Nga libri poetik ''KLITHJE NGA FUNDI I FERRIT''
| Sunday, 05.11.2008, 05:21 PM |  

Nga libri poetik:

''KLITHJE NGA FUNDI I FERRIT''

Onufri,
Tiranë 1997

dhe, botim i dytë,

Jeta e Re,
Prishtinë 2000.


KËNGA IME

Kënga ime - jeta ime e shastisur
t`u përgjakën gishtërinjtë e të ranë dhjetë lëkura
së renduri pas diellit me një strajcë ëndërrash
me një strajcë dhembjesh, dëshirash që pëlcasin
pa britmë e pa vaje, por që s`pushojnë së renduri
pas pulëbardhave në fluturim horizonteve të ngrysura...
Zgjaten shtigjet tua, zgjaten e kurr nuk sosen
gjithnjë e më pak jam unë- çdo gjë ta kam falur
bonjakja ime- këngë, bimë e etshme gjaku;
s`di ç`të bëj me dhembjen që të çel në çdo rremb
s`di ç`të bëj me pikëllimin tënd pipave të tharë
s`di ç`të bëj me lulet e vyshkura- jeta ime e vrarë
kur dridhen sahatkullat ndër shtërgata motesh,
pa plang e pa shtëpi jemi, ne, endacakë të përjetshëm
ikim nga harrimi, mashtrimet, dhuna, nga vdekja...
por askund fundi i kësaj odiseade, askund Itaka
me buzëqeshje të na shkrijë akujt ankthit e të mallit-
duart t`i ngrohim pranë vatrës- kurrë të braktisur,
të na përtërihet durimi, ty- zëri i shterur
nga fundi i ferrit duke klithur, lëndinës së shtrigave...
T`i mbledhim, moj, cuklat e dashurisë e kujtesën e grisur
edhe me gjysmë mushkërie mund të ecim kah e nesërmja
tash e dimë përmendësh pse u nemën bjeshkët
dhe mësuam të zbresim në det, të ngjitemi kah dielli
udhën e shkronjave e mësuam, shtigjet e fjalës
fanarët e shpirtit t`i ndezim tej- përtej oqeanit
qiell e dhé je për mua- prush e hi jam për ty
djep i ëndërrave të mia- rrita ime je ti,
ndaj të pëshpëris çdo natë dhe të shtrëngoj si fëmijë
jeta ime e shastisur, vdekja ime- poezi!...


PËRPËLITJE*

Ç`dhembje më e thellë
oj Nënë,
se dhembja e asaj që s`mund
   ta them?!...


*I thirrur për të marrë pjesë në një orë letrare, të organizuar nga Klubi Letrar "Jeronim De Rada" i Fakultetit Filozofik, autori udhëtoi nga Zvicra në Prishtinë. Por, pasi pa se veglat qorre të UDB-së e kishin futur masën në darë të fuqishme dhe çdo pakujdesi mund t`i kushtonte shtrenjtë edhe autorit edhe organizatorëve, dhe duke mos u pajtuar fare me gjendjen e Kosovës dhe të popullit shqiptar në dhunën serbomadhe, poeti i thuri aty për aty këto vargje duke i lexuar tri herë radhazi, me shpjegimin paraprak, se kësaj radhe është i detyruar t`i lexojë disa herë vjershat e tij.

Ndër të tjera ai tha: „Dashamirë të fjalës së shkruar! Të gjithë sa jemi këtu, vargjet më të bukura i kemi të skalitura në zemër dhe nuk na duhet fletë për to. Vargjet që do t’ua lexoj sonte nuk janë të shkruara në letër. Ato më duhet t’i përsërisë disa herë, në mënyrë që t’i kuptojmë e t’i përjetojmë në tërësinë e tyre!“ Poezia u kuptua si një thirrje për „Kosovën-Republikë“, „Sofra e jonë“, pas saj, nënkuptonte mungesën e lirisë, ndërsa „Kuajt e hazdisur“ simbolizonte gjendjen e pazakonshme që po vinte. Ajo e mori shpërblimin më të mirë të jurisë: portretin e bukur të Jeronim de Radës.

Të nesërmen, revista "Zëri i Rinisë", me autor Halil Matoshin, shkroi një shënim në të cilin theksohej se me prezencën e disave nga diaspora, mbrëmja letrare, përpak sa s`u shndërrua në manifestim të hapur të nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar".


UNË DHE SIZIFI

Unë dhe Sizifi
nga dy skajet e kohës
shekujt i masim
e pesha e dhembjes
si dënim i përjetshëm
na rëndon.

Më duket se ai
ka më shumë fat
meqë zbret në fund
të përsërisë lojën-
sa herë i rrokulliset guri

derisa unë-
këngëtar' i shkretë,
marr e jap një jetë të tërë
dhe s'lëviz nga vendi
gurin e dhembjes!...   


LUGETËRIT
E FJALËS

Sa herë flas
më thonë të hesht

sa herë hesht
nën dhunën e tyre
më yshtin të flas

vetëm po të lëviz
nofullat nga dëshprimi
ngërdhuzen tmerrshëm

matem t`i pështyj
më gërvishtin në fytyrë
dhe fshihen

përpiqem t`i harroj
kur dalin papritmas
plot egërsi...

O të mallkuar,
a do të kishte kuptim
ferri pa ju!


ORAKUJT
E RREJSHËM

Ei,
edhe poetët ditkan të bëjnë lajka,
të përhapin mashtrime,
të mbështesin Çezarin
e të lavdërojnë tiranët-
në emër të luftës për Liri!

Edhe poetët ditkan të jenë
si të gjithë të tjerët,
të yshten me të holla,
me shpërblime ndërkombëtare,
e të bëhen zëdhënës
të një të çmenduri tiran
maje Froni,

t`i mbulojnë tragjeditë
me perdet magjike të fjalës,
t`i kurdisin dramat e dhimbshme
të shekujve-
kur blihen!!...

O burrani,
mos u besoni kurrë
orakujve të rrejshëm-
krijuesve oborrtarë!


SYTË E ARGUSIT

Sytë e tu, Argus
i ka fryrë dhembja-
freskinë ua kanë tharë
marrëzitë e kohës.

S’ishte e lehtë të shije botën
duke ndërruar ngjyrë
dhjetë herë në ditë
si kameleoni,

s’ishte lehtë të shihje
demonë të nderuar si hyjni
dhe hyjnitë që grisnin munshkëritë
për të dëshmuar
shejtërinë,

s’ishte e lehtë
të përpije gjithë këtë pleh
që shitet për ar
midis bebëzave

e të masje
dioptrinë e hirësisë
çthjurjen e shekullit
pa guxuar të nxjerrësh
të vërtetën-

Argus,
sytë e tu i vrau shëmtia
në një kohë të pa kohë!


TRAJEKTORJA E FATIT

U linda në malësi
e u treta në mërgim

duke djegur veten
me vargje nëpër buzë
e kokën e lënë
peng për të nesërmen.

Për besë,
kudo shpërndava
dhembjen time të zjarrtë
e mbolla ëndërrat-
thirrjet për Lirinë!

Sa keq,
vështirë po na lëshon
kllapimi e vdekjes-

ndaj na ndjekin
këmba pas këmbë të Ligat!


SOFRA JONË

Sa bukur jemi mbledhur
rreth zjarrit të fjalës
në këtë natë,


zhishkë pas zhishke
këngë pas kënge
lidhni të gjitha hallkat e dashurisë

se plafin e errësirës
si dora perden
Rrezja
ka për të mbledhur-

sapo të fekset në zemra
Agu i Përjetshëm!

Prishtinë, 1986


MBIJETESA E VARGJEVE

Më të bukurat
humbën nëpër ndjekje-
bukurinë ua vodhën lubitë!

Më të zjarrtat
s’munda t’i mbaj-
zjarri i tyre përvëllonte kohërat!

Më të shtrenjat
si t’i nxjerr nuk pata-
bota qe mbushur plot kusarë!

Megjithate,
me ngjyrën e shpirtit
nëpër fletë gjurmët i lashë-

që të mos na shuhet Emri!...


GJURMËT E FJALËS

1. (Kontrolli)

Duke dëgjuar çka flas
duke dëgjuar çka flasin-

përditë shikohem në pasqyrë.


1. (Pasqyra)

Po të mos ishe ti-poezi,
çdo gjë do të shkëlqente

nga paturpësia!

2. (Kontrolli)

Përpëlitem,
copëtohem për njeriun

e njeri dorën s’ma zgjat!

3. (Ngushëllimi)

I vetmi ngushëllim
për zgalemin është

karvani që i shkon pas!


NË ORËN 22 TË NATËS

Në orën 22 të natës
bishat e shetisin njeriun nëpër rrugë,
e nxjerrin nga banesa
për të shkundur dhjamin e foteleve
dhe morrat e një qytetërimi të zvetnuar.

Në orën 22 të natës
vetëm unë i bie prapa qytetit
me laps në dorë-
asnjeri nuk ma kthen përshëndetjen
pos qenëve që ngërdhuzën
drejt meje!...

Në orën 22 të natës
koha e zbulon fytyrën e fshehur të ditës,
unë i vetmi lëviz midis qenve
dhe mas njerëzoren e lidhur për litar.

Ec pak më shpejtë biro, se ra mesnata
dhe s’mbetet kohë për ëndërrën tënde
-më flasin shkurt
shtyllat e dritës,

derisa mendohem
si mund të gdhijë
shekulli i ri?!...


SHQETËSIMET E NJË QYTETARI
TË RENDIT TË TRETË

Hyj në tramvajë dhe dua të ulem
kur padashas ia shkel bishtin një qeni.

Futem në zyren e banesave
të zgjedh (ndoshta) hallet e mëdha të banimit,
dhe shkel padashas bishtin e një qeni.

Futem në një varr modern, 3 me 2 metra,
përpiqem të marr frymë dy herë lirisht
fillikat me vetveten,
por, padashas ia shkel bishtin një qeni.

Dal me të dridhurat e një shpirti të trembur
dhe vrullshëm futem në restorantin e lagjes
sa për të qetësuar mendjen nga të lehurat-
kur prap një qeni bishtin ia shkel...

Oh, botë e qenosur,
si të shpëtoj nga të lehurat e tua?!

Zürich, gusht 1991


PËRTEJ AKERONTIT

E tërë jeta ime dënimit i ngjanë-
pranë syve kalon gëzimi dhe s`e mbërrij,
pranë gojës kalon jeta dhe s`e shijoj,
përpara shëtit e vërteta dhe s`më njeh,
anash gjallëron bota dhe s`më sheh,
prapa kurrizit bie fati, dhe s`më merr...

E tërë jeta ime një tmerri i ngjanë,
edhe pse kështu nuk vendosën hyjnitë
se vetë më dhanë ata brumin e zemrës,
demonët më vodhën një ditë pabesisht
e më shpien të lidhur përtej Akerontit...

Më lanë përherë në një vorbull deti-
as i mbytur isha, as i shpëtuar;
më lanë të vetmuar në një maje mali-
plot thirrje kisha, por i padëgjuar;
më mbyllën thellë në një shpellë guri-
pranë e kam zjarrin e dridhem vazhdimisht

i syrgjynuar së gjalli, ja kështu, në ferr-
shpirtin plot dritë e përrreth vetëm terr!


ASGJË NUK ËSHTË
JASHTË RREGULLAVE

Gjithçka që më ngjet, më ngjet se nuk njoh djallëzi
derisa djallëzia ka përlarë të dukshmen e të padukshmen;

gjithçka që më ngjet, më ngjet kur veproj ndershëm
sepse pandershmëria ka pushtuar hapësiarat e ditës
nëpër të cilat sot nuk kalohet me trëndafil në dorë;

gjithçka që më ngjet, më ngjet duke mbrojtur të vërtetën
pasi e pavërteta është bërë një dinosaur mishëngrënës
dhe rrezikon njeriun- të jesh a të mos jesh është çështja;

gjithçka që më ngjet, më ngjet me paramendim
dhe është pjesë e një strukture të zhytur në ligës...

pra, asgjë nuk është jashtë rregullave të lojës, or bir,
as edhe përmbytja që duhet të vie një ditë, patjetër!


QYTETI I VJETËRUAR

Kryq e tërthor i rashë qytetit
me ethet e halleve të mia-
kryq e tërthor të gjitha mendimeve
për të mos dalur mendsh.

Nga të gjitha rrugët
shtëpitë e plakura hijerëndë vështrojnë,
çatitë e zgjatura sa s’më pështyjnë-

ndër blloqe ka shterruar
damari i fundit i mirëkuptimit,
e asnjë pikë uji s’pikon
nga zemra e gurëve...

Kot e bjerrkemi rininë këtu
për tre franga në ditë,
dy sharje dhe biletën për të ikur
prapa diellit!...

Altstätten, dhjetor 1992


DRITARJA E NJË REFUGJATI

Parmaku prej dërrase
është nxirë nga fjalët e pa thëna-
rrezet i ka ndryshkur shkrumi i zemrës,

qëkrur midis tyre koha është ngrysur
sytë e xhamit më dritën s’e panë!

Me pështymën e nxirë në skaj të dritares
merimangat i kanë tjerrur ditët-

kornizat i brejnë krimbat pa pushim
deri sa ëndërrat zverdhen
mbi një gozhdë të ndyshkur në mur...

Kur ndonjëherë
thekshëm fërshëllejnë fërfëllazat
trarët e shtëpisë zënë të kërcasin

sikur thonë: „lene të qetë njeriun“-
me gjuhën e urtë të plakut.

Por, nëpër të çarat e dërrasave
vetëm thashëthemet rrjedhin
bashkë me përshpëritjet e përbuzjes së fqinjëve,

ato më të rrezikshmet
presin të hapet parmaku
që si koktejl shpërthyes të hidhen brenda!...

Wittenbach, mars 1993


MONODRAMË VETMIE

Shikoj pandarë sipërfaqen e shtrirë
deri atje- të malet e maleve-

nën mjegullën e hirtë të një dite vjeshtake
një botë e tërë zhgënjimesh trandet.

Nga bregu tjetër lodhshëm nisen zogjtë
mbi llamburitjet e vazhdueshme të liqenit,
sikur bartin me vete frymën time-

bregu i shpesës fare nuk shihet,
është vjeshtë, është fund, është dhembje...

Oh, ç’vekje e rëndë shtrihet mbi sipërfaqe
e tërë mosha në ngjyra vjeshte derdhet,

vetëm nëpër shigjetat e frymës sime
dhe ajri sikur pëlcet ashtu në heshtje
velin e trishtimit duke ua hedhur valëve!

Rorchach, tetor 1993


PAMJA NËPËR TË CILËN KALOJ

Deri sa u kaloj pranë
blloqeve të betonit-
peshën e tyre ma hedhin kalistrok
vetëm sa për t’më vënë në lojë.

Vitrinat e dyqaneve
më pështyjnë e më shajnë
për këpucët e shqyera
dhe rrobat që përditë i vesh.

Kalldrëmi lëviz
e përpiqet t’më rrëzojë
për të mos i ecur mbi kurriz
me gjithë shqetësimet e kësaj dite..

I huaj dhe i humbur
midis pëshpëritjes së rrugëve
që s’më përshëndetisin fare
dhe kokën e kthejnë mënjanë
për t‘mos më parë-

ja, kjo është pamja e përditshme
nëpër të cilën kaloj!


MONOLOGU I HEKTORIT
PARA SE TË VDISTE

1.

Kur e prunë
Kalin e drunjtë

mos i hapni dyert
i shqetësuar thashë
se në te fshihet
shkatërrimi ynë.

Të verbërit u ngritën
ik nga Troja, më thanë.

Mos u bë shkaktar
që sërish të derdhet
gjak mbi bedena,

derisa e shenjta paqe
në derë po troket!

2.

Dola vetëm
për të vrarë Akilin

midis atyre bishave
që ulurinin tmerrshën
pranë themeleve
të lirisë

dhe e pashë
në minutat e fundit
si po i digjte mashtrimi
kullat e Trojës!

3.

O Zot,
as plagët e mia
as zvarritja nëpër gurë
s’më kanë turpëruar
më shumë

se mallkimi
që nëpër duart tona
po futej n’kështjellë!
 

IKJA E KRISHTIT

U ngrit përsëri
lakuriq nga varri
ku të llangosur e shtrinë
pas kryqëzimit.

Nuk e panë
të ikte nëpër natë
nga „toka e shejtë“
për në Kashmir!

S’mund të qëndronte
mes atyre që kryqin
gozhdat e dhunën
për të shenjta i mbanin
nëpër duar,

andaj iku
dhe i la të kërkonin
dymijë vjet
shpëtimtarin!


PËRTEJ BRIGJEVE TË DHEMBJES

Ordi trishtimesh
janë ngjeshur mbi Adriatik,
vetëm sa s`kanë shtrydhur retë e dhembjes,

era thekshëm kaliron hapësirës së trazuar
e dimri shndërrohet në një suferinë të gjallë.

Dëborë nuk ka,
se dëbora nuk zë mbi valë,
pikëllimi ka ngrirë në shkallën tridhjetë nën zero

e s`kam fuqi të zgjoj ëndërrat e pritura të lirisë
s`kam fuqi t’i jap zë vargut që ka ngelur nëpër buzë-
se kënga më tretet në hapësirën e ngrysur të një dite!...

Ordi trishtimesh
janë ngjeshur sërish mbi Adriatik,
askund s‘e takoj Odiseun, as nuk ëndërroj Penelopën,

prej skajit në skaj përpëlitem papa Itakës sime
derisa përpiqem të marr me mend një Liburnë ilire
mbi dhembjen e pafjalë Poseidoni dallgët m‘i ndërsen!

Shtërgata të fuqishme ndjenjash m`i grisin velat e shpirtit,
kam frikë mos Ilirisë së përmbytur m’i zhduken gjurmët
duke i rënë detit anë e përtej me diellin e mërguar
dhe Itakën e lënë në pikëllim-

atje, përtej brigjeve të dhembjes që nuk duken!...

Adriatik, dhjetor 1995


FËMIJA I LINDUR
PAS EMIGRIMIT

Të atin e njeh
vetëm nga fotografia
varur në mur

që s’i përgjigjet
as kur i përlotur
i qëndron përballë.

Kaq i njomë
ka mësuar të mendohet,
ta shohë botën në sy
e vëllain e madh
të cfilitur...

Sidoçoftë,
i ka mbushur ca vjetë
por s’i kujt duhet
t’i përngjasë-

pasi dikush ia shanë
dikush ia lavdëron
babanë e rrejshëm

varur në mur!...


ORDITË E SATANAIT

Sikur s’do të mjaftonte vetëm një dhembje
qiellit të vendlindjes shpërthejnë rrufetë,
pandarë godasin portën e zemrës sime!

Sikur s’do të mjaftonte vetëm një dhembje
kurrizit të vendlindjes kalërojnë lubitë-
shtatë lëkura ia zveshin ditës,
ia krisin unazat për ta ndrydhur palcën
e nervit që mbanë gjallë emrin shqiptar!


Sikur s’do të mjaftonte vetëm një dhembje
orditë e Satanait i bien Kosovës
të gjithë përnjëherë, si t’i binin lodrës,
befasohen që u mbetet gjallë
     midis duarve të përgjakura!...

Sikur s’do të mjaftonte vetëm një dhembje
çdo çast vjen nga një klidhmë e nëndheshme-

sa toka më dridhet nën këmbë nga trishtimi!


DY VARGJE
PËR LUGËN TIME

Me ty u lëpi
qeni i shekujve,
gjithmonë në racionin tim.

Shpesh iu dridhe në duar
megjithate, ai të lëpiu
si sot, si gjithnjë-
gajë nuk pate të qaheshe ti!...

Unë,
gabimisht u ula
në një tryezë me te!


RADIO PRISHTINA

Skutë më skutë kërkoj valët e tua
në asnjë kanal zërin s’ta dëgjoj

në më të thellin pus të fjalëve
t’u mbyt zëri vallë, durimi jo- kënga, dashuria!...

Klith një herë të paktën
vetëtima e klithjes ta qajë natën
deri në zemër të Evropës-

s’kapërdihet dot ky lëmsh rropullish mbi ty
pika sa nuk më bie për një këngë me çifteli,

athua forcë s’ke më
athua, s’ke zë?!...


PAFATËSIA

A T D H E,
ti djepi i të gjitha dhembjeve
ti- gasi dhe helmi im

e vetmja, e vetmja, e vetmja dashuri!

Në ty-pa fëmijëri
në botë-pa qetësi,
u çmenda larg teje pa hapësirë, pa liri-

dhe mijëra fjalë
mijëra mendime
të pashprehura më shuken në gji!...


PA TY

Pa ty, Kosovë
i ngjaj asgjësë që zvarritet
e s’arrin përtej hiqit!

Pa ty, fjala ime s’ka peshë
e sillet vetëm rreth humnerës!

As vaji, as kënga s’kanë zë
dhe s’dëgjohen përtej honit
që më rrethon si gojë ferri!

Pa ty, jeta dhe vdekja
e kanë të njëjtën ngjyrë-
vetëm dheu i yt më jep forcë
që ta mund të keqen!

Ndizni magmat e zjarrta
të zemrës sate, pra,

më ndihmo të shpërthej
mjegullën që na ndan!


VDEKJA
QË SE PRANOJ

Asnjë vdekje nuk e pranoj
asnjë vdekje që nuk është rënie
pranë altarit të fjalës,
pranë altarit të lirisë-

as vdekjen mbi lule,
as vdekjen mbi mëndafsh!...

Më e liga vdekje
kjo vdekje e përditshme,
as i gjallë as i vdekur tërësisht,

midis kërmës që të kafshon
dhe fjalës që të vdes nëpër buzë!...


KLITHJA IME

Klithja ime
është më tepër se dhembje
por kuje nuk është-

nuk e lënë të nënshtrohet
zemra e gjërë e Dukagjinit,
as maja e larë e Shkëlzenit të Gashit
mbi të cilin prekë
më së pari Dielli !

Klithja ime- vetëtimë që lëshohet
sa qel e mbyll sytë
mbi kokë të shtrigave,

gjëmim shungullues
i drangojve të malësisë
nëpër njëmbëdhjetë rrathët e ferrit!

Klithja ime
nuk është belbëzim frikacak
i atyre që dridhen nga hieja e vet-

është thirrje që zgjon
edhe ata që ranë
me fjalën liri nëpër buzë,

është kushtrim
për kush është trim
e ngrihet pip në këmbë

me peshën e gjakut të patretur !


ODE ZGJIMI

-Një popull që fle, vdes!

   Ismail Qemali


Mbi krahërorin tënd Arbëri
Babiloni i dhunës muret i ka shtrirë,
në pesë pjesë zemrën ta ka ndarë!

Në njëren, vdekja tmerrshëm kaliron
palcën e jetës duke shkelur pa mëshirë,

në tjetrën, dhembja fuqishëm të mbërthen
sa herë e mbledh trupin e shkallmuar
dhe zemrës ndër fjalë i jep shpresë!...

Dhembjet tua, moj, edhe gurin e çanë,
bjeshkët i plasi durimi i tepruar-

mblidhe si Anteu fuqinë e shpirtit,
me gjakun e përtërirë munde agoninë-
toka e qielli do ta përfillin fjalën tënde,

sepse për hirë të lirisë pishat rriten në lartësi
dhe zogjtë fluturojnë- lumejtë degdisen kah deti,

nën dëborë kur gjëmojnë bjeshkët
nga zemra e gurëve po këtë fjalë e nxjerrin,
fëmija kur qan, qan sepse mungon ajo,

kohës i dalin thinjat pa dorën e saj
dhe jeta i mbyll kornizat e fatit
nëse në altarin e Lirisë nuk bien dëshmorë!...


LUTJET E MESIAS
MBI KALANË E SHKODRËS

O zot, fale këtë popull
nga mëkatet që bën vazhdimisht
mbi vetvetn,

por mos ia premto tokën e shenjtë
se tokë të shenjtë e ka Shqipërinë!

Dashuri fali për dheun e vet,
dashuri për gjakun
që po i shpishet,

shpëtoje nga coptimi
orakujt e rrejshëm
dhe përmbytja...

se tempullin e parë e ndërtoi për ty,
tempullin e parë për Liri!


SHPJEGIMI I TË KEQES

Vetëm një ngjyrë e keqja nuk e ka-
vetëm një formë dhembja që zgjon ajo,

Si kameleonit i ndërrohen ngjurat,
si reve të mjegullës- forma!

Dhe emra ka sa të duash dhuna-
emra që ta thajnë fjalën në gojë,

dhe duar që të godasin pa mëshirë
por nënshtrimin kurrë nuk e mbërrijnë ato!...
 

DIALEKTIKË

Sa më fuqishëm godet
dhuna, krimi, tradhëtia
aq më zëshëm jehon kushtrimi-

aq më e shenjtë,
me e nevojshme bëhet Liria!


SI MUND TË HYHET
NË SHEKULLIN E RI

Nuk hyhet
me gjuhën e Don Kishotit
as me Rrosinantin e Sanços

nuk hyhet
as me Kalin Trojan
dhe hingëllimen e tij të kobshme.

Shekulli i ri
nuk është arenë ku vriten gladiatorët
për të kënaqur Satananë !...

Nëpër trajektoren e tij
hyhet me zemrën e qelibartë
dhe Diellin e zbritur
në shuplakë të dorës,

hyhet vertikalisht
me guximin qytetar
për të mbrojtur të vërtetën !



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •