AMNEZIA
| Thursday, 03.20.2008, 11:44 PM |  

Trokitja e lehtë në dritaren e sportelit e bëri nëpunsin e vjetër të ngrejë kokën nga gazeta e përditshme që po lexonte. Përpara tij po qëndronte një vashë rreth të njëzetave, me një vështrim të pjekur po të ndrojtur që i shkonte aq bukur.

         -Urdhëroni, i foli ai me respekt.

         -Desha të vizitoj profesor Astritin, u përgjegj vajza.

         -Pritni pak ju lutem, tha nëpunsi dhe kapi receptorin e telefonit. Foli pak dhe prapë i nguli shikimin Dritës. Puna e gjatë në sportel duke parë vazhdimisht të hynin e dilnin gjithë ata njerëz i bënin të ditur plakut se kjo vashë kishte diç të veçantë. Një motër e veshur me mantel të bardhë e me një fytyrë të ëmbël u duk pas pak.

          -Ju dëshironi ta vizitoni profesor Astritin? Ejani pas meje.

  Me kokën e rënduar nga mendimet dhe ankthi para çastit se në çfarë gjendje do ta shihte profesorin, Drita dëgjonte trokëllimën e takeve të saj në pllakat e koridorit të gjatë. Zëri i motrës e ndau përnjëherë nga mendimet.

         -Sigurisht edhe ju jeni nga familja e profesorit, tha ajo dhe vazhdoi duke lënë Dritën me gojë hapur pa mundur të thoshte se nuk ishte nga familja e tij por nxënësja e tij e dikurshme tani studente dhe se sapo kishte dëgjuar për aksidentin që kishte pësuar profesori. Ka një javë që profesori është në gjendje amnezie...

         -Në gjendje amnezie?! - klithi Drita . Motra ktheu kokën dhe e vështroi.

         -Oh, kam menduar se e dini, tha me keqardhje. Megjithatë pasi erdhët më duhet t’ju tregoj. Kujtesën e ka të humbur plotësisht. Mjeku thotë se po qe se këtë javë nuk i kthehet kujtesa është rrezik të mbetet gjatë, shumë gjatë në këtë gjendje. Prandaj ka ftuar anëtarët e familjes së tij me shpresë se mund të ndihmojnë. Mendova se edhe ju jeni nga të ftuarit. Ja kjo është dhoma e tij, urdhëroni.

        E pikëlluar thellë Drita hyri brenda. Askush nuk e vuri re. Të gjithë i kishin ngulur sytë te profesori. Aty gjendej gruaja e tij me dy djemtë. Pranë profesorit ulur në karrikë qëndronte mjeku duke folur vazhdimisht e me durim të madh. Në anën tjetër, poashtu pranë, rrinte gruaja me djalin më të vogël i cili sa s’po ia kriste të qarit. Ndërsa të tjerët,motra dhe vëllau i profesorit me djalin më të madh, qëndronin më poshtë te këmbët e krevatit. Vetë profesori i shtrirë, i zverdhur në fytyrë e me një vështrim të humbur shikonte pa fije kuptimi herë njërin e herë tjetrin. Nga kjo tabllo e mjerueshme Drita mbeti e shtangur me sytë plot lot pa mundur të bëjë një hap as të thotë diçka.

           Mjeku vazhdonte të fliste me tërë vëmendjen që të hynte sa më thellë në mendjen e profesorit. Të thyente atë mur, që e ndante nga të afërmit e që e bënte aq të huaj, aq të largët.

         - Shikojeni këtë fëmijë! E keni parë diku?! Ju kujtohet zëri i tij? Është biri i juaj! Mendoni. Pak para fatkeqësisë ky çun ju ka përqafuar e është përshëndetur i fundit me ju. Ju ka sjellë pallton dhe ju ka ofruar këpucët. Ju ia keni ledhatuar flokët dhe jeni nisur. Pastaj prapë jeni kthyer dhe e keni përshëndetur me dorë...

           Fytyra e profesorit nuk ndryshonte fare. E shikonte  fëmijën e gjorë pranë tij me një shprehje të tillë në fytyrë sikur të thoshte: më vjen keq, por unë nuk të njoh. Vogëlushit më s’iu durua. Iu hodh papritur në përqafim e duke dënesur nga lotët që i shpërthyen belbëzoi:

           - Babi, babi, jam unë. Biri yt Taulanti. Toli yt i vogël. Folmë babi. Thuamë diçka. Eja të shkojmë që këtu. Të kujtohet lodra që të kam kërkuar?! Eja babi shkojmë e blejmë. Të lutem babi, kujtohu.

             As kjo skenë mallëngjyese e cila të gjithë i bëri të qajnë nuk ndikoi asgjë. Përkundrazi profesori me një çudi të marrë vështronte fëmijën që e quante baba me gjithë ato fjalë pa kuptim. Tashmë sikur të gjithëve u humbi shpresa që profesorit do t’i kthehej kujtesa. Të gjithë kishin filluar ta ndjenin veten të huaj, të largët, të panjohur, pikërisht ashtu siç i shikonte profesori. Edhe Toli i vogël kur pa se i ati s’po i fliste dhe i tmerruar nga shikimi i tij u largua duke menduar se babi i tij më s’po e donte si më parë, se atij aq i bënte për lotët e tij dhe se kurrë nuk do tia blente lodrën e premtuar, u hodh në prehër të së ëmës duke qarë me të madhe.

           E prekur nga kjo skenë Drita nuk mundi të përmbahej pa derdhur lotë. Vështronte njeriun të cilit nuk po i kujtohej e kaluara, kështu që nuk po e njihte as veten e tij dhe kujtonte profesorin e saj. Njeriun i cili gjithkah ngjallte besim, respekt, dashuri e mirënjohje. Iu kujtuan fjalët e tij mbi jetën, njeriun, dashurinë. Orët e mësimit kur me zjarr e dashuri spjegonte duke mbjellur në zemrën e secilit po atë zjarr e dashuri për çdo gjë që ishte e dashur, e mirë, e drejtë. Iu kujtua poezia që profesori shpesh kishte dëshirë ta dëgjonte duke e recituar. Vetvetiu, pa ditur as vetë se si, nisi ta thotë me zë:

                          

                                       Në mes tuaj kam qëndruar

                                       E jam duke përvëluar,

                                       Që t’u ap pakëz dritë,

                                       Natën t’ua bënj ditë.

 

          Ky zë i papritur tërhoqi vëmendjen e të gjithëve. Të habitur vetëm tani panë Dritën e cila i përshëndeti e skuqur në fytyrë. Për çudi edhe profesori kishte kthyer kokën nga ajo duke e shikuar me ngulm. Sytë e sprovuar të mjekut e njohën atë vështrim dhe i gëzuar i bëri me shenjë Dritës të vazhdonte. Dhe Drita vazhdoi edhe më me zë:

 

                                       Do të tretem, të kullohem,

                                       Të digjem, të përvëlohem,

                                       Që t’u ndrinj mirë e të shihni,

                                       Njëri-tjetrinë ta njihni.

                                       Për ju do të rri të tretem

                                       Asnjë çikë të mos mbetem...

 

             Në atë errësirë që kishte kapluar mendjen e profesorit ndriti një shkëndijë që sikur po vinte nga një zjarr i largët. Zëri i kësaj vashe që e shikonte aq dhembshur iu duk i njohur. E kishte dëgjuar edhe më parë?! Po , me siguri po. Po ku vallë?! Ku e kishte parë! Ku kishte biseduar me të!   Sa shumë po vuante në atë luftë të ashpër mes harresës dhe kujtesës. Po tani që kjo vashë po i jepte një armë të fortë atij i duhej të luftonte. Të luftonte me të gjitha forcat. Befas i doli para syve oborri i një shkolle i mbushur me fëmijë. Pastaj iu bë se dëgjonte hapat e një hijeje tek ecte korridorit të shkollës. Kush ishte vallë! Nuk mund ta shihte qartë. Papritur kjo hije u ndal para një dere ku shkruante me germa  të mëdha : KLASA 8/5. E hapi dhe hyri brenda. Ishte vërtetë një klasë e mbushur me nxënës të ulur dy nga dy të cilët me tu hapur dera u ngritën më këmbë dhe përshëndetën njëzëri:’ Mirëdita  profesor’. Pra hija na qenka një profesor. I lodhur prapë u përqëndrua në zërin e Dritës që si kushtrim e ftonte gjithnjë e më thellë në betejë:

 

                                      Unë jam në shpirtin tuaj,

                                      Mos më kini për të huaj...

 

      E njëjta shkollë, e njëjta klasë, në bankën e tretë nga dritarja një vajzë me sy të errët prej të cilëve derdhej një shikim i pjekur, pikërisht si i kësaj vashe që tani po qëndronte pranë tij, recitonte ëmbël:

 

                                       Në shpirt kam dashurinë,

                                       Pa digjem për njerëzinë...

                                       Me zjarr ta djek mushkërinë

                                       Të tretem për njerinë...

 

          -‘’ Të lumtë Dritë! Të lumtë!’’  Sikur  dëgjoi zërin e hijes tek foli. Pastaj nxorri lapsin nga xhepi i sakos, hapi ditarin  dhe me gisht rrëshqiti nëpër një vijë ku shkruante: Prof. Astrit Bardhi. Lënda: Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Dhe në paralelen e kësaj vije ku shkruante: Drita Petriti, vuri notën pesë.

         Drita Petriti. Ngriti kokën dhe shikoi vashën përballë tij. I njejti zë. E njejta shprehje e syve që ishin mbërthyer në të sikur priste diç. Dhe ai e ndjente se duhej të jepte diçka. Duhej të thoshte diçka. Profesor Astrit Bardhi! Në mendje iu ngulit lapsi me të cilin ky profesor kishte shënuar notën. E kishte parë diku. Ja ku ishte mbi komodinën pranë tij. E mori në dorë dhe e rrotulloi disa herë. Ky laps ishte i tij. Nëpër mendje i kaluan varg tërë ato letra që kishte shkruar, nota që kishte vënë... Ai vetë ishte Astrit Bardhi. Dhe kjo vashë s’ishte askush tjetër pos nxënësja e tij Drita Petriti. Prapë ngriti kokën dhe e vështroi. Një buzëqeshje iu end në fytyrën e lodhur. Edhe Drita buzëqeshi.

        - Drita Petriti!- tha me zë të ulët thuajse i pëshpëriste vetes.

        - Po profesor, unë jam. Foli Drita  dhe iu afrua. Shtrëngoi e gëzuar dorën e profesorit thuajse i uronte kthimin apo më mirë fitoren e asaj beteje të rëndë. Pastaj, profesori vështroi të gjithë me radhë.Ata që gjer më atëherë kishin qëndruar pothuaj pa frymë duke përcjellur shprehjen e fytyrës së tij, tani po i buzëqeshnin ëmbël. Të dy bijtë iu hodhën në përqafim.Mjeku iu afrua Dritës dhe i shtrëngoi dorën miqësisht.

          - Jeta ofron nota të mira edhe pa u shkruar në ditar, tha dhe doli duke qeshur.  



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •