LULJA ME SANDALE
| Thursday, 03.13.2008, 06:15 PM |  

(TREGIM PËR FËMIJË)

Fqinji im i vogël, Luçi, që është në klasën e parë, kishte zbritur sot nga kati i shtatë i pallatit. Ishtë ulur afër Fontanës. Nuk i shikonte pëllumbat që po hanin tutje thërmia gjevreku, por vizatonte me shkumës të butë në plato. Aq shumë ishte habitur sa që nuk më hetoi fare kur me hapa të lehtë, në maje të gishtërinjëve iu afrova nga pas.
Ç`të shohish! Dora e tij e shkathët nuk vizatonte kaprollin me brirët si degë lisi, as lepurushin atlet që fluturon, as peshkun luspëartë në thellësi të liqenit… E çka vizatonte atëherë? Një lule. Lule me sandale! Lule të tillë sytë nuk më kishin parë në asnjë kopsht, në asnjë livadh.
Pasi e përfundoi punën, nën të shkroi: A – ZEMRA IME.

Dhe ia mbylla sytë. Duke më prekur në duar e rroba, më njohu menjëherë. Si gjithmonë më buzëqeshi. E përgëzova:
- Bukur, bukur, pasha mamin! Nuk e kam ditur deri sot që je vizatues kaq i mirë!
Zogun e lumturisë ia pikasa në qepallë.
- Ç`është ky vizatim kështu?
Më shikoi me njëfarë habie!
- A nuk e sheh, xhaxha? Është një shoqe e klasës.
- Kjo është lule! Unë nuk po kuptoj dot asgjë, - e ngacmova edhe më.
- Kjo është ARBANA, xhaxha. E kam në klasë, madje jemi edhe në një bankë. Sa herë që e shikoi unë më ngjanë në lule, në lule që lëshon parfum, - ma ktheu ai duke ia zbukuruar lules sandalet e vizatuara.

Kur i ra qejfi për akullore, aso me kaush, fluturoi në ëmbëltore. Mua më porositi t`ia ruaj vizatimin. Por unë nuk munda të kryej detyrën ashtu si duhet sepse: nuk më la riga e shiut që ra papritur. Kur erdhi duke e lëpirë akullorën me shije, i kërkova të falur.
I thashë:
- Luç, miku im i vogël, lulja nuk është më!
- Kah shkoi? Kush e vodhi?
- Riga e shiut e fshiu me gomë. Unë qesh i pafuqishëm. Nuk munda të bëj gjë. Nuk pata qadër.
Ai për çudi të gjitha çudive nuk u hidhërua fare!
Tha:
- Ani, le ta fshijë kush të dojë, por dashurinë që kam në zemër për ARBANËN nuk mund të ma fshij askush.
Dhe sërish filloi të vizatoi.
Rrezja e diellit e puthi në qepallë.



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •