Nga libri poetik “PASQYRË E PËRGJAKUR”
| Sunday, 05.11.2008, 05:31 PM |  

Nga libri poetik

“PASQYRË E PËRGJAKUR”

Marin Barleti,
Tirane, 1994.


(Një nga njëmijë letrat
e një kurbetçari
dërguar Atdheut)

Na shterrën ëndërrat,
               durimi dhe pritja,
ty lëngu i kthjellët të trashet në sofër

misërnikja ftohet
mungojnë qepët e kripa
dhe leckat e vrragët e gjakut shtohen...

Sa më ka marrë malli
as të fle nuk mundem
po ashtu të shtypur, të llangosur në lot
ashtu nuk bëj ballë, ashtu s`të shoh dot

ndaj rri dhe tretem, digjem përsëri
vij apo nuk vij-
të kam e më ke në gji !...


RIKTHIM NË FILLIMIN
E NJË DRAME

Në horizontet e shpirtit tim
Kosova digjet për një fitil drite,
koha kthehet në fillin e një drame.

Si mund ta quaj rikthimin në ty Tiçino,
rrugëve të tua lash rininë e djegur
për një këngë,
kam mbledhur trotuareve të tua
duçat e cigareve,
kam ngrënë mollë të verdha
për të mbajtur frymën, për të kënduar përsëri,
e i kam lexuar të gjitha mendimet
që jeta shtroi në tryezën e ditëve...
po, s`kemi kohë të merremi me veten-
brezat duhet të ngjallen në Këngë,
koha të kthehet në fundin e një drame,

se në horizontet e shekujve përsëri
Kosova digjet për një Fitil Drite !


HALLI I POETIT
NË NJË MESJETË TË VONUAR

Kur dua të shkruaj
dikush më çirret pranë,
kur dua të shkruaj anash më përqeshin,

kur dua të shkruaj
për të ardhmen tënde Kosovë,
një qen leh në mua,
më ndjek e s`më ndahet,

kur dua të shkruaj
më flasin rëndë që të më thyejnë,
m`i lidhin duart, këmbët,
më detyrojnë të mos ulem
që mos të prekë Fjala mbi Letër !

Kur dua të shkruaj,
ulurinë nata çmendurisht...

E po ku mund të hesht
me kaq llavë fjalësh në zemër !?


REQUIEM
PËR TË DREJTËN E FJALËS

Vija me mall për të folur
duke synuar
drejtpeshimin e dashurisë

flisja nga zemra e plasur për drejtësi
që të pakësohej trishtimi i vegjëlisë,

po idetë mi ndrydhnin sapo filloja
e s`linin t`më lulëzonte fjala-
petalet ia shkundnin, fletët ia prisnin
me mëri...

Dreq o punë,
ç`kurora mund të thuren
me kaq therra ndër lule !


DETI  I FJALËVE

Gjithë jeta më rodhi
rrugëve të mendimit për të nesërmen,
duke bluar fjalët
duke bluar ëndërrat,

dikush gatuan brumërat e ditëve
dikush do t`i pjekë-
e nesërmja duhet të piqet si buka !

Buka e fjalëve deshi një det prej lotësh-
Fjalët e Burrave Det u bënë...

Tash nuk ka çka flitet
duhet thyer, përmbysur,
hedhur nga kurrizi i valëve-

barrën e një jete që s`durohet !


DUKE PRITUR DALJEN
E LIBRIT TË DYTË NË PRISHTINË

Vinin e shkonin stinët dhe vitet
ndërroheshin kohërat, cenzuarat, qeveritë,
edhe rrobet e lisave ndërroheshin
edhe mosha e poezisë,
u rritën e u zbrazën ujërat
ulluqet dualën nga shtrati me kutërbim
dikush bile folka për ditën e re,
për demokracinë...
po ti sërish u mbylle, o fjalë e sinqertë
në kthinat e shtypit për t`u grisur nga minjtë,

sikur pret të zgjohet vetë Dodona një ditë
Dodona e heshtur,
e rrënuar nga smirëzinjtë !...*)

*) Shtatë vite me radhë qëndroj në procedurë botimi përmbledhja e dytë
e autorit, "Kur zgjohet Dodona", e cila, mezi pa dritën e botimit.
Edhe pas botimit, administrata e dhunshme serbomadhe u përpoq për
ta mbyllur në Depo. Në botim u përfshinë kryesisht poezitë e verzionit të
fundit (1989), duke lënë anash vargje të tëra të dorëzuara në verzionin
e vitit 1986. Persona të ndryshëm të cilët ishin në kontakt me dorëshkri-
min shfrytëzuan konstrukte të ndryshme figurative.


EKUACION
ME DY TË PANJOHURA
DHE KATËR VARGJE

Ç`personalitete të mëdha
ç`atdhetarë qenkan vallë ky soj
që çirren për mendimin e lirë
e hapësirat m`i vjedhin nëpër duar ?!...


PIRAMIDA

Mbi dhe
themelet e përgjakura,
kockat e thyera të njeriut

lart i madhërishmi
me shikimet e gastarta
gazin despotik
drejtpeshimin dhe peshën prej piramide.

Hiq një palë rrobe
vish një palë të tjera
nga tempulli i shekujve
ai botën shtron nën zgjedhë...

Themelet do të dridhën
do të dridhen përsëri nga urrejtja !


DREKA IME
FAMOZE

Marr një copë buke e një bratwurst *)-
dreka ime famoze para Sant Antoninos:

një kafshore e një mendim,
një kafshore e një dhembje më shumë,
një dhembje e një det hapsire...!

Marr një copë buke e një bratwurst breg rrugës
rruga zgjatet gjer në Kosovë-
udhëtim i tmerrshëm kafshoresh

gjer te fëmijët e mi,
e unë kam dy milionë fëmijë
dy milionë thika në mushkëri,

ndaj bëhem vetë fëmijë para syve të botës
nga qepallat më rigon shi...

as ta përtyp as ta vjell dhembjen e pafund !!

* ushqim i lirë dore.


DIFERENCIMI
I TË DIFERENCUARVE
NË KUPTIM PRAKTIK

E privuan nga e drejta për të folur
sepse ishte shqiptar,
e privuan nga e drejta për të punuar
sepse ishte shqiptar,
e privuan nga e drejta për të dalur në rrugë
sepse ishte shqiptar,
e privuan edhe nga e drejta
për të menduar me kokën e vet
për të materializuar ekzistencën, frymimin e vet
sepse ishte shqiptar,
prandaj, prandaj
e privuan edhe nga e drejta për të qenë
me duar të zgjidhura
sepse ishte shqiptar...

o burra,
e çka mbeti tjetër pos për të vdekur për Liri !


PORTRET I DEMAGOGUT
NË KOHËN E TASHME

E ka qethur gjuhën nga hithrat
                      nga drizat
që dje i drizonin në çdo fjalë,
pardesynë prej poltroni e ka zhveshur,
kurrizit i ka vënë shtyllë platine
importuar me kredi nga Washingtoni,
pështyn idhshëm gjith ç`ka ngrënë
me larot e tjerë
              në maje të Babilonit,
e sytë i mban të qeshur përherë
të mos i vizëllijnë pa dashur
gjarpërinjt e mendimit që helmon,
ndaj qetas dhe durueshëm fik
qirinjt e ndezur të fjalëve
aty ku mundet-

ende ka frikë se mos ndriqohet prapaskena
dhe duket dora e huaj  në xhepat e kohës sonë !


MJER AI QË VDES
PA LIRINË TËNDE

Asnjë varg pa shkelur dheun tënd
nuk lind i bukur,
asnjë metaforë pa ujin e gurrave tua,
asnjë flutur vargjesh
pa lulet e egra të luadheve,
pa erën e lule-çajit rogave të malit,

heu larg teje Kosovë,
zemra digjet si eshka mbi gur,
mjer ai që i largohet hijes së lisave tu,
që s`e ndien erën e barit tënd,
që s`di për buzëqeshjet e rralla
të hënës mbi mal,
e që s`e mat dheun
me trupin, me këmbën, me gjakun e vet-

mjer ai që vdes pa lirinë tënde !


GOZHUFI I TURPIT

E kemi veshur
kur muarëm valigjet në duar
e tjetër shteg s`na mbet
pos botës në sy,

kur dola te pragu e mallkova veten
kurrë s`na u kënaq zemra-
kurr s`u qetësuam jashta tij

se jashta pragut as Zoti s`të njeh
jashta pragut-jashta nderit,...

o Gurë të Dheut,
shtërngoni zemrat e mos luani vendit !


LIRIKË
NGA BURGU IM

As vajzë as grua s`të hy brenda
as lule s`të sjellin, as stoli
as kohë të ëndërroj
as vend të shtrihem në ty-

dhoma ime Goliotok a Siberi !

Njëherë në muaj
guxoj të fshij dyshemenë
një herë në vit pluhurin
e dhembjen, dëshprimin asnjëherë
ndonëse në zemër të botës
je ti-

dhoma ime Goliotok a Siberi !

(Zürich, 1990)


LOJA E FUNDIT
ARTISTIKE

Buzë liqerit
Një tufë fëmijë
e një tufë pëllumbash
përplasin flatrat e bardha .

Barkat e mendimeve të mia
nisen sërish mbi liqe
me ëndërrën e hapësirave të lira.

Sakaq
zemra më bëhet pëllumb
e do të shpërthejë kafazin -

s`i mban dot më
këngë e vaj përbrenda !...

(Zürich, 1992)



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  •  
  •