Kujtim Mateli: More Naim Shqipëria
| Wednesday, 04.16.2008, 08:10 AM |  



Kujtim Mateli
More Naim Shqipëria

Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqipëtar,
Zemrën ti ma gatove plot me deshirë e me zjarr
.
Naim Frashëri

Nga Kujtim Mateli - Zemra Shqiptare

Janë vetëm dy vargje.
Janë dy vargje si kanatat e një porte ku kërkon që të hysh diku. Nëpërmjet kësaj porte hyn  në kopshtin e bukur të poezisë shqipe. Naim Frashëri, krijuesi i këtij kopshti, ka ditur që aq bukur të ndërthurë  dy  vargje, me të cilat shprehet shpirti i shqiptarit, krenaria e tij, pika mbështetëse nga ku gjendet  burimi  i forcës për  të  ecur përpara. Krijoi  universin e tij poetik, rreth të cilit, janë rrotulluar breza poetësh  dhe kanë marrë prej tij dritën,ngjyrën,ëmbëlsinë e vargut,kanë marrë prej tij frymëzimin.

Kur lexon vargjet e tij,  zemra fillon e këndon. Fillon e ndihesh poet.  Ashtu si në një dasmë që gjithkush kërcen apo këndon, pavarësisht se sa i shkon vallja apo kënga.Pothuajse të gjithë, mbasi kanë lexuar një vepër të Naimit, kanë marrë lapsin për të shkruar. Sa breza njerëzish kanë thurur vargje nga një frymëzim naimjan. Kur lexon poezitë e tij, je si natyra në stinën e pranverës. Vetëm të ketë një copë tokë pjellore dhe luja do të celë dhe në majën e shkëmbit.Ka më tepër se një shekull që poezia e Naimit lulëzon në të gjithë rruzullin,kudo ku ka shqiptarë. Nuk mund të ketë shqiptar, bashkëkohës i Naimit dhe deri në ditët e sotme, që të mos ketë ditur përmendësh vargje të tij.Vargjet e Naimit të duket se i ke brenda vetes, ashtu si një ditë pranvere që e ka brenda vetes së saj diellin që shkëlqen,ajrin e ngrohtë që fton të celin lulet dhe pemët, qiellin e mbushur me zogj shtegtarë që ngjajnë si gur diamanti në kaltërsinë qiellore. Kështu ndodh kur ke përpara librat e tij.  Të duket se i kishe lexuar më parë brenda qenies tënde  ato vargje.

Ne rrojmë nën një qiell naimjan. Lëvizim  brenda kësaj hapësire të magjishme dhe cilido e ndjen veten se ka diçka për të thënë.  Poezia e tij ka një shkëlqimin mahnitës. Ai  krenohet me  kombin e vet. Kjo krenari i dha hapësirë mendimit të tij. Në tërë krijimtarinë e vet, motivoi se të qënit shqiptar është krenari,është nder.  Poeti ishte njësuar me kombin. Shpirti i tij ishte i pranishëm kudo ku ishte lavdia shqiptare. Nëpërmjet vargjeve përcolli  mesazhe të rëndësishme për kohën në të cilën jetoi, por edhe për shekujt që do të vinin. Po nënvizoj vetëm dy prej tyre:

a) Jeta e njeriut ka kuptim kur lufton për atdheun e vet. Naimi tek vjersha “Tradhëtorët” fshikullon të gjithë ata që e harruan vendin e tyre dhe nuk po i gjendeshin pranë në ato momente të vështira në fund të shekullit të 19-të, kur rrezikohej egzistenca e kombit shqiptar. Tek poezia”Pellazgët-Shqiptarët” kërkon që trimërinë e tyre, shqiptarët ta tregojnë për atdheun e vet. Poeti shprehet me dhimbje se ”Gjaknë nëpë botë/E derthmë kotë” Kjo gjë e ligështon zemrën e poetit.Ishte koha kur vendet e tjera ishin çliruar nga zgjedha osmane, ndërsa vendi  tij vuante në robëri. Kjo trimëri e pashoqe e shqiptarit që kish dhënë  ndihmesën e vet në çlirimin e popujve të tjerë,sa që mund të thuhet se kontributi shqiptar ka qenë faktor në çlirimin e tyre nga zgjedha osmane,jo vetem që nuk po i kthehej, që bashkarisht si popuj ballkanik të luftonin kundër pushtuesit të tyre të përbashkët,por këta fqinj,po bëheshin një rrezik serioz duke kërcënuar trojet shqiptare.Këta popuj na thotë Naimi  i hodhen themelet e kombit të tyre ”Me armët e Shqipërisë” dhe na radhit një sërë luftëtarësh të dëgjuar që bënë emër në çlirimin e popujve të tjerë ballkanik. Në një çast dëshpërimi poeti me të drejtë do të pyes “Për kë luftuam?”

b) Shqipëria mbart vlera të tilla që nuk kanë të krahasuar me asnjë vend tjetër. U është referuar ngjarjeve të ndryshme historike duke vënë në dukje cilësitë e shqiptarit.Në penën e Naimit e kaluara e popullit tonë  mori një shkëlqim të ri. Dhjetra figura të shquara u lartësuan nga pena e tij. Të gjitha këto figura që japin fizionominë e Shqipërisë kishin një tipar të përbashkët: trimërinë. Do të shprehej me vargjet: “Ishin trima prindërit tanë,/Pa emër për jetë lanë.”  Tipar tjetër të shqiptarit do të theksonte dëshirën e tij për punën.  Burrat, bujq e blegtorë të zot, por edhe gratë të shkathta e punëtore po aq sa dhe burrat. Vashëza “Dorën q`e kish pej argjendi,/S`e hiqte nga avlëmëndi.”  Poeti është krenar se shqiptari është njeri  pa vese. Virtyti është tipar i shqiptarit.Dhe ja ç`na thotë: “Në vise të Shqipërisë/ S`kish gjë përveç mirësisë/Të miratë gjithë ç`janë/I kishin prindërit tanë.”  Shqiptari nuk shquhej vetëm për trimërinë e tij,por edhe për mençurinë dhe diturinë .Kjo, jo vetem tek burrat, por edhe tek gratë.Bile gruaja shqiptare me punën dhe diturinë  e saj u kishte dhënë nder  gjithë  grave. “Dora d`Istria nga Përmeti,/Q`ish në diturit si deti/Gjithë  grave u ka dhënë/Nder dhe mëmëdheut tënë.” Për këto vlera të larta të popullit tonë dhe  të tjera poeti do të ndihej krenar.
 
Këto cilësi të arrira të shqiptarit i mëshironte dhe vet poeti ynë i madh. Përkundër shovinizmit të fqinjëve, nuk do të kërkonte të njënjtën gjë. Jetoi në shekullin e 19-të dhe njerëzimi nuk ishte në mendësinë që është sot. Tek njeriu i shekullit të 19-të tipare negative po fillonin të formësoheshin. Ishin këto tipare njerëzore, që vetëm 40 vjet mbas vdekjes së Naimit, njerëzimi do të  përfshihej në dy luftra të përgjakshme botërore. Naimi  fizikisht është pjesë e shekullit të 19-të, por me mendime, me shpirt dhe me zemër,  i përket mijëvjeçarit të tretë.Ne jemi bashkëkohës  të  tij. Ndoshta do të jetë dhe bashkëkohës i fëmijëve dhe nipave tanë. Jetoi në kohën kur kombet i shpallnin luftë  njëri-tjetrit. Naimi do t`u deklaronte  popujve të tjerë dhe sidomos fqinjëve tanë “Ne duam vëllazërinë,/ Dashurin` e miqësinë.” Kjo filozofi naimjane është sot filozofia  e bashkësisë europiane, filozofi e Europës së Bashkuar.

© www.zemrashqiptare.net


(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  •  
  •