Ekskluzive - Albert Vataj: Krrakëmat e morteve, si dimension estetik në art
| Saturday, 03.01.2008, 11:50 AM |  

Krrakëmat e morteve, si dimension estetik në art

Nga Albert Vataj - Zemra Shqiptare Ekskluzive

Mark Simoni
Kacarritje nëpër fijet delikate të kujtimeve të dënesura. Të mund të përqafesh me gjithë forcën e pasionit të zotërimit botën e brengës dhe pikëllimit që ka bërë Mesinë në mbarsjen dhe amësinë e tyre artistike. Ky është përkushtimi që ka rrokur ngasjen profesionale të shkrimtarit dhe publicistit, Mark Simoni, të bubërrojë nëpër varre e qiparise. Të orvatet në këtë botë të ndaluar dhe të makthshme. Për të na kumtuar më të lartën e mëkimit që kjo botë pikëllimi dhe brenge ka lënë sot e në përjetësi, nëpërmjet veprave të korifejve të artit. Qiej të mrrylët nga flatrime korbash shpalohen në çdo shfletim të faqeve të librit “Komshinjtë e vdekjes”, të shkrimtarit Mark Simoni. Nga penelatat e pusta në Lezhë, hop në kapërthimin etërn dëngur me ngrysti në Prishtinë. Nga “Korbat në fushën me grurë”, të Van Gogut te “Lot në parajsë” të Erik Klepton. Nga tragjizmi i përçuar në forma të garrametshme, te predikimi i përunjët i bashkëjetesës me vdekjen. Porsi një gjahtar zemërthyerjesh, ai ka qëmtuar vdekjen ngado, ku ajo, duke u përkundur në prehrin e artistëve, është rritur dhe himnizuar, duke gjeneruar hyjnoren në tërë gjenialitetin e tyre krijues. Tuj rrëmu në natën kob të piktorëve, shkrimtarëve dhe muzikantëve, Mark Simoni përplotëson në kujtesën tonë me këtë gurë, tërë mozaikun e tyre artistik. Në këtë ese, apo ekspeditë burimore të naltësive, ku u ngjitën ata, ai ngucat gjithsekun për të hetu gjurmët e hidhërimit dhe lotëve në veprën e tyre. Autori vjen dhe turit korbat nga pema e hargalisur në kahmote. Ata ngrihen trumba-trumba në qiellin tonë të kandjeve estetike tuj poteris me rrahkrahje, ndoshta jo dhe aq për të nxiros hapsinën tonë të kthjellët, sesa për të përmend ndër ne forcën, vitalitetin, dufin krijues që ka motivu këto gjeni, të cilët ndarjen e kësobote me më të dashtunit e tyre e konvertojnë në një dimension të ri krijues. Pozicionin e tyre e yshtin në një tjetër këndshikim, pikërisht në atë që do ta bënte mrekulluese krijimtarinë e tyre, të lindur nga vdekja, por të pavdekshme. Prarimi, velja, pikëllimi, mrrolja, çatrafilisja, janë fijet magjike që përqarkojnë si meridiane kumti e sharmi universin e tyre krijues. Kjo është ajo që rrëfen autori në këtë qasje. Të ngresh një realitet amshues nga mbarsje e hidhërimit. Të rilindësh nga gërmadhat. Porsi një Sfinks, të krijohesh nga hiri. Ndër kësi orvatjesh përleshet kumti i tij, për ta kjartësuar e davaritur përgjithnjë çdo dyzim që ka ngucat perceptimin tonë të ngërthyer në alkiminë estetike të këtij vërshimi. Autori gjithashtu përfshihet nga ngulmi për të hequr paralele mes përjetimeve dhe vdekjes. Përcikjas e ceremonialit mortor që tek Zoomorfizmi i Ilirëve, deri sot, te burrat britmëtarë e gratë vajtore behin kësodore me kaq origjinalitet e pathos, me kaq kjartësi e tragjizëm, me kaq vërtetësi e larushi, sa nguron të kuptosh vdekjen vetëm si ndalim i akrepave të orës. Humnera të thella që hapen, qiej që përjetësohen në ngrysti, kjo ishte ajo që e bën këtë libër një qëndismë në mantelin e pustë të vdekjes që flatron bashkë me korbat në jetë të jetëve. 



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30