Nga vëllimi poetik ''S’ka më po e zi''
| Sunday, 03.16.2008, 04:36 PM |  

Nga vëllimi poetik S’ka më po e zi, Klinë 2005 (148 faqe)
                                                                                              
PO   E   ZI – a

I thashë po dashurisë
dëshirës fatmirë,
më doli shtrigë
më doli shtrigë me brirë.

I thashë po një vajze
prapa po-së së saj,
më doli diçka me lot,
më doli diçka me vaj.

I thashë po një njeriut
mik për ta pranuar,
në kujtimet e pastajme
në fund të territ theva qafën.

Një syfryti -  i thashë po
dashti të mi frynte sytë,
e pashë se s’kishte hije
dhe po-ja e ti më doli zi.

Shumëkush më tha po
por po-ja e tyre më doli jo.

Një po më të voglën
se të parën,
ia thashë poezisë
dhe ajo më doli zi
se sa hija e zisë.


CA  FJALË  PËR  QËNDRESËN

Do ta skulpturoj një qëndresë
të ftohtë si guri.

Mandej do ta skulpturoj
një tjetër qëndresë që do ta ketë formën e kohës.

Mandej do ta skulpturoj një qëndresë
që do ta ketë formën e vet.

Dhe në fund do ta skulpturoj
jetën e gjatë të qëndresës.


UNË,  KU  E  KAM  LIRINË?

Zogu e ka lirinë në qiell,
Unë atje s’e kam.
Ujku e ka lirinë në pyll,
Unë atje s’e kam.
Peshku e ka lirinë në ujë,
Miu në vrimë,
Gjarpëri nën gur.

Bora e ka lirinë në majëlis,
Unë atje s’e kam.
Hëna e ka lirinë në natë,
Unë atje s’e kam.

Hajni e ka lirinë mes hajnash,
vrasësi mes kriminelësh.

Lirinë unë e paskam,
pranë njerëzve të lirë.


PËRSE NUK  U BË KOHA

Ka  kaluar shumë kohë
derisa është krijuar koha
derisa shikimi i saj
u bë i drejtë kur pati
mundësi të bëhej i drejtë.

Duke … hap pas hapi
ka ecur ajo që i ka përngja kohës
baladës legjendës mitit
ëndrrës së ëndërrt
ëndrrës së vuajtur
atëherë kur pati të drejt të bëhej
nuk u bë.

U bë tehkohe e xhamtë
kur frika u bë shpëtim i vetëm
i njeriut frikacak

Me secilën fjalë ka pasë mundësi
të zëvendësohej frika fundore
e zanatit vazhdues të kohës.

Unë shtangem, pres të mësohem
të bëj kohë e të provojmë
a mund ta bëjmë njeri
se s’ bën të jetë më i lirë se koha
asaj që s’i zihet besë.


NËSE  VDES  ROZAFA

Nëse vdes Rozafa
unë do të vdes para saj.
Kujtimin do ta vë përpara
dhe do të bërtas kupakresë,
që të thonë të tjerët se kam luajtur.

Nëse vdes Rozafa
për mua nuk do të ketë shpëtim, -
sepse dashuria ndaj saj
(që kurrë nuk guxova as
me mend ta shikoj)
s’ka për të jetuar pa të.

Dhe, nëse vdes Rozafa
me mal e me gurë e me qëndresë
do të rrokullisem ushtimas
deri te veshi i Zotit.

Nëse vdes Rozafa
jetëvdekja ime patjetër
do të shndërohet në baladë
ose në kujtimharresën që do të jetojë.
Mirëpo nëse vdes Rozafa…
e Rozafa nuk ka kurrë për të vdekur
asnjë kujtim nuk do ta vrasë
nga malli për të.


ELEGJIA  E  PASLUFTËS

Kushtuar Adem Jasharit

( Në Librin e përshtypjeve në Kompleksin Memorial 
‘Adem Jashari” në Prekaz Naile Kaba ka shënuar:

“Vëlla  Adem,
të ka ardhur motra nga Veleshta,
o Diell i Kosovës!” (N. Kaba)
Varg nga epopeja vajtimore
e shekullit të ri.

Qanë motra,
bashkë me të  e tërë Veleshta
të gjitha Veleshtat dhe Prekazat.
Veleshta motër
e qan Prekazin vëlla.

Adem Jashari i shtrirë
i pajetë,
i padorëzuar vdekjes, pyet:
Kush e solli Nailen!?
dhe i drejtohet si vëllamadh:
Motër…
Mos qaj!
Mos më poshtno!

Njerëz!
Ta gjejmë një kryengushëllim
për trimin! – thanë përgjëruesit.
Kjo vajthirrje e motrës
duhet të flladitet
se po vijnë edhe lotë të tjerë:
Motra e Gjergjit, me lot  ndër sy,
Motra Doruntinë, me lot ndër sy,
Motra e Avdisë, me lotë ndër sy.
Vijnë për t’i çarë zemrat
buzë varrit  në Prekaz.

Ademi flet serish ngushëllueshëm:
“Vuajta shqip,
ëndërrova shqip,
rash shqip dhe
shqip më vajtoni pra!
Pa lot”!

RËNIE GONGU

Historisë (mësueses plakë)
shkencës së varreve
romakes që e shtje dritën
për birë të gjilpërës)
po i vjen era dhe dhe hekur
të ndryshkët
i çojnë të fala
se tani nuk po bën roje as rojë, ndonëse
në mëngjes po e gjen kopilin te dera.

Degët e saj janë shënuar terrtë
e shkruar dritshëm.

Dikush e ka shkruar lehtë
më lehtë se sa krijuar
dikursinë e vet.

 Njeriu i shoqëruar nga njerëzit
 i kundron degët dhe frikohet
dhe rri prapa i rënduar dallueshëm.
Përlahet me ta për megjat për librat
për katedrat dhe profesorët pleq
e studentët ngelin në lëndën e historisë
ose bëhen ashtelëkurë nga frika.

Historia, vetë, kurrë nuk ngel në provim
ndonëse s’i ka mësuar kurrë gjuhët.

Profesori plak me syze të forta
nga këndmësimi i tij
me fjalë të ngadalshme
këqyr prapa e flet përpara
(vjedhtas e shikon orën).
Studenti i tij pyetjeshumtë
bindet për shkak të notës.
Më e vjetra kohë flet sherr
e na meson për tolerancën,
për pranverën në Termopile.
Shtetet vazhdojnë të përpëliten
U frikohen popujve dhe historianëve.

Shumëkush pyet
Kurë do të vdes historia?
E poetët thonë: Ka kohë!


PAK GJUHË SI USHQIM

Do ta marr ngapak fjalë nga secili folës
Do ta marr ngapak këngë nga secila melodi
Do ta marr ngapak shikim nga secila dritëhije
Do ta marr ngapak nënëloke nga secila nënë
Do ta lexoj Lahutën e Malcisë
për me hanger bukën time
me pi ujin tim
Bukës dhe ujit emrin për me ia ditë.

Mjer ai që qenërisht e han këtë bukë
e qenqe e pi këtë ujë.

Do ta ngjëroj ngapak shijimin
nga secila bukë
dhe do ta ngjëroj ngapak malësi
nga secila lahutë dhe ngapak pjekje
nga secila bukëçerepe
nga buka e kuqe Bukëkuqja
nga buka a bardhë Bukëbardha.

Piktori, madje, ka thënë:
Do ta marr ngapak bukë
nga secila ngjyrë.


TDHEU  IM

Po pikëlon
ka edhe shkujë
në dhomë dridhje.
Mos e përkulni kokën
kur të hyni
nëpër derën e vogël.
Për shtëpinë dhe
tdheun tim
ligjërata koha mban.
Kurse ti
o tdheu im
neve duhet të na flasësh
me ton të lartë


KOSOVA  SI  BUKURI

Për t’u dashuruar në të,
 ku kodrinat kanë shpinën
si tultaket e vashës së kolme
(të tillë e dëshirojnë djemt kosovarë).

Për t’u dashuruar në një vashë
që gjendet diku në Kosovë,
një vashëngatnuse që dridh.
Lule të vetën e ka lulemollën
kurse ngat vetes flladitjen.

Për t’u dashuruar në Kosovën,
bëji ballë zorjetës,
dhuratave të vashës në shami..

Për t’u dashuruar në Kosovën
bëji ballë kënaqjevuajtjes
së ditenatshme,
që vetëm ajo e ka
dhuratë nga Perëndia.

Kosova është një nënë
që ka vuajtur shekujve.


VARGU  NUK  LIND  VETËM  NË  PRANVERË

Kur lindi vargu ishte pranverë,
kur dheu bëhej burim,
kurse nga qielli rigonte dashuri.
anash vinte diçka (s’ia di emrin)
e s’ndahej këtej.
vinte në mua dhe e zinte vendin
e vargut – pranverë
ishte pranvera, kur mbushej atjehja,
kur lindi vargu  - unë s’i shpëtoja
e qiellit i shpëtonte duarsh dashuria.

NËNËS TEREZE

Te nëna tereze
ka rrudha të thella n’ballë.
Nënë - bekom një herë
që të mirësohem si arat tona.
Tash emri nënë po më duket
më i dashur sesa emri loke.

Si ilaq  dhe
si xixëllonjë për terrin
e vuajtjeve dhe për injorancën.

Nuk ka
zë që shëron
as aq as si – si zëri
me dridhërima i Nënë Tereze.
                                                                                        

KUR  MË  KAPËRCEJ

Kur zura t’i dalloj trajtat e dhomës
e pyeta orën e murit se çka kam bërë kur isha nervoz;
a kam bërtitur shumë,
 a i kam fryer sytë nga bërtima,
a m’është marrur zëri,
nga të shprehurit e trimërisë???

Dhe ora përgiu në gaz.
ajo ende përballej me frikën
dhe me britmat e mia.

Humba mjaft kohë
duke ua tulatur shqetësimet
sendeve në dhomë.

Më së paku kundërshtuan librat
dhe kujtimet e mia të shkruara.


NJERIU  SI  ILAÇ

(/Do të kryqëzojnë prapë
mos u ringjall o Krisht!/ G. Zela)

Njerëzit janë ilaç për të sëmurin
                           për vuajtjetarin.
dikend e shërojnë
dikend e helmojnë.
Njeriu di të të vrasë
heshtas prej s’ largu
zhurmas përsafërmi.
Njeriu e ka  ilaç  njeriun
Njeriu e ka helm njeriun
Njeriu pa njeri s’mundet
Sepse e ka ilaç dhe helm.
Në njeriun që s’ndryshon
Është njeriu që ndrysh’on.
Brenda atij që përditë e shohim
Është tjetri që kurrë s’e shohim.
Sa shumë mend
pak mbamendje.
Kësaj kryevepre të Zotit
mos iu afroni për të keq
për ilaç e ka krijuar.


VARRE,  NJERËZ  DHE  NUMRA

Varret jetojnë e jo njerëzit,
varret, prandaj, kanë emra
e njerëzit numra. Njerëzit bartin
tinës numrat e varreve të pastajme.

Varrezat me drunj të mëdhenj,
me rrugica të ngushta,
me varre, me emra.

Varret qëndrojnë në radhë
të pabëzëshme, të qeta dhe
të vetëpranueshme.

Përrreth varrezave
të gjallëve vendi vend s’u zihet,
si larvat e neveritshme lëvizin
për të siguruar vend për varr.


FJALA  DHE  NGJYRAT  E  SAJ

Edhe fjala ka mësuar të vrasë
kur na është dukur e dobët
dhe kur ishte e gatshme të bindej .

Kur plasi lufta
u ndalën fjalët
ndryshe nga trimëria.

Fjala ka mësuar edhe të përhap terr
dhe vdekje
edhe kur ende s’ishte e vdekur.

Kam dëshirë të di se
çfarë ngjyre do të kenë
fjalët e mia
kur unë do të jem i dobët.


UNË,  VARGU DHE POEZIA

Poet është ai që ndien nevojë
për të shkruar
e jo për të recituar.poezi.

Njerëzve do t’u thosha –
të mos i lexojnë poezitë e mia,
le t’i shkruajnë të vetat.
Këto të miat
janë të dobëta
dhe sjellin bezdi.

Poezi eshtë edhe ai vargu i vetëm
zështerrur, shikimpakët,
që e lyp poetin e vet.

Edhe kjo që shkrova
nuk është poezi.
Këtu ka vetëm vargje.


LUFTA  PËR  PAQEN E PASLUFTËS

Nuk mund të lidhnin paqe –
thonin se paqja
ndodhet përtej betejave.

Kur përfunduan betejat
nuk mund të lidhnin paqe –
thonin se paqja
ndodhet prapa betejave.

Përpak u ndez prapë lufta
sikur paqja të mos e bënte veten.
Paqen, tha ajo, e bëj unë
jo betejat e as lufta.


ME DITË  TË  TËRA

Nganjëherë e pi kafenë
në një kafene buzë rrugës.

E kur njerëzit kalojnë
përskaj driterës unë i përcjell si ecin
dikush nxitueshëm
dikush këmbëpaskëmbe.

Nga dyshemeja, kur dikush
e hudh duçin e cigars,
dalin fjolla tymi –
derisa kafexhiu ta shkel me këmbë
me një dredhim këmbe.
Në kafenenë e lagjes sime
nuk bëhet muzikë,
sepse njerëzit flasin shumë.
flasin gjithnjë - atdheu
qindra herë robërohet e çlirohet
Kur mbushet atyhja me erëra,
me duhma e aroma,
ajri jashtë bëhet i pastër.
Njerëzit ende
hyjnedalin, hyjnedalin,
e dera çelembyll, çelembyll.
Ata që hyjnë na shikojnë,
duke dashur të na pyesin diçka.
Të tjerët që kanë hyrë më heret,
vazhdojnë të qëndrojnë ulur
në mënyrat e veta,
si figurat e horoskopit.


NË  PËRVJETORIN E DJEGIES SË LIBRAVE

Libri pranë librit dhe krimi pastaj
flaka dhe zjarri se
libri nuk po u frikuaka nga krimi
U frikuaka krimi nga libri
Po verë është, o i mjerë,
ç’të duhet zjarri?!
Librave u doli flaka!
Më tha dikush.
Besova, sepse ishin sytë e mi.
Librat kur po u digjkan
nuk po qitnin flakë
as për nxemje, as për dritë,
sepse nxemjen dhe dritën
e kanë shpenzuar kur ishin gjallë.
Singijimet dhe djegiet
vrunduj-vrunduj kanë djegur
botën me rend. Dhe një ditë
u ndalën pranë librave..
“Ikni se krimi është çartur,
më zi se qeni i çartur!”
Tymi i zi i librave
ngjitej drejt Zotit për dëshmi
duke ikur nga kriminelët syvegjël.
Kriminelët luftonin me librat
e ato s’ bënin asnjë kundërshtim.
Në përvjetorin e parë
mora shishen me urnën e tyre
dhe e futa në kujtesën e
e librave që do vijnë.


PËLLUMBAT  FLUTUROJNË BUTË

Pëllumbat fluturojnë lartë
për ta bartur dashurinë
deri te ajri i epërm
te drita e pastër e diellit.
Ata e kanë bukurinë e vet
edhe kur janë të zinj, të bardhë,
të shkruar apo topatopa,
janë shumë të butë.
Më të butë se butësia
butësinë e përcjellin
te secila zemër –
afërsinë e tyre shkëlqimbutë,
vetëm e vetëm me
gugatje embëltuese – foshnjore.
Merreni një pëllumb –
provoni ta ndrydhni –
nuk do të mundeni,
sepse pëllumbi nuk ik,
ai vetëm e përvjedh
trupin dhe gugat.
Edhe pëllumbi më i egër
është më i butë se ne.
Ata kur fluturojnë
nuk e shqisin shikimin prej nesh.
N’daç me të mbytë Zoti –
bëje një gjueti n’ pllumba!
Vraje një pëllumb
që e ka shpirtin me vete -
n’daç me të mbytë Zoti n’vend!



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •