RRON I MIRI, SA DON I LIGU ! ...
| Sunday, 03.30.2008, 06:34 PM |  

- Mos ik, më shtifsh ke dheja, mos ! Mos ik ... - po i lutej gjyshja me lot në sy, teksa zgjatte drejt tij ato duar të holla, si shkarpa, që përpiqeshin ta afronin nipin pranë trupit të thantë, koskë e lëkurë. Seç i  fliste për ca ëndrra të çakërdisuara e krejt pa kuptim ...

Ajo ishte shumë plakë, përtej qindit. Shikimi i kishte humbur krejt, para shumë vitesh, ashtu si edhe dhëmbët. Trutë i ishin tharë, ashtu si edhe mishrat, po zërin e kishte çuditërisht të kthjellët e këngëzues, sidomos kur lutej e përgjërohej me gjithë shpirt, si këtë herë.

    - Pash Zotin, mos ik ! Më shtifsh ke dheja ! ... Kam frikë për ty ... Zemra më ndjell ...

Plaka bërtiste, duke patur frikë se të tjerët nuk do ta dëgjonin mirë, meqë edhe vetë nuk  e dëgjonte qartë zërin e saj.

 I nipi nuk ia vuri veshin fort, nuk e dëgjoi plakën e shkretë, kukumjaçushen, siç e thërriste shpesh me përkëdheli. Megjithëse ajo ishte për të njeriu më i afërt në shpirt,  me të cilën, sa ishte ndër mend, diskutonte për probleme nga më të ndryshmet, i rrëfente gjithçka i ndodhte në punë dhe i merrte mendimin, se si të vepronte në rrastet më të koklavitura të punës dhe jetës ...   

Iku familisht. Me gruan dhe të dyja vajzat. Kishin porositur, me anë të një miku, dy dhoma të mira në njërën prej pushimoreve më të bukura të rajonit. Ai i kishte parapaguar të gjitha harxhet e një pushimi dyjavor për katër frymë ...

    Edhe herë të tjera juristi i kishte kaluar pushimet nëpër vende të bukura, në atdheun e tij.

Por kësaj here kishte guxuar të vepronte ndryshe. Doemos. Mundësitë ekonomike i kishte.

Herën e fundit, në një proces gjyqësor të para një muaji, kishte shtënë në dorë dyzetmijë dollarë. Ishte një proces i vështirë e delikat, ku provat e juristëve të prokurorisë kishin qënë të pasakta, të pamjaftueshme, jobindëse. Dy - tre seanca gjyqësore u deshën, që ai ta lironte vrasësin, drejtpërdrejt nga salla. Po sa i zoti edhe ai, avokati mbrojtës i të pandehurit ! Shoku

i tij i ngushtë i fëminisë ...

Të nesërmen ia sollën në shtëpi shumën e majme. Hakun e punës, siç e quante ai. Dhe jo pak, po katërqind kartëmonedha njëqinddollarëshe! Sa asnjëherë në gjithë jetën e vet ...

    - Eh, e gjen nga s'e panden ! - kishte thënë ai me vete, teksa dridhej, si në ethe, duke numëruar paratë e gjakta. - Kështu qënka kjo botë ... E ku ka gjyq, or qyq ?! Kush dha, dha ..., kush mori, mori ...

Njerëzit e të vrarit kishin bërë pak rrëmujë atë ditë, kur vrasësi u shpall i lirë. Vendimi i gjykatës atyre u kishte rënë siç bije rrufeja në qiell të pastër. I zuri krejt gafil. Askush, as vetë vrasësi nuk e kishte pritur një përfundim të tillë. Madje, as të dy ndihmësit e juristit, që vegjetonin si ca presh meshkuj në krah të kryetarit të seancës. Pazarin e kishte bërë vetëm ai, në fshehtësi të plotë. Me ndërmjetës të regjur e tepër të sigurtë. Po edhe ata që ishin përkrah tij nuk kishin dalë pa gjë, as edhe ata të prokurorisë. Secili kishte marrë pjesën e vet. Gjithçka ishte kopsitur për bukuri. Po thonë se e fshehta vdes gjithmonë foshnjë ...

Pas shpalljes së vendimit, njëri nga njerëzit e të vrarit ishte bërë si i ndërkryer. Kishte sharë, mallkuar e kërcënuar vrasësin, ligjin, gjyqtarët, me ca fjalë të ashpra, të egra. Ishte betuar se do të vepronte me vetëgjyqësi. Gjëra të natyrshme në rrethana të tilla, që kalojnë, pas davaritjes së valës së parë goditëse të Vendimit ... Teksa policët po e nxirrnin me forcë jashtë derës, ai, i afërmi i të vrarit, kryetarin e seancës gjyqësore e kishte cilësuar armik personal, vrasës dhe e kishte kërcënuar me hakmarrje, kokë për kokë. Vetëm ky fakt i kishte tërhequr pakëz vëmendjen juristit në çastin e fundit, ndërsa forcat e rendit i kishin zbuar të gjithë nga salla e gjyqit dhe trupi gjykues kishte shkuar të rehatohej në zyrën e tij. Mashkullit, i cili kishte thënë ato fjalë kërcënuese për të, i kishte parë vetëm kokën flokëkreshpëruar. Iu duk, që për së largu, si një kurriz miu që lëviz papushim matanë derës. Fjalët e tij i shkaktuan fillimisht  një si sëmbim në tru e zemër, një si pickim që do të ndizte më vonë një vatër të madhe alarmi, meraku e frike. Një dhimbje koke bezdisëse nuke linte rehat të mendonte për ndonjë gjë tjetër, paskëtaj.  Fjala e thënë është si ajo gozhda që nguet; vrima mbetet edhe nëse gozhda shkulet ...

Prandaj gjykatësi nuk priti që të merrte vesh nëse çështja do të kalonte për apelim, por mori me ngut pushimet vjetore. Të dalë, ku të dalë, mendoi me vete, në nxitim e sipër...

Të gjitha këto ai ia kishte treguar stërplakës, me fjalë e me nojma dhe ajo e shkreta vuante më keq se i nipi, nga mundimet e pandehmave të zeza e cfilitëse, që nuk i ndaheshin për asnjë

çast ...

 

    Ditët e para të pushimeve kaluan për mrekulli. Gjykatësit, gruas dhe sidomos fëmijëve iu dukej sikur gjendeshin në mes të parajsës së kësaj bote. Qyteti i huaj ishte shumë i bukur; si një hark madhështor ngrehinat e larta qarkonin gjirin e detit kaltërosh, si një gjerdhan vigan me gurë të bardhë, fletëtrëndafili. Natën, po ta shikoje qytetin nga brenda ujrave, ai i ngjante një vetulle të zjarrtë e të stërmadhe ...

Qëlloi që të dy dhomat të ndodheshin në katin e parë të një vile luksoze, fare pranë detit. Njëra për femrat dhe tjetra për të, si studio e qetë. Duke qënë jurist me një përvojë mbi njëzetecavjeçare, në rolin e gjykatësit, ai parapëlqente t'i njihte, shqyrtonte e analizonte çështjet në vetmi të plotë; të përfytyronte, të fantazonte, të përjetonte gjithçka fill i vetëm. Ta kishte krejt përpara sysh ngjarjen e përshkruar nga prokurori i çështjes; sikur e shihte në veprim vrasësin, viktimën, faktet, provat, alibitë, dëshmitarët, tufën e parave ... Se për të edhe drejtësia ishte një lloj biznesi, një tregëti e një lloji të veçantë, ku si mall bëheshin ligjet, fate njerëzish, të gjallë  a të vdekur, pasurira,zënka, krime, ndarje, bashkime ...

    Tani ai nuk po shqyrtonte kurfarë çështjeje konkrete. Ishte stakuar krejtësisht nga jeta e mëparshme, duke shpresuar se nuk do ta bezdiste më ajo dhimbje koke cfilitëse. I zhytur thellë në një det paragjykimesh, ankthesh, frikërash, po lexonte diçka mbi mitologjinë e pellazgëve, paragrekëve, grekëve ... Po njihej me koncepsionet e tyre rreth gjithësisë, fenomeneve dhe jetës.

 Për ata, në fillim ishte kaosi, një masë amorfe ajri, zjarri, toka, uji, në errësirë të plotë. Prej kaosit lindën dy qënie të pushtetshme dhe të bukura : Dheja, ose toka, me gjithë të mirat në gjirin e saj dhe Erosi, ose Dashuria, që krijon jetën ...

Fap !, i vetëtiu në mendje gjykatësit ajo fjala e gjyshes njëqindecavjeçare. Lutja dhe përbetimi i saj për të mos shkuar për pushime aq larg. " Mos ik, më shtifsh ke dheja ! " Ai zë sikur vinte nga thellësi e kohrave, nga bota e pellazgëve, plot ankthe, frikëra, çudira me lemeri, lugetër, gjigandë, kobëtarë, shkaktarë të vdekjeve, shkatërrimeve ... Kërcënimi ishte për të.

" Më shtifsh ke dheja ! " ... Përse vallë gjyshja shekullore i ishte lutur asisoj, në gjuhën e të parëve të tyre të stërlashtë ?! Çfarë fanepsje kishte parë, çfarë mënxyre parandjente ajo qyqe pellazgjike, ajo kukumjaçkë e neveritur ?! ... Mos vallë ishte marrë vesh para kohe me të vdekurit dhe kishte porositur një gjëmë të madhe për vete dhe të tjerët ?! Përs nuk ia kishte treguar ëndrrën ...

Gjykatësi se pse ndjeu frikë thellë, brenda vetes. Një frikë që po e pushtonte të tërin dhe ai po e ndjente atë deri në brendësi të rropullive, deri në palcën e koskave. Një të tillë frikë e kishte ndjerë vetëm njëherë, kur ishte nxënës gjimnazi dhe lexonte " Makbethin " e Shekspirit. Frikë si ajo, ose të bën trim me fletë, ose të ngul shtatë pash në dhet ...

Për të përballuar disi atë peshë ankthndjelëse të frikës, ai hodhi vështrimin në muret e bardha të dhomës, sikur po përpiqej të gjente atje ndonjë gozhdë a të çarë rrastësore, ku mund të kallte një pjesë të së keqes që po e cfiliste. Por asgjë nuk gjeti, asgjëkundi. Vështrimi i ra në boshësi dhe i kumboi në veshë, si krisma jetime në një kullë ngujimi. Iu duk vetja si i mbyllur brenda një veze vigane. Koka i zjente. Tëmthat i rrihnin si çekan, zemra i luftonte si një zog që duhet ta çelë guaskën e trashë me forcën e shkulmeve të saj. E vërtetë që duhej shpallur ...

Dritarja iu duk i vetmi shpëtim. E çoi vështrimin vetëtimthi atje. Po edhe ajo iu duk e vogël, për hallin e tij. U përpoq ta largonte menjëherë vështrimin nga qelqi i tejdukshëm dhe të gjente katrorin e madh të derës, ashtu siç ishte, gjysmëzhveshur,  i futur përgjysëm në shtrojet e shtratit. Po nuk arriti të bënte asgjë. Që jashtë dritares u zgjat një kokë kryeneçe, me sy të shqyer e flokë të ngritur përpjetë, si krezhdë egërsire.

    - Ah ! Miu... - klithi ai dhe iu ngjeth mishtë nga zëbefasia e tij. Shpinëkthyer nga syri i stërmadh magjik i dritares, ndenji ashtu pak çaste, si për të pritur e duruar ndonjë goditje të beftë, të hatashme. Por goditja nuk u pa asgjëkundi. Vështroi sërish me frikë në dritare. Kurrizi i kërrleshur i miut ishte dhe s'ishte atje. Silueta e kokës së shfaqur një minutë më parë ishte shndërruar në një kafkë drite rrezëlluese, gati e tejpashme. Pamja e saj të merrte sytë. Juristi nuk ia ndau vështrimin për asnjë çast asaj kafke, saqë iu fiksua në mend sikur shikimi i ishte ngjitur fort pas atij qelqi të mallkuar. Ai shkoi përmbi ballë dorën që i dridhej, të lagur pak nga djersa e sikleti. Ndjeu ftohtësi, ndërsa më poshtë, tek zgavrat e syve, në pjesët më të buta të mishit, lëkura sikur i përvëlonte gishtat. Frika dhe tmerri sa vinte dhe e shtrëngonin darën e tyre  të pamëshirshme.  Po ngushtohej shumë Rrethi i Zapatës ...

Në cepin tjetër të dritares u shfaq sërish ajo koka bubuleshe, me sy të shqyer e me flokë të ngritur përpjetë, si të miut të egërsuar. Dyshoi për një çast në vërtetësinë e shikimit të tij.

Dyshim, që mundon mendjet fajtore. Tingulli i orës së murit regëtinte frikshëm, si ndoca thonj, që gërvishtin pamëshirë kohën që ikën e s'pret.

Juristi nuk mundi të duronte më. U shemb papritur mbi nënkresën e bardhë e të butë, u zgjat deri përfund shtratit dhe mbuloi kokë e trup me çarçafin e bardhë. Dukej ashtu si një kufomë e qefinosur shkel e shko. Ndenji pak çaste si i ngrirë, pa marrë frymë fare. I bindur se ajo që kishte parë ishte vetëm një vegim kalimtar. Ndjeu zemrën që i përpëlitej me vrull e sa nuk ia çante shpatullat dhe kraharorin. Dhe kur pandehu se ai vegim i tmerrshëm duhej të kishte kaluar, mori frymë thellë, ngriti këmbët me forcë dhe e shtyu tej çarçafin e bardhë. Ndenji pak çaste ashtu syshqyer, nën peshën e mendimeve më të zymta. Ende nuk guxonte ta hidhte vështrimin në atë katrorin e mallkuar të dritares. Shikoi diku, në njërën qoshe të dhomës, në më të largëtën, dyshemeja e së cilës kishte një shtresë të shndritshme llaku bojëkafe. I erdhi çudi kur vuri re se atje diçka lëvizi. Këtë radhë nuk u trondit. E mori punën shtruar. Zvogëloi sa mundi hapësirën e syve, për të parë më mirë.

 Në fillim ishin dy kafshëza të vogla, bojëhiri, të cilat sapo kishin dalë nga një vrimë e padukshme, sajuar në mes dyshemesë dhe murit. Kafshëzat po vinin mengadalë drejt tij, por me një vendosmëri të tmerrshme. Kishin mësyrë krevatin dhe nuk po ia ndanin sytë atij. Dukej sikur nga vrima po dilnin edhe minj të tjerë, të prerë njëlloj, me të njëjtën ngjyrë, si i pari. Larësia prej atje nuk ishte gjithaq e madhe dhe përmasat e kafshëve të para të ushtrisë sa vinin e zmadhoheshin. Vargu i minjve i ngjante rreshtit të milingonave që marshonin drejt folesë, aq sa edhe vargut të fëmijëve të kopshtit, që dalin shëtitje në park ... Atyre të parëve që sa vinin e zmadhoheshin, edhe ngjyra e qimeve sikur po u errësohej. Kreshta e kurrizit u rritej me një shpejtësi të çuditshme, u zgjatej dhe u lartësohej. Ç'kishin ndër mend të bënin me të ata përbindësha të fëlliqur ?! Pak me vonesë, po më në fund juristi u tremb vërtet, u ndje shumë i rezikuar. Vetëtimthi   lidhi me mend tre gjëra : kokën e atij që e kishte kërcënuar me gjakmarrje, pas mbarimit të seancës gjyqësore, me siluetën e kokës së shfaqur përjashta dritares dhe me kreshtat e kurrizeve të këtyre kafshëve sypatrembura, që po i afroheshin me aq guxim e vendosmëri. Pisk puna !, mendoi me vete. Me demek filloi hakmarrja ... Kuku, moj nane, për mua të mjerin ! ...

Në fillimi i shkoi mendja t'u fliste, të sqarohej me ta. T'i pyeste se ç'hall kishin që po e mësynin ashtu, ç'u kishte bërë ?! Fundja ... Të bënte me ta ndonjë marrëveshje. Marrëveshje ?! ... Bah ! Marrëveshje, me kë dhe përse ?! ... u dha fund ai hamendjeve e pandehmave me këtë pyetje, të cilën kush e di se ku e kishte lexuar, në ndonjë traktat politik lufte.

Puna ishte që të gjente një mënyrë për t'iu shmangur këtyre minjve të mallkuar, që edhe i dukeshin, edhe nuk i dukeshin si minj, por si mallkimi vetë. Ata kishin arritur madhësinë e një maçoku të rritur dhe fryheshin e nxiheshin papushim dhe me shpejtësi.

Fatmirësisht dera dhe rruga drejt saj ishte e lirë. Një kërcim iu desh dhe juristi u gjend pranë saj. E hapi tyt më tyt. Dy minjtë e parë sapo kishin kërcyer mbi krevat dhe kthyen kokat vrnigthi drejt derës. U dëgjua një skërmitje dhëmbësh dhe një gërvimë e fletës së dritares që po hapej. Ndërkohë njeriu kishte dalë në korridorin e qetë të vilës. Bëri të therriste, por një si dorë e padukshme ia shtrëngonte keqas fytin. Hodhi sytë në kanatin e heshtur të derës së femrave. I vinte shumë zor të thërriste dhe të lypte ndihmë prej tyre, për shkak të këtyre marrëzirave që po i ndodhnin, me atë mendje të çartafillosur ...

 Asnjë lëvizje, kurse përfund rrugës së ndriçuar që të çonte në anën tjetër mezi shquhej një siluetë miu që po rendte për këtej, drej tij me shpejtësi. Kreshta e kurrizit sa vinte dhe i rritej, ndërsa fësh - fëshet e këmbëve, që hiqeshin zvarrë nëpër dysheme dëgjoheshin fare shkoqur. Juristit iu ngritën qimet e kokës përpjetë nga tmerri. Preku si padashur me dorën që i dridhej çaçkën e vet  dhe iu bë sikur ndeshi vërtet në një kreshtë të ashpër drizash, në vend të flokëve të rrallë që kishte pak më parë.

Rruga për të dalë jashtë ishte e lirë. Jo shumë hapa larg ishte deti. Uji duhej të qe ende i ngrohtë nga dita e gjatë dhe shumë e vapët. Pa u menduar tepër, ai ia theri vrapit për atje, ashtu siç ishte, gjysëmlakuriq, trupmesatar e rrondokop, si një brumbull. Këmbët e zbathura i fundoseshin në rërën e butë e të imët. Prandaj në fillim iu duk sikur po bënte nëvendnumëro.

E ndjeu se nga pas po e ndiqte një hije. Parafyryroi atë burrin që e kishte kërcënuar me vdekje, me kokë të kërrleshur, me thikë në brez dhe kobure në dorë. Prandaj gjykatësi nuk

guxoi ta kthente kokën pas. Sapo këmbët i prekën ujin e kripur e të vakët të detit, sikur u lehtësua ca, e ndjeu veten të shpëtuar. Një, dy, ... pesë ... shtatë hapa mundi të ecte fare lehtësisht. Pastaj uji e pengoi të vijonte me atë vrull. U hodh në thellësi me humbaçkë, i gëzuar dhe i çliruar përkohësisht për herë të parë atë mbrëmje, pas përndjekjes së egër të hijeve, pandehmave, minjve ...

Brenda ujit ndihej mirë, i lehtësuar dhe i sigurtë. Po sa do të zgjaste kjo ?! E kishte zakon t'i mbante sytë mbyllur, kur notonte brenda ujit. Ngaqë i bëhej sikur do t'i mbusheshin me ujë, po t'i hapte. Pa t'i hap njëherë, pa copë të bëhet, mendoi me vetet dhe ashtu bëri. Në fillim diktoi fundin e pastër të detit, rërën e ngjeshur e me fare pak blokra, ujin që llokoçitej lehtë nga lëvizjet e këmbëve dhe duarve të tij. Pastaj hodhi vështrimin përpara. Dreq, o punë ! Jo shumë larg tij, pikasi një si farëz, thërrime të zbehtë që notonte ngeshëm pranë sipërfaqes së ujit. Bënte lëvizje të ngadalta, të kujdesshme e të matura dhe dukej sikur përgjonte çdo veprim të tij.

    - Ah, i mallkuar ! ... - tha me vete gjykatësi dhe bëri të zhytej më thellë në ujë. Fryma po i sosej, por kokëfortësia e tij ishte më e madhe. Mund t'i pëlciste mushkëria nga çasti në çast.

Nuk duroi dot më, megjithë inatin e madh. Mbërtheu fort këmbët në rërën e ngjeshur  të funddetit dhe i dha trupit për lart, me sa fuqi që kishte. Parimi i sustës funksionoi. Kur ia mbëriti në sipërfaqe, i kishte pirë disa gllënjka uji të kripur e të pështirë. I erdhi për të vjellë. U kollit thellë, rëndshëm. Veshët i buçisnin. Sytë sa s'i dilnin nga zgavrat.

 Teksa po merrej me veten, harroi se nuk ishte vetëm, se diku ishte edhe ndjekësi.

Kur u kujtua, nxitoi të vështronte përreth me tmerr. Ja, tek ishte ajo koka atje, me ata flokë të kreshpëruar, si kurriz i kërrleshur miu ! Hej, pikë e zezë ...

 Fshiu tërë inat sytë me gishtat e mpirë, për të verifikuar se mos ishte ndoshta në ëndërr. Po i goditi ligsht kokërdhokët e kërcyer, sa i dhembën fort dhe i lëshuan shkëndija. Shau përsëri nëpër dhëmbë. Mendoi se do të ishte më e udhës të zhytej sërish në fund të detit dhe të rrinte e të fshihej atje sa më gjatë, në përgjim të atij tjetrit. Atje i dukej se ishte më rehat. Dritat e qytetit të madh zgjatnin përmbi det ca si gjymtyrë shumëvijëshe, dritën e qumësht të natës së kapitur ...

    Gjykatësi as që e kishte vënë re se pat rrëshqitur dalngadalë në thellësi të detit, si pa u ndjerë. U mbush mirë me frymë dhe u zhyt tërë qejf me kokë brenda, i gëzuar nga pandehma e rreme se po i shpëtonte njëherë e mirë atij miut kurrizkreshpëruar. Zhytja drejt fundit të detit zgjati mjaft, derisa dora i preku rërën e fortë. Sytë e zhytësit vështruan me alarm përreth. Të gëzuar që nuk pikasën asgjë. Aty qe vërtet  mirë. Askush nuk e shqetësonte, nuk e ndjente veten të kërcënuar, si atje tek shtrati, në vilë, në vetmi. Më në fund kishte mundur t'i fshihej ndjekësit të tmerrshëm, që ishte dhe s'ishte ai miu i lemerisur shpifarak.

Ashtu pandehte ai, po kurrizkreshpëruari nuk i ndahej deri në fund. Ai e ndiqte qatje tej, me thikë ndër dhëmbë dhe kobure në brez, shndërruar në trajtën e një shtaze të çuditshme ... Si një makth. Priste çastin; ai e dinte më mirë se ç'priste ...

Gjykatësi e ndjeu shumë vonë praninë e hasmit, teksa mendja i kulloste kush e di se ku, lëshuar si hergjele. Kur e ndeshi përsëri, u shkreh i tëri. Me gishtat që i dridheshin tërhoqi pak mënjanë mollaqen e djathtë dhe një duhmë ajri gurgulloi me vrull nëpër ujë, duke nxituar të dalë në sipërfaqe. Sikur u lehtësua disi. Armiku iu duk shumë afër, tek e priste prenë e vet, me një gjakftohtësi cfilitëse.

I përndjekuri nuk duroi dot më. Luajti mendsh, u ndërkrye. Hapi gojën, shau e pështyu, duke qëlluar me grushta e shqelma në drejtim të kurrizkreshpëruarit. Barku dhe mushkëritë iu mbushën menjëherë me ujë. Diçka i kërciti përfund lukthit. Pastaj i mori fill për poshtë kërthizës. Trupi iu rëndua dhe shpejt këmbët i prekën rërën e fortë të funddetit. I dha trupit përpjetë, krejt pafuqi, me shpresa të prera. Ishte tepër vonë. Parimi i sustës funksionoi dobët. Ndërsa kafsha mbante sehir më nge,  jo shumë larg tij, ndiqte me kujdes çdo lëvizje, e gatshme të korrte frytet e durimit dhe mençurisë së vet ...

Kishta kaluar mesnata, kur trupi i rëndë i gjykatësit, të cilin e kishte shtyrë dallga e detit deri në breg, pa patur fuqi ta tërhiqte sërish, mbeti në breg, si një shenjë pikësimi plot domethënie. Koka e asaj kafshëzës, e cila i kishte ngjarë viktimës me një mi të madh kurrizkreshpëruar, pasi u sigurua paq se gjithçka kishte mbaruar, rrëshqiti shpejt e shpejt nëpër sipërfaqen e detit disa kilometra larg dhe pastaj u zhduk përgjithmonë...

Trupin e gjykatësit e gjetën të mbytur të nesërmen në mëngjes. Të rënduar tepër nga uji i shumtë që kishte pirë e me sy të zgurdulluar e të ngrirë, që të kallnin tmerrin.

Kur familja u kthye në atdhe, e plotë në numur, por me kryefamiljarin në arkivol, plaka njëqindecavjeçare nuk qau. Ajo ishte mbledhur krruspull dhe i mbante vazhdimisht të thurur të dhjetë gishtat e duarve kockë e lëkurë e të bardhë si shkumës. Vetëm tundej, si ajo barka e lehtë kur e fryn era. Mallkonte fatin, mallkonte ëndrrat, mallkonte jetën e vdekjen, ashtu si e përhumbur tek rrinte.

- Epo, rron i miri, sa don i ligu ! ... - përsëriste ajo si me vete, gati në jerm, saherë që dikush hynte në derë për të respektuar të vdekurin. Po kur në derë u dha ai njeriu me kokën që i ngjante atij miut kurrizkreshpëruar, plaka ngriti kryet, mori frymë thellë me flegrat e hapura të hundës dhe u përgatit të thoshte formulën. Befas u tremb, u hutua, diçka belbëzoi paraprakisht, duke u ngatërruar llafesh, me atë gojën e thellë e të padhëmbë, si një mister. Nuk shihte, por ndjente fare mirë.

    - Rron i ligu, sa don i miri ... - belbëzoi stërplaka, teksa vazhdonte të tundej ritmikisht.  Dikush buzëqeshi, por të tjerët as që e kuptuan se plaka kishte ngatërruar renditjen e fjalëve në fjali. Kushedi nëse e kuptoi edhe vetë ajo atë ngatërresë. Kush e di ku i kulloste mendja. Ishte hera e fundit që fliste.

 Pas plot dyzet ditësh, ajo vdiq në gjumë.

E shtinë ke dheja, siç i thoshte ajo tokës, ashtu paqësisht,  pa zhurmë e bujë, po me nderim e respekt për njeriun.

 Varrin ia bënë pranë të nipit, të cilin e kishte gjënë më të afërt në këtë botë dhe që e deshi jashtëzakonisht.



(Votes: 5 . Average: 4/5)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •