Granit Zela: “Drita” e dashurisë për kulturën shqipe
| Wednesday, 04.16.2008, 08:11 AM |  

“Drita” e dashurisë për kulturën shqipe

Granit Zela
Do të donim ta nisnim këtë shkrim me renditjen e arsyeve se pse një gazetë kulturore është e nevojshme përkrah të përkohshmeve të tjera kulturore sikurse në çdo kryeqytet evropian. Megjithatë, ende pa nisur edhe më të parin arsyetim, vërejmë me keqardhjen më thellë, se si askund në ndonjë metropol të Evropës, deri pak javë para ringjalljes së “Dritës”,  nuk ka ekzistuar në treg për shumë kohë as edhe një gazetë e vetme kulturore.
Demokracitë, qysh prej kohëve të lashta e gjer më sot kanë pasur nevojë për artin, e sidomos për shkrimtarët. Shkrimtarët nuk e meritojnë përbuzjen e askujt sepse përbëjnë vetëdijën e kombit. Po të shohim historinë e letërsisë shqipe, shihet shumë qartë se shkrimtarët janë perseketuar, përndjekur, burgosur, e kur nuk kanë mundur t’u  bëjnë ndonjërën nga këto, janë harruar.
Kjo po ndodh edhe sot, krimi i harrimit e shpërfilljes, sikur qenka normale që në Shqipëri të mos ketë gazeta kulturore. Sikur  nuk është një turp i njëjtë me atë të  shëtitjes nesër qytet mbi gomar të themeluesit të romanit shqip Dom Ndoc Nikaj me një armë të rrasur me zor në duar, apo varrosja për së gjalli e Mitrush Kutelit në një gropë kënete.
Të gjithë shtetarët e lartë të Shqipërisë këto shtatëmbëdhjetë vjet, ia kanë behur me vrap te Shtëpia e Artit vetëm në kohë funeralesh, për t’i përcjellë shkrimtarët në banesën e fundit ndërkohë që i kanë braktisur e harruar sa ishin gjallë. Tradita e kontrollit të hekurt të bashkësisë së shkrimtarëve dhe politizimit të arteve dhe letërsisë, është zëvendësuar me atë të mënjanimit e shpërfilljes.
Të harrohet se “Drita” është një gazetë 106 vjeçare është më shumë se një gabim logjik që gjykohet prej breznive të ardhshme. Ajo është më së pari një krim historik ndaj idealeve të mendjeve të ndritura të këtij kombi që flijuan gjer në ditën e mbrame për krijimin e kësaj tradite kulturore.
“Drita” quhej gazeta e Sami Frashërit e botuar në 1884-ën, në dhé të huaj, me ndikim të madh në jetën politiko-kulturore të vendit, dhe nuk ka qenë e vetmja që dilte për të përmbushur nevojat shpirtërore të shqiptarëve. “Drita” quhej gazeta e Shahin Kolonjës, e botuar edhe ajo larg atdheut, tribunë e intelektualëve që besonin në zhvillimin kulturor të Shqipërisë, në projektin e përbashkët të lëvrimit të shqipes si gjuhë e kulturës.
“Drita” jonë është e njëta “Dritë” si ajo e Sami Frashëri e Shahin Kolonjës. Është e njëjta dritë që përmend Naim Frashëri, e njëjta dritë për të cilën ka nevojë çdo kulturë e çdo komb. Është detyrë intelektuale ndaj gjuhës dhe letërsisë, përpjekje për të krijuar  një urë komunikimi jo vetëm me kulturat e vendeve të tjera, por edhe me krijues dhe intelektualë shqiptarë që kanë mbetur përtej urës së komunikimit me atdheun shpirtëror që është nëmur të mos kalohet sikur matanë të mos ishin lëvruesit e të njëjtës gjuhë e shërbëtorët e të njëjtës kulturë.
“Drita” jonë dhe e të gjithë shqiptarëve idealistë mëton të jetë një tribunë për njerëz të penës e mendjes që kanë si ëndërr një Shqipëri kulturore e cila frymon si një e tërë kudo ku ruhet e krijohet letërsia e kultura shqipe. Ajo aspiron për  zhvillimin e mendimit kritik, artit poetik, letërsisë së kohës sonë por në të njëjtën kohë do të jetë edhe  një dritare prej kah do të mund të shquajmë vlerat më të mira të traditës, traditës së gjallë që i jep jetës edhe të ardhmes. 
Për faqet e kësaj gazete kulturore me fat sfinksi mund të themi atë që kanë thënë të tjerë mendje të ndrituar që i kanë shërbyer këtij kombi. “Çdo shqiptar që ka një mendim frytdhënës për të shfaqur dhe di ta shfaqi me një shqipe të pastër, çdo intelektual që kërkon të rrahë një çështje diturore, ose do të paraqes krijimet e tij letrare, ka me gjetë vend në këto fletët tona, mjaft që të frymëzohet me xhixhillimet e shejzave, yllësi virtytesh arbnore”
Ne duam që “Drita” të ekzistojë sot e përgjithmonë, sikurse ka dashur edhe më i pari shkrues i shqipes i cili hodhi shkronja të zeza mbi fletën e bardhë “n’së dashunisë së botës sanë”.   Kjo sakrificë krijuese për hir të artit e kulturës sonë, ky pasioni i të gjithëve ne për letërsinë dhe kulturën shqipe nuk mund të lëkund kurrë besimin se është gjithmonë e nevojshme për t’u dhënë fjalëve jetë.
“Drita” nuk do të vdesë, sepse lexuesi është burim i fuqisë së saj.  Ne besojmë se “Drita” e ringjallur nga hiri i dritëshkurtësisë së zotave të pushtetit ka për të jetuar sërish si vazhdim i atyre idealeve të kahershme që jetojnë te gjithsecili intelektual e atdhetar shqiptar që e do kulturën e këtij kombi. Kjo ka pët të ndodhë si shenjë e mbijetesës së idealizmit shoqëror që në çdo kohë kërkon sakrificën e gjithsecilit dhe dashurinë e të gjithëve. Kjo dashuri e përjetshme, është e përbashkët, e njëjta dashuri së cilës i beson edhe lexuesi ynë.

Granit ZELA
Kryeredaktor i “Drita”



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •