Ekskluzive - Kujtim Mateli: Imazhe poetike që të shoqërojnë gjithë jetën
| Saturday, 03.01.2008, 10:06 AM |  


Kujtim Mateli
Imazhe poetike që të shoqërojnë gjithë jetën
(Mbasi ke lexuar poezinë e Lame Kodrës “Si e dua Shqipërinë”)

Nga Kujtim Mateli - Zemra Shqiptare Ekskluzive

Pjesa e parë:
Për një stan në Trebeshinë
S`kam çiflik e s`kam pallate,
S`kam hotel me katër kate,
Po e dua Shqipërinë,
Për një stan në Trebeshinë
Lame Kodra

Poetit i mungojnë çifligjet,i mungojnë pallatet,i mungojnë dyqanet. Nuk ka pasuri të madhe, po ka një stan atje në Trebeshinë. Sigurisht jo i tij në planin personal,por është i tij, se poeti e konsideron veten bari  dhe nga ky pozicin buron dhe dashuria e tij për atdheun.Për poetin atdheu  fillon atje në Trebeshinë.Më saktë fillon tek një stan.
Lame Kodra(emri i tij i vërtetë është Sejfulla Malëshova)u lind më 2 mars 1900 në fshatin Limar të rrethit të Permetit ku dhe kaloi një pjesë të fëmijërisë së tij dhe mali i Trebeshinës është i adhuruar nga banorët e këtij fshati. Në fëmijërinë e tij  ky mal i ka ngjizur poetit madhështinë. Para syve të tij,mali është shfaqur me të gjitha ngjyrat e ylberit. Në agim në gri,pastaj në vjollcë, me daljen e diellit i shfaqej në një purpur të ndezur. Vinte mesdita dhe mbi majën e malit binte e kaltërta e qiellit. Në mbasdite,  në pjesën perëndimore të malit, një e verdhë e lehtë, gjersa  kthehej në ngjyrë trëndafili,pastaj në gri, në ngjyrë gështenje, më në fund  ngjyra e natës.  Në dimër mali mbulohet nga bora dhe vezullon nga ngjyra e bardhë. Në pranverë mbulohet nga bari ,por edhe nga pemët dhe mbisudon e gjelbërta. Në vjeshtë një mozaik i rrallë ngjyrash. Mali ngjan me një  gur diamanti gjigand që vezullon nga të katër anët . Aty ngjyrat shpalosen njëra mbas tjetrës  : e kuqja, viola,portokalli, ngjyrë e trëndafilit,e verdha,kafja e të tjera ngjyra që këtu në Trebeshinë nuk janë më ngjyra të zakonshme,por janë ngjyrat e një magjie të vërtetë; që herë shfaqen të ndritshme dhe herë të errëta  në varësi të kupës qiellore  e cila herë është e mbuluar nga retë dhe herë shkëlqen nga rrezet e diellit.
Gati  në mungesë është e gjelbërta. Ajo shfaqet njolla-njolla të vogla gati inegzistente në kurorat e lisave që edhe ata vetë marrin dita ditës pamjen e florinjtë.
Po autorit i ka bërë më shumë përshtypje stani atje në Trebeshinë. Herët  në pranverë atje shkojnë barinjtë dhe meremetojnë dëmet që janë bërë nga dimri. I rregullojnë dhe i zbukurojnë me lulet e para që kanë çelur.
Pastaj ngjiten kopetë njëra pas tjetrës dhe mali gjallërohet . Ai duket i qeshur si një fytyrë njeriu
 Shkelin kopetë e para dhe mali çelet ashtu si dhe njerëzit mbas një dimri të gjatë e të mërzitshëm. Ca re të vogla të bardha të duket sikur kanë ardhur enkas për ty.Ndonjëra ulet më tepër nga shoqet dhe të ngjan si një peshqir i bardhë për të fshirë duart dhe djersët. Një fllad i lehtë,fllad trebeshine, të gudulis për të hequr lodhjen dhe mërzinë. Kopetë e dhenve  ngjiten njëra mbas tjetrës. Tani  formohet një peizazh që vetëm këtu mund ta gjesh. Mbi peizazhin e blertë tufat e bardha të dhenve të ngjajnë si lule bore gjigande që të kujtojnë  stinën që ka mbetur pas. Mali i Trebeshinës,ndryshe nga malet e tjerë,duket sikur është formuar mbi këtë lëmsh të dheut për rritjen e dhenve. Çdo kope dhensh ka dy stane.Kur koha është e keqe, barinjtë i ulin dhentë në vende të mbrojtura nga erërat dhe të ftohtit që janë me shumicë dhe, kur koha është e nxehtë, dhentë i verojnë brigjeve ku ndihesh mirë nga flladet e erërave që fryjnë pa pushim. Këto pamje ndoshta ka patur parasysh poeti që, si gur themeli të dashurisë së tij për atdheun, vendos këtë stan në Trebeshinë.
Më tej poeti na jep një pamje piktoreske. Ai i rendit me radhë duke na dhënë mjedisin e një fshati.Elementet  të cilat formojnë tablonë  i do me gjithë shpirt. Është mjedisi ku është rritur.Është për t`u vënë në dukje se si shpalosen sende tepër të vogla,por duke u renditur njëra mbas tjetrës të krijojnë  imazhe madhështore që të mbeten në mendje. Poeti thotë se mbas stanit të Trebeshinës ai e do atdheun e vet dhe për gjëra tepër të imta: ”Për një shkarp e për një gur”.
Mjedisi larg atdheut e ka bërë poetin  që të jetë i ndjeshëm.Të ndjesh dashuri për një shkarp.Të ndjesh dashuri për një gur.Druri dhe guri janë elementet e jetës së përditëshme.Me to ndërtohet. Pa to jeta njerëzore nuk do të egzistonte. Ndaj ky varg mezi pret që një varg tjetër ta plotësojë. Shohim se në vargun në vijim shkarpa bëhet gardh,guri bëhet mur.Në këto dy vargje shpaloset e gjallë jeta njerëzore.Gardhi dhe muri janë vepër e punës së njeriut.Të thjeshta,por te madhërishme,ashtu siç janë dhe njerëzit që i ndërtojnë ato.
Nëpër vargjet e poetit rrjedh dashuria e tij për atdheun. E do atë:
“Për kasollen mbi Selishte,/për dy ara në Zallishte”.  Shohim se varg mbas vargu ndërtohet pamja e plotë e fshatit.Çdo fjalë shenjtërohet duke kaluar  nëper mendjen e poetit. Ara nuk të duket arë atje tej në vendin e quajtur Zallishte. Kasollja nuk të duket kasolle në vendin e quajtur Selishte. Kjo pasuri kaq e vogël që nuk do t`i mjaftonin një familje të vetme fshatare ka marrë përmasa të jashtëzakonshme: Ato dy ara e kapërxejnë vlerën e një çifligu që i mungonte poetit në fillim të poezisë së tij. Ajo kasollja e ngritur në Zallishte kapërxen vlerën e një pallati apo atë të dyqanit me shumë kate.  Poeti e do Shqipërinë për këto gjëra të thjeshta me të cilat jetojnë njerëzit dhe për të cilat këndon zemra etij. Po nuk janë vetëm këto për të cilat poeti e do atdheun e vet. Ai e do edhe: “Për një lopë,për një gomar/Për një Balo,një manar.”
Cili lexues duke lexuar këtë poezi nuk do të thoshte:ky paska shkruar për familjen time. Cili lexues duke lexuar keto vargje të mrekullueshme nuk do të thoshte: ky paska shkruar për fshatin tonë.
Madhështia e dashurisë për atdheun është e lidhur me madhështinë e shpirtit.Njerëzit shpirtvegjël, që u fillon atdheu tek kufiri i pronës private dhe nuk shohin më tej, janë të destinuar të mos e përjetojnë gëzimin që të fal dashuria e madhe që buron nga atdheu.
Poeti e do atdheun jashte kufirit të pronës private.Dashuria për atdheun nuk fillon tek themeli i dyqanit katërkatësh, as tek oborri pallateve luksoze,as tek  çifligu që mund të jenë pronë personale e jotja. Atdheu fillon atje, tek ato gjëra që na takojnë të gjithëve:tek nje shkarpë e tek një gur. Atdheu fillon atje, ku njeriu  ndihet zot i vetes së tij: Atje, tek një stan në Trebeshinë.

Pjesa e dyte:
Për një vajzë gjeraqinë
Unë e dua Shqipërinë,
Për tërfilin mi lëndine,
Për një vajzë gjeraqinë,
Lame Kodra

Vazhdojmë duke  udhëtuar nëpër vargmalin poetik të Lame Kodrës. Jemi në stinën e pranverës Mbi lëndinë lulëzon tërfili.
Nëpërmjet vargjeve do të na jepet një mjedis që kushdo që do t`i kalonte pranë do të donte të shplodhej pranë tij. Do të pushonte aty dhe do ta ndjente veten të përtërirë. Është  fat për ne shqiptarët që kemi një poezi të përmasave të tilla që e lartësojnë shpirtin e njeriut. Njeriu ka nevojë të shplodhet nga një lodhje e gjatë nga jeta,të largojë stresin që e mbërthen nga ndodhitë e përditëshme,t`i thotë bëj tutje trishtimit që të vjen kur gjërat nuk të ecin siç duhet. Këtu njeriu gjen atë që i nevojitet.  Kur e lexon  dhe e rilexon ndjen se lodhja nuk egziston më, po je përtërirë dhe bëhesh gati të nisësh një betejë të re pavarësisht nga mosha.Nuk ke më stress. Ne vend të trishtimit një ndjenjë e re besimi dhe optimizmi kanë zënë vend. Ai tërfili atje në lëndinë të duket se ka celur enkas për ty. Aty gjen atë qetësinë shpirtërore që të mungon. Ja, për atë lëndinë e do poeti Shqipërinë. Aty ku shkojnë vajzat gjeraqina. Domosdo që poeti e do Shqipërinë edhe për këtë vajzë. Bukuria e natyrës është shkrirë me bukurinë njerëzore.Përballë një bukurie të tillë njeriu do të donte të jetonte përtej kufirit të zakonshëm të jetës. Është  një bukuri reale që preket çdo ditë nga ata që kanë fatin ta shijojnë atë.Ujët, një nga elementët e jetës,rrjedh natyrshëm në këtë tokë të bekuar.Lë shkëmbin prej nga buron dhe, duke gurgulluar,  derdhet poshtë në lumë. Pamje të magjishme që vetëm një mendje gjeniale mund t`i krijojë artistikisht.  Pamje që kanë një origjinë  reale siç është bukuria e vendit tonë,por bukuria e derdhur në këto vargje kapërxen kufijtë e një pamje të zakonshme. Ajo është me dritë edhe kur ka rënë mjegulla e mëngjezeve. Ajo vezullon edhe në çastet kur mbrëmja bie ngadalë duke filluar së pari nga poshtë luginës dhe ngjitet pastaj vrrullshëm majave të maleve. Poshtë hijes  së lisave rrjedhin ujrat e kristalta të burimeve që të ftojnë të pushosh, kur vapa ka arritur kulmin. Po vapa ndihet e pafuqishme për të shkuar atje ku janë hijet e pemëve dhe ujërat e kristalta.  Atje ku janë lisat gjetheshumë. Atje është ai zogu që fluturon për poetin. Zogu që del prej shpirtit të tij i bën shoqëri atij zogut që ka ngritur çerdhen atje në pyjet gjetheshumë. Kush e mban në sqep lulen e blirit: zogu i poetit,apo zogu i natyrës? Cili bilbil këndon atje lart në ato hije? Të kujt jane ato këngë? Të zogut të natyrës apo të shpirtit të poetit?

Po çfarë këndon ky bilbil?  Këngë dashurie këndon.
Dashuria është derdhur në këto vargje me gjithë larminë dhe ngjyrat që jep jeta njerëzore.
Njeriu nuk do të rrezistonte si njeri, nëse nuk e ndien se rrethohet nga dashuria e të tjerëve. Njeriu ndjen nevojën që të tjerët ta duan. Dashuria është e domosdoshme për të siç është rreze diellit për natyrën.Pa dashurinë e të tjerëve njeriu do t`i ngjante asaj bimës që rritet në hije.Kjo nuk i mungon individit qysh në lindjen e tij. Po kështu në një moshë të caktuar të jetës së tij ky individ kthehet e rrezaton dashuri për të tjerët. Rrojmë në një shoqëri se kemi njerëz që i duam dhe na duan. Tërësia e këtyre njerëzve që i rrezatojnë dashuri njëri-tjetrit shtrihet në një territor  të caktuar që quhet atdhe.  Duke lexuar poezinë shikon se të gjitha ato çfarë ka numëruar deri tani poeti janë pjesëza me të cilat formohet dashuria njerëzore dhe dashuria e tij e madhe për Shqipërinë. Nëse kjo poezi tingëllon tepër e fuqishme, një ndër arësyet është se dashuria e poetit është e siqertë dhe e thellë dhe shtrihet  kudo ku ka shqiptarë. Renditja e të gjithë elementëve të kësaj dashurie njëra mbas tjetrës,harmonizimi i tyre në një bukuri të pashoqe e bën poetin që të jetë simbol i dashurisë për atdheun.
 Po ç`këndon tjetër ai bilbil? Këngë malli këndon.
Po për cfarë e ka marrë malli poetin? Malli lind kur na mungon ajo që duam. Dhe në jetën e tij njeriu nuk i ka aq pranë të gjitha ato çfarë do. Shumë prej tyre i kemi larg. Mund të jenë nëntë male larg si në kohët e herëshme në baladat popullore, mund të jenë dhe nëntë dete si në kohët moderne. Dhe malli njësoj djeg zemrën që dashuron. Ajo nis e këndon si një zog atje në korije. Mall për atë që do. Mall për dashurinë. Cila zemër nuk i mban kaq pranë këto dy dukuri që janë pjese e një të tëre? Malli dhe dashuria janë dy elementet që mbajnë në këmbë shoqërinë njerëzore. Kjo këngë ka ardhur nga përjetësia dhe do të vazhdojë në përjetësi.
Këngë  malli dhe këngë dashurie do të këndojë zemra e njeriut. Kurdoherë do të dëgjojmë këngën e bilbilit dhe do të biem në mendime për ato që këndohen.Do të biem në mendime edhe për këtë këngë të Lame Kodrës, që i shtohet këngëve të magjishme të përjetësisë. 
Po për çfarë tjetër këndon ai bilbil? Këngë shpirti të helmuar këndon.
Domosdo që shpirti njerëzor nuk mbart vetëm gëzime. Shpesh brenga dhe hidhërimi e rëndojnë atë. Dhe ai e duron dhimbjen,duron brengën,duron hidhërimin. Këndohen këto këngë për të lehtësuar shpirtin njerëzor. Një zë nga gjithësia,një zë i butë dhe përkëdhelës, i ulet shpirtit të njeriut në momentet më  të rënda të tij. Zemra e dëgjon dhe fillon atë ritmin e saj të zakonshëm. Fillon të rrahë. Njeriu e ndjen se duhet të jetojë. Duhet të jetojë përtej brengës,përtej dhimbjes,përtej hidhërimit. Duro  i thotë zemrës. Dhe zemra i bindet.
Po pse ishte i helmuar shpirti i poetit në ato momente? Pse nuk paska pranverë për të? Pse kjo pranverë që ka zbukuruar natyrën nuk po e gëzon zemrën e tij? Po të shohim kohën në të cilën është shkruar kjo poezi ,pra në vitin 1939, kohë kur në  Shqipëri ndihej pushtimi fashist apo e pushtuar  prej saj mbas 7 prillit,zemra e poetit ishte e helmuar ashtu si dhe zemrat e gjithë shqiptarëve. Çdo gëzim tjetër që mund të vinte nga jeta e tij personale do të fashitej përballë këtij hidhërimi të përgjithshëm të kombit shqiptar. Nuk mund të këndonte këngë të gëzueshme shpirti i tij,kur Shqipëria ishte  e veshur në të zeza. Zemra e tij do të tronditej fort nga ato që kish parë dhe për ato që do të vinin.
Kështu tronditet një zemer e madhe e një poeti të madh.

Pjesa e tretë:
Që nga Shkupi e Janinë

Unë e dua Shqipërinë
Që nga Shkupi e Janinë,
Ku nje popull derëzi
Heq e vuan robëri
Po ka shpirtin luftëtar.
Lame Kodra

Vazhdojmë udhëtimin nëpër vargmalin poetik të Lame Kodrës dhe shpaloset para nesh e tërë hapësira  mbarë shqiptare Ajo shtrihet që nga Korça e Vraninë,që nga Shkupi e Janinë. Personazhet e poezisë së tij janë njerëzit që vuajnë për kafshatën e gojës.Për ta këndon e drithëruar zemra e poetit. Aty është bujku që ngrihet me natë.Mjedisi në të cilën mbjell e korr është i mbushur me pamje magjepse që krijon natyra,por ai  është indiferent ndaj këtyre pamjeve  që formohen në lindje të ditës dhe shformësohen më vonë për t`ua lënë vendin pamjeve të  tjera të mrekullueshme që formohen gjatë gjithë ditës njëra mbas tjetrës. Nuk ka kohë t`i gëzohet lules që çel,as laureshave në qiellin e kaltër. Kalohet pa u vënë re ylberi i vogël që formohet tek burimi nga rrezet e para të diellit dhe përseritet çdo ditë sa herë lindja është e braktisur nga retë. Kalohen pa u vënë re ujëvarat e vogla që rrëzohen nga shkëmbinjtë dhe i japin ditës freski. Poeti është fokusuar jo tek ato që egzistojnë,por tek ato që mungojnë. Mungon buka.Vargu i shtresave të shoqërisë që jetojnë në varfëri të tejskajshme është i shumtë. Buka mungon për bujkun edhe pse  dielli e gjen në arë dhe po në arë e gjen hëna.Buka mungon për nallbanin, samarxhiun, kallajxhiun, edhe pse ata e kalojnë jetën të krrusur ditë dhe natë. E tillë është edhe gjendja e hamallit që ngarkon dhe shkarkon nëpër skela. Vështrimi i poetit ka depërtuar thellë në këto shtresa të shoqërisë dhe e përjeton këtë gjendje të vështirë ekonomike me emocion. Vështrimi poetit bëhet i thellë dhe ai nuk shikon vetëm varfëri.Ai shikon edhe robëri. Është një vështrim i veçantë, tepër origjinal që është trajtuar pak ose aspak nga poetët e tjerë  të kësaj periudhe. Poeti i konsideron shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë edhe si një popull të robëruar.Por poeti është optimist.Këta njerëz kanë shpirtin luftarak. Aty shikon edhe udhën e zgjidhjes së problemit.   Vizioni i tij  ka pika të përbashkëta me Rilindasit.
 Dhe mund të thuhet pa frikë se përgjatë dy shekujve që kaluan Rilindasit dhe Lame Kodra  shënojnë dy maja te papërsëritshme. Po te  ngjitesh në majën e këtyre majave e shikon qartë  çfarë duhej bërë dhe çfarë s`duhej bërë. Nuk mund të kuptohet shekulli që lamë pas, nëse nuk ndriçohet qartë figura e Lame Kodrës. Tek kompleksiteti i tij,tek madhështia e tij,tek drita e tij dhe asgjëkundi hije, ne shohim rrugën nëpër të cilën duhej të kishte kaluar Shqipëria.Edhe kombet i kanë fatkeqësitë si njerëzit. Shpesh ato duken si të paracaktuara, por Shqipëria do të kishte dalë nga rrokullima e fatit,nëse do të ishte dëgjuar Lame Kodra.
Përcaktimi  që ai  bëri se udha e së ardhmes nuk ishte Lindja,por Perëndimi ka të bëjë me hapësirën shumë dimesionale të mendimit të tij dhe të shpirtit të tij njëkohësisht. Nuk rridhte nga shtresat e pasura që origjina e tij shoqërore të kërkonte Perëndimin në vend të Lindjes. Postet e tij në parti dhe në qeveri e orientonin atë detyrimisht drejt Lindjes.. Në këtë hapësirë me dritë të rreme që përhapej nga Lindja,Sejfullai nuk u verbua siç u verbuan mijëra të tjerë. Përveç  gjenialitetit të tij të pa arritshëm për të kuptuar se cili nga të dy sistemet politike kishte të ardhme,është edhe diçka tjetër shpirtërore,një ndjenjë e lartë që zbret në momentin e duhur në vetëdijen e njerëzve të mëdhenj,që zakonisht nuk mund të shpjegohet se nga vjen dhe njeriu nuk mund ta kuptojë se nga urdhërohet në marrjen e një vendimi të tillë. 
Zakonisht popujve nuk u ka munguar zëri që i çon drejt dritës. Varet sa janë në gjendje njerëzit të dëgjojnë zërin e së vërtetës midis zërave të rremë.  Kështu ndodhi edhe me Shqipërinë.                                            
 Orientimi i Sejfullaut për ta drejtuar  Shqipërinë drejt Perëndimit nuk erdhi nga vendimi i Sejfulla  Malëshovës si politikan.Politikanët orientohen drejt karrierës.Politikani nuk e ka për gjë të të shkel me këmbë,nëse kjo i hap udhë karrierës së tij. Këtë mund ta bënte Sejfullau,por kurrsesi Lame Kodra. Dhe poeti që mbante brenda forcën gjeniale të një shpirti hynjor,domosdo që do ta këshillonte Sejfulla Malëshovën si politikan që t`i fliste popullit të vet të vërtetën edhe sikur të flijohej. Dhe ai foli dhe tha të vërtetën:Rruga e njerëzimit kalon nga Perëndimi. Andej duhet të kalojë dhe Shqipëria.
Rregjimi e mundi  si politikan. Domosdo në ato kushte fatale për Shqipërinë që ashtu do të ndodhte. U përmend  shpesh dhe njerëzit janë njohur me pikëpamjet e tij edhe në ato vite të vështira. Pikëpamje që e lartësonin atë si burrë shteti.
 Po sistemi atëhershëm asnjëherë nuk u ballafaqua me Lame Kodrën.Poezia e tij është një gur xhevairi, dhe si e tillë ishte e vështirë të ndotej. U tërhoqën në një heshtje tinzare. Përballë forcës misterioze të artit të vërtetë, politika gjithmonë kishte dështuar. Këtë e kishin mësim nga historia.  Dhe, që të mos ndodhte kjo,e internuan, e lanë të braktisur e në vetmi tmerruese.
E lanë në harresë. Por nga zemrat e njerëzve, nuk mund të fshihej poeti që i këndoi me aq zjarr e dashuri Atdheut të vet. Poezia e tij është një hymn për natyrën,për Atdheun,për shpirtin njerëzor. Edhe në ato kushte të vështira ai mbeti shpirti fisnik i popullit të tij.  Poezia  “Si e dua Shqipërinë” është një shpalosje brilante e brezit të poetëve të shekullit XX-të. Me një varg të kristaltë si vetë ujrat e vendlindjes së tij, ajo gurgullon e freskët duke na dhënë  mesazhin e përjetshëm:Ta flijojmë veten,nëse këtë e kërkon atdheu.


© www.zemrashqiptare.net

(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  •  
  •