Poezi nga libri ''E bukura e shpirtit tim''
| Wednesday, 03.26.2008, 10:44 PM |  

E BUKURA E SHPIRTIT TIM

GRUA E HESHTUR

Ti  e ke zhveshur lëkurën
Atje më s’mund të kthehesh
Ke mbetur në tokë
Në det ishe fokë
Këtu je grua e heshtur

Pikëllueshëm rri
Mes detit dhe dashurisë
S’mund të ikësh ashtu
Derisa lëkurën ta mbaj në duar
Jam brenda saj
Të ndjej të prek
Në mos ndjefsh kallje ti
Kallet deti për ty

E tashmja ka peshë
Ti më the
E tashmja dhe e nesërmja
S’duhet të ndeshen
Se bëjnë sherr
Pastaj deti trazohet

TESTAMENT

Pse moj lule më therre dorën
Unë desha të të ledhatoj
Ti pa mëshirë më thumbove
Gjuhën time të prekjes s’ma kuptove

E ku i dihet
Ndoshta s’shihemi kurrë
Do të prehem në tejbotë
Me zhigun e petaleve tua

Testament lë
Dashurinë mbi ty
Veç trupin mos ma varros
Lermë mbi dhe të të shoh

UDHËKRYQ

Sygjelbërit
Sonte paskan fjetur
Të ec a të ndalem
Fillon akti i parë dilema

Të ndalem s’arrij me kohë
Të ec kah t’ia mbaj
Në të majtë s’ka drita
Në të djathtë ka gropa
Përpara ka një shirit Kosovë
Në të cilin shkruan
UNMIK STOP LOVE

SHEKULLI  IM       

Njerëz
Që urrejnë njerëzit

Të buzëqeshur
Që vrasin buzëqeshje

Fatlumë
Që s’njohin lumturi

Shpirtbardhë
Që s’duan bardhësi

Ka shekulli im …

GABIM 

Përbirohemi
Tuneleve të turpit
Oxhaqet e errëta
Pikturojnë imazhin
E fytyrës tradhtare

Mureve
Grisim fotografitë
Në udhëkryq
Kemi gabuar
Mes dashurisë
Dhe urrejtjes
Jemi ngatërruar

MËKAT

Zgjohen fërfëllizat  e shpirtit
Imazhe fytyrash të prishura
Që s’njohin pendim
Dashurinë e quajnë trishtim

S’puthet gjaku me gjak
Është shenjë e kiametit
Dasma …
Kthehet në ceremoni vdekjeje
Kur dhëndri puth nusen
Kushërirë të veten

GJURMË E KOHËS

Era
Ndal vrapin
Retë
Nisën fluturimin
Në mesnatë
Ra shi

Të nesërmen
Lumi
Tradhtoi shtratin
Rrënonte ura
Peshqit
Mbyteshin
Në ujëra

PRANË VARRIT TË VETMISË

Mbrëmë vdiq
Vetmia
Tek të pashë në sy
T’pashpirtërit
S’i bënin vend për varr
Një lot gëzimi
Pikoi një mijë herë
Kur po e mbulonin me dhe
E kisha shoqe të së shkuares
Loti u shterr
Sytë i njomi lumturia
Pranë varrit të vetmisë
Kuptova…
Misterin që s’e njoha kurrë
Të ftohtit që kisha jetuar
Kur në sytë e tu
Përqafova zjarrin
Që s’e kisha përqafuar kurrë

DIKUSH TRADHTON

Nata ditën
A dita natën

Dielli hënën
A hëna diellin

Sofra bukën
A buka sofrën

Unë ty
A ti mua

Dikush tradhton...

VRASËSI I MALLIT

Më zuri sherri
U përplasa me mallin
Thashë njëherë ta fal
Por zemra s’duroi
Bam bam bam
Tri herë mbi të qëlloj
Lumenjtë e shpirtit buruan gjak
Për ty mora hak
Gjykatësit e territ
M’i prenë rrobat e zeza
Më dënuan me burg të përjetshëm
Në qelinë e mallit
Aty ku s’ke të drejtë të më vizitosh
Edhe syzet e imagjinatës
Një ditë do të nxihen
Dhe n’u takofsha në atëbotë
Me mallin tënd
Në muret e ftohta
Hijen tënde do ta përqafoj
Dhe mallin prapë kam për ta vrarë

S’KE ZOT

Edhe pse kurrë s’më kuptove
Zoti s’është me ty
Ti bën mëkat kur ma fsheh dashurinë
Por ajo të shihet në sy

Ndaç grisëm si fletë
Ndaç djegëm si letër
Unë s’kam udhë tjetër
Veç të të dua

Në atë botë kur të shkojmë
Unë në Xhehnet pse tash të dua
Ti në Xhehnem duke u përvëluar
Nga dashuria që nga unë e ke refuzuar

Atëherë mos ma zgjatë dorën
Të të marr në Xhehnet me vete
Se kam frikë nga zjarri yt
Që në këtë botë më djegi

Zoti s’do të të ndihmojë
Se ke bërë mëkat
Zemrën që të deshi
Se le të të afrohet ngat

Unë të desha për vete
Të desha cullak
E ti edhe pse më deshe
S’mu afrove as shumë as pak

GJUHA E AKREPAVE

Ora një pas mesnate
Akrepi s’e puth më akrepin
Si duket janë hidhëruar
Ende mëngjesi pa aguar

Akrepi mundohet ta zë akrepin
Ikën nga njëri-tjetri
Pa dashje pa qëllim
S’janë më në përqafim

Flasin akrepat mes vete
Sa afër jemi afruar
Pse s’jemi të përqafuar
Kush na ka mallkuar

Nata ia lë fajin ditës
Dita ankohet në natën
Akrepi fajëson akrepin
Që bashkë kurrë s’mbesin

DY KOKRRA  RRUSHI SYTË E TU

T’i puth
Ëmbëlsia buzët m’i djeg

T’i shikoj
Nga uria dot s’duroj

T’i ha
Ku t’i marr për tjetrën herë

Dy  kokrra  rrushi sytë  e tu

KODRAT

Lecka jote e tejdukshme
Shpalos një botë në pah
Dy kodra prej gjaku
Dy kodra prej mishi
Shemben në mua pa nda

Sytë lakmitarë
Të zhveshin
Nëpër flakën e shpirtit
Sa do të doja
Në ato kodra binjake
Një kasollë të ndërtoj
Të hy aty
Përjetë të jetoj

Dhe n’mu djegtë kasollja
Le të digjet
Edhe kurmi im aty
Le të digjemi të dy

Kodrat shembën në heshtje
Mbi buzëqeshjen time
Vërtet
Me gjoksin tënd nuk shtyhet bjeshka
Por mundet një mashkull



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •