Hicmoskurra
| Tuesday, 01.02.2007, 12:45 PM |  

(Predikim urban)

Mos u trishto prej dëshpërimit dhe nëse çasti ty të gënjen!
Pushkin

Hiç

Ndihesh i lodhun. Kurrkush nuk të njef në rrugë. Asht si me u pasë fshi me gomë, në nji letër i vizatuem ka here, prej s'di se kujt. Je krejt bosh, jo se asgja nuk të përshtypë, porse thjesht asht nji ditë pa peshë. Dikush thërret prej larg emnin tand, por shpejt e kupton se emni jot asht nji ndër emnat ma të përhapun në qytet. Ky qytet që as rehatinë e nji emni të rrallë nuk ta siguron. A thue asht kjo nji arsye me ndërrue emnin? Jo, jo nuk asht emni mënyra me të cilën duhet me ra në sy në kët qytet.

Tuj ecë e tuj mendue! E pse duhet mendue kur ecet? E pse duhet ecë kur mendohet? Ma mirë me ecë pa ndonji mendim të përcaktuem, thjesht shif andej këndej dhe mos mendo asgja, mendimet ndojherë të çojnë në rrugë jo të drejta. Tuj ecë, thjeshtë tuj ecë! Bulevardi asht bosh, dielli djeg, e zifti shkrin. Polici i trafikut asht në cep të lulishtes dhe kapërdin birrën me emnin e qytetit. Gogësin. Semafori i kalimtarëve asht me të kuqe. Prit. Nuk ka asnji makinë. I sheh kalimtarët e tjerë që nuk e respektojnë semaforin, por mos ke lakmi për ta. Prit. I qetë. Simbas rregullit kalo i kënaqun me vedi dhe me rregullin. Prit.

Por a ke vue re se qëllimi jot nuk kishte qenë me kalue matanë? Nuk ke asnji punë andej. Tashti asht rasti me mendue, pa ecë. Ndalesh. E për çka? Ku don me shkue mor burrë i dheut? Semafori vazhdon me qenë i kuq dhe kalimtarët vazhdojnë me kalue, edhe pse. Ata ndoshta kanë ndoj punë, kjo asht arsyeja që e thyejnë rregullin kaq lirshëm. Polici ka mbarue birrën dhe si duket po niset për shpi. Kalimtarët rrallohen kadalë, nji kah nji. Kadalë. Zhduken të tanë. Mbetet veç bulevardi. I shkretë. Avuj zifti që çohen përpjetë. Si në ferr. Mandej. Asgja. Shihet veç drita e kuqe e semaforit kryefortë që nuk të fton në askurrëkund. Pakepak pemët zhduken. Ndërtesat. Bulevardi e dritat thithen prej ziftit. Pothuej humnëzift çdogja. Drita e kuqe edhe ti përballë njeni-tjetrit si në nji duel të vjetër thikash. Asht çështje durimi. Dikur durimi ka me u sosë, o ti ke me kalue me dritë të kuqe o ka me u ndezë drita jeshile. Durim. Ndërkohë nuk ka rrugë tjetër veçse edhe ti edhe drita e kuqe me pritë në kët gjendje pa ushqime, pa ujë dhe pa energji, për shumë kohë, ndoshta gjithmonë. Ia vlen me durue. Kështu pa fund.

Drita e kuqe duket sikur nuk ka ndër mend me iu dorëzue jeshiles. Por as ti nuk e ke ndërmendë me kalue matanë kështu. Hiçi pothuej të rrethon, kajherë, edhe të fton i uritun për me kapërdi edhe qëndrimin tand të mbramë, të virtytshëm, të çuditshëm, stoik. Kajherë duket se drita e kuqe dorëzohet, apo janë sytë tuej që kërkojnë nji lejekalim, për matanë. Asiherë s'e ke kuptue pse don me kalue matanë, aq ma tepër simbas rregullave, aq ma tepër kur s'ka dëshmitarë. Por asht drita e kuqe që të ndalon, je ti që ndalon ia vedit, sigurisht janë edhe ftesat e herëmbashershme të hiçit që duke të ftue drejt asgjasë, që të bajnë me qëndrue. Tash asht tepër vonë edhe sikur me dashtë me e shkelë rregullin. Nuk ia vlen. Kushedi nuk ka me zgjatë edhe shumë. Qe, a e shef se si drita, për disa çaste të shkurta bahet jeshile? A thue? Apo asht hiçi që me dredhi mundohet me të krijue nji gjendje të rrejshme, tuj pa se ti nuk po jepesh!

Ndihesh i lodhun, qepallët puthen kadalë si dy dashnorë të përvuejtun dhe gjumi të kapit. Në mes të gjumit nji dritë e madhe jeshile vjen drejt tejet. Zgjohesh i truem dhe mbasi kthjellohesh se je i zgjuem, ven re se përreth nuk ka ma asgja. Vendi ku duhej të ishte drita e kuqe asht kapërdi prej hiçit, si birra prej policit. Po tash! Tashti lufta e durimit nuk ka ma kuptim, ke fitue luftën me dritën e cila ishte gjithmonë e kuqe. Tash nis lufta tjetër, lufta me çdo asgja përreth. Lufta me hiçin.

Mos

Ishte veç nji çast, gjithmonë asht vetëm nji çast ky e rrejshmja fiton përfundimisht përmbi ty. Mos iu jep atij çast. Edhe pse hiçi asht aty, mos u tut, edhe ti je aty. Kjo asht nji ndeshje. Kajherë fiton hiçi, kajherë ti. Mos iu dorëzo ndjesisë së prehjes, ndejes dhe qetësisë. Asht terr, por sytë mbaji të hapun. Tash asht çasti me mendue fort. Mendo se hiçi nuk asht hiç aty. Mohoje atë që nuk asht dhe nis me nëpërmendë të tana ngjyrat dhe sendet që ke në krye. Shihe hiçin si nji zagën pjellore ku mundesh me mbjellë çka të duesh ti, mendo sikur të jesh Kryetar Bashkie dhe nxirre qytetin prej hiçit. Mos kujto se ti je i pafuqishëm. Mos harro se edhe drita e kuqe u përpi përpara tejet nga asgjaja, megjithatë ty hiçi vetëm të lodhi pak. Kujto thirrjet për republikën, o qytetar i virtytshëm dhe qëndro! Mos i ligështo se asgjaja ka me u thye para tejet dhe ti ke dalë fitimtar edhe sikur në mes të hiçit me mbjellë veç nji mullagë.

Hiçi asht nji pamje e stërhollueme e mohimit të gjasë, kështu ti përdor nji mjet të stërholluem të mohimit të pamjes. Refuzo me e pa asgjanë dhe mbill kadalë, më hare ide të reja që i gëzohen njena-tjetrës. Gëzoju edhe ti. Mos shikjo, krijo mbi hiç. Hiçi edhe pse nuk asht nji themel i qëndrueshëm dhe nuk mundet me përpi gjithçka që i shkon në mend. Sidomos hiçi ndalet para tejet sepse nuk të sheh, sepse ti nuk e sheh. Mos u mundo me shpëtue çka asht përpie prej tij, edhe sikur, zifti ka ba punën e vet, bulevardi asht në mendjen tande i paprishun, shtroje dhe pemët ngulja anash.

Pakepak, kadalë-kadalë, gjithçka shkon në vend të vet, bulevardi tërhjek pemët, trotuari kalimtarët, kryqzimi policin e kështu pakefije gjaja mund asgjanë. A e shef se nëpërmjet mohimit, ke arritë me ia dalë mbanë? Qe, edhe drita e kuqe e semaforit duket matanë, e gëzueme, qytetarët tashmë presin dritën jeshile, megjithëse nuk ka as nji makinë që kalon në bulevard. Tash asht nji mundësi që gjana me u ba normale drita e kuqe iu dorëzue ma në fund jeshiles. Qytetarët kalojnë të kënaqun me vedi dhe me rregullin. Qyteti ka marrë pamje të qytetshme falë durimit tand. Mos e lejo ma hiçin që kadalë me kapërdi pakepak mbjelljen tande. Qe, nji grue e hijshme e veshun me të kuqe asht ndalë matanë dhe pret që ti me shkue, a nuk asht kjo nji arsye e mirë me kalue matanë?! Nisu e mos hezito, jepu kambëve, matanë jeta po të pret dhe ti shko, o qytetar i mbramë. Mbramja po bien mbi qytetin që ti ndërtove tuj ju vjedhë hiçit nëpërmjet mohimit.

Kurrë

Koha ban punën e vet. Dhe ti ndihesh prapë i lodhun. Gjanat përsëriten, në mënyrë të papërsëritshme. Duhet që herëmbasheret, me u kujtue se hiçi asht aty, i fshehun nën arsye që ndoshta kurrkush nuk i din. Kurrë nuk duhet me harrue se ndoshta durimi nuk ka me zgjatë aq shumë herën tjetër. Je i vetmuem. Si të tanë. Je vetëm krejt. Askush nuk don me ia ditë për ty. çfarë don me ba? Don me iu dorëzue hiçit! Ba me e pa hollë, nuk je gja tjetër veçse nji enë që mbushesh pakepak me kohë. Koha hyn në ty e për çdo ditë e mandej ti e kupton se ka me ardhë nji ditë që duhet me u shprazë. Koha që tu dha ka me u shpërnda nëpër enë të tjera që mbasi të mbushen edhe ato kanë me boshatisë nji ditë, e kështu me rradhë. Por koha asht gjithçka, nuk ka tjetër përveçse rrjedhime të sajat, me pamje të ndryshme.

Kurrë nuk ka ndodhë që koha më falë ndokend ndojherë, por kjo nuk duhet me u marrë si diçka personale. Kurrësesi.Kur koha punon mbi ty, edhe ti punon mbi të. Ndoshta ajo pjesë kohe që asht në ty asht ma shumë se pjesa që mbetet. Gëzoju se bota asht e bukur. Lene kohën me ba punën e vet. Ajo të ndihmoi me çue në kambë nji qytet. Prej hiçit. Ik prej kryqëzimit dhe nisu diku tjetër bashkë me gruen e veshun me të kuqe, ik larg prej qytetit. Vidhju krijesës tande dhe shijo këto çaste të vogla me nji hare të papame. Shtrati i butë me pupla pret me e shtri atë grue të pafjalë. A e shef sa të buzëqesh, shkrihet me humorin tand pa krypë? Ajo don veç me u qeshë. Merre në krahë dhe jepi çka ke. Kurrë ma parë s'ke qenë kaq i lumtun. Oh ç'mrekulli! Mos ban asgja. Shtriju e hapi krahët, mbylli sytë dhe lene atë grue me të diftue sekretet e saja.

Hiçi nuk asht kurrkund. Hiçi duhet të ketë kenë nji rrenë e madhe e prodhueme nga mendja jote e pafuqishme. Asgjaja nuk ka se si me kenë. Asgjaja e shumta nuk asht. Oh çfarë lumturiet të sjell nji grue e vetme. Ta largon hiçin dhe gjithçka nis nga e para. Kurrë nuk duhet rrefuzue nji grue, ajo ta mbush kohën me gjana të çuditshme, dhe ti mbetesh me gojë hapë si krap, tuj pa se si asht e mundun që nji grue, vetëm nji grue me mujtë me e ba e vetme kët mrekulli. A nuk asht e mrekullueshme, dhuratë e kujt asht kjo grue? Falenderoje, këdo qoftë që ta ka ba kët dhuratë të pakrahasueshme. Për ty. Pushim i plotë.

Por nuk zgjat edhe për shumë dhe sheh se si ke ra prapë nuk kurthin e hiçit. Nji kurth i kadalshëm të cilit nuk ke pasë asnji mundësi me iu vjedhë. Ah sa madhështor asht hiçi, për nji cast duket sikur ka fjetë, por njatëherë duhet me iu ruejtë ma shumë. Tashma banu gadi me u kapërdi prej tij. Grueja e veshun me të kuqe nuk ishte gja tjetër veçse drita e kuqe, e cila nuk kishte ndalë kurrë së ndaluemi ty me kalue matanë. E megjithatë ti i rrejtun prej hiçit kalove, i kënaqun me vedi por jo me rregullin. E tash e shef vedin të kapun për shtyllë të semaforit, tuj u zhytë kadalë, tuj u kaperdi prej ziftit të nxehtë. Kurrë nuk e kishe mendue se loja paskish qenë kaq e ngatërrueme, kaq e mbrapshtë. Sa keq. Nuk të vjen keq se po zhytesh, porse që re në kurth, biles kaq bukur, pakepak.

Njitu ke edhe nji mundësi me i shputue hiçit dhe me e mujtë atë asgja të fëlliqun. Flutro. Shpike nji mundësi flutrimi dhe kurë mos iu jep asgjasë. Kurrë!



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •