturës komuniste,
duke diktuar moralizimet që sollën shembjen e iluzioneve më të hidhura. Këtu
ku jetoj qielli është gjithmonë i hapur, dielli i fortë, ajri i oqeanit të
freskon, por megjithatë nuk ka si toka mëmë. Në dhé të huaj gjetëm atë që
na kishte munguar, komoditetin fizik, por kur e balancon me komoditetin shpirtëror
mbetur mbas shpine, humbjet janë tepër të mëdha?.

Pyetjes sime: "Si e përfytyroni botën në të ardhmen, duke përfshirë dhe Shqipërinë
e Kosovën"?, ai i përgjigjet: "Pa refugjatë dhe pa emigrantë, bashkëkombës
të lumtur, duke punuar për Atdheun e tyre, tokën e tyre prej shekujsh dhe
viset e bukura shqiptare". Kur e pyes pse vazhdon të shkruash dhe ke një
prodhimtari të pasur, Thani Naqo më pergjigjet: "Për të gjithë njerëzit e
mi të afërt, bashkëfshatarët, miqtë e vjetër dhe ata të rinj, për të gjithë
të njohurit dhe lexuesit, kudo që janë, në këtë anë dhe në ato anë të oqeaneve,
të cilët do të më bëjnë fatlum nëse do të gjejnë në ato vargje gëzimet, hallet
dhe ndjenjat e tyre. Nga ata mësova si t'i këndoj jetës dhe dashurisë".

Shkrimtari Thani Naqo ka lindur në vitin 1953, në fshatin Ziçisht të Korçës.
Ka mbaruar Fakultetin Ekonomik, si dhe kursin pasuniversitar në degën e Skenarit
Kinematografik, pranë Institutit të Lartë të Arteve, Tiranë. Qysh në moshë
të re e ka pasur pasionin letërsinë dhe artin. Bagazhi i tij letrar është
pasuruar nga viti në vit. Nga botimet e tij të shumta dhe të frymëzuara nga
jeta e përditshme, mund të përmendim: Vëllimet me tregime dhe novela: "Shtëpia
e përgjumur", 1977, "Kabina e kuqe", 1985, "Vatra njerëzore", l987. "Përsëri
pranverë", l985, skenar filmi artistik. Romani "Përgjumje iluzionesh"' 2006,vëllimi
me lirika "Fate paralele" 2007. Së shpejti del në qarkullim vëllimi me lirika
"Sinfonitë e stinëve". Më poshtë po ju paraqesim disa nga vjershat e tij
që do të shohin së shpejti rrugën e botimit.



(Votes: 2 . Average: 3/5)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30