POETI PELEGRIN
| Thursday, 03.20.2008, 11:46 PM |  

Më në fund ai do të nisej. Pa zë, pa bujë, me një laptop të vjetër të blerë me çmim të ulët i sjellë kushedi nga, Gjon Poeti ( kështu e quanin të gjithë ), do të mirrte atë rrugë për të cilën kishte dëgjuar aq shumë kohëve të fundit.I thonin Pelegrinazh i Artistëve sepse ata pak njerëz që kishin marrë guxim të niseshin, ishin kryesisht artistë, apo të tillë që mbaheshin për artistë. Kishte ndër ta këngëtarë të dështuar, aktorë pa nam, piktorë e poetë që pandehnin se kishin lindur me prirjen për të  treguar botën me një sy tjetër nga ç`

mashtroheshin të tjerët , njerëzit e rëndomtë.

            Thuhej se kjo rrugë atyre u kthente talentin, frymëzimin e dikurshëm, por që, për sa rrugë kalonin atyre u hiqeshin një nga një aftësitë shqisore a gjymtyrët si: të parët në mënyrë që ata të shihnin atë që s`shihej me sy, të dëgjuarit në mënyrë që ata të dëgjonin atë që s` dëgjohej me veshë, të prekurit në mënyrë që ata të ndjenin pa prekur, e kështu me radhë gjersa shëndërroheshin në monstër të tmerrshëm për të vdekur të famshëm duke lënë pas vepra të shkëlqyera arti.

             Disa të tjerë thonin se ajo rrugë s`ishte gjë tjetër pos jeta e tyre e gjeratëhershme e kthyer edhe njëherë mbrapa për tu përjetuar në një mënyrë tjetër, ku çdo ndodhi e kaluar, çdo dhembje a gëzim, të rrëmbenin me një intenzitet aq të fuqishëm sa dukej se të pëlciste zemra. Dhe këto dhembje a gëzime qofshin s`kishin fare të bënin me ndjenjat që shfaqnin njerëzit kohëve të fundit të dhënë pas spektakleve, ahengjeve, tubimeve, restoraneve, manifestimeve koti. Jo jo. Ato ngërthenin në vete diçka tepër mallëngjyese, trishtuese, të adhuruar deri në çmendi, për të qenë vetëm dhembje apo vetëm gëzim. Dhe kur ndodhte që njerëzit të viheshin përballë një vepre të tillë arti  s` kishin si t`i shpëtonin atij trishtimi, dhembje e adhurimi , qofshin këta edhe qeveritarë (e sidomos të tillët), të cilët vazhdonin tutje si të mos kishte ndodhur asgjë.

             Ishte rrugë e tmerrshme. Ishte rrugë e vështirë e cila çmohej e respektohej në heshtje. Ata që kishin marrë guximin të niseshin konsideroheshin profetë të përvuajtur  që kishin gjetur parajsën e pëjetshme.

             E  pra, Gjon Poeti kishte vendosur të nisej. Aq i bënte për gruan, fëmijët, jetën luksoze që për shtatë vite e kishin gëlltitur në botën e tyre. Ishte ngopur me të gjitha dhe ndjehej bosh, fare bosh. Atij i mungonte frymëzimi i dikurshëm që mbushte ëmbël sa digjte unin e tij, për t`u shkrirë më pas në poezi të mrekullueshme.

             Gjatë këtyre viteve Gjoni kishte ndryshuar shumë. I dukej vetja tjetër njeri. Për aq kohë sa kishte pushuar së shkruari kishte filluar të fliste më shumë. Qeshte më shpesh e më gjatë se të tjerët edhe në më të voglin shkas. Atij po i neveritej vetvetja.Dhe sa më shumë gërmonte në shpirtin e tij e kuptonte sa larg kishte ikur nga Gjoni i dikurshëm.Nuk ishin vitet që e bënin të largët ,jo. Ishin gjërat që kishin ndodhur. Brenda këtyre viteve ku e qeshura ngjante me të qeshurën po s`ishte e tillë.

            Kishte momente kur ai mendonte se i kishte rënë në hise mënyra më e vështirë e artit që përms shkrimeve të paraqiste gjërat që bënin jetën. Aq më tepër kur të njejtat ishin shkruar aq herë para tij nga mjeshtër të zotë që kishin lënë emër në tërë botën. Ndryshe (kështu i dukej atij) qëndronte puna me këngëtarin, i cili për dashurinë e përjetuar mund të thurte lloj lloj melodish. Apo piktori të pikturonte qindra tabllo dashurish, urrejtjesh, dëshprimesh a gëzimesh. Por të gjitha këto t`i shkruaje me fjalë

nuk ishte gjë e lehtë kur dihej se si ndjenja ndjeheshion njësoj në tërë rruzullin. Njësoj vuante njeriu i bardhë, i zi, i kuq, i verdhë. Njësoj ëndërronin, njësoj qeshnin, njësoj qanin. Njësoj dhiheshin njësoj pështynin. Kështu mendonte Gjon Poeti në çaste të shpeshta dëshprimi. Prandaj e kishte vendosur të nisej. Donte frymëzimin e tij. Donte vetveten të shuar tinzisht në shaka të pakripa, shopinge të kota, orgazma të rreme,…

           

            Një kohë të gjatë nuk u dëgjua asgjë për të. Pastaj se kujt i ra në dorë një përmbledhje poezish me emrin e tij. Më vonë edhe një tjetri, edhe një tjetri, e kështu vinin e shtoheshin duke i bërë njerëzit të mësoheshin me praninë e tij në vargje. Një gjë dihej me siguri. Gjon Poeti ishte gjallë.

 

(2006)



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •