"Atdheu më ka lënduar"
| Tuesday, 05.13.2008, 07:04 PM |  

"Atdheu më ka lënduar"

Intervistë me Ramiz Kelmendin, një nga personazhet më të njohura të publicistikës dhe letërsisë kosovare

Kosovën mund ta shohësh në fytyrën e mbuluar nga ca rrudha të lehta të Ramiz Kelmendit. Gjithçka çfarë është orvatur në vendin më të përfolur të Ballkanit që nga vitet ‘50 (atëherë ai ishte 20 vjeç) e deri tashmë kur ky vend po jeton muajt e parë të pavarësisë mund ta shohësh në çdo lëvizje mimike, apo duarsh të njeriut që ka luftuar me fjalë për ta mbrojtur atë. Gati një shekull jetë (më 20 dhjetor Kelmendi mbush 78 vjeç) i ngjan një libri të dyzuar mes letërsisë dhe historisë. Një shkrimtar që ka jetuar në një vend të sunduar, që fëmijë është ushqyer me legjenda e mite heronjsh që një ditë do të vinin e do ta shfarosnin "shkjaun" nuk ka si ta ketë letërsinë një rrugëtim për të shpjeguar vetëm njeriun. Njeriu i letërsisë së Kelmendit dhe gjithë brezit që ai i përket është njeri që ndonjëherë ndjenjat për dashurinë apo lirinë, duhet t‘i linte mënjanë për të treguar rëndësinë për të qenë një komb i lirë, për të treguar se patriotizmi nuk është ende një koncept i vjetër… Ai ka jetuar në kohën kur fjalët ishin të ngjashme me armët dhe duhet t‘i përdorje për të mbrojtur Atdheun, atë që Kelmendi e deshi gjithnjë, atë që si të gjithë dashuritë na lëndon një ditë…

Vetëm një vit më parë, më 7 prill të 2007-ës, ky personazh i njohur i jetës intelektuale kosovare do të trondiste të gjithë atë që duan letërsinë e tij me një letër publike me titull "Ramiz Kelmendi heq dorë nga vendlindja".

I ndier jo i vlerësuar nga qyteti i tij i lindjes, Peja, ai argumentonte në letër se duke marrë spunto dhe nga nobelisti Orhan Pamuk që hoqi dorë nga kombi dhe e lëshoi shtetin e vet, apo si Kolë Jakova, i cili tejet i zhgënjyer dhe i dëshpëruar nga kolegët e vet të penës la amanet të mos i vinte asnjë shkrimtar në varrim ai mori këtë vendim.

"Pas mbi treçerekshekulli jete dhe veprimtarie si pejan me vendlindje dhe si rugovas me prejardhje, vendosa të heq dorë, që sot, edhe nga vendlindja, Peja, edhe nga prejardhja, Rugova.

Me një parantezë, që në krye, një si shpjegim të menjëhershëm: Pejën, qytetin tim të lindjes, dhe Rugovën, vendlindjen e prindërve të mi (Drelajt e babait tim dhe Haxhajt e nënës sime) i kam dashur dhe do të vijoj t‘i dua sa të jem gjallë!", shkruan ai në letrën ku argumenton arsyet përse e mori këtë vendim.

Lëndimet na vijnë gjithnjë nga ata që kemi dashur më shumë, nga qyteti ku dikur qysh fëmijë kemi ëndërruar si ta nderojmë emrin e tij, apo nga miqtë që u kemi besuar sekretet, të bindur se do t‘i kemi gjithnjë pranë…

Por këto "lëndime" nuk i kanë shuar energjitë e Ramiz Kelmendit. Ai vijon të jetë aktiv si profesor në Fakultetin e Gazetarisë së Prishtinës "Faik Konica", si dhe të vazhdojë jetën si shkrimtar.

Ai është autor i librave "Heshtja e armëve", "Shtatë persona ndjekin autorin", "Ahmet Koshutani", "Vija e vrrage", "Kapuç me mëngë", "Syzana", "Letra prej Ulqini" etj.

Në një intervistë më poshtë, Kelmendi bën një rrëfim për rrugëtimin e tij drejt letrave dhe e sheh letërsinë shqipe në të dyja anët e kufirit…

Si do ta kujtonit lidhjen tuaj me letrat. Si u gjend në botën e të rrëfyerit nëpërmjet shkronjave Ramiz Kelmendi?

Si shumëçka. Edhe si shpërthim. Edhe si domosdoshmëri. Edhe si dyshim/mosbesim. Edhe si sprovë. Shpalli "Rilindja" me të parin konkurs për tregime dhe, meqë punoja në të prej disa kohësh, si reporter i lirë, thashë: pa le të shoh a do të mund të shkruaja edhe me të parin tregim në jetën time. E dërgova me pseudonim, natyrisht. Dhe, do ti, ai mori çmim dhe u botua. Ishte ky tregimi "Barka e peshkatarit", me motiv nga Ulqini, nga e kam dhe romanin satirik "LETRA NGA ULQINI" (1966), në mos veprën më të realizuar, sigurisht më të guximshmen për censurën e asaj kohe, të botuar menjëherë pas Plenumit IV të Brionëve. Tregimi u botua më 28 mars 1954 dhe, që nga ajo ditë e deri sot unë kam plot 54 vjet që nuk iu reshta letrave dhe një "bagazh" prej jo më pak se 37 librave të botuar.

Ju keni studiuar në Beograd për gjuhë dhe letërsi shqiptare. Kaq vite më vonë, si e gjykoni kohën e studimeve në këtë vend, Duke qenë se është një kastë e njohur intelektualësh kosovarë që janë formuar në këtë universitet. Si ishin studentët kosovarë dhe Beogradi i atyre viteve?

E si do të mund ta gjykoja ndryshe, siç mund ta merrni me mend edhe vetë, sesa, shkurt, si një fat në fatkeqësi. Po, po. Pikërisht kështu. Në atë "trohë lirie" dhe "të drejtash" si "pakicë", jo një "kastë", po një numër relativisht i lakmuar nesh, shfrytëzuam këtë privilegj dhe studiuam në Beograd e ca edhe në Zagreb e Sarajevë. Ne në Beograd, në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare, themeluam edhe shoqatën kulturore "Përpjekja". U bëmë jo pak të gjallë, përkundër survejimit policor. Mbanim, pothuajse rregullisht, mbrëmje letrare. Ndërkohë, për të na "disiplinuar", jo pak nesh edhe na burgosën.

Çfarë ndodhi kur ju mbaruat studimet dhe u kthyet në Kosovë?

Nisa punën si reporter i lirë në gazetën "Rilindja". Vijova të shkruaj tregime dhe t‘i botoj në revistën letrare "Jeta e re", nën përkujdesjen dhe ndihmën prindërore të Esad Mekulit. Zura të merrem dhe me përkthime të kryeveprave të letërsisë botërore, të cilat ishin rreptësisht të ndaluara asokohe në Shqipëri, si "Procesi" i Kafkës (1972), "Njëqind vjet vetmi" i Markesit (1978), "Shakaja" i Kunderës (1979), "1984" i Oruelit (1980), "Daullja e llamarinte" , në 2 vëllime, i Gynter Grasit (1982), "Dhuntia e shqiponjës" i Kastanedes (1986), "Mbi heronjtë dhe varrezat" i Ernesto Sabatos (1987) etj., etj.

Çfarë e ka provokuar më shumë të shkruarin te ju?

Në radhë të parë e mbi të gjitha - padrejtësia. Shkelja e të drejtave elementare njerëzore të shqiptarëve nga ana e sistemit. Një si gjenocid. Edhe dhuna, politike e policore, herë më e shprehur, e herë më e kamufluar. Por, gjithmonë e pranishme. Si shpatë e Damokleut. Dhe diçka, akoma më e keqe, bashkëpunimi me policinë deri edhe i ca intelektualëve si "shqiptarë të ndershëm" shih romanin tim "SHTATE PERSONA NDJEKIN AUTORIN").

Nëse do të flisnim për një kulm në letërsinë kosovare, në cilët autorë e vite do ta gjenim atë?

Si zor të flitet për ndonjë kulm të theksuar. Edhe pse, shumëherë më e lakmuar dhe më e moderuar, krahasuar me realizmin socialist, letërsia kosovare, sidoqoftë dha jo pak emra mjaft të realizuar, si: Rexhep Qosja, Anton Pashku, Azem Shkreli, Ali Porimja etj.

Kritikë të ndryshëm thonë se "lufta", apo të qenit gjithnjë një vend i pastabilizuar politikisht, ka bërë që Kosova të ketë një letërsi ku dominon patriotizmi, legjendat, triumfi ndaj së keqes, mllefi? Sa e ka dëmtuar apo rritur kjo letërsinë?

S‘do mend se, jo pak, edhe e ka dëmtuar. Po ama, kur më shumë se në ato rreth 50 vjet të sundimit barbar serbomadh, me synimin e deklaruar për asimilim, shkombëtarizim, dëbim nga trojet e veta dhe pothuajse shfarosje të plotë të shqiptarëve, është nevojitur, doemos, një letërsi me ekzaltim dhe frymëzim patriotik, edhe më mite, edhe me legjenda, edhe, pse jo, me mllef? Sado në kurriz të artit të mirëfilltë. Sepse, kur kërcasin tytat, pushojnë muzat, apo jo?

Si do ta gjykonit letërsinë që bëhet sot në të dyja anët e kufirit (Shqipëri-Kosovë)?

Sesi më duket. E më duket - më shumë se paradoksale. Thuaj e pabesueshme. Kurrë më shumë libra, e kurrë më pak letërsi. E sidomos - më pak lexues! Kjo është për t‘u vajtuar. Sidoqoftë, unë kam tre-katër (jo më shumë) emra shumë të preferuar andej "gardhit". Që i lexoj me ëndje dhe mezi pres çdo vepër të tyre të re. Nuk dua të zë në gojë emrin e asnjërit prej tyre, por e di se nuk jam i vetmi që ka këto preferenca. Ndërkaq, po të kem parasysh Kosovën, sikur kam përshtypjen se letërsia kurrë, as edhe në ato kohërat e shkuara të censurës më të rreptë, nuk ka qenë më - e varfër! Mjerisht. Nuk e shpjegoj dot. As pajtohem me këtë gjendje. Rexhep Qosja edhe po vijon të shkruajë e të botojë. Edhe Mehmet Kraja, po ashtu. Pa zënë në gojë Ali Podrimjën e pashteruar. Po më? Jo, jo, nuk jam aspak i kënaqur...

Çfarë ka qenë atdheu për Ramiz Kelmendin dhe a ju ka lënduar ndonjëherë ai?

Atdhe, për mua, që nga 1941, kur - për herë të parë! - mësova se kam Atdhe, se jam Shqiptar, e jo turk elhamdurilah, e më së paku serb, pra Atdheu, për mua, Shqipëria, ka qenë një si Qabe, diç si Mekë e Medinë për hoxhallarët. Mbi 36 vjet e ëndërrova, e lakmova, s‘doja të vdisja pa e parë. Dhe kjo dëshirë m‘u realizua nga fundi i vitit 1966. Jo më pak se 15 herë m‘u realizua kjo dëshirë vetëm në kohën e Xhaxhit. Dhe, kurdo që kthehesha s‘andejmi dhe vinin miqtë e shokët të merrnin vesh si e kisha parë Shqipërinë, unë nuk bëja tjetër pos - gënjeja. Sepse nuk u flisja fare për Shqipërinë që kisha parë në të vërtetë, për Shqipërinë siç ishte, por ngrija në qiell një tjetër Shqipëri - Shqipërinë siç e kisha ëndërruar dhe siç dëshiroja të ishte.

A më ka lënduar ndonjëherë? Në qoftë se edhe më ka lënduar/zhgënjyer dhe, për rrjedhojë, edhe kam gënjyer për të DJE, as kam dhe as di si ta shpjegoj "lëndimin" që më vjen nga Atdheu SOT!!! Po si është e mundur, ore, që sot, kur u bëmë dy shtete, kur nuk na pengon as serbi as greku, kur shkojmë e vijmë (si) në shtëpinë tonë, njëqind herë kemi pasur vizita dhe marrëdhënie të ndërsjella, sidomos në fushën e kulturës e të arsimit, Dje sesa sot!!! Këtë s‘ia fal Atdheut tim. As shtetit më të ri shqiptar.

Si i gjykoni vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit duke qenë se sot ka shumë debate lidhur me gjuhën?

Kam qenë i ftuar, po, në Kongresin e Drejtshkrimit, por ma ndaloi pjesëmarrjen "Shtëpia e Madhe" (Policia). Sidoqoftë, unë kam qenë dhe mbetem "partizan" i atij Kongresi. Edhe pse, sa vjen e më shumë po bindem se mbajtja e një Kongresi të ri është më se e domosdoshme.

Çfarë jeni duke shkruar tani?

"Shkrova", 12 vjet të shkuara, Fakultetin tim të Gazetarisë "Faik Konica", që nxori një plejadë të tërë gazetarësh nga më të mirët, që mbajnë në kurriz pothuajse të gjitha mediat kosovare. Kam disa muaj që po "shkruaj" shëndetin tim, ndërkohë që pashë vdekjen me sy. Dhe pothuajse e preka me dorë...


G. Shqip

(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •