Kujtim Mateli: More Naim Shqipëria (II)
| Tuesday, 04.22.2008, 09:19 PM |  

Kujtim Mateli
More Naim Shqipëria (II)

Thot' Herodoti,
Në Tomor Zoti
Shtëpi qëmoti
Kishte Dodonë
 

Naim Frashëri

Tek qytetërimi pellazgjik janë rrënjët e kulturës botërore

Nga Kujtim Mateli - Zemra Shqiptare

Naimi është krenar  që  besimi i parë,  mbi lëmshin e dheut, ka qenë ai pellazgjik. Duke iu referuar Herodotit na thotë se Dodona ka qenë shtëpi e Zotit. Një popull që i ka dhënë botës modelin e besimit tek Zoti është një popull që e ka orientuar njerëzimin drejt dritës. Atje në Dodonë ishte një institucion që i shërbente Zotit. Aty buronte fryma hyjnore, rrezatimi i së cilës i kapërcente kufijtë ballkanik ku jetonin pellazgët. Të parët tanë ishin njerëz besimtarë. Është  krenari për një komb që drita hyjnore mbi këtë lëmsh të dheut ka rënë së pari mbi tokën pellazgjike. Kjo do të thotë se të parët tanë e meritonin këtë me përkushtimin e tyre.  Nën rrezatimin e saj formuan tiparet më të arrira. Krijuesi gjithmonë i ka kryer punët e veta në mënyrë perfekte. Dërgoi në tokë jo një njeri, për ta ndjekur si model. I dërgoi njerëzimit në shembëlltyrën e vet një popull të tërë. Dhe këta ishin pellazgët. Ky model mirësie, udhë nëpër të cilën do të kalonte njerëzimi, nuk u ndoq nga popujt  e tjerë. Kështu që në kufi të pellazgëve u dyndën popuj,shpirti i të cilëve,kush më shumë e kush më pak, kishte rënë në kthetrat e ligësisë. U ndesh e mira me të keqen. Trojet e Pellazgjisë u tkurren, por  drita e mirësisë  që ata përhapën i zbuti këta popuj dhe i futi në rrugën e qytetërimit. Kjo është sakrifica më e madhe që ka bërë ndonjë popull.
  Naimi e vendos Dodonën në Tomorr, aty ku Herodoti e kishte përshkruar atë. Tomorri ishte shtëpi e Zotit kushedi se sa mijëvjeçarë  para tij. Pellazgët ishin popull i përkushtuar ndaj besimit.  Zoti në përfytyrimin pellazgjik ishte afër nevojave njerëzore. Ai  ishte afër tyre, sigurisht në pikën më dominuese të trojeve pellazge, atje në Tomor,atje ku maja e malit prek qiellin. Tomorri shihej dhe shihet me admirim. Ajo majë mali,të cilën të parët tanë e bënë seli për Zotin,duket sikur është krijuar enkas për një gjë të tillë. Ajo prek qiellin e kaltër dhe të ngjan sikur që nga aty kalojnë për  në tokë rrezet e ngrohta të diellit që të buisë bari në pranverë, pylli  dhe livadhi të mbushet me gjethe e lule, të lulëzojë jeta në tokë.
 Është  po kjo majë mali që, kur në verë bimët kanë nevojë për ujë,  mbledh retë dhe i nis për atje, ku njerezit  kanë bërë një lutje. I madhërishëm në çdo stinë të vitit.  Dimri e mbulon me borën e bardhë për t`i bërë shpirtrat njerëzorë të pastër dhe kjo bardhësi vazhdon dhe gjatë stinës së pranverës,ndërsa vera e mbush me lule për të përtërirë jetën.  
 Njerëzit, në ato kohë të lashta, ndiqnin me sy majën e malit të shenjtë gjate gjithë ditës, ndërsa ata,  që për kushte gjeografike nuk mundnin ta kishin këtë fat, i shkonin pranë të paktën një herë në vit. Por, gjatë gjithë vitit, pavarësisht se nuk e shihnin majën e malit të shenjtë, sytë i drejtonin andej nga ishte Tomorri duke i  bërë një lutje sipas zakonit pellazgjik.
Duket sikur vetë Krijuesi i gjithësisë ka dashur  që ta krijonte selinë e Tij mbi atë majë mali. Të shenjtëronte jo vetem malin, por edhe popullin që e rrethonte. Drita që përhapej prej tij të shkonte kudo ku ishte fryma njerëzore.
Besimi pellazgjik për Zotin ka qenë një përsosmëri ndërmjet  arësyes dhe besimit. Njerëzit edhe në ditet tona i drejtohen majës së shenjtë me një qendrim adhurues, drejt në këmbë, ashtu siç  mund te bisedojnë dy veta. I pari sigurisht është njeriu i cili fillon me lutjen: “O Zot!” Më pas vazhdon lutja duke treguar se çfarë kërkon dhe duke treguar besim se ato për çfarë bëhet fjalë do të realizohen. Mbas lutjes ndihet i çliruar se ato që kish ia tha asaj fuqisë hyjnore që sigurisht nuk do të vonojnë. Nuk ndihet më i vetëm. Fati i tij do të ndryshojë.  Ndihet i përtërirë dhe gjithçka që i  ishte rënuar nga fatkeqsitë e jetës do të ecë në udhë të mbarë.  Naimi duke thënë se Tomorri është shtëpi e Zotit,  thoshte para shqiptarëve dhe para botës një të vërtetë të madhe  që ndoshta tek popujt e tjerë në ato  kohë të mijëvjeçarit të kaluar ishte harruar.

Po kujt i drejtohej dhe çfarë synonte?

Naim Frashëri
Naim Frashëri
Naimi nuk i drejtohej vetëm lexuesit të thjeshtë që është një besimtar i mirë pavarësisht se ku beson, as nuk synonte të ngjallte besimin pellazgjik për të tkurrur besimet e tjera fetare.
Ishte një mesazh krenarie për bashkëkohësit e vet për këtë prejardhje hyjnore të të parëve tanë, por ishte një mesazh edhe për brezat që do të vinin,atyre që do të kishin mundësinë të ngrinin shtetin shqiptar.
Nepërmjet këtyre vargjeve desh t`u thosh: e nesërmja juaj do të jetë hiçgjë, nëse ju nuk do të paraqiteni para botës me kulturën tonë të mrekullueshme që shënon a-në  e kulturës  së njerëzimit.
 Nërmjet këtij mesazhi u thosh brezave që vinin se, çfarëdo që ju të bëni, do të mbetet në hije, nëse në sfond të saj nuk do të vendoset kjo kulturë e lashtë që tregon rrënjët e njerëzimit mbi tokë. E sotmja  është e pa sigurt dhe aq më shumë e nesërmja, nëse në themel  të saj nuk vendoset guri pellazgjik që është njëkohësisht guri i themelit të këtij gadishulli.
 Nëpërmjet këtij mesazhi  u thosh brezave të ardhshëm: gjejeni  Dodonën kudo që të jetë, se nuk ishte vetëm një qendër e rëndësishme kulti me përmasa botërore,ishte Akademia e parë shkencore në Ballkan dhe më gjerë, ishte shtëpia e poetëve dhe filozofëve pellazg,  madhështia e të  cilëve u reflektua tek autorët e mëvonshëm.
 Kanë kaluar 100 e ca vjet që kur poeti  ynë kombëtar,(e ka lënë  amanet për ta ndriçuar këtë pjesë të lavdishme të historisë së popullit tonë)  dhe Shqipëria ende nuk e ka vlerësuar siç duhet kulturën e saj. Ajo me të cilën shqiptarët mund të krenohen  është se të parët tanë iu drejtuan Zotit më parë se çdo popull tjetër dhe jo pak, por në një periudhë që matet me mijëvjeçarë dhe  që është sa dyfishi i kohës që popujt e mëvonshëm iu drejtuan Zotit. Shqiptarët edhe sot nuk kanë hequr dorë nga besimi pellazgjik.  Aq e vërtetë është kjo sa që edhe kur shqiptarët si dhe popujt e tjerë të krishterë përqafuan  krishtërimin në modelin e mirësisë ndaj tjetrit duke e mishëruar në figurën e Jezu Krishtit,   në ditën e Shën Mërisë,  ata i drejtoheshin malit të shenjtë në këtë ditë, në mes të muajit  gusht, duke bërë një gërshetim midis dy besimeve. Në besimin pellazgjik njerëzit i drejtoheshin Zotit drejt përdrejt, tani i drejtohen po atij Zoti si dhe më parë, por i mishëruar në figurën e Jezu Krishtit. Dhe besimtarët e krishterë shkojnë edhe sot, ashtu si më parë,duke iu drejtuar malit të shenjtë pellazgjik, në ditën e Shën Mërisë. Edhe muslimanët e sektit bektashi, i drejtohen malit të Tomorrit po në gjysmën e dytë të muajit gusht duke patur atje një objekt kulti të tyren. Por edhe muslimanet e tjerë që nuk janë  të sektit bektashi, pavarësisht se nuk kanë ndonjë objekt kulti të tyren në malin e Tomorrit, i drejtohen malit të shenjtë po në këto ditë. Me padurim atë mes gushti e presin dhe besimtarët katolikë. Pra besimtarët e të gjitha feve, kanë  objekt kulti në malin e Tomorrit apo jo, i drejtohen majës së shenjtë që simbolizon fronin e Zotit në të njënjtën kohë. Sa mijëvjecarë i drejtohen shqiptarët këtij mali që për ta përfaqëson Zotin, kjo mund të jetë e përafërt, por është disa mijëvjeçarë para lindjes së Krishtit.
 Nëse shtrohet si pyetje që si mundet që shqiptarët kanë një harmoni fetare, ku fetë dhe nëndarjet e tyre mund të jenë më të shumta se në çdo vend tjetër, rrënjët duhen kërkuar tek ai besim pellazgjik që përbën edhe sot e kësaj dite shtratin e besimit tek Zoti. Popujt e tjerë kanë një armiqësi fetare jo vetëm midis feve të ndryshme, por edhe midis sekteve të së njënjtës fe. Do te ishte e tepërt të jepen shembuj. Tek shqiptarët fatmirësisht një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë për aq kohë, sa shtrati pellazgjik i besimit tek Zoti do të përbëjë besimin bazal tek shqiptarët.
Cilido mund të pyes: përse nuk pati studjues të mirëfilltë shqiptarë që ta ndriçonin këtë larpamësi të Naimit që kërkon të gjejë rrënjët e trungut tonë pellazgjik thellë në histori, në disa mijëvjeçarë  para lindjes së Krishtit?
Po dijetarët dhe shkencëtarët e gjysmës së parë të shekullit të kaluar për vet  rrethanat historike  nuk i patën kushtet për të kryer studime të mirëfillta. Ndërsa gjysma e dytë e shekullit të kaluar u sundua  nga idelogjia  e zhdukjes nga vetëdija e njeriut  e besimit tek Zoti. U shkatërruan kishat, teqet dhe xhamitë, u ndalua besimi në vendet e shenjta që janë të shumta në Shqipëri.Askush nuk mund  të guxonte të trokiste në portat e qytetërimit pellazg. Po kjo periudhe ishte më se gjysmëshekullore dhe pati pasoja negative. 
a)varfëroi njerëzit shpirtërisht.
b) Përqëndroi gjithë pontecialin intelektual  tek hymnizimi që duhej t`i bënin rendit të ri socialist.  Një harxhim i kotë energjie. Një harxhim i kotë i kohës.   Edhe të shkuarën e studionin me lenten marksiste ku historia e Shqipërisë, përveç periudhës së Skënderbeut, erdhi në fokus me deformime. Në këto kushte as që mund të bëhej fjalë  për studime që do të na çonin tek origjina jonë hyjnore në disa mijëvjeçarë para lindjes së Krishtit. Ndriçimi i kësaj periudhe që është nderi dhe krenaria e popullit tonë dhe një nga arritjet  më të mëdha për njerëzimin, duket se po fillon të ndriçohet. Janë një sërë autorësh që po kërkojnë të hapin portat e mbyllura të mijëvjeçarëve para lindjes së Krishtit dhe shumë prej tyre i janë afruar vendndodhjes së çelsave  që do t`i hap këto porta.


© www.zemrashqiptare.net

(Votes: 2 . Average: 5/5)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •