Halil Haxhosaj: Liria në poezinë e sotme shqipe
| Thursday, 05.15.2008, 09:23 PM |  

Halil Haxhosaj
LIRIA NË POEZINË E SOTME SHQIPE

Nga Halil Haxhosaj

Nuk ka poet që nuk ka shkruar ndonjë varg për lirinë. Disa prej tyre kanë shkruar poezi, himne, ditirambe, poema, madje edhe vepra të tëra kushtuar lirisë.
Liria në poezi tonë, sidomos në atë të sotmen kalon nëpër disa rrathë, depërton nëpër disa sfera, apo, pse jo, edhe kapërcen nëpër disa kapërcalle kohore të gjysmës së fundit të shekullit të kaluar dhe deri sot.
 Andaj vetvetiu lindin pyetjet:
 A ka pasur liri nga poetët për ta shkruar poezinë?
 A ka pasur dhe a ka gjithashtu liri në poezinë e sotme shqipe, gjegjësisht në vargjet e saj dhe sa ka liri në poezitë përkushtuese për betejat, luftën, dëshmorët e heronjtë e rënë në luftën për liri?
 Për t’i shkoqitur sadopak këto situata, këta rrathë dhe këtë ekzistencë duhet hulumtuar nëpër poret e zhvillimit të poezisë sonë pas të ashtuquajturës Luftë e Dytë Botërore. Dhe këtu dalin dy rrugë, apo më mirë të shprehemi, dalin dy kahe të rrugëtimit të lirisë në poezinë e sotme shqipe:
          1. Rruga e lirisë në poezinë e poetëve të Shqipërisë.
          2. Rruga e lirisë në poezinë shqipe tek poetët e Kosovës.
 Fati historik e deshi që shqiptarët e të dy anëve të kufirit, në Shqipëri dhe në Kosovë, të mbesin nën të njëjtin sistem shoqëror pas Luftës së Dytë Botërore, nën sistemin socialist. Dhe raportet e artit në përgjithësi dhe të poezisë në veçanti natyrisht që kërkojnë qasje të reja. Poetët duhej patjetër të ndërrojnë metodën letrare dhe të shkruajnë për luftën, betejat e saj, për partizanët e partizanet, për heronjtë e dëshmorët, për komunizmin e komunistët, pastaj për reformën agrare, kooperativizmin në Shqipëri, e deri për vëllazërim-bashkimin, të drejtën e femrës, shkollimin, luftën kundër analfabetizmit e të tjera në Kosovë. Andaj, në vargjet e poezive përkushtuese për lirinë më shumë ndihet fryma e tillë se sa frymon liria në to. Liria ishte gjëja më e arrirë, ajo ishte grada më e lartë e arritur ndonjëherë dhe kurorëzohej me fitoren e komunizmit dhe socializmit. Vetëm poezitë kushtuar partisë, socializmit, kooperativizmit, tharjes së kënetave, aksioneve të rinisë në Shqipëri, luftës partizane, betejave të Sutjeskës, Neretvës, Dervarit, por edhe asaj të Carralevës, vëllazërim bashkimit, Boros e Ramizit, Landovicës, e pse jo edhe Titos, në Kosovë, konsideroheshin poezi me vargjet më të mira në të cilat frymonte liria. Dhe në pyetjen e parashtruar del vetvetiu përgjigjja. E tillë është liria në vargjet e poezive me tematikë, semantikë, motive dhe frymëzime të këtilla.
Në poezinë e krijuar në Shqipëri liria sa vjen e shtresohet nëpër të gjitha poret e jetës socialiste, kooperativizmit e deri te reformat në arte, kulturë, letërsi dhe në jetë. Andaj lindja e metodës së socrealizmit në letërsi shndërrohet në dogmë letrare. Ata që duan të bëhen poetë patjetër duhet të japin provimin pranues me tematikën ideologjike të kësaj metode letrare. Kështu lindin poetë e shkrimtarë socrealistë të cilët janë kreatorë të poetikës socialiste në Shqipëri. Liria e poezisë së tyre frymon nëpër poret e luftës së klasave, ndërtimit të fshatit socialist, njeriut të ri të zhveshur nga besimet fetare, pronës shoqërore e shumë e shumë temave të tjera. Kurse, liria e shprehur ndryshe në vargjet e atyre pak poetëve të guximshëm nuk zgjat shumë, sepse ata burgosen bashkë me vargjet e veprat e tyre dhe dënohen me shumë vjet heqje lirie. Dhe lind e ashtuquajtura poezi disidente me poetë të tillë si Kasëm Trebeshina, Bilal Xhaferri, Frederik Rreshpja, Visar Zhiti, Havzi Nela, etj. Klasa e këtyre poetëve dënohet dhe persekutohet edhe në mënyra të tjera. Liria e shprehur në vargjet poetike të tyre, demaskohet edhe nga kolegët e tyre. Andaj nuk është e rastësishme thënia e Mitrush Kutelit në testamentin e vet se krijuesit të cilët shpreheshin të lirë në vargjet e tyre, jo vetëm që dënoheshin nga partia e shteti, por edhe nga vetë shkrimtarët. “Profesionalizmi në letërsi, në vendin tonë është, hë për hë, një rrugë vuajtjesh, buka e tij është e hidhur. E hidhur, them, për atë që s’di marifete e hipokrizira. Terreni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjarpërinjtë. Të vrasin shokët, se u bën hije. Dhe kur nuk u bën hije do të thotë se nuk je i zoti për letërsi”. Krijuesit e këtij terreni të letërsisë e gjenin rrugën më të mirë për të mënjanuar të tillët që i pengonin në realizimin e famës së tyre prej shkrimtarëve socrealistë në sistemin totalitar komunist..
 Ndërkaq, në Kosovë, gjetja e lirisë në poezinë e viteve të 70 të shekullit të kaluar bëhej në një formë tjetër. Kjo formë pak nga pak kaloi në metodë e cila kishte një shtrirje bukur të madhe në këtë kohë. Mbase ajo ishte metoda e përdorimit të një figuracioni të dendur metaforik në poezi. Prandaj është krejt e natyrshme që nisi të kultivohej kjo mënyrë e shprehjes poetike në poezinë shqipe të Kosovës sa që gradualisht nisi të shndërrohej në poetizim hermetik. Ky hermetizëm siç është vërejtë me kohë qe sa i mirë aq edhe i rrezikshëm.
 Por, pas ngjarjeve të vitit 1981, pra pas demonstratave të studentëve, ndërroi shumëçka edhe në poezinë e poetëve të Kosovës. Ajo pak liri që frymonte në vargjet e saj tash nisi edhe më shumë jo vetëm të stërkeqet, por edhe të zhduket. Në faqet e disa gazetave dhe revistave letrare filloi një kontrollim që i kanosej lirisë së poezisë. Kështu, prapë nisi censurimi i vargjeve që shprehnin heroizmin dhe pranonin kërkesat historike të demonstruesve studentë dhe të demonstratave. Dhe shumë nga organizatorët u burgosën dhe u dënuan me burg. Ata nga qelitë e burgjeve serbosllave kërkonin liri. Lirinë më të shenjtë e gjenin në vargjet e tyre që i shkruanin më shumë në mendje se sa në letër. Dhe kështu lindi poezia e burgjeve në vargjet e të cilës shkruhej për lirinë. Këta poetë e krijues pas daljes nga burgjet i botuan veprat e tyre. Mbase kështu nuk ndodhi në burgjet e Shqipërisë së Enver Hoxhës sepse nga ato dolën me tonelata letër të letërsisë së shkruar nëpër burgjet enveriane.
 Dhe liria në poezinë e sotme shqipe nisi të frymojë pas viteve të 90 të shekullit të kaluar edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri. Poetët u çliruan nga prangat e partishmërisë në art, u çliruan nga ideologjia, nga figuracioni bardh e zi. Tash nuk ekzistojnë shabllone që krijonin vlerën ideologjike dhe partiake të poezisë. Liria nisi të vërshojë në vargjet e poetëve. Ata nuk jepnin më llogari ideologjike për figuracionin e përdorur dhe për tematikën e shprehur në poezitë e tyre.
 Por, për Kosovën kjo nuk zgjati shumë. UÇK-ja ia filloi luftës. Andaj poetët duhej t’i mobilizonin figurat e tyre në mbështetje të kësaj lufte. Ushtarët e kësaj ushtrie ishin kreatorët e një lirie të re, të cilën e sollën në Kosovë. Tash liria e vargjeve poetike frymon bashkë me këta luftëtarë, dëshmorë, martirë dhe heronj. Duke shkruar vargje për Adem Jasharin, Jusuf Gërvallën Xhevë e Fehmi Lladrovcin, Komandant Kumanovën, Luan e Shkëlzen Haradinajn, Agim Ramadanin e Sali Çekun, Prekazin, Gllogjanin, Izbicën, Reçakun, Kosharën, Pashtrikun, Shalën e Llapin, etj, bëhet një farë portretizimi a biografi e këtyre martirëve. Dhe duhet theksuar se poezitë kushtuar këtyre ngjarjeve dhe personaliteteve, fatkeqësisht, nuk janë gjithherë në nivelin e duhur artistik, ngase janë shkruar pa u ndier shpirtërisht siç e kërkon frymëzimi i vërtetë për hartimin e krijimtarisë së mirëfilltë poetike. Sepse për të shkruar poezi për ngjarje të ashtuquajtura të mëdha dhe njerëz të dalluar nuk do të thotë se ke krijuar poezi të realizuara artistikisht. Kjo ndodh se poezia nuk është vetëm shprehje e mendimit, por mbi të gjitha është shpalosje e ndjenjave me mjete të zgjedhura artistike, me metafora dhe figura të tjera stilistike.
 Si do që të jetë megjithatë ky ishte dhe është një këngëtim për një liri në poezinë tonë bashkëkohore, pavarësisht nga mungesat që mund të ketë ajo. Edhe poezia si edhe vetë liria frymon ndryshe, rrjedh ndryshe dhe kumbon ëmbël. Edhe kjo është liria e poezisë bashkëkohore shqipe.
 Andaj, edhe njëherë në fund ia vlen të konstatohet se nuk ka poet që nuk ka shkruar ndonjë varg për lirinë. Disa prej tyre kanë shkruar, por edhe shkruajnë poezi, himne, ditirambe, poema, madje edhe vepra të tëra kushtuar lirisë.



(Votes: 6 . Average: 5/5)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •